Pashë «minimumin» të bëhet «një komb i fuqishëm»
TREGUAR NGA UILLIAM DINGMËN
Ishte viti 1936; vendi, Salem, Oregon, SHBA. Po merrja pjesë në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Ishte drejtuar pyetja: «Ku është turma e madhe?» (Zbulesa 7:9) Unë isha i vetmi person i ri në kongregacion, kështu që të gjithë treguan me gisht nga unë dhe thanë: «Ja tek është!»
NË MESIN e viteve ’30, ndër Dëshmitarët e Jehovait ishin relativisht të paktë ata që kishin shpresën biblike për të jetuar përgjithmonë në tokë, në Parajsë. (Psalmi 37:29; Luka 23:43) Që atëherë gjërat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Por më lejoni t’ju tregoj për ndodhitë që çuan në praninë time në atë mbledhje në Salem të Oregonit.
Babai im ishte i pajtuar në Epokën e Artë, një emër i mëparshëm për revistën Zgjohuni! Kur isha adoleshent, më pëlqente ta lexoja dhe u binda se ajo përmbante të vërtetën e rëndësishme biblike. Kështu që një ditë dërgova një kupon që paraqitej në faqen e fundit të një reviste Epoka e artë. Ajo i ofronte lexuesit 20 broshura, një libër dhe emrin e kongregacionit më të afërt të Dëshmitarëve të Jehovait. Pasi mora literaturën, shkova nga shtëpia në shtëpi dhe lashë të gjitha broshurat, si dhe librin.
Në atë kohë, unë nuk e kisha studiuar Biblën me askënd. Në fakt, as që kisha folur ndonjëherë me ndonjë Dëshmitar të Jehovait. Por tani, me adresën e Sallës së Mbretërisë më të afërt në dorë, bëra rreth 40 kilometra me makinë për në Salem, Oregon, që të merrja pjesë në një mbledhje. Pikërisht atje, kur ende s’isha veçse 18 vjeç, u dallova nga të tjerët si «turma e madhe».
Megjithëse nuk kisha pothuajse fare përgatitje për shërbim, fillova të predikoja me kongregacionin e Salemit. Isha i inkurajuar të përfshija tri pika bazë në dëshminë time. Së pari, që Jehovai është Perëndia; së dyti, që Jezu Krishti është Mbreti i tij i emëruar dhe së treti, që Mbretëria është e vetmja shpresë për botën. U përpoqa ta ndaja atë mesazh në çdo derë.
Pas shoqërimit me Dëshmitarët e Jehovait në Salem për dy vjet, u pagëzova më 3 prill 1938. Dëshmitarët në Salem ishin të kënaqur tek shihnin disa prej nesh të «turmës së madhe», që pagëzoheshim. Në shkurt të 1939-s, u bëra pionier apo shërbëtor në kohë të plotë. Në dhjetor të atij viti, pranova një ftesë për t’u transferuar në Arizona, ku kishte një nevojë më të madhe për lajmëtarë të Mbretërisë.
Shërbimi si pionier në Arizona
Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e re në Arizona dhe në lidhje me ne kishte shumë keqkuptime, kështu që kur Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore, ne përjetuam një persekutim të madh. Për shembull, kur shërbeja në Staford të Arizonës, në 1942-shin, u fol për një aksion turme kundër nesh, nga një grup mormonësh. Shokëve të mi pionierë dhe mua na kishte qëlluar të banonim ngjitur me shtëpinë e një peshkopi mormon, i cili kishte respekt për ne dhe na tha: «Nëse misionarët mormonë do të ishin aq aktivë sa Dëshmitarët, atëherë Kisha Mormone do të ishte shtuar ca.» Kështu, në kishë ai foli qartë dhe tha: «Kam dëgjuar të flitet për një aksion turme kundër djemve Dëshmitarë. E pra, unë banoj ngjitur me ata djem dhe nëse ka një aksion të tillë, tek gardhi ndarës do të ketë një çifte. Ajo çifte do të përdoret, por jo kundër Dëshmitarëve. Do të përdoret kundër banditëve. Kështu që nëse doni një aksion turme, e dini ç’ju pret.» Turma nuk erdhi kurrë.
Gjatë tre vjetëve që kalova në Arizona, u arrestuam dhe u futëm në burg disa herë. Njëherë më mbajtën 30 ditë. Për të luftuar ngacmimet e policisë në shërbimin tonë, formuam atë që e quajtëm skuadër fluturuese. Dëshmitari që kishte këtë përgjegjësi, na tha: «Ashtu siç është emri ynë, kështu jemi. Fillojmë në pesë ose në gjashtë të mëngjesit, lëmë një fletushkë apo broshurë në çdo derë dhe pastaj fluturojmë.» «Skuadra fluturuese» jona mbulonte një pjesë mjaft të madhe të shtetit të Arizonës. Megjithatë, së fundi ajo u shpërbë, sepse kjo formë predikimi nuk na lejonte t’u siguronim ndihmën atyre që ishin të interesuar.
Shkolla e Galaadit dhe shërbimi special
Në dhjetor të 1942-shit, unë ndodhesha mes disa pionierëve në Arizonë që morën një letër ftesë për në një shkollë të re misionare, që po themelohej nga Dëshmitarët e Jehovait. Fillimisht shkolla u quajt Kolegji biblik Watchtower i Galaadit. Më vonë emri u ndryshua në Shkolla biblike Watchtower e Galaadit. Kompleksi ndodhej afërsisht 4.800 kilometra larg, pranë qytetit të Itakës në Nju Jorkun e sipërm.
Pas një vizite të shkurtër në Oregon, në janar të 1943-shit, disa prej ne pionierëve lamë nxehtësinë e shkretëtirës së Arizonës me një autobus të shoqërisë Greihund. Disa ditë më vonë arritëm në vendmbërritjen tonë dhe gjetëm dëborën e dimrit të Nju Jorkut të sipërm. Shkolla u hap më 1 shkurt 1943, kur presidenti i saj, Nathan H. Knorr, tha në fjalimin e tij të përurimit, drejtuar njëqind studentëve: «Qëllimi i këtij kolegji NUK është që t’ju pajisë për t’u bërë shërbëtorë të emëruar zyrtarisht. Ju jeni tashmë shërbëtorë dhe keni qenë aktivë në shërbim për vite me radhë. . . . Kursi i studimit në kolegj është për qëllimin ekskluziv të përgatitjes suaj, që të jeni shërbëtorë më të aftë në territoret ku do të shkoni.»
Meqenëse kisha një shkollim botëror të kufizuar, në fillim nuk ndihesha rehat në Galaad. Por instruktorët ishin të mrekullueshëm me mua dhe arrita të gëzoja shumë studimin që bëja. Klasa jonë u diplomua pas pesë muajsh stërvitjeje intensive. Pas kësaj, disa prej nesh u dërguan në qendrën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork, ku morëm stërvitje të mëtejshme, për t’u përgatitur që të shërbenim në veprën udhëtuese si mbikëqyrës qarkorë. Caktimi im i parë ishte në Karolinën Veriore dhe Jugore.
Në ato ditë të hershme, mbikëqyrësi qarkor ishte pothuajse vazhdimisht në lëvizje. Ne qëndronim një ditë me një kongregacion të vogël, ose dy në qoftë se ishte i madh. Në atë kohë shumica e kongregacioneve ishin të vegjël. Kështu, pasi kisha kaluar një ditë të plotë dhe shpesh duke vazhduar deri afër mesnate me vizita dhe duke iu përgjigjur pyetjeve, të nesërmen në mëngjes ngrihesha rreth orës pesë, për të udhëtuar drejt kongregacionit tjetër. Unë shërbeva në veprën qarkore për pothuajse një vit dhe pas kësaj shërbeva si pionier për njëfarë kohe në Tënesi dhe në Nju Jork.
Në Kubë dhe pastaj në Porto Riko
Në maj të 1945-s, bashkë me disa të tjerë, u dërgova në caktimin tim misionar të parë të huaj, në Kubë! Natën që mbërritëm në Havana, kryeqyteti i Kubës, dolëm në veprën me revista. Qëndruam në Havana, derisa patëm mundësi të gjenim një shtëpi në Santa Klara. Fondi ynë mujor ishte vetëm 25 dollarë secili, për të gjitha nevojat, përfshirë ushqimin dhe qiranë. Ne bëmë krevate dhe mobilje me materialet që ishin në dispozicion dhe për komo përdorëm arkat e mollëve.
Vitin që pasoi u caktova në veprën qarkore. Në atë kohë e gjithë Kuba ishte një qark. Duke qenë se mbikëqyrësi qarkor që kishte qenë para meje kishte këmbë të gjata dhe i pëlqente të ecte, vëllezërve dhe motrave iu ishte dashur që faktikisht të vraponin për të ecur me të. Me sa duket ata kishin menduar se unë do të isha po njësoj, prandaj për vizitën time kishin planifikuar gjithçka. Ata nuk dilnin të gjithë bashkë në shërbim në të njëjtën ditë, por ndaheshin në grupe dhe caktonin turne për të dalë me mua. Ditën e parë, njëri grup më çoi në një territor të largët; ditën tjetër një grup tjetër më çoi në një territor tjetër po të largët e kështu me radhë. Në fund të vizitës isha i rraskapitur, por i kënaqur. Nga ai kongregacion kam kujtime të dashura.
Deri në vitin 1950, në Kubë kishim më shumë se 7.000 lajmëtarë, pothuajse i njëjti numër që kishte Meksiko. Në korrik të atij viti, mora pjesë në Kongresin Ndërkombëtar «Rritja e Teokracisë», në stadiumin Janki të qytetit të Nju Jorkut. Pas tij, mora një caktim të ri misionar, në Porto Riko. Mes misionarëve të rinj nga klasa e 12-të e Galaadit, ishin edhe Estel e Thelma Uikli, të cilat më shoqëruan gjatë udhëtimit me aeroplan për në Porto Riko.
Tetë vjet më vonë, Estel dhe unë u martuam me një ceremoni të thjeshtë në Bajamon, Porto Riko, që u zhvillua në podium gjatë periudhës së ndërprerjes për pushim të asamblesë qarkore. Si përpara, ashtu dhe pas martesës, shërbeva në veprën qarkore. Gjatë më shumë se dhjetë vjetëve në Porto Riko, Estel dhe unë pamë një rritje të madhe; nga më pak se 500 lajmëtarë në më shumë se 2.000. Patëm mundësinë të ndihmonim shumë persona deri në dedikim dhe pagëzim, si dhe morëm pjesë në ngritjen e disa kongregacioneve të reja.
Në dhjetor të 1960-s, Milton Henshell nga qendra botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork, vizitoi Porto Rikon dhe u foli misionarëve. Ai i pyeti nëse ndokush do të vihej në dispozicion për një caktim të ndryshëm. Mes atyre që dolën vullnetarë, ndodhesha dhe unë me Estelin.
Shtëpia jonë në Republikën Domenikane
Caktimi ynë i ri ishte Republika Domenikane dhe si datë të transferimit tonë, caktuam 1 qershorin 1961. Më 30 maj, diktatori domenikan Rafael Trujillo, u vra dhe fluturimet me aeroplan për në atë vend u anulluan. Megjithatë, fluturimet rifilluan shpejt dhe patëm mundësi të udhëtonim për në Republikën Domenikane më 1 qershor, ashtu siç e kishim planifikuar.
Kur mbërritëm ne, vendi ishte në një gjendje pështjellimi dhe kishte goxha aktivitet ushtarak. Ekzistonte frika e një revolucioni dhe ushtarët kontrollonin këdo që kalonte në rrugën kryesore. Na ndaluan në disa pika kontrolli dhe në secilën prej tyre bagazhi ynë u kontrollua. Nga valixhet tona nxorrën jashtë çdo gjë, madje edhe gjërat më të vogla. Kjo qe hyrja jonë në Republikën Domenikane.
Ne qëndruam në kryeqytet, Santo Domingo, për disa javë përpara se të shkonim në caktimin e parë, në La Romana. Gjatë sundimit diktatorial të Trujillos, publikut i qe thënë se Dëshmitarët e Jehovait ishin komunistë dhe se ishin lloji më i keq i njerëzve. Si rezultat, Dëshmitarët ishin persekutuar keqas. Megjithatë, pak nga pak qemë në gjendje t’i rrëzonim paragjykimet.
Pasi shërbyem për pak kohë në La Romana, filluam përsëri të shërbenim në veprën qarkore. Më pas, në 1964-n, u caktuam si misionarë në qytetin e Santiagos. Vitin që pasoi Republika Domenikane përjetoi një revolucion dhe përsëri vendi ndodhej në një situatë të trazuar. Gjatë atij konflikti, ne u transferuam në San Françisko de Makoris, një qytet i njohur për aktivizimin e tij politik. Por megjithëkëtë ne predikuam lirshëm, pa pasur ndërhyrje. Megjithë çrregullimin politik, ne formuam madje një kongregacion të ri. Gjatë viteve që pasuan, ne provuam ndryshime të tjera caktimesh, përpara se të ricaktoheshim në shtëpinë tonë të tanishme në Santiago.
Sigurisht që në veprën këtu në Republikën Domenikane kemi parë bekimin e Jehovait. Kur mbërritëm në 1961-shin, kishte rreth 600 Dëshmitarë dhe 20 kongregacione. Tani ka pothuajse 20.000 lajmëtarë që predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, në më shumë se 300 kongregacione. Perspektivat për rritje të mëtejshme janë të jashtëzakonshme, siç tregohet edhe nga pjesëmarrja prej 69.908 personash në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në 1996-n. Ky është pothuajse trefish e gjysmë i numrit të lajmëtarëve.
Tani një komb i fuqishëm
Megjithëse skena e botës vazhdon të ndryshojë, mesazhi i Biblës që predikojnë Dëshmitarët e Jehovait, mbetet i njëjti. (1. Korintasve 7:31) Jehovai është ende Perëndia, Krishti është ende Mbret dhe Mbretëria është më qartë se kurrë e vetmja shpresë për botën.
Në të njëjtën kohë, që prej vajtjes sime në atë mbledhje në Salem të Oregonmit, pothuajse 60 vjet më parë, mes popullit të Jehovait ka ndodhur një transformim i mrekullueshëm. Turma e madhe apo shumica e madhe, është bërë me të vërtetë e madhe; ajo numëron më shumë se pesë milion. Është tamam ashtu siç paratha Jehovai për popullin e tij: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.»—Isaia 60:22.
Pas pothuajse 60 vjetësh në shërbimin e plotë kohor, jam i lumtur që kam gëzimin të vazhdoj të predikoj dhe të mësoj të tjerët në caktimin tim misionar. Ç’privilegj i madh të marrësh pjesë në këtë vepër dhe të kesh parë «minimumin» të bëhet «një komb i fuqishëm»!
[Figura në faqen 21]
Me gruan time, në Republikën Domenikane