Një jetë për të cilën nuk kam ndier kurrë keqardhje
TREGUAR NGA PAUL OBRIST
Në 1912-n, kur isha gjashtë vjeç, nëna vdiq gjatë lindjes së fëmijës së pestë. Rreth dy vjet më vonë, një kujdestare e re shtëpie, Berta Uibël, filloi të kujdesej për familjen tonë. Kur babai u martua me të një vit më pas, ne fëmijët ishim të lumtur që kishim përsëri një nënë.
NE JETUAM në Brug, një qytet i vogël në atë pjesë të Zvicrës ku flitet gjermanisht. Berta ishte një person vërtet i krishterë dhe mua më pëlqente shumë. Ajo kishte nisur të studionte botimet e Studentëve Biblikë (Dëshmitarët e Jehovait) në 1908-n dhe atë çka mësonte e ndante me të tjerët.
Në 1915-n, pak kohë pasi Berta dhe babai ishin martuar, shkova me të në një shfaqje të «Foto-dramës së krijimit». Ky prezantim filmik me diapozitivë i Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të zellshëm Biblikë la një mbresë të thellë në mendjen dhe zemrën time. Edhe të tjerëve u kishte lënë mbresë. Salla në Brug ishte mbushur kaq shumë, sa policët mbyllën dyert dhe kthyen mbrapsht të ardhurit e tjerë. Atëherë, shumë veta u munduan të hynin nga një dritare e hapur, duke përdorur një shkallë dhe disa ia dolën mbanë.
Shembulli i shkëlqyer i nënës
Në atë kohë, në Evropë po bëhej kërdia nga Lufta I Botërore dhe njerëzit ishin gjithë frikë për të ardhmen. Për këtë arsye, vizitat nga shtëpia në shtëpi me mesazhin ngushëllues të Mbretërisë së Perëndisë, siç bënte nëna, ishin një detyrë fisnike. Nganjëherë, ajo më linte që ta shoqëroja dhe kjo më gëzonte shumë. Në 1918-n, më në fund nëna qe në gjendje ta simbolizonte dedikimin e saj ndaj Perëndisë Jehova me anë të pagëzimit në ujë.
Babai nuk ishte përzier me adhurimin e nënës, deri kur ajo u pagëzua, por në atë moment ai filloi ta kundërshtonte. Një ditë, ai kapi literaturën e saj biblike dhe e flaku në sobë. Nëna mundi të kapte vetëm Biblën e saj nga zjarri. Por ajo që bëri më pas ishte mahnitëse. Ajo vajti tek babai dhe e përqafoi. Ajo nuk mbante inat kundër tij.
Krejtësisht i befasuar, babait i ranë nervat. Megjithatë, herë pas here, kundërshtimi i tij merrte zjarr dhe ne na duhej të duronim shpërthimet e tij të zemërimit.
Punësimi dhe progresi frymor
Në 1924-n, pasi përfundova një kurs trevjeçar si berber për floktore, ika nga shtëpia dhe gjeta punë në atë pjesë të Zvicrës ku flitet frëngjisht. Kjo gjë më dha mundësi të përmirësoja njohurinë time mbi gjuhën frënge. Megjithëse lëvizja pengoi disi progresin tim frymor, nuk e humba kurrë dashurinë time për të vërtetën biblike. Prandaj, kur u ktheva në shtëpi gjashtë vjet më vonë, nisa të marr pjesë në mbledhjet e kongregacionit të krishterë në Brug.
Pak kohë më pas, u transferova në Rinfelden, një qytet i vogël rreth 40 km larg. Atje punova në floktoren e motrës dhe vazhdova progresin tim frymor, duke frekuentuar mbledhjet me një grup të vogël të Studentëve Biblikë. Pas përfundimit të studimit tonë biblik të mesjavës, një ditë vëllai Zoder, që ishte plaku i ngarkuar, pyeti: «Kush planifikon të marrë pjesë në shërbimin në fushë të dielën?» Unë dola vullnetar, duke hamendur se do të shoqëroja ndonjë e do të më tregonin se si ta bëja punën.
Kur erdhi e diela dhe ne mbërritëm në territor, vëllai Zoder tha: «Z. Obrist do të punojë atje.» Ndonëse rrahjet e zemrës u shpejtuan si kurrë më parë, fillova të vizitoja njerëzit në shtëpitë e tyre dhe t’u flisja për Mbretërinë e Perëndisë. (Veprat 20:20) Duke filluar që nga ajo kohë, unë kurrë nuk u lëkunda në kryerjen e veprës së predikimit, për të cilën Jezui tha se duhej përmbushur përpara se të vinte fundi i këtij sistemi gjërash. (Mateu 24:14) Më 4 mars 1934, në moshën 28-vjeçare, e simbolizova dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë.
Dy vjet më vonë, gjeta punë si berber në Lugano, një qytet në atë pjesë të Zvicrës ku flitet italisht. Fillova pa humbur kohë të predikoja lajmin e mirë atje, ndonëse dija shumë pak italisht. Sidoqoftë, gjatë të dielës së parë në shërbim, i lashë të 20 librezat që kisha marrë me vete. Me kalimin e kohës, munda të mbledh pak persona të interesuar për të formuar një grup për studimin e Kullës së Rojës. Përfundimisht, disa prej këtyre u pagëzuan dhe në shkurt të 1937-s, ne formuam një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Lugano.
Dy muaj më vonë, në prill të 1937-s, mora një letër, e cila e ndryshoi tërësisht jetën time. Ishte një ftesë për të shërbyer në Bethel, siç quhen ndërtesat e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vend. E pranova ftesën pa e bërë dy dhe ky ishte një vendim, për të cilin nuk kam ndier kurrë keqardhje. Në këtë mënyrë, nisa atë që u bë një karrierë 60-vjeçare në shërbimin e plotë kohor.
Shërbimi në Bethel në kohë trazirash
Në atë kohë, Betheli i Zvicrës gjendej në qytetin e Bern-ës, kryeqytet i Zvicrës. Atje ne shtypnim libra, libreza e revista në 14 gjuhë dhe këto transportoheshin në gjithë Evropën. Në ndonjë rast, literaturën e shtypur e merrja me karrocë dore në stacionin e trenit, pasi në ato ditë nuk na gjendej gjithmonë në dispozicion një furgon. Caktimi im i parë në Bethel ishte në Repartin e Kompozimit, ku ne mblidhnim pllakat e plumbit, prej të cilave bëhej shtypja. Pak më pas, fillova të punoja në tryezën e hyrjes dhe natyrisht shërbeva edhe si berberi i familjes Bethel.
Në shtator të 1939-s shpërtheu Lufta e II Botërore dhe sulmi i tërbuar nazist përhapi terror në të gjithë Evropën. Zvicra ishte një vend asnjanës në qendër të kombeve ndërluftuese. Fillimisht, ne e vazhduam aktivitetin tonë të krishterë pa ndërhyrje. Më pas, më 5 korrik 1940, në orën dy të pasdites, ndërkohë që isha në tryezën time në hyrje, u duk një civil i shoqëruar nga një ushtarak që mbante një pushkë me bajonetë të ngritur.
«Ku është Zurker?»—ulëriti civili. Franc Zurker ishte në atë kohë mbikëqyrësi i degës për veprën tonë të predikimit në Zvicër.
«Kush mund t’i them se e kërkon?»—pyeta unë. Sa hap e mbyll sytë, ata më rrëmbyen e më tërhoqën zvarrë nëpër shkallë, duke më kërkuar që t’i çoja në zyrën e Zurkerit.
E gjithë familja Bethel, e përbërë në atë kohë prej rreth 40 vetash, u urdhërua të mblidhej në dhomën e ngrënies. Jashtë ndërtesës ishin pozicionuar katër mitralozë për të sprapsur këdo nga përçapjet për t’ia mbathur. Brenda, rreth 50 ushtarë nisën të kontrollonin ndërtesën. Ndryshe nga ç’pritej, nuk u gjet asnjë provë se Dëshmitarët e Jehovait ishin përfshirë në përkrahjen e rezistencës ndaj shërbimit ushtarak. Megjithatë, u konfiskuan sasi të mëdha literature dhe u morën nga pesë kamionë të ushtrisë.
Kur nuk pranuam të lejonim që Kulla e Rojës të censurohej nga autoritetet qeveritare, botimi i saj në Zvicër u ndërpre. Kjo do të thoshte se për punën në Bethel nevojitej më pak personel dhe anëtarët më të rinj të familjes u inkurajuan të iknin e të bëheshin pionierë, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që angazhohen në veprën plotkohore të predikimit.
Shërbimi si pionier gjatë kohës së luftës
Në korrik të 1940-s, u ktheva përsëri në zonën e Zvicrës ku flitej italisht, pranë Luganos, ku kisha jetuar para se të shkoja në Bethel. Ky territor me katolikë të zjarrtë, i cili në atë kohë ishte, gjithashtu, edhe nën ndikimin e fuqishëm të fashizmit, u bë caktimi im për shërbimin si pionier.
Rrallëherë ndodhte që një ditë të kalonte pa u ndaluar nga policia, e cila kërkonte që unë të hiqja dorë nga aktiviteti im i predikimit. Një ditë, tek po i flisja një gruaje në derën e kopshtit, një burrë i veshur civil më mbërtheu nga prapa, më mori në makinën e patrullimit dhe më çoi në Lugano. Atje, ai më dorëzoi në polici. Kur u mora në pyetje, unë shpjegova se Perëndia Jehova na ka urdhëruar për të predikuar.
«Këtu në tokë, jemi ne që urdhërojmë,—u përgjigj oficeri me vetëkënaqësi.—Perëndia mund të urdhërojë në qiell!»
Gjatë luftës, ishte veçanërisht jetike që ne të ndiqnim këshillën e Jezuit për të qenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafajshëm si pëllumbat». (Mateu 10:16, BR) Për këtë arsye, pjesën më të madhe të literaturës sime e fsheha në xhepat e brendshëm të këmishës. Dhe për të qenë i sigurt se nuk do të humbja asgjë, vishja kilota të ngushta poshtë gjunjëve.
Me kalimin e kohës, mora udhëzime për të vajtur në luginën e Engandinës, ku vazhdova të luaja si macja me miun me policinë. Kjo është një luginë e bukur në Alpet lindore të Zvicrës, e cila gjatë dimrit fshihet poshtë masave të dëborës, kështu që kërkova të më dërgoheshin një palë ski për të më ndihmuar t’i vija përqark territorit.
Dorashkat e ngrohta janë të domosdoshme, kur ecën me ski gjatë dimrit të acartë. Për shkak të përdorimit të vazhdueshëm, të miat shpejt filluan të griseshin. Sa mirënjohës isha që një ditë mora me postë një pako që s’e prisja e që përmbante një pulovër të bërë me dorë si edhe dorashka të ngrohta! Një motër e krishterë nga kongregacioni im i mëparshëm në Bernë i kishte bërë ato për mua. Edhe tani kur mendoj për to, prekem në ndjenja nga mirënjohja.
Shumë privilegje të gëzueshme
Në 1943-shin, kushtet në Zvicër filluan të stabilizoheshin dhe mua më kërkuan përsëri të shërbeja në Bethel. Për shkak të disa problemeve në kongregacionin francez në Lozanë, rreth 100 km larg, u caktova që ta vizitoja rregullisht atë qytet, për t’i ndihmuar lajmëtarët që të kishin një pikëpamje të përshtatshme për organizatën e Perëndisë.
Më pas, shërbeva për njëfarë kohe si mbikëqyrës qarkor për të gjitha kongregacionet franceze në Zvicër. Ditët e para të javës, punoja në Bethel, kurse të premten, të shtunën dhe të dielën e kaloja duke vizituar çdo javë një kongregacion të ndryshëm, në përpjekje për të qenë një ndihmë frymore. Veç kësaj, kur u formua një kongregacion francez në Bernë, në 1960-n, unë u bëra mbikëqyrës drejtues në të. Shërbeva në këtë cilësi deri në 1970-n, kur Betheli u transferua nga Berna në vendndodhjen e tanishme të bukur, në qytetin e Tunit.
Isha i lumtur që në Tun gjeta një grup të vogël Dëshmitarësh që flisnin italisht dhe nisa të punoja me ta. Me kalimin e kohës u formua një kongregacion dhe unë shërbeva si mbikëqyrës drejtues i tij për disa vjet, derisa vëllezër më të rinj u kualifikuan për të mbajtur mbi supe këtë përgjegjësi.
Ajo që e kam konsideruar një privilegj veçanërisht të gëzueshëm, është pjesëmarrja në kongreset ndërkombëtare të popullit të Jehovait. Për shembull, në 1950-n u bë Asambleja e paharrueshme Rritja e Teokracisë, në stadiumin Janki, Nju Jork. Vizita në selinë qendrore botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin të Nju Jorkut, la një mbresë të qëndrueshme tek unë. Gjithashtu, nuk do të më hiqet kurrë nga mendja fjalimi i vëllait Milton G. Henschel një vit më pas në asamblenë Adhurimi i Pastër, në Londër të Anglisë, i cili theksoi fjalët e Jezuit: «Po ju them, po të qëndronin këta të heshtur, gurët do të bërtisnin.» (Luka 19:40, BR) Vëllai Henschel pyeti: «A mendoni se gurët duhej të bërtisnin?» Akoma dëgjoj në veshët e mi buçimën «jo», e cila erdhi nga dhjetëra mijëra zëra.
Kur shkova në Bethel në 1937-n, im atë, i cili mësoi se ne merrnim vetëm një dhuratë të vogël, i shqetësuar më pyeti: «Biri im, si do të mbijetosh në moshë të thyer?» Iu përgjigja duke cituar fjalët e psalmistit David: «Nuk kam parë asnjë të drejtë krejtësisht të braktisur, as pasardhësit e tij të kërkojnë bukë.» (Psalmi 37:25, BR) Me siguri që në rastin tim, këto fjalë janë plotësuar.
Sa i lumtur jam që mbi 80 vjet më parë, Berta Uibël u martua me babain dhe që nëpërmjet shembullit dhe drejtimit të saj, arrita të njoh Jehovain dhe cilësitë e tij! Edhe pse anëtarët e tjerë të familjes talleshin me të, ajo i shërbeu me besim të plotë Jehovait derisa vdiq në 1983-shin. Ajo nuk shprehu kurrë keqardhje që i kishte shërbyer Perëndisë së saj, Jehovait e as unë nuk kam ndier ndonjëherë keqardhje që kam qëndruar beqar dhe që ia kam përkushtuar tërësisht jetën time shërbimit të Jehovait.
[Figura në faqen 25]
Duke punuar në Bethel