Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Në Alaskë, Perëndia bën të rritet
NËN mbulesën e borës dhe të akullit, një farë e vogël pret mundësinë për t’u zhvilluar drejt pjekurisë. Brenda tre muajve të shkurtër që përbëjnë verën alaskiane, një farë lakre me një diametër prej 3 milimetrash, mund të rritet afërsisht deri në 40 kilogram. Po, kjo tokë, për të cilën dikur shumë veta mendonin se ishte një djerrinë shterpë e akullt, mund të japë fryt të bollshëm.
Kjo është e vërtetë sidomos për fushën frymore në Alaskë. Atje, në vendin e dimrave të gjatë, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të mbjellin farën e Mbretërisë. Ashtu si në pjesë të tjera të tokës, Perëndia bën që fara të rritet në zemra pjellore.—1. Korintasve 3:6, 7.
● Ndërsa ndodhej në një autobus shkolle, një Dëshmitare e re e quajtur Vanesa, vuri re një nxënëse, Anën, e cila gjithmonë ulej vetëm. Ana dukej e trishtuar, kështu që Vanesa e ftoi të ulej pranë saj. S’ishte për t’u çuditur që Ana ishte e trishtuar! Nëna e saj kishte vdekur nga një krizë zemre dhe pak kohë më vonë i kishte vdekur babai nga kanceri. Ja pse Ana jetonte me të afërmit në Alaskë.
Një të shtunë që kishte dalë në shërbimin në fushë, Vanesa ndaloi në shtëpinë e së njohurës së saj të re dhe i la broshurën A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? Të hënën, Ana kërkoi Dëshmitaren e re. Ajo kishte shumë pyetje biblike, të cilave Vanesa qe në gjendje t’u përgjigjej. «Ku i kryeni ju shërbesat tuaja fetare?»—pyeti ajo. Atë mbrëmje Ana mori pjesë në mbledhjen e saj të parë në Sallën e Mbretërisë.
Për këtë jetime 17-vjeçare nuk u desh një kohë e gjatë të gjente shumë ‘baballarë’ dhe ‘nëna’, siç kishte premtuar Jezui. (Mateu 19:29) Ç’rast i gëzueshëm ishte të shihje një Anë të lumtur dhe të qeshur, tek simbolizonte me anë të pagëzimit në ujë dedikimin e saj ndaj Jehovait, në kongresin krahinor «Lajmëtarë të Paqes hyjnore»!
● Në zonat e thella të rajonit të madh arktik alaskian, ku fshatrat i ndajnë qindra kilometra shkretëtirë, aeroplani me dy motorë i Shoqatës Watch Tower është përdorur për të mbjellë farën e Mbretërisë në më shumë se 150 komunitete. Por rritja frymore nëpërmjet një studimi të regullt të Biblës varet nga korrespondenca. Meqenëse të shkruash letra, për shumë veta përbën një sfidë, një mësues i Biblës duhet të jetë krijues, që të mbajë gjallë interesin e studentit. Si mund të kryhet kjo?
Keti drejtoi një studim biblik progresiv me Ednën, megjithëse jetojnë më shumë se 600 kilometra larg. Në vend se thjesht të kopjonte pyetjet që ndodhen në librin ndihmës për studimin, Keti përgatiste një fletë pune me pyetje dhe linte vend për shkrimin e përgjigjeve. Pasi Edna shkruante përgjigjet, Keti i përgjigjej dhe kur ishte e nevojshme të sqarohej një pikë, fuste komente. Keti thotë: «Për ‘studimin’ tonë, lija të mërkurën në mbrëmje dhe përpiqesha ta respektoja këtë program, ashtu siç do të bëja me çdo takim tjetër për studim biblik. Bashkë me letrën, i dërgoja Ednës një zarf me adresën time dhe me pullë, në të cilin ajo fuste letrën e saj. Meqenëse për periudhën e postimit duheshin dy javë, një studim me anë të korrespondencës dukej paksa i ngadaltë.»
Imagjino drithërimën, kur Keti dhe Edna u ndeshën ballë për ballë në kongresin krahinor në Ankorixh, pas dhjetë muajsh që studionin nëpërmjet postës! Dëshmitarët ishin, gjithashtu, të kënaqur që ishin të pranishëm studentë biblikë dhe persona të tjerë të interesuar, nga fshatra të ndryshme të izoluara të Alaskës.
Megjithëse rritja ndonjëherë mund të duket e ngadaltë, disa «bimëza» mbijnë shpejt kur ekspozohen ndaj dritës të së vërtetës. Në Alaska, çdo vit pagëzohen mesatarisht më shumë se njëqind lavdërues të rinj të Jehovait! Ne themi «faleminderit Jehova», që ke bërë të rriten!