Maimonidi: Njeriu që ripërcaktoi judaizmin
«NGA Moisiu tek Moisiu, nuk ka qenë askush si Moisiu.» Shumë hebrenj, njohin në këtë shprehje enigmatike, admirimin për filozofin, kodifikatorin dhe komentuesin e Talmudit dhe të Shkrimeve, Mose Ben Maimon, i njohur gjithashtu si Maimonidi apo si Rambam.a Jo shumë persona e njohin sot Maimonidin, e pra shkrimet e tij kanë patur një ndikim të madh mbi mendimin hebre, mysliman dhe kishtar të ditëve të tij. Në kuptimin themelor, ai ripërcaktoi judaizmin. Kush ishte Maimonidi dhe pse shumë hebrenj e konsideronin si «Moisiun e dytë»?
Kush ishte Maimonidi?
Maimonidi lindi në Kordoba të Spanjës, në vitin 1135. Babai i tij, Maimon, i cili i dha pjesën më të madhe të edukimit fetar, ishte një studiues nga një familje e shquar rabine. Kur në vitin 1148, Almohadi pushtoi Kordobën, hebrenjve u duhej të zgjidhnin, ose të bëheshin myslimanë ose të iknin nga sytë këmbët. Për familjen e Maimonidit, filloi një periudhë shtegtimesh. Në 1160-ën, u vendosën në Fez të Marokut, ku Maimonidi studioi për mjekësi. Në 1165-ën, familjes së tij iu desh të largohej për në Palestinë.
Megjithatë, situata në Izrael ishte e paqëndrueshme. Bashkësisë së vogël hebreje, i kërcënohej rreziku si nga kryqëzatat e krishterimit ashtu edhe nga myslimanët. Pas jo më pak se gjashtë muajsh në «Tokën e shenjtë», Maimonidi dhe familja e tij gjetën strehim në Fustat, qyteti i lashtë i Kajros, në Egjipt. Pikërisht këtu talentet e Maimonidit u bënë plotësisht të njohura. Në vitin 1177, ai u bë kreu i bashkësisë hebreje dhe në 1185-ën u emërua mjek në oborrin mbretëror të sulltanit të famshëm mysliman, Saladinit. Maimonidi i mbajti të dyja këto pozita deri kur vdiq, në vitin 1204. Fama e tij si mjek u përhap aq shumë, sa thuhej se deri edhe Mbreti Richard i Anglisë e kërkonte për ta marrë si mjek personal.
Çfarë shkroi?
Maimonidi ishte një shkrimtar prodhimtar. Ndërsa kërkonte t’i shpëtonte persekutimit mysliman, duke jetuar si një i arratisur, ai shkroi pjesën më të madhe të veprës së tij të parë të rëndësishme, Koment në Mishnah.b Shkruar në arabisht, komenti hedh dritë mbi shumë koncepte dhe terma të Mishnahit, herë pas here me devijime që paraqesin filozofitë e Maimonidit mbi judaizmin. Në pjesën që shpjegon traktatin e Sanhedrinit, Maimonidi formuloi 13 parimet themelore të besimit judaik. Judaizmi nuk kishte përcaktuar kurrë një kredo zyrtare, apo nuk kishte bërë një shpallje të parimeve themelore të besimit të tij. Tani, 13 parimet e besimit të Maimonidit u bënë një prototip i formulimeve të mëtejshme të kredos judaike.—Shiko kutinë në faqen 23.
Maimonidi, u përpoq të përcaktonte rregullin logjik të të gjitha gjërave, fizike dhe frymore. Ai e flaku tej besimin e verbër dhe kërkonte shpjegimin e çdo gjëje sipas atyre që i ai i konsideronte prova të arsyeshme dhe logjike. Kjo prirje e natyrshme e çoi në shkrimin e veprës së tij më të rëndësishme—Mishneh Torah.c
Në ditët e Maimonidit, hebrenjtë e shihnin «Torën» apo «Ligjin», jo vetëm si fjalët e shkruara nga Moisiu, por edhe si interpretimet e Ligjit sipas rabinëve gjatë shekujve. Këto ide kanë qenë shkruar në Talmud dhe në mijëra vendime dhe shkrime të rabinëve rreth Talmudit. Maimonidi e kuptoi se sasia e madhe dhe mungesa e organizimit e të gjitha këtyre informacioneve, e bënin një hebre të zakonshëm të paaftë për të marrë vendime që të mund të ndikonin në jetën e tij të përditshme. Shumica nuk ishte në gjendje që t’ia kushtonte të gjithë jetën studimit të literaturës rabine, pjesa më e madhe e së cilës ishte e shkruar në aramaisht, një gjuhë e vështirë. Maimonidi mendoi që ta zgjidhte problemin duke e botuar këtë informacion e duke nxjerrë në pah vendimet me vlerë praktike si edhe duke e organizuar materialin në një sistem të rregullt prej 14 librash, të ndarë sipas temës. Ai e shkroi atë në një hebraishte shumë të qartë dhe të rrjedhshme.
Mishneh Torah u bë një udhëheqje aq praktike, saqë shumë udhëheqës hebrenj kishin frikë se ajo do të zëvendësonte plotësisht Talmudin. Madje, edhe ata që e kundërshtonin, u duhej ta pranonin diturinë e jashtëzakonshme të kësaj vepre. Ky kod i organizuar kaq mirë, ishte një arritje revolucionare që e rigjallëroi sistemin judaik që njeriu i thjeshtë nuk arrinte dot ta kuptonte apo ta asimilonte.
Më tej, Maimonidi iu përvesh punës për të shkruar një tjetër vepër të rëndësishme, të titulluar Udhëheqje për të hutuarit. Me përkthimin e klasikëve grekë në arabisht, shumë hebrenj u familjarizuan me Aristotelin dhe filozofët e tjerë. Disa ishin të hutuar, pasi e shihnin të vështirë pajtimin e kuptimit të drejtpërdrejtë të termave biblike me filozofinë. Në Udhëheqje për të hutuarit, Maimonidi, i cili e admironte shumë Aristotelin, kërkoi ta shpjegonte thelbin e Biblës dhe të judaizmit në një mënyrë që të harmonizohej me mendimin filozofik dhe logjik.—Krahaso 1. Korintasve 2:1-5, 11-16.
Përveç këtyre veprave më të rëndësishme dhe shkrimeve të tjera fetare, Maimonidi shkroi me autoritet në fushën e mjekësisë dhe astronomisë. Nuk duhet kaluar pa u vënë re edhe një tjetër aspekt i shkrimeve të tij prodhimtare. Encyclopaedia Judaica komenton: «Letrat e Maimonidit shënojnë një kthesë në letërkëmbimin. Ai është i pari shkrimtar hebre, korrespondencat e të cilit në pjesën më të madhe të tyre janë ruajtur. . . . Letrat e tij i bënin apel mendjes dhe zemrës së korrespondentëve të tij dhe ai ndryshoi stilin për t’iu përshtatur atyre.»
Çfarë mësonte ai?
Në 13 parimet e tij të besimit, Maimonidi jep një skicë të qartë të besimeve të tij, disa prej të cilave të bazuara tek Shkrimet. Megjithatë, parimi i shtatë dhe i nëntë, kundërshton thelbin e Shkrimeve që e bazon besimin tek Jezui si Mesia.d Duke marrë parasysh mësimet e apostatëve të krishterimit, si p.sh Trinitetin dhe hipokrizinë e pacipë të dalë më në pah në kryqëzatat gjakderdhëse, nuk është për t’u çuditur që Maimonidi nuk gërrmoi më tej në çështjen e mesianitetit të Jezuit.—Mateu 7:21-23; 2. Pjetrit 2:1, 2.
Maimonidi shkroi: «A mund të ketë një pengesë më të madhe se sa [krishterimi]? Të gjithë profetët folën për Mesinë si shpërblerës i Izraelit dhe shpëtimtari i tij . . . [Në kontrast, krishterimi] shkaktoi që hebrenjtë të vriteshin nga shpata, ata që mbetën të shpërndaheshin dhe të poshtëroheshin, Tora të ndryshohej dhe pjesa më e madhe e botës të gabohej duke i shërbyer një perëndie të ndryshëm nga Zotëria.»—Mishneh Torah, «Ligjet e mbretërve dhe luftërat e tyre», kapitulli 11.
Por me gjithë respektin e treguar për të, shumë hebrenj preferojnë ta injorojnë Maimonidin në lidhje me disa çështje për të cilat ai foli me shumë çiltërsi. Me rritjen e influencës së misticizmit judaik (Kabbalah), astrologjia bëhej gjithmonë e më popullore midis hebrenjve. Maimonidi shkroi: «Kushdo që është i përfshirë në astrologji dhe parashikon punën e tij apo një udhëtim në bazë të treguesve që japin ata që shqyrtojnë qiejt, meriton të fshikullohet . . . Të gjitha këto janë gënjeshtra dhe mashtrime . . . Kushdo që beson në këto gjëra . . . nuk është gjë tjetër veçse një budalla dhe mendjeshkurtër.»—Mishneh Torah, «Ligje mbi idhujtarinë», kapitulli 11; krahaso Levitikun 19:26; Ligjin e përtërirë 18:9-13.
Maimonidi kritikoi me ashpërsi edhe një praktikë tjetër: «[Rabinët] kanë caktuar për vete kërkesa parash nga individë e bashkësi dhe i kanë bërë njerëzit që të mendojnë, në budallallëk të plotë, se kjo është detyrë dhe e drejtë . . . E gjithë kjo është e gabuar. Nuk ka as edhe një fjalë të vetme, si në Torë ashtu edhe në thëniet e të urtëve [talmudistëve], që ta mbështesë këtë opinion.» (Commentary on the Mishnah, Avot 4:5) Në kontrast me këta rabinë, Maimonidi punoi shumë si mjek për të mbajtur veten e tij dhe nuk pranoi kurrë të paguhej për shërbimet fetare që bënte.—Krahaso 2. Korintasve 2:17; 1. Selanikasve 2:9.
Çfarë efekti pati mbi judaizmin dhe mbi besimet e tjera?
Profesori Yeshaiah Leibowitz i Universitetit hebre të Jeruzalemit, deklaroi: «Maimonidi është figura më me influencë e gjithë historisë së judaizmit, që nga koha e patriarkëve dhe profetëve deri në kohën tonë.» Encyclopaedia Judaica vëren: «Ndikimi i Maimonidit në zhvillimin e ardhshëm të judaizmit, është i pallogaritshëm. . . . Chaim Tchernowitz . . . shkon deri aty sa thotë se po të mos qe Maimonidi, judaizmi do të ishte ndarë në sekte dhe besime të ndryshme . . . Falë punës së tij të madhe u bashkuan rrymat e ndryshme.»
Duke riorganizuar mendimin hebre sipas kritereve të duhura të rregullit dhe logjikës, Maimonidi ripërcaktoi judaizmin. Studiuesit si edhe masat e gjera të popullit e panë këtë përcaktim të ri si praktik dhe të dobishëm. Madje edhe kundërshtarët e Maimonidit e pranuan më në fund pjesën më të madhe të kritereve të tij. Edhe pse shkrimet e Maimonidit kishin për qëllim t’i lironin hebrenjtë nga nevoja për t’iu drejtuar komenteve të pafundme, jo shumë pas kësaj u shkruan komente të stërgjatura rreth veprave të tij.
Encyclopaedia Judaica komenton: «Maimonidi ishte . . . filozofi më i rëndësishëm i judaizmit mesjetar dhe vepra e tij Udhëheqje për të hutuarit është vepra më e rëndësishme filozifike e bërë nga një hebre.» Edhe pse e shkruar në arabisht, Udhëheqje për të hutuarit u përkthye në hebraisht gjatë jetës së Maimonidit dhe pak pas kësaj në latinisht, në këtë mënyrë mund të studiohej në të gjithë Evropën. Si rezultat, sinteza e shkëlqyer e bërë nga Maimonidi, midis filozofisë së Aristotelit dhe mendimit judaik u fut menjëherë në rrymat e mendimit të krishterimit. Studiuesit e krishterimit të asaj periudhe, si Albertus Magnus dhe Thomas Aquinas, shpesh i referohen pikëpamjeve të Maimonidit. Edhe studiuesit myslimanë u ndikuan nga ai. Përçapja filozofike e Maimonidit ndikoi më vonë edhe tek filozofët hebrenj, si Baruch Spinoza, për të bërë një ndarje të plotë nga ortodoksizmi judaik.
Maimonidi mund të konsiderohet një figurë rilindase që jetoi para Rilindjes. Këmbëngulja e tij mbi faktin që besimi duhet të jetë në përputhje me arsyen, konsiderohet akoma si një parim i vlefshëm. Ky parim e çoi atë që të shprehej me zjarr kundër bestytnive fetare. Megjithatë, shembulli i keq i krishterimit dhe ndikimi i filozofisë së Aristotelit shpesh e pengonte që të arrinte në konkluzione që ishin në harmoni të plotë me të vërtetën biblike. Edhe pse jo të gjithë do të ishin dakort me komentin e shkruar mbi varrin e Maimonidit: «Nga Moisiu tek Moisiu, nuk ka qenë askush si Moisiu», duhet të pranojnë se ai ripërcaktoi drejtimin dhe strukturën e judaizmit.
[Shënimet]
a «Rambam» është një shkurtim, një emër i formuar nga gërmat e para të fjalës hebreje «Rabbi Moses Ben Maimon».
b Mishnahi është një përmbledhje e komenteve rabine, bazuar mbi atë që hebrenjtë e konsiderojnë ligjin gojor. Është shkruajtur midis fundit të shekullit të dytë dhe fillimit të shekullit të tretë të e.s., duke formuar kështu fillimin e Talmudit. Për më tepër informacione, shiko broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë? faqe 10, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Emri Mishneh Torah është një term hebre që trajtohet në Ligjin e përtërirë 17:18, i cili është një kopje, apo ripërsëritje e Ligjit.
d Për informacione të mëtejshme në lidhje me provat që Jezui është Mesia i premtuar, shiko broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë? faqet 24-30, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 23]
13 PARIMET E BESIMIT TË MAIMONIDITe
1. Perëndia është Krijuesi dhe Sundimtari i të gjitha gjërave. Vetëm ai i ka bërë, i bën dhe do t’i bëjë të gjitha gjërat.
2. Perëndia është një. Nuk ekziston asnjë njësi që në një farë mënyre t’i ngjajë asaj të Tij.
3. Perëndia nuk ka një trup. Konceptet fizike nuk vlejnë për Atë.
4. Perëndia është i pari dhe i fundit.
5. Vetëm Perëndisë duhet t’i lutesh. Nuk mund t’i lutesh dikujt apo diçkaje tjetër.
6. Të gjitha fjalët e profetëve janë të vërteta.
7. Profecia e Moisiut është absolutisht e vërtetë. Ai ka qenë kryesori nga të gjithë profetët, para dhe pas tij.
8. E gjithë Tora që kemi tani është ajo që iu dha Moisiut.
9. Tora është e pandryshueshme dhe Perëndia nuk do të sjellë më një tjetër.
10. Perëndia i di të gjitha veprimet dhe mendimet e njeriut.
11. Perëndia i shpërblen ata që i ruajnë urdhërimet e Tij dhe i dënon ata që ngrenë krye kundër tij.
12. Mesia do të vijë.
13. Të vdekurit do të kthehen në jetë.
[Shënimi]
e Maimonidi i përcaktoi këto parime në veprën e tij Koment në Mishnah, (Sanhedrini 10:1). Judaizmi më vonë i adoptoi ato si kredo zyrtare. Teksti i mësipërm, është shkëputur nga një libër lutjesh të hebrenjve.
[Burimi i figurës në faqen 21]
Jewish Division/The New York Public Library/Astor, Lenox, and Tilden Foundations