Fshehtësi në emër të Zotërisë
NJË sulm me gas helmues në një nënkalim, në Tokio të Japonisë, vrau në mars të 1995-s 12 persona, sëmuri mijëra të tjerë dhe ndihmoi në zbulimin e një të fshehte. Një sekt fetar i njohur si Aum Shinrikyo (E vërteta supreme) kishte grumbulluar fshehurazi një arsenal me gas sarinë, për ta përdorur për ndjekjen e synimeve misterioze.
Një muaj më vonë, një shpërthim bombe shkatërroi një ndërtesë federale në qytetin Oklahoma të Shteteve të Bashkuara dhe çoi në vdekje 167 njerëz. Dukej se provat tregonin që sulmi ishte deri në njëfarë mase i lidhur me pezullimin qeveritar të kultit fetar Dega Davidiane në Uako, Teksas, pikërisht dy vjet më parë. Në atë periudhë, rreth 80 anëtarë të kultit gjetën vdekjen. Shpërthimi i bombës zbuloi, gjithashtu, atë që për shumicën e njerëzve ishte një e fshehtë: Shumë grupe paraushtarake rezerviste veprojnë tani në Shtetet e Bashkuara, të paktën disa prej të cilave dyshohen për planifikimin në fshehtësi të aksioneve antiqeveritare.
Më pas, nga fundi i vitit 1995, u gjetën në një zonë pyjore pranë Grënoblës së Francës trupat e djegur të 16 personave. Ata kishin qenë anëtarë të Urdhrit të Tempullit Diellor, një kult i vogël fetar që në tetor të 1994-s kishte qenë epiqendra e të rejave në Zvicër dhe Kanada, kur 53 anëtarë të tij ose bënë vetëvrasje, ose u vranë. Por edhe pas kësaj tragjedie, kulti kishte vazhduar të funksiononte. Deri sot e kësaj dite, motivimi dhe synimet e tij mbeten enigmatike.
Rreziqet e fshehtësisë fetare
Duke mbajtur parasysh ndodhi të tilla, mos vallë është çudi që shumë njerëz s’po kanë besim në drejtimin e grupeve fetare? Patjetër, askush nuk dëshiron të përkrahë një organizatë të fshehtë, fetare apo jofetare, që keqpërdor besimin e tij dhe e bën të ndjekë synime, me të cilat ai nuk pajtohet. Megjithatë, çfarë mund të bëjnë njerëzit, për të shmangur rënien në grackën e përfshirjes në shoqëri të fshehta të një natyre të dyshimtë?
Është e qartë se kushdo që ka ndër mend të anëtarësohet në një shoqëri sekrete, do të ishte i mençur të sigurohej për objektivat e saj të vërteta. Duhet të ruhemi prej presionit nga ana e miqve apo e të njohurve dhe vendimet nuk duhen bazuar në ndjenjat, por në faktet. Mos harro se ka të ngjarë që vetë individit dhe jo të tjerëve t’i kërkohet të përjetojë çdo pasojë të mundshme.
Ndjekja e parimeve biblike është metoda më e sigurt për t’u shmangur nga grupet e rrezikshme, motivet e të cilave nuk janë aspak të ndershme. (Isaia 30:21) Në këtë përfshihet mbajtja e asnjanësisë politike, shfaqja e dashurisë për të tjerët, madje edhe për armiqtë, shmangia e ‘veprave të mishit’ dhe kultivimi i fryteve të frymës së Perëndisë. Mbi të gjitha, të krishterët e vërtetë nuk duhet të jenë pjesë e botës, ashtu si edhe Jezui nuk ishte pjesë e saj dhe kjo rrugë ndalon pjesëmarrjen në shoqëritë sekrete të botës.—Galatasve 5:19-23; Gjoni 17:14, 16; 18:36; Romakëve 12:17-21; Jakovit 4:4.
Dëshmitarët e Jehovait janë studentë të zellshëm të Biblës, të cilët e marrin seriozisht besimin e tyre dhe përpiqen haptazi të jetojnë në përputhje me të. Anekënd botës, ata janë të mirënjohur si një grup fetar që ‘kërkon paqen dhe e ndjek atë’. (1. Pjetrit 3:11) Libri i tyre Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë me korrektësi shënon: «Dëshmitarët e Jehovait nuk janë në asnjë kuptim një shoqëri e fshehtë. Bindjet e tyre të bazuara në Bibël shpjegohen në mënyrë të plotë në botimet që janë në dispozicion për këdo. Veç kësaj, ata bëjnë përpjekje të veçanta që të ftojnë publikun për të qenë i pranishëm në mbledhje, për të parë dhe për të dëgjuar vetë se çfarë ndodh.»
Feja e vërtetë nuk praktikon në asnjë mënyrë fshehtësinë. Adhuruesit e Perëndisë së vërtetë janë udhëzuar që të mos e fshehin identitetin e tyre apo të mos e errësojnë qëllimin e tyre si Dëshmitarë të Jehovait. Dishepujt e parë të Jezuit mbushën Jerusalemin me mësimin e tyre. Ata nuk i fshihnin bindjet dhe aktivitetin e tyre. Po kështu është edhe me Dëshmitarët e Jehovait sot. Është e kuptueshme se kur regjimet diktatoriale padrejtësisht kufizojnë lirinë e adhurimit, të krishterët duhet ta vazhdojnë me maturi dhe me guxim aktivitetin e tyre, duke iu bindur «Perëndisë më shumë sesa njerëzve», situatë kjo e imponuar mbi ta për shkak të dëshmisë së tyre të guximshme në publik.—Veprat 5:27-29; 8:1; 12:1-14; Mateu 10:16, 26, 27.
Nëse ndonjëherë të ka shkuar nëpër mend se Dëshmitarët e Jehovait mund të jenë një kult apo një sekt i fshehtë, kjo mund të ketë ndodhur, për shkak se di shumë pak lidhur me ta. Kjo mund të ketë qenë situata me shumë persona në shekullin e parë.
Kreu 28 i Veprave na flet për një mbledhje që pati apostulli Pavël në Romë me «krerët e judenjve». Ata i thanë atij: «Ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.» (Veprat 28:16-22) Duke u përgjigjur, Pavli «shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë» dhe «disa bindeshin». (Veprat 28:23, 24) Sigurisht që ishte për të mirën e tyre të përhershme që të dinin faktet aktuale në lidhje me krishterimin e vërtetë.
Duke qenë se i janë dedikuar shërbimit publik të Perëndisë haptazi, Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur t’ia zbulojnë faktet e dukshme të aktivitetit dhe të bindjeve të tyre kujtdo që dëshiron t’i njohë ato. Përse të mos i shqyrtosh, për të qenë në këtë mënyrë në gjendje të marrësh një vendim të bazuar në njohurinë?
[Figura në faqen 6]
Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur të zbulojnë se kush janë dhe çfarë po bëjnë