Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Të ikim në organizatën teokratike të Jehovait
KOHË më parë, profeti Isaia u nxit të shpallte: ‘Ata duhet t’i sjellin lavdi Jehovait në ishujt e detit.’ (Isaia 24:15, BR) Dëshmitarët e Jehovait i konsiderojnë ishujt e detit si pjesë e «tokës së banuar», në të cilën Jezui tha se «lajmi i mirë duhet predikuar».—Mateu 24:14, BR; Marku 13:10, BR.
Ishujt Markezë gjenden rreth 1.400 km në verilindje të Tahitit. Ata bëjnë pjesë në një grup ishujsh të largët në Paqësorin Jugor, të quajtur Polinezia Franceze. Me një tokë pjellore vullkanike dhe një klimë të ngrohtë e të lagësht, bimësia lulëzon në këta ishuj. Megjithatë, Ishujt Markezë po sjellin edhe një lloj tjetër fryti. Le të shohim rastin e një familjeje në ishullin Hiva Oa, e cila iu përgjigj mesazhit të Mbretërisë.
Zhani dhe gruaja e tij, Nadina, nuk ishin të lumtur me të ashtuquajturën shoqëri të civilizuar të Evropës Perëndimore, ku ata jetonin. Prandaj, vendosën të linin pas atë mënyrë jetese të ethshme dhe të shkonin bashkë me djalin e tyre në Ishujt Markezë. Shtëpia e tyre e re prej bambuje, ishte në një luginë të vetmuar. Për të shkuar tek fqinjët e tyre më të afërt, atyre u duhej të ecnin dy orë më këmbë përgjatë një shtegu malor shkëmbor. Fshati më i afërt, ku kishte mjek, shkollë dhe një dyqan me artikuj të ndryshëm, ishte tri orë larg me xhip.
Zhani dhe Nadina nuk ishin të interesuar për fenë. Por megjithatë, ata ishin angazhuar në bisedat për origjinën e jetës. Shpesh, ata kishin shtjelluar teori të ndërlikuara mbi evolucionin. Por asnjëra prej teorive të tyre, nuk u kishte sjellë kënaqësi.
Pasi kishin jetuar të veçuar për gjashtë vjet, ata kishin mbetur të çuditur që ishin vizituar nga dy Dëshmitarë të Jehovait. Dëshmitarët kishin mësuar për vendndodhjen e Zhanit e të Nadinës nga fshatarët aty rrotull. Natyrisht, biseda çoi në një diskutim mbi teorinë e evolucionit. Për kënaqësinë e çiftit, Dëshmitarët kishin marrë një kopje të librit Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Zhanit dhe Nadinës iu bë qejfi që kishin një libër, i cili paraqiste një shqyrtim të plotë mbi atë se si erdhi jeta.
S’kaloi shumë kohë dhe filluan një studim biblik. Gjatë një periudhe prej rreth tre vjetësh, Zhani dhe Nadina bënë një përparim të qëndrueshëm. Ata u bindën se së shpejti e gjithë toka do të bëhej një parajsë. Pasi familja e tyre u rrit në tre fëmijë, udhëtimi prej katër orësh për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë u bë një sfidë e vërtetë. Megjithatë, kjo nuk i ndali ata në pjesëmarrjen në to. Përfundimisht, Zhani dhe Nadina e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Këtë e bënë në një kongres të mbajtur në fshatin kryesor, ku maksimumi i pjesëmarrësve ishte 38 persona.
Për të ndihmuar grupin e vogël të lajmëtarëve të Mbretërisë, familja vendosi të linte shtëpinë e saj të veçuar. Ata shkuan në një fshat me rreth një mijë banorë, ku Zhani tani shërben si shërbëtor ndihmës në kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo familje, që më parë shkoi në këta ishuj, për të ikur nga civilizimi, e konsideron një privilegj që ka gjetur të vetmen shenjtërore të vërtetë, organizatën teokratike të Jehovait.