Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Duke kapërcyer sfidat në «Tokën e të papriturave»
APOSTULLI Pavël i pyeti të krishterët e shekullit të parë në Korint: «Po të japë boria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë? Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha?»—1. Korintasve 14:8, 9.
Në Papua Guinenë e Re, ndonjëherë e quajtur Toka e të papriturave, Dëshmitarët e Jehovait hasin vështirësi shkurajuese në predikimin e mesazhit të qartë të Biblës. Ata u predikojnë njerëzve që flasin mbi 700 gjuhë të ndryshme dhe që kanë një shumëllojshmëri të madhe zakonesh. Dëshmitarët ndeshen, gjithashtu, me terrenin malor, mungesën e rrugëve dhe kriminalitetin në rritje. Përveç gjithë këtyre vështirësive, është edhe kundërshtimi nga disa grupe fetare dhe madje, hera-herës, edhe nga nëpunësit e shkollës.
Megjithatë, arsimimi i mirë frymor dhe një bibliotekë, që sa vjen e rritet, e literaturës ndihmëse në gjuhët e vendit, për studimin e Biblës, po i pajis Dëshmitarët për ta transmetuar lajmin e mirë si një tingull të njohur borie. Shpesh përgjigjja është pozitive, siç e tregojnë edhe raportet vijuese:
• Në fillim të një viti të ri shkollor, një mësues dëshironte të dinte se përse fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait nuk e nderojnë flamurin apo nuk këndojnë himnin kombëtar. Ai ia drejtoi pyetjen e tij Maiolës, një nxënëseje 13-vjeçare, e cila është një Dëshmitare e pagëzuar. Maiola dha një shpjegim të qartë, të bazuar në Shkrimet. Mësuesi e pranoi arsyetimin e saj, meqenëse ishte nga Bibla. Shpjegimi i saj iu tha edhe pjesës tjetër të trupit pedagogjik.
Më vonë, kur nxënësve iu caktua të shkruanin një skicë, Maiola zgjodhi temën e Trinitetit. Skica e saj mori notën më të lartë në klasë dhe mësuesi e pyeti se ku e kishte gjetur informacionin. Ajo i tregoi librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, në anglisht. Mësuesi ia tregoi librin të gjithë klasës dhe shumë prej tyre patën dëshirë të kishin një kopje të vetën. Ditën tjetër, Maiola u dha shokëve të saj të klasës 14 libra dhe 7 revista, si dhe filloi studime biblike me tre prej tyre. Synimi i Maiolës është të bëhet një shërbëtore në kohë të plotë.
• Një grup i izoluar Dëshmitarësh të Jehovait në një fshat bregdetar pranë Port Moresbi, është ndeshur me kundërshtimin që prej fillimeve të viteve ‘70. Megjithatë, kohët e fundit, ata morën ndihmë nga një burim i papritur. Peshkopi i Kishës së Bashkuar të atjeshme i lindur në Papua Guinenë e Re, që ishte arsimuar në një vend të huaj, një ditë e ftoi auditorin që ndodhej në kishë, të drejtonte pyetje. Një burrë pyeti: «Në fshatin tonë ka dy fe: Kisha e Bashkuar dhe Dëshmitarët e Jehovait. Çfarë duhet të bëjmë kur na vijnë Dëshmitarët në derë?» Pas një pauze të gjatë, peshkopi u përgjigj: «E dini si është puna. Vërtet nuk di ç’të them. Kohët e fundit, në derën time erdhën dy Dëshmitarë. Ata më drejtuan një pyetje dhe me gjithë stërvitjen time universitare, unë nuk e dija përgjigjen. Por ata ma dhanë përgjigjen me lehtësi nga Bibla. Kështu që nuk do t’ju them se çfarë të bëni. Po e lë në dorën tuaj. Nuk ju duhet të dëgjoni, nëse nuk dëshironi ta bëni këtë, por mos jini të dhunshëm me ta.»
Një përfaqësues udhëtues i Shoqatës Watch Tower, i cili më vonë vizitoi këtë grup Dëshmitarësh, raportoi: «Pothuajse kushdo në fshat i dëgjonte Dëshmitarët, kur ata shkonin për të predikuar. Madje disa i ftonin të hynin në shtëpi. Tani atje është një parajsë për të predikuar.»