BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/7 f. 8-13
  • «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të krishterët besnikë presin vuajtje
  • Çfarë mësojmë nga tregimet e Biblës
  • Jehovai kujdeset për ata që vuajnë
  • Dhuratat e Jehovait na mbështesin
  • Jehovai, ‘fortesa jonë në kohë vuajtjesh’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Jehovai e çliron të munduarin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Përse vuajnë njerëzit e mirë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Ruani gëzimin në kohë të vështira
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/7 f. 8-13

«Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij»

«Të shumta janë gjëmat e të drejtit, por Jehovai do ta çlirojë nga të gjitha ato.»​—PSALMI 34:19, BR.

1, 2. (a) Si po e bekon Jehovai popullin e tij sot? (b) Me çfarë po ndeshen shumë të krishterë dhe cilat pyetje lindin?

NË PËRMBUSHJE të profecisë biblike, adhuruesit e Jehovait banojnë në një parajsë frymore. (2. Korintasve 12:1-4) Dëshmitarët e Jehovait i përkasin një shoqërie ndërkombëtare që karakterizohet nga dashuria dhe uniteti. (Gjoni 13:35) Ata kanë një njohuri të thellë dhe të gjithanshme për të vërtetat biblike. (Isaia 54:13) Sa mirënjohës i janë ata Jehovait, që u jep atyre privilegjin për të qenë mysafirë në tendën e tij frymore!​—Psalmi 15:1.

2 Ndërkohë që të gjithë në organizatën e Jehovait gëzojnë lulëzim frymor, duket se disa jetojnë në një paqe dhe qetësi relative, ndërsa të tjerë përjetojnë mundime të një lloji apo një tjetri. Shumë të krishterë gjenden në një gjendje të mjerë për periudha të gjata kohe dhe pa asnjë shpresë lehtësimi në të ardhmen e afërt. Shkurajimi është i natyrshëm në të tilla rrethana. (Proverbat 13:12) Mos vallë gjëmat janë dëshmi e pakënaqësisë së Perëndisë? A po u siguron Jehovai mbrojtje të veçantë disa të krishterëve, e po braktis të tjerët?

3. (a) A është përgjegjës Jehovai për telashet që përjeton populli i tij? (b) Përse edhe ata që e adhurojnë Jehovain me besim të plotë përjetojnë vuajtje njerëzore?

3 Bibla përgjigjet: «Askush të mos thotë kur gjendet në sprovë: ‘Jam sprovuar nga Perëndia.’ Pasi Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të këqija e as ai vetë nuk sprovon askënd.» (Jakovit 1:13, BR) Jehovai është Mbrojtësi dhe Mbështetësi i popullit të tij. (Psalmi 91:2-6) «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij.» (Psalmi 94:14, BR) Por kjo nuk do të thotë se ata që e adhurojnë me plot besim nuk do të përjetojnë vuajtje. Sistemi i tanishëm botëror i gjërave qeveriset nga individë që janë nga natyra të papërsosur. Shumë janë të korruptuar dhe disa janë tërësisht të ligj. Asnjëri prej tyre nuk kërkon mençuri nga Jehovai, gjë që çon në shumë vuajtje për njerëzit. Bibla e bën të qartë se populli i Jehovait nuk mund të shmangë gjithmonë pasojat e trishtueshme të papërsosmërisë dhe të ligësisë njerëzore.​—Veprat 14:22.

Të krishterët besnikë presin vuajtje

4. Çfarë mund të presin të gjithë të krishterët, për aq sa jetojnë në këtë sistem të lig gjërash dhe përse?

4 Edhe pse nuk janë pjesë e botës, ithtarët e Jezuit jetojnë në mes të këtij sistemi gjërash. (Gjoni 17:15, 16) Satanai është demaskuar në Bibël si forca sunduese pas kësaj bote. (1. Gjonit 5:19) Prandaj, herët a vonë të gjithë të krishterët mund të presin që të ndeshen me probleme serioze. Me këtë në mendje, apostulli Pjetër thotë: «Tregohuni të arsyeshëm, jini vigjilentë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan uluritës, duke kërkuar të përlajë dikë. Por merrni qëndrim kundër tij, të fortë në besim, duke ditur se të njëjtat gjëra për sa i përket vuajtjeve po kryhen në të gjithë shoqërinë e vëllezërve tuaj në botë.» (1. Pjetrit 5:8, 9, BR) Po, e gjithë shoqëria e të krishterëve mund të presë vuajtje.

5. Si e bëri të qartë Jezui se të krishterët besimplotë do të përjetojnë gjëra të trishtueshme në jetë?

5 Edhe nëse kemi dashuri të thellë për Jehovain dhe jemi besnikë ndaj parimeve të tij, ne do të përjetojmë gjëra të trishtueshme në jetë. Jezui e bëri të qartë këtë në ilustrimin e tij të shkruar në Mateun 7:24-27, ku ai bëri një kontrast ndërmjet atyre që u binden dhe atyre që nuk u binden fjalëve të tij. Ai i krahasoi dishepujt e bindur me një njeri të matur, i cili e ndërton shtëpinë mbi një shkëmb të fortë. Ata që nuk i binden fjalëve të tij, ai i krahasoi me një budalla që e ndërton shtëpinë e tij mbi rërë. Pas një stuhije të fuqishme, mbijeton vetëm shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb. Vëre se në rastin e shtëpisë së njeriut të matur, «ra shi e erdhën përmbytje dhe erërat frynë dhe u përplasën kundër asaj shtëpie, por ajo nuk u shemb». (BR) Jezui nuk premtoi se njeriu i matur do të gëzonte gjithmonë paqe dhe qetësi. Përkundrazi, maturia e atij njeriu do ta përgatiste atë për t’i bërë ballë stuhisë. Një mendim i ngjashëm përçohet në ilustrimin e mbjellësit. Në të Jezui shpjegon se edhe adhuruesit e bindur «me zemër të shkëlqyer e të mirë», do të «sillnin fryt me qëndrueshmëri».​—Luka 8:4-15, BR.

6. Kush e pëson provën e zjarrit në ilustrimin e Pavlit për materialet që i rezistojnë zjarrit?

6 Duke u shkruar korintasve, apostulli Pavël përdori një gjuhë metaforike për të ilustruar nevojën e cilësive të qëndrueshme, të cilat mund të na ndihmojnë për të përballuar sprovat. Materiale të tilla rezistuese ndaj zjarrit, si ari, argjendi dhe gurët e çmuar u korrespondojnë cilësive hyjnore. (Krahaso Proverbat 3:13-15; 1. Pjetrit 1:6, 7.) Nga ana tjetër, veçoritë mishore janë krahasuar me materialet e djegshme. Në atë rast, Pavli tha: «Vepra e çdokujt do të shfaqet, pasi dita do ta tregojë, sepse do të zbulohet nga zjarri dhe vetë zjarri do të provojë se çfarë lloj vepre është ajo e çdokujt. Nëse vepra e ndokujt që ka ndërtuar mbetet, ai do të marrë një shpërblim.» (1. Korintasve 3:10-14, BR) Përsëri këtu Bibla shpjegon se të gjithë ne do të përballojmë në mënyrë të pashmangshme ndonjë formë të provës së zjarrtë.

7. Sipas Romakëve 15:4, si mund të na ndihmojnë Shkrimet për të përballuar sprovat?

7 Në Bibël ka shumë tregime për shërbëtorët besnikë të Perëndisë, të cilët kanë qëndruar përballë gjëmave, nganjëherë për periudha të gjata. Por, Jehovai nuk i braktisi. Ndoshta apostulli Pavël kishte në mendje të tillë shembuj, kur tha: «Të gjitha gjërat që u shkruan qëmoti, u shkruan për udhëzimin tonë, që përmes qëndrueshmërisë sonë dhe përmes ngushëllimit nga Shkrimet të mund të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4, BR) Le të shqyrtojmë shembujt e tre burrave, të cilët ndërkohë që gëzonin një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, u ranë shumë gjëma.

Çfarë mësojmë nga tregimet e Biblës

8. Çfarë lejoi Jehovai në rastin e Jozefit dhe për sa kohë?

8 Jozefi, i biri i Jakobit, ishte favorizuar nga Jehovai që në moshë të re. E megjithatë, edhe pse vetë nuk kishte asnjë faj, atij i ranë një sërë gjëmash. Ai u rrëmbye dhe u trajtua mizorisht nga vetë vëllezërit e tij. U shit si skllav në një vend të huaj, ku në mënyrë të gënjeshtërt ishte akuzuar dhe ishte vënë në një «gropë burgu». (Zanafilla 40:15, BR) Atje, «ata i shtrënguan këmbët me pranga, shpirti i tij hyri në hekura». (Psalmi 105:17, 18, BR) Gjatë skllavërisë dhe burgimit të tij, Jozefi pa dyshim iu lut vazhdimisht Jehovait për çlirim. Megjithatë, për rreth 13 vjet, ndonëse i forcuar nga Jehovai në mënyra të ndryshme, çdo mëngjes ai zgjohej prapë një skllav apo një i burgosur.​—Zanafilla 37:2; 41:46.

9. Çfarë iu desh të duronte Davidit për vite me radhë?

9 Një rast i ngjashëm është edhe ai i Davidit. Kur Jehovai ishte duke zgjedhur një burrë të kualifikuar për të qeverisur Izraelin, ai tha: «Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, një njeri i këndshëm për zemrën time.» (Veprat 13:22, BR) Pavarësisht nga pozita e tij e favorizuar në sy të Jehovait, Davidi vuajti shumë. Duke rrezikuar jetën, ai u fsheh për disa vjet në shkretëtirë, nëpër shpella, plasa dhe në dhe të huaj. I ndjekur si një bishë e egër, ai vuajti shkurajim dhe frikë. Megjithatë, ai qëndroi me forcën e Jehovait. Me të drejtë Davidi mund të thoshte nga përvoja e tij: «Të shumta janë hallet e të drejtit, por Jehovai do ta çlirojë nga të gjitha ato.»​—Psalmi 34:19.

10. Cila gjëmë ekstreme i ra Nabothit dhe familjes së tij?

10 Në ditët e profetit Elija, në Izrael ishin vetëm 7.000 vetë që nuk i ishin gjunjëzuar perëndisë së rremë Baal. (1. Mbretërve 19:18; Romakëve 11:4) Nabothi, i cili ka të ngjarë të ketë qenë njëri prej tyre, u bë viktimë e një padrejtësie të tmerrshme. Ai vuajti poshtërimin e akuzës për blasfemi. Pasi u gjet fajtor, ai u shpall si i tillë dhe me anë të një dekreti mbretëror u dënua me vdekje me gurë, ndërsa gjakun e tij e lëpinë qentë. Madje edhe bijtë e tij u vranë! Megjithatë, ai nuk ishte fajtor për akuzën që i bënë. Ata që dëshmuan kundër tij ishin gënjeshtarë. E gjithë kjo punë ishte një intrigë e sajuar nga mbretëresha Jezabela, në mënyrë që mbreti të mund të shtinte në dorë vreshtat e Nabothit.​—1. Mbretërve 21:1-19; 2. Mbretërve 9:26.

11. Çfarë na tregoi apostulli Pavël për burrat dhe gratë besimplote në historinë biblike?

11 Jozefi, Davidi dhe Nabothi janë veçse tre nga shumë burra dhe gra besimplote që përmenden në Bibël e që kanë kaluar gjëma. Apostulli Pavël shkroi një kronikë historike për Dëshmitarët e Jehovait përgjatë epokave. Në të ai foli për ata që «e morën sprovën e tyre përmes përqeshjeve dhe fshikullimeve, në fakt, akoma më shumë, përmes prangave e burgjeve. U vranë me gurë, u sprovuan, u sharruan copë-copë, vdiqën të vrarë nga shpata, u sollën poshtë e lart me lëkurë deleje, me lëkurë dhie, ndërkohë që ishin në nevojë, në mjerim, nën keqtrajtim; e bota nuk ishte e denjë për ta. Ata u endën nëpër shkretëtira, male, shpella dhe strofka të tokës». (Hebrenjve 11:36-38, BR) E megjithatë, Jehovai nuk i braktisi ata.

Jehovai kujdeset për ata që vuajnë

12. Cilat janë disa nga pikëllimet që përjetojnë Dëshmitarët e Jehovait sot?

12 Po populli i Jehovait sot? Si organizatë, ne mund t’i varim shpresat në mbrojtjen hyjnore dhe në kalimin shëndoshë e mirë nga ditët e fundit dhe nga mjerimi i madh. (Isaia 54:17; Zbulesa 7:9-17) Megjithatë, si individë ne e pranojmë se «koha dhe ngjarja e paparashikuar» bie mbi të gjithë njerëzit. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Sot, ka shumë të krishterë besimplotë, të cilëve u kanë rënë gjëma mbi kokë. Disa përballojnë varfëri ekstreme. Bibla flet për «jetimë dhe vejushe» të krishterë, që kanë mjerim. (Jakovit 1:27, BR) Të tjerë vuajnë si pasojë e shkatërrimeve natyrore, luftërave, krimeve, abuzimit të fuqisë, sëmundjeve dhe vdekjes.

13. Cilat përvoja të vështira janë raportuar kohët e fundit?

13 Për shembull, në raportin e tyre për vitin e shërbimit 1996 drejtuar Trupit Udhëheqës, zyrat e degëve të Shoqatës Watch Tower, tregonin se disa nga vëllezërit dhe motrat tona po vuajnë burgimin në kushte të vajtueshme, për shkak të besnikërisë nga ana e tyre ndaj parimeve biblike. Tri kongregacione në një vend amerikano-jugor u shpërbënë, kur grupet guerrile detyruan qindra Dëshmitarë që të shpërnguleshin nga zona. Në një vend afrikano-perëndimor, disa Dëshmitarë të kapur gjatë një përleshjeje në një luftë civile, u vranë. Në një vend të Amerikës Qendrore, gjendja tashmë kritike financiare e disa vëllezërve ishte keqësuar nga sulmi i tërbuar i një tufani. Në vende të tjera, ku varfëria dhe mungesa e ushqimit mund të mos përbëjnë probleme serioze, ndikimet negative mund të mbysin gëzimin e disave. Të tjerë janë të rënduar nga presionet e jetesës në kohën tonë. Për shkak të apatisë publike, të tjerë akoma mund të ndihen të shkurajuar, kur predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë.

14. (a) Çfarë mësojmë nga shembulli i Jobit? (b) Në vend se të mendojmë negativisht, çfarë duhet të bëjmë kur jemi duke përjetuar vuajtje?

14 Këto situata nuk duhen interpretuar si një dëshmi e pakënaqësisë së Perëndisë. Sill ndër mend rastin e Jobit dhe telashet e shumta që ai vuajti. Ai ishte «një njeri i pafajshëm dhe i drejtë». (Jobi 1:8, BR) Sa i shkurajuar duhet të jetë ndier ai, kur Elifazi e akuzoi atë për keqbërje! (Jobi, kapitujt 4, 5, 22) Ne nuk duam të nxitohemi për të dalë në përfundimin se kemi gjëma, sepse kemi zhgënjyer në ndonjë mënyrë Jehovain apo sepse Jehovai ka tërhequr bekimin e tij. Mënyra negative e të menduarit përballë mjerimit mund të dobësojë besimin tonë. (1. Selanikasve 3:1-3, 5) Kur përjetojmë vuajtje, është më mirë të meditojmë mbi faktin se Jehovai dhe Jezui janë afër të drejtit pavarësisht nga çfarë ndodh.

15. Si e dimë se Jehovai është thellësisht i shqetësuar për gjëmat që kalon populli i tij?

15 Apostulli Pavël na siguron, kur thotë: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mjerimi, vuajtja, persekutimi, urija, lakuriqësia, rreziku apo shpata? . . . Jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat tani këtu, as gjërat që do të vijnë, as pushtetet, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër nuk do të jetë në gjendje të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» (Romakëve 8:35, 38, 39, BR) Jehovai shqetësohet thellësisht për ne dhe është i vetëdijshëm për vuajtjet tona. Ndërsa ishte ende një ikanak, Davidi shkroi: «Sytë e Jehovait janë drejt të drejtëve dhe veshët e tij janë drejt thirrjes së tyre për ndihmë. Jehovai është pranë atyre që janë thyer në zemër.» (Psalmi 34:15, 18, BR; Mateu 18:6, 14) Ati ynë qiellor kujdeset për ne dhe ndien mëshirë për ata që vuajnë. (1. Pjetrit 5:6, 7) Ai na jep çfarë na duhet për të qëndruar, në çfarëdolloj vuajtjeje që mund të jemi duke përjetuar.

Dhuratat e Jehovait na mbështesin

16. Cili sigurim i Jehovait na ndihmon për të qëndruar dhe si?

16 Edhe pse nuk mund të presim një jetë pa telashe në këtë sistem të vjetër gjërash, ne nuk jemi «lënë në baltë». (2. Korintasve 4:8, 9, BR) Jezui premtoi se do t’u jepte ithtarëve të tij një ndihmës. Ai tha: «Do t’i kërkoj Atit dhe ai do t’ju japë një ndihmës tjetër që të jetë përherë me ju, frymën e së vërtetës.» (Gjoni 14:16, 17, BR) Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër u tha atyre që e dëgjonin se mund të merrnin «dhuratën falas të frymës së shenjtë». (Veprat 2:38, BR) A është duke na ndihmuar sot fryma e shenjtë? Po! Forca aktive e Jehovait na jep një fryt të mrekullueshëm: ‘Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin.’ (Galatasve 5:22, 23, BR) Secila prej këtyre është cilësi e paçmuar që na ndihmon për të qëndruar.

17. Cilat janë disa të vërteta biblike që e forcojnë besimin dhe vendosmërinë tonë për të pritur me durim Jehovain?

17 Veç kësaj, fryma e shenjtë na ndihmon të kuptojmë se mjerimet e tanishme janë «kalimtare dhe të lehta», nëse krahasohen me shpërblimin e jetës së përhershme. (2. Korintasve 4:16-18, BR) Ne jemi të bindur se Perëndia nuk do t’i harrojë veprat tona dhe dashurinë që ne tregojmë për të. (Hebrenjve 6:9-12) Duke lexuar fjalët e frymëzuara të Biblës, ngushëllohemi nga shembujt e shërbëtorëve besimplotë të lashtësisë, të cilët qëndruan përballë shumë gjëmave, por që u shpallën të lumtur. Jakovi shkruan: «Vëllezër, merrni si model të vuajtjes së të keqes dhe të ushtrimit të durimit profetët, të cilët folën në emër të Jehovait. Ja! Ne shpallim të lumtur ata që kanë qëndruar.» (Jakovit 5:10, 11, BR) Bibla premton «fuqi përtej normales» për të na ndihmuar që të përballojmë sprovat. Veç kësaj, Jehovai na bekon me shpresën e ringjalljes. (2. Korintasve 1:8-10; 4:7, BR) Duke e lexuar Biblën përditë dhe duke medituar mbi këto premtime, ai do të forcojë besimin dhe vendosmërinë tonë për të pritur Perëndinë me durim.​—Psalmi 42:5.

18. (a) Çfarë jemi të inkurajuar për të bërë në 2. Korintasve 1:3, 4? (b) Si mund të tregojnë mbikëqyrësit e krishterë se janë burim ngushëllimi dhe freskimi?

18 Përveç këtyre, Jehovai na ka dhënë parajsën frymore, në të cilën ne mund të gëzojmë dashurinë e vërtetë të vëllezërve dhe motrave tona të krishtere. Të gjithë ne kemi pjesë në ngushëllimin e njëri-tjetrit. (2. Korintasve 1:3, 4) Mbikëqyrësit e krishterë në veçanti mund të jenë një burim i madh ngushëllimi dhe freskimi. (Isaia 32:2) Si «dhurata në njerëz», ata janë ngarkuar për të ndërtuar ata që vuajnë, «për t’u folur në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar» dhe «për të mbështetur të dobëtin». (Efesianëve 4:8, 11, 12, BR; 1. Selanikasve 5:14, BR) Pleqtë janë të inkurajuar për të përdorur mirë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe botimet e tjera të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47, BR) Ato përmbajnë një pasuri të këshillës së bazuar biblike, e cila mund të na ndihmojë të zgjidhim, e madje të parandalojmë disa nga problemet që na shkaktojnë ankth. Le të imitojmë Jehovain, duke ngushëlluar dhe inkurajuar njëri-tjetrin në kohë të vështira.

19. (a) Ç’gjë na ndihmon për të shmangur disa telashe? (b) Në fund, në kë duhet të besojmë dhe ç’gjë do të na mundësojë për të përballuar sprovat?

19 Ndërsa zhytemi gjithnjë e më thellë në ditët e fundit dhe kushtet e sistemit të tanishëm të gjërave keqësohen, të krishterët bëjnë aq sa mundin për të shmangur gjëmat. (Proverbat 22:3) Gjykimi i mirë, mendja e shëndoshë dhe njohuria e parimeve biblike mund të na ndihmojnë që të marrim vendime të mençura. (Proverbat 3:21, 22) Ne ia vëmë veshin fjalës së Jehovait dhe i bindemi asaj për të shmangur bërjen e gabimeve të panevojshme. (Psalmi 38:4) Megjithatë, ne e kuptojmë se asnjë sasi përpjekjeje nga ana jonë nuk mund ta eliminojë plotësisht vuajtjen prej jetës sonë. Në këtë sistem gjërash, shumë të drejtë ndeshen me telashe të mëdha. Megjithatë, mund t’u bëjmë ballë sprovave tona me bindje të plotë se «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij». (Psalmi 94:14) Ne e dimë se ky sistem gjërash dhe mundimet e tij së shpejti do të shkojnë. Prandaj, le të jemi të vendosur që të mos «dorëzohemi në bërjen e asaj që është e shkëlqyer, sepse do të korrim në stinën e duhur, nëse nuk lodhemi».​—Galatasve 6:9, BR.

Çfarë kemi mësuar?

◻ Cilat sprova janë përjetuar nga e gjithë shoqëria e të krishterëve?

◻ Cilët shembuj biblikë na ndihmojnë për të kuptuar se gjëmat nuk janë dëshmi e pakënaqësisë së Jehovait?

◻ Çfarë ndien Jehovai lidhur me telashet që vuan populli i tij?

◻ Cilat janë disa prej dhuratave nga Jehovai që na ndihmojnë për të përballuar sprovat?

[Figurat në faqen 10]

Davidi, Nabothi dhe Jozefi janë tre burra që vuajtën gjëma

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo