Nuk ka asgjë më të mirë se e vërteta
Treguar nga G. N. Van Der Bejl
Në qershor të 1941-shit, më dorëzuan në Gestapo dhe më çuan në kampin e përqendrimit Saksenhauzen, pranë Berlinit të Gjermanisë. Atje, si i burgosuri numër 38190, qëndrova deri në marshimin famëkeq të vdekjes, në prill të 1945-s. Por përpara se të përshkruaj ato ngjarje, më lejoni t’ju shpjegoj se si ndodhi që isha një i burgosur.
LINDA në Roterdam, Holandë, pak kohë pas fillimit të Luftës I Botërore, në gusht të vitit 1914. Babai punonte për hekurudhën dhe apartamenti ynë i vogël ndodhej pranë binarit të hekurudhës. Nga fundi i luftës, më 1918-n, pashë shumë të ashtuquajtur ‘trena krize’, që kalonin me uturimë pas shtëpisë sonë. Pa dyshim që ishin plot me ushtarë të plagosur, të cilët nga fronti po i dërgonin në shtëpi.
Kur isha 12 vjeç, lashë shkollën për të hyrë në punë. Tetë vjet më vonë u punësova si stjuard në një anije udhëtarësh dhe për katër vjetët që pasuan lundrova mes Holandës dhe Shteteve të Bashkuara.
Kur mbërritëm në portin e Nju Jorkut, në verën e vitit 1939, ekzistonte kërcënimi i një lufte tjetër botërore. Kështu që, kur në bordin e anijes sonë hipi një burrë dhe më ofroi librin Qeveria, i cili fliste për një qeveri të drejtë, e pranova me gëzim. Sapo u ktheva në Roterdam, fillova të kërkoja një punë në tokë, sepse jeta në det nuk dukej më e sigurt. Më 1 shtator, Gjermania pushtoi Poloninë dhe kombet u plandosën në Luftën II Botërore.
Duke mësuar të vërtetën biblike
Një mëngjes të diele në marsin e 1940-s, isha për vizitë te vëllai im i martuar, kur një Dëshmitar i Jehovait i ra ziles. I thashë se e kisha tashmë librin Qeveria dhe e pyeta në lidhje me qiellin, si dhe kush shkon atje. Mora një përgjigje kaq të qartë dhe të arsyeshme, sa thashë me vete: ‘Kjo është e vërteta.’ I dhashë adresën time dhe e ftova të më vinte në shtëpi.
Vetëm pas tri vizitash, gjatë të cilave patëm biseda të thella biblike, fillova ta shoqëroja këtë Dëshmitar në veprën e predikimit nga shtëpia në shtëpi. Kur mbërritëm në territor, më tregoi se ku duhej të filloja dhe unë nisa të predikoja vetëm. Kështu futeshin në atë kohë në veprën e predikimit shumë persona të rinj në të vërtetën. Me qëllim që të mos më shinin në rrugë, u këshillova që kur bëja një prezantim të literaturës të ndodhesha gjithmonë brenda korridorit të shtëpisë. Në ditët e para të luftës nevojitej kujdes.
Tri javë më vonë, më 10 maj 1940, ushtria gjermane pushtoi Holandën dhe më 29 maj, përfaqësuesi i Rajhut, Seyss-Inquart, deklaroi se organizata e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar. Mblidheshim vetëm në grupe të vogla dhe kishim kujdes që vendet e mbledhjeve të mbaheshin sekret. Për ne ishin veçanërisht forcuese vizitat e mbikëqyrësve udhëtues.
Unë e pija shumë duhanin, ndaj kur i ofrova një cigare Dëshmitarit me të cilin studioja dhe vura re se nuk e pinte, thashë: «Kurrë nuk do të mund ta lija duhanin!» Megjithatë, pak pas kësaj, ndërsa po ecja në rrugë, mendova: ‘Nëse do të jem një Dëshmitar, dëshiroj të jem një Dëshmitar i vërtetë.’ Kështu që nuk piva më kurrë duhan.
Marrja e qëndrimit për të vërtetën
Në qershor të 1940-s, më pak se tre muaj pas takimit me Dëshmitarin në derën e shtëpisë së vëllait tim, simbolizova dedikimin ndaj Jehovait dhe u pagëzova. Pak muaj më vonë, në tetor të 1940-s, fillova shërbimin e plotë kohor si pionier. Në atë kohë, më dhanë atë që quhej xhaketë pionieri. Ajo kishte shumë xhepa për libra e broshura dhe mund të vishej poshtë një palltoje.
Pothuajse që nga fillimi i pushtimit gjerman, Dëshmitarët e Jehovait gjurmoheshin dhe arrestoheshin sistematikisht. Një mëngjes të shkurtit 1941, isha në shërbimin në fushë me disa Dëshmitarë të tjerë. Ndërkohë që ata predikonin nga njëra anë e një blloku shtëpish, unë predikoja përreth anës tjetër të bllokut, që t’i takoja. Pas njëfarë kohe, vajta të shihja se ç’po i bënte të vonoheshin dhe takova një burrë që pyeti: «Edhe ti ke ndonjë prej këtyre librave të vegjël?»
«Po»,—iu përgjigja. Me t’i thënë këtë, më arrestoi dhe më çoi në rajonin e policisë. Më mbajtën nën arrest për pothuajse katër javë. Shumica e oficerëve ishin miqësorë. Për sa kohë një person nuk i ishte dorëzuar Gestapos, mund ta siguronte lirimin e tij thjesht duke firmosur një deklaratë të shkruar se nuk do të shpërndante më literaturë biblike. Kur m’u kërkua ta firmosja një deklaratë të tillë, u përgjigja: «Edhe sikur të më ofronit një apo dy milionë gulden, prapëseprapë nuk do ta firmosja.»
Pasi më mbajtën edhe ca kohë, më dorëzuan në Gestapo. Prej andej më çuan në kampin e përqendrimit Saksenhauzen në Gjermani.
Jeta në Saksenhauzen
Kur shkova unë, në qershor të vitit 1941, tashmë në Saksenhauzen ishin rreth 150 Dëshmitarë, kryesisht gjermanë. Ne të sapoburgosurit na dërguan në një pjesë të kampit që quhej ‘izolimi’. Atje, vëllezërit tanë të krishterë na mbuluan me përkujdesje dhe na përgatitën për atë që na priste. Një javë më vonë, mbërriti një ngarkesë tjetër me Dëshmitarë nga Holanda. Në fillim u caktuam të qëndronim në këmbë në të njëjtin vend, përballë barrakave, që prej orës shtatë të mëngjesit deri në gjashtë të mbrëmjes. Herë pas here të burgosurve u duhej ta bënin këtë gjë çdo ditë, për një javë ose më shumë.
Megjithë trajtimin e egër, vëllezërit e kuptuan nevojën urgjente për të qëndruar të organizuar dhe për të marrë ushqim frymor. Për çdo ditë caktohej dikush që të përgatiste disa mendime mbi një shkrim të Biblës. Më vonë, në oborrin e mbledhjeve, Dëshmitarët i afroheshin një nga një atij vëllai dhe dëgjonin atë që kishte përgatitur. Në një mënyrë a në një tjetër, literatura futej gjithmonë kontrabandë në kamp dhe ne mblidheshim faktikisht çdo të diel dhe e studionim së bashku këtë literaturë biblike.
S’di se si u fut kontrabandë një kopje e librit Fëmijët, i cili kishte dalë në kongresin e S. Luisit, në Shtetet e Bashkuara, në verën e vitit 1941. Që të minimizonim rrezikun e zbulimit dhe asgjësimit të librit, e ndamë në pjesë, të cilat qarkullonin mes vëllezërve, kështu që gjithsecilit mund t’i vinte radha për ta lexuar.
Pas pak kohësh, drejtoria e kampit zbuloi që ne mbanim mbledhje, kështu që Dëshmitarët i ndanë nga njëri-tjetri dhe i vunë në barraka të ndryshme. Kjo na paraqiti një mundësi të shkëlqyer për t’u predikuar të burgosurve të tjerë dhe si rezultat, shumë polakë, ukrainas dhe të tjerë, pranuan të vërtetën.
Nazistët nuk e mbanin sekret që kishin ndër mend t’i thyenin ose t’i vritnin Bibelforscher-ët, siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait. Për pasojë, presioni që ushtrohej mbi ne ishte i fortë. Na u tha se mund të na lironin nëse firmosnim një deklaratë ku denonconim besimin tonë. Disa vëllezër filluan të nxjerrin arsyen: «Nëse jam i lirë, mund të bëj më shumë në shërbimin e Jehovait.» Megjithëse disa firmosën, shumica e vëllezërve tanë mbetën besimplotë, megjithë privimin, poshtërimin dhe keqtrajtimin. Për disa prej atyre që u kompromentuan, nuk u mor vesh gjë më. Megjithatë, lumturisht, më vonë të tjerët e rimorën veten frymësisht dhe janë ende Dëshmitarë aktivë.
Rregullisht, na detyronin t’i shihnim të burgosurit tek i nënshtroheshin ndëshkimit fizik brutal, si për shembull, 25 goditje me shkop. Një herë, na vunë të shikonim ekzekutimin me varje të katër burrave. Ato përvoja kanë efekt të fortë te një person. Një vëlla, burrë shtatlartë dhe i pashëm, i cili jetonte në të njëjtën barrakë me mua, më tha: «Përpara se të vija këtu, po të shihja gjak më binte të fikët në vend. Por tani jam ngurtësuar.» Megjithatë, edhe pse mund të ishim ngurtësuar, kallo nuk zumë. Duhet ta them se kurrë nuk ia desha të keqen apo nuk ndjeva urrejtje për persekutuesit tanë.
Pasi punova me një komando (skuadër pune) për njëfarë kohe, u shtrova në spital me një temperaturë të lartë. Një doktor i përzemërt norvegjez dhe një infermier çekosllovak më ndihmuan dhe ka shumë mundësi që të ketë qenë dashamirësia e tyre ajo që më shpëtoi jetën.
Marshimi i vdekjes
Nga prilli i 1945-s, u bë e qartë se Gjermania po e humbiste luftën. Aleatët perëndimorë po përparonin me shpejtësi nga perëndimi, ndërsa sovjetikët nga lindja. Për nazistët ishte e pamundur të likuidonin me qindra e mijëra veta që ndodheshin në kampet e përqendrimit dhe t’i zhduknin trupat e tyre brenda pak ditësh, pa lënë asnjë gjurmë. Kështu, vendosën të vritnin të sëmurët dhe pjesën tjetër të të burgosurve ta transferonin në portet më të afërta detare. Planifikuan që atje t’i ngarkonin nëpër anije dhe anijet t’i mbytnin në det.
Marshimi i pothuajse 26.000 të burgosurve nga Saksenhauzen, filloi natën e 20 prillit. Përpara se të linim kampin, vëllezërit tanë të sëmurë u shpëtuan nga infermieria. U sigurua një qerre, me të cilën mund të transportoheshin. Gjithsej ishim 230, nga gjashtë vende të ndryshme. Mes të sëmurëve ishte edhe vëllai Artur Uinkler, i cili i kishte kontribuar shumë shtrirjes së veprës në Holandë. Ne Dëshmitarët ishim të fundit gjatë marshimit dhe gjatë gjithë kohës inkurajonim njëri-tjetrin që të vazhdonim të ecnim.
Si fillim, marshuam për 36 orë pa pushim. Ndërsa ecja, në të vërtetë më zinte gjumi nga vuajtja dhe rraskapitja e tmerrshme. Por, të mbeteshe prapa ose të ndaloje ishte jashtë çdo diskutimi, sepse rrezikoje të qëlloheshe nga rojet. Natën flinim nëpër fusha ose nëpër pyje. Ushqimi ishte i paktë ose s’kishte fare. Kur na kishte marrë urija, aq sa s’kishte ku të shkonte më, lëpiva pastën e dhëmbëve që na kishte dhënë Kryqi i Kuq suedez.
Në një fazë të marshimit, meqenëse rojet gjermane ishin të çorientuara, pasi nuk dinin se ku ndodheshin trupat ruse dhe ato të SHBA-së, fushuam nëpër pyje për katër ditë. Kjo qe një gjë e mbarë, sepse për pasojë nuk arritëm në kohë në Gjirin Lubek, për të hipur në anijet që duhej të na çonin në varrin tonë ujor. Më në fund, pas 12 ditësh dhe një marshimi prej 200 kilometrash, mbërritëm në pyllin Krivits. Ky nuk ndodhej larg Shuerin-it, një qytet 50 kilometra larg Lubekut.
Sovjetikët i kishim djathtas, ndërsa amerikanët majtas. Nga buçitja e pushkëve të mëdha dhe nga shkëmbimi i pandërprerë i zjarrit, e dinim se ndodheshim pranë vijave të frontit. Rojet gjermane ishin në panik; disa ia mbathën, ndërsa të tjerët hoqën uniformat e tyre ushtarake dhe veshën rrobat e burgut, që ua kishin marrë të vdekurve, me shpresë që të mos njiheshin. Mes rrëmujës, ne Dëshmitarët u mblodhëm që të luteshim për udhëheqje.
Vëllezërit e ngarkuar vendosën që ne të iknim në orët e para të ditës tjetër dhe të shkonim drejt rradhëve të SHBA-së. Megjithëse rreth gjysma e të burgosurve që kishin nisur marshimin e vdekjes vdiqën ose i vranë në rrugë e sipër, të gjithë Dëshmitarët mbijetuan.
Disa ushtarakë kanadezë më shoqëruan me makinë për në qytetin e Nijmegenit, ku jetonte një motër e imja. Por kur arrita atje, pashë se ishte transferuar. Kështu, iu vura rrugës për në Roterdam. Shyqyr që gjatë rrugës dikush m’u ofrua që të më shoqëronte me makinën e vet dhe më çoi drejt e në destinacionin tim.
E vërteta ka qenë jeta ime
Po atë ditë që mbërrita në Roterdam, bëra përsëri kërkesën për veprën e pionierit. Tri javë më vonë, ndodhesha në caktimin tim në qytetin e Zutfenit, ku shërbeva për një vit e gjysmë. Gjatë asaj kohe e rimora disi fuqinë fizike. Më pas u emërova si mbikëqyrës qarkor, siç quhen shërbëtorët udhëtues. Pak muaj më vonë, u ftova në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, në Lansingun Jugor, Nju Jork. Pasi u diplomova në klasën e 12-të të kësaj shkolle në shkurt të 1949-s, u caktova në Belgjikë.
Në Belgjikë kam shërbyer në aspekte të ndryshme shërbimi, duke përfshirë pothuajse tetë vjet në zyrën e degës dhe disa dekada në veprën udhëtuese si mbikëqyrës qarkor dhe si mbikëqyrës krahinor. Në vitin 1958, u martova me Justinën, e cila u bë shoqja ime e udhëtimit. Tani, ndërsa vitet fillojnë të më rëndojnë mbi supe, ende kam gëzimin që jam në gjendje të shërbej në mënyrë të kufizuar si mbikëqyrës udhëtues zëvendësues.
Kur me mendje i bëj një shikim shërbimit tim, mund të them me të vërtetë: «Nuk ka asgjë më të mirë se e vërteta.» Sigurisht që jo gjithmonë ka qenë e lehtë. Kam zbuluar nevojën për të mësuar nga gabimet dhe mangësitë e mia. Kështu që, kur u flas të rinjve, shpesh u them: «Edhe ju do të bëni gabime dhe ndoshta edhe shkelje serioze, por mos gënjeni për to. Diskutojeni çështjen me prindërit ose me një plak dhe pastaj bëni ndreqjet e nevojshme.»
Në pothuajse 50 vjetët e mi të shërbimit të plotë kohor në Belgjikë, kam pasur privilegjin të shoh persona, që dikur i njihja si fëmijë, të shërbejnë si pleq dhe mbikëqyrës qarkor. Kam parë pak a shumë 1.700 lajmëtarë të Mbretërisë në atë vend, të arrijnë në më shumë se 27.000.
Pyes: «A mund të kishte një mënyrë më të bekuar për të jetuar sesa ajo që t’i shërbesh Jehovait?» Nuk ka pasur kurrë, nuk ka tani dhe kurrë nuk ka për të pasur. Lutem që Jehovai të vazhdojë të na udhëheqë dhe bekojë mua dhe gruan time, që të mund të vazhdojmë t’i shërbejmë përgjithmonë.
[Figura në faqen 26]
Me gruan, pak pas martesës sonë në vitin 1958