BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/5 f. 24-29
  • Perëndia është streha dhe forca ime

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Perëndia është streha dhe forca ime
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • E forcuar për të ardhmen
  • Armiku përgjigjet: Burgim
  • Në Liktenburg
  • Në Ravensbruk
  • Vitet e vështira të pasluftës
  • Edhe një herë në ndalim dhe në burg
  • Forcë dhe ndihmë nga Jehovai
  • Jehovai mbetet streha dhe forca ime
  • Me ndihmën e Jehovait u mbijetuam regjimeve totalitare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Duke pritur me durim Jehovain që nga rinia ime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • E lashë veten nën kujdesin e dashur të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • E mbaj premtimin për t’i shërbyer Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/5 f. 24-29

Perëndia është streha dhe forca ime

TREGUAR NGA SHARLOT MYLER

«Nëntë vitet e vështira që ke kaluar nën Hitlerin të nderojnë,​—tha gjykatësi komunist.​—Ti ke qenë vërtet kundër luftës, por tani ti je kundër paqes sonë.»

E KISHTE fjalën për burgosjen time të hershme nga ana e nazistëve dhe për socializmin në Republikën Demokratike Gjermane. Në fillim m’u lidh gjuha nga habia, por pastaj ia ktheva: «Një i krishterë nuk lufton për paqen e vërtetë, në atë mënyrë që veprojnë njerëzit e tjerë. Unë përpiqem vetëm të ndjek urdhrin biblik për të dashur Perëndinë dhe të afërmin tim. Fjala e Perëndisë më ndihmon të mbaj paqen me fjalë e me vepra.»

Atë ditë, më 4 shtator 1951, komunistët më dënuan me tetë vjet burgim; një vit më pak nga sa më kishte dhënë regjimi nazist.

Kur ne Dëshmitarët e Jehovait persekutoheshim nga nacional-socialistët dhe nga komunistët, unë gjeta ngushëllim në Psalmin 46:1: «Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.» Vetëm Jehovai më dha forcën për të qëndruar dhe sa më shumë e përvetësoja Fjalën e tij, aq më e fortë bëhesha.

E forcuar për të ardhmen

Linda në vitin 1912, në Gota-Ziblaben të Turingisë, në Gjermani. Edhe pse prindërit e mi ishin protestantë, im atë ishte në kërkim të së vërtetës biblike dhe të një qeverie të drejtë. Kur panë «Fotodramën e Krijimit», prindërit e mi u rrëqethën.a Babai kishte gjetur atë që po kërkonte: Mbretërinë e Perëndisë.

Babai dhe mamaja, bashkë me ne gjashtë kalamajtë, dhanë dorëheqjen nga kisha, më 2 mars 1923. Në atë kohë jetonim në Kemnits, Saksoni dhe shoqëroheshim me Studentët e Biblës. (Tre nga vëllezërit dhe motrat e mia u bënë Dëshmitarë të Jehovait.)

Në mbledhjet e Studentëve të Biblës, tekstet biblike dhe të vërtetat e çmueshme m’u ngulitën në mendje dhe e mbushën zemrën time të re me lumturi. Sidomos kishim mësimet që ne, më shumë se 50 të rinj të krishterë, merrnim të dielave e që unë dhe motra ime Keti i ndoqëm për njëfarë kohe. Në grupin tonë gjendej edhe i riu Konrad Franke, i cili organizonte shëtitje dhe praktikonte këngët me ne. Më vonë, nga viti 1955 deri në 1969-n, vëllai Franke shërbeu si mbikëqyrës i degës Watch Tower në Gjermani.

Vitet ’20 ishin vite të turbullta, disa herë edhe mes popullit të Perëndisë. Disa vëllezër, të cilët nuk e pranonin më Kullën e Rojës si «ushqim në kohën e duhur», ishin kundër aktivitetit të predikimit shtëpi më shtëpi. (Mateu 24:45) Kjo çoi në apostazi. Por ishte tamam ky «ushqim» që na dha forcën, për të cilën kishim një nevojë aq të dëshpëruar në atë kohë. Për shembull, artikujt e Kullës së Rojës «Të bekuar janë ata që s’kanë frikë» (1919) dhe «Kush do të nderojë Jehovain?» (1926). Unë doja të nderoja Jehovain me anë të një aktiviteti të guximshëm, prandaj shpërndava shumë nga librat dhe broshurat e vëllait Rutherford.

Në mars të vitit 1933 u pagëzova si një Dëshmitare e Jehovait. Po atë vit, vepra jonë e ungjillëzimit u ndalua në Gjermani. Gjatë pagëzimit, Zbulesa 2:10 u ofrua si një këshillë për të ardhmen: «Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, Djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni dhe ju do të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» E mora për zemër këtë varg, duke mos pasur asnjë dyshim se më pritnin sprova të rënda. Kjo doli e vërtetë.

Pasi ne qëndronim asnjanës nga ana politike, disa prej fqinjëve tanë na shikonin me dyshim. Pas zgjedhjeve politike, një delegacion SS me uniforma naziste bërtiste përballë shtëpisë sonë: «Këtu jetojnë tradhtarë!» Artikulli «Mos kini frikë prej tyre», i cili doli në botimin gjerman të Kullës së Rojës në dhjetor 1933, ishte për mua një inkurajim i veçantë. Doja të qëndroja një Dëshmitare besnike e Jehovait, madje edhe në rrethanat më të vështira.

Armiku përgjigjet: Burgim

Prodhimi i Kullës së Rojës fshehurazi u bë i mundur në Kemnits, deri në vjeshtën e vitit 1935. Pas kësaj, na u desh të çonim makinën e kopjimit që përdornim, në Bierfelt, në Malet Ore, ku ajo u përdor për të riprodhuar literaturën deri në gusht të vitit 1936. Keti dhe unë u shpërndanim kopjet vëllezërve, adresat e të cilëve na i jepte babai. Për njëfarë kohe çdo gjë shkoi mirë. Por më pas, Gestapo më mbante në vëzhgim dhe në gusht të vitit 1936 më mori në shtëpinë time e më mbajti në burg, ku prita gjykimin.

Në shkurt të vitit 1937, 25 vëllezër dhe 2 motra, ku përfshihesha edhe unë, dolën përpara gjykatës speciale në Saksoni. Kjo gjykatë deklaroi se organizata e Dëshmitarëve të Jehovait ishte subversive. Vëllezërit që kishin riprodhuar Kullën e Rojës u dënuan me nga pesë vjet burg. Mua më dhanë dy vjet.

Në vend se të lirohesha pas kryerjes së dënimit, mua më mori Gestapoja. Duhej të firmosja një deklaratë, në të cilën të pohoja se nuk do të isha më aktive si një Dëshmitare e Jehovait. Kundërshtova me vendosmëri, gjë e cila e tërboi oficerin, i cili kërceu përpjetë dhe lëshoi një fletë-arresti për mua, që të më vendosnin në burg. Kjo fletë-arresti tregohet në foto. Pa më lejuar të shihja prindërit e mi, më çuan menjëherë në një kamp të vogël përqendrimi për gra në Liktenburg, mbi lumin Elbë. Pak pas kësaj u takova me Ketin. Ajo kishte qenë në kampin e përqendrimit në Moringen që nga dhjetori 1936, por pas mbylljes së atij kampi përqendrimi, ajo, bashkë me shumë motra të tjera, erdhi në Liktenburg. Edhe babai ishte në burg dhe arrita ta shoh përsëri vetëm në vitin 1945.

Në Liktenburg

Nuk më lejuan të bashkohesha menjëherë me Dëshmitaret e tjera, ndërkohë që ato ndëshkoheshin për një arsye apo për një tjetër. Në një nga sallat vërejta dy grupe me të burgosura: gra që uleshin zakonisht nëpër tryeza dhe Dëshmitaret, të cilave u duhej të uleshin gjithë ditën mbi stola dhe nuk u jepnin asgjë për të ngrënë.b

Pranova me gatishmëri çdo caktim për punë, me shpresë që në ndonjë mënyrë të takoja Ketin. E ndodhi pikërisht kështu. Ajo po shkonte rrugës për në punë, me dy të burgosura të tjera, kur u gjendëm përballë. Tejet e gëzuar, i dhashë një përqafim të madh. Por rojet na raportuan menjëherë. Na morën në pyetje dhe prej asaj kohe na mbanin larg me qëllim. Kjo ishte tepër e rëndë.

Të paharrueshme në kujtesën time janë edhe dy ndodhi të tjera në Liktenburg. Në një rast, të gjitha të burgosurat duhej të mblidheshin në oborr, për të dëgjuar në radio një nga fjalimet politike të Hitlerit. Ne Dëshmitaret e Jehovait, nuk pranuam, pasi ishin të përfshira ceremoni patriotike. Prandaj, rojet na drejtuan tubat e ujit të zjarrfikësit, duke na lagur me çurgun e fuqishëm të ujit nga një rubinet e duke na ndjekur, ne gra të pambrojtura, nga kati i katërt i ndërtesës deri poshtë në oborr. Atje na u desh të qëndronim të lagura qull.

Në një rast tjetër më kishin urdhëruar, bashkë me Gertrud Ome dhe Gertel Byrlen, të zbukuronim me drita selinë qendrore të komandës, meqë po afrohej ditëlindja e Hitlerit. Ne nuk pranuam, duke kuptuar taktikat e Satanait që të manovronte me ne, për të thyer integritetin tonë nëpërmjet kompromiseve në gjëra të vogla. Si ndëshkim, të trija ne, motra të reja, na u desh të kalonim tri javë vetëm në një qeli të vogël e të errët. Por Jehovai na qëndroi pranë, kështu që edhe në një vend të tillë të tmerrshëm, provoi se ishte një strehë.

Në Ravensbruk

Në maj të vitit 1939, të burgosurit në Liktenburg u transferuan në kampin e përqendrimit në Ravensbruk. Atje më caktuan në lavanderi, bashkë me disa motra të tjera Dëshmitare. Pak pas shpërthimit të luftës, ne duhej të mblidhnim flamurin me kryqin e thyer, gjë të cilën nuk pranuam ta bënim. Si rrjedhojë, dy nga ne, Milken Ernest dhe mua, na futën në një bllok ndëshkimor. Kjo ishte një nga format më të ashpra të ndëshkimit dhe nënkuptonte se duhej të punonim rëndë çdo ditë, madje edhe të dielën, në çfarëdo moti. Normalisht, dënimi maksimal ishte tre muaj, kurse ne ndenjëm atje për një vit. Pa ndihmën e Jehovait, s’do të kisha mbijetuar kurrë.

Në vitin 1942, kushtet për ne të burgosurit u lehtësuan disi dhe mua më caktuan të punoja si pastruese në një familje SS, jo larg kampit. Familja më lejoi njëfarë lirie. Për shembull, njëherë, ndërsa po nxirrja shëtitje fëmijët, u takova me Jozef Revald dhe Gotfrid Melhorn, dy të burgosur me trekëndësh të purpurt, me të cilët pata mundësi të shkëmbeja disa fjalë inkurajimi.c

Vitet e vështira të pasluftës

Kur në vitin 1945 trupat aleate po afroheshin, familja për të cilën punoja ia mbathi dhe mua m’u desh t’i shoqëroja. Bashkë me familje të tjera SS, ata formuan një kolonë të gjatë, e cila udhëtonte drejt perëndimit.

Ditët e fundit të luftës ishin kaotike e plot me rreziqe. Më në fund, takuam ca ushtarë amerikanë, të cilët më lejuan të regjistrohesha në qytetin tjetër si një person i lirë. E kë takova atje? Jozef Revald dhe Gotfrid Melhorn. Ata kishin mësuar se të gjithë Dëshmitarët nga kampi i përqendrimit në Zaksenhuzen kishin mbërritur në Shverin, duke bërë një marshim vdekjeje të rrezikshëm. Kështu, të tre u nisëm drejt atij qyteti, i cili ishte rreth 75 km larg. Me sa gëzim i takuam në Shverin të gjithë ata vëllezër besnikë, të cilët kishin mbijetuar nga kampet e përqendrimit, duke përfshirë edhe Konrad Franke.

Aty nga dhjetori 1945, gjendja në vend ishte përmirësuar deri diku, aq sa unë kisha mundësi të udhëtoja me tren. E në këtë mënyrë, kisha si qëllim që të shkoja në shtëpi. Megjithatë, gjatë udhëtimit koha kalonte, duke ndenjur shtrirë sipër vagonit dhe duke qëndruar në shkallaret e tij. Në Kemnits, mora rrugën që nga stacioni i trenit deri në vendin ku kishim jetuar si familje. Por në rrugën, ku nazistët kishin qëndruar njëherë e një kohë, duke bërtitur «Këtu jetojnë tradhtarë!», s’kishte mbetur në këmbë as edhe një shtëpi e vetme. E gjithë zona e banuar ishte bombarduar rrafsh me tokën. Megjithatë, u lehtësova kur mamanë, babain, Ketin dhe vëllezërit e motrat e mia i gjeta ende gjallë.

Gjendja ekonomike në Gjermaninë e pasluftës ishte e tmerrshme. Gjithsesi, kongregacionet e popullit të Perëndisë filluan të lulëzonin anembanë Gjermanisë. Shoqata Watch Tower nuk kurseu asgjë, në përpjekje për të na pajisur për aktivitetin e predikimit. Puna në Bethelin e Magdenburgut, të cilin nazistët e kishin mbyllur, nisi përsëri. Në pranverë të vitit 1946, më ftuan të punoja atje dhe më caktuan në kuzhinë.

Edhe një herë në ndalim dhe në burg

Magdenburgu ndodhet në atë pjesë të Gjermanisë, e cila ra nën kontrollin e komunistëve. Ata e ndaluan veprën tonë më 31 gusht 1950 dhe e mbyllën Bethelin e Magdenburgut. Kështu, mbaroi edhe shërbimi im në Bethel, i cili kishte qenë një periudhë e vlefshme stërvitjeje. U ktheva në Kemnits, e vendosur që edhe me komunistët të mbahesha e lidhur ngushtë me të vërtetën dhe të shpallja Mbretërinë e Perëndisë, si të vetmen shpresë për njerëzimin e shtypur.

Në prill 1951, udhëtova me një vëlla për në Berlin, për të marrë disa kopje të Kullës së Rojës. Kur u kthyem, ngelëm të tronditur, kur gjetëm stacionin hekurudhor në Kemnits të rrethuar nga policia civile. Dukej qartë se po na pritnin dhe na arrestuan në çast.

Ndërsa gjendeshim në paraburgim, kisha disa dokumente që provonin se unë kisha qenë e burgosur për disa vite nga nazistët. Për pasojë, rojet më trajtonin me respekt. Një prej kryegardianeve tha: «Ju Dëshmitarët e Jehovait nuk jeni kriminelë; ju s’e keni vendin në burg.»

Njëherë, ajo erdhi në qelinë time, ku gjendesha bashkë me dy motra të tjera dhe fshehurazi la diçka poshtë një krevati. Ç’të ishte vallë? Bibla e saj personale, të cilën na e la neve. Në një rast tjetër, ajo u bëri një vizitë prindërve të mi në shtëpi, pasi ata nuk jetonin larg burgut. Mori disa kopje të Kullës së Rojës e ca ushqim, i fshehu të gjitha brenda vetes dhe i futi të tëra fshehurazi në qelinë time.

Dua të kujtoj edhe diçka tjetër. Disa herë, të dielave paradite, ne këndonim këngët tona teokratike me aq zë të lartë, sa të burgosurit e tjerë duartrokitnin pas çdo kënge me kënaqësi.

Forcë dhe ndihmë nga Jehovai

Gjatë procedurave të gjyqit, më 4 shtator 1951, gjykatësi bëri komentin e përmendur në fillim të këtij artikulli. E kreva dënimin me burgim në Valdhaim, pastaj në Halle e më në fund në Hohenek. Një apo dy ndodhi të shkurtra tregojnë se si Perëndia ishte një strehë dhe një forcë për ne, Dëshmitarët e Jehovait dhe se si na dha forcë Fjala e tij.

Në burgun e Valdhaimit, të gjitha Dëshmitaret mblidheshin së bashku rregullisht në një sallë, kështu që patëm mundësi të mbanim mbledhjet e krishtere. Lapsat dhe letrat nuk lejoheshin, por disa motra morën copa pëlhure dhe sajuan një banderolë të vogël, e cila mbante tekstin e vitit 1953: «Adhuroni Jehovain në aradhet e shenjta.»​—Psalmi 29:2, American Standard Version.

Një nga gardianet na zuri në befasi dhe raportoi pa humbur kohë. Drejtori i burgut erdhi dhe na tha ne dy motrave që ta mbanim banderolën lart. «Kush e ka bërë këtë?​—pyeti ai.​—Ç’do të thotë kjo?»

Njëra nga motrat deshi të tregonte e të merrte mbi vete fajin për të gjitha ne, por ne me shpejtësi pëshpëritëm mes nesh, duke rënë dakort se përgjegjësia duhej ndarë mes të gjithave. Prandaj u përgjigjëm: «Këtë e bëmë për të forcuar besimin tonë.» Banderolën na e morën dhe si ndëshkim nuk na dhanë për të ngrënë. Por gjatë gjithë bisedës, motrat e mbajtën banderolën lart, kështu që mundëm ta ngulitnim në mendje atë shkrim inkurajues.

Kur burgu i grave në Valdhaim u mbyll, ne motrat na transferuan në Halle. Këtu na lejuan të merrnim pako dhe çfarë gjetëm të qepur në një palë papuçe që m’i dërgoi im atë? Artikuj të Kullës së Rojës! Akoma më kujtohen artikujt me titull «Dashuria e vërtetë është praktike» dhe «Gënjeshtrat çojnë në humbjen e jetës». Këta dhe artikuj të tjerë ishin vërtet diçka e shtrenjtë dhe kur i kalonim fshehurazi tek njëra-tjetra, secila bënte shënimet e veta personale.

Gjatë një kontrolli, një nga rojet gjeti shënimet e mia personale, të fshehura në dyshekun tim me kashtë. Më vonë, ajo më thirri për të më pyetur dhe tha se patjetër donte të dinte domethënien e artikullit «Perspektivat e 1955-s, për ata që i frikësohen Jehovait». Ajo, një komuniste, kishte qenë thellësisht e merakosur për vdekjen e kreut të saj, Stalinit, në vitin 1953 dhe e ardhmja i dukej e zymtë. Sa për ne, e ardhmja do të sillte disa përmirësime në lidhje me gjendjen tonë në burg, por unë akoma nuk isha e vetëdijshme për to. I shpjegova me besim se perspektivat e Dëshmitarëve të Jehovait ishin shumë të mira. Përse? Citova nga shkrimi që ishte teksti i temës për artikullin, Psalmi 112:7: «Ai nuk do të ketë frikë nga lajmet e këqija: zemra e tij është e vendosur, me besim në Jehovain.»​—AS.

Jehovai mbetet streha dhe forca ime

Pas një sëmundjeje serioze, u lirova nga burgu dy vjet më shpejt, në mars 1957. Zyrtarët gjermano-lindorë përsëri bënë presione mbi mua, për shkak të aktiviteteve të mia në shërbim të Jehovait. Prandaj, më 6 maj 1957, shfrytëzova rastin për t’u arratisur në Berlinin Perëndimor dhe prej andej shkova në Gjermaninë Perëndimore.

Kaluan disa vite, përpara se të merrja veten fizikisht. Por edhe sot e kësaj dite kam akoma një uri të madhe frymore dhe mezi pres çdo kopje të re të Kullës së Rojës. Herë pas here, shqyrtoj vetveten. A kam ende një mendje frymore? A kam kultivuar cilësi të shkëlqyera? A është cilësia e sprovuar e besimit tim një shkak për të lavdëruar e nderuar Jehovain? Synimi im është që t’i pëlqej Perëndisë në çdo gjë, në mënyrë që ai të mbetet përgjithmonë streha dhe forca ime.

[Shënimet]

a «Fotodrama» përbëhej nga diapozitiva dhe foto të lëvizshme dhe duke filluar nga 1914-a, u shfaq gjerësisht nga përfaqësuesit e Watch Tower Bible and Tract Society.

b Revista Trost (Ngushëllim), e botuar nga Shoqata Watch Tower në Bernë, Zvicër, në 1 maj 1940, faqe 10, raportonte se në një rast Dëshmitareve të Jehovait në Liktenburg nuk iu dha dreka për 14 ditë, për shkak se nuk pranonin të bënin një gjest nderimi, kur ekzekutoheshin himne naziste. Atje ndodheshin 300 Dëshmitarë të Jehovait.

c Një raport mbi Jozef Revald gjendet në Zgjohuni! të 8 shkurtit 1993, faqe 20-23, angl.

[Figura në faqen 26]

Zyra e SS-ve në Ravensbruk

[Burimi]

Lart: Stiftung Brandenburgische Gedenkstätten

[Figura në faqen 26]

Lejekalimi im për të punuar jashtë kampit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo