BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/4 f. 28-30
  • A do të kemi gjithmonë nevojë për ushtri?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A do të kemi gjithmonë nevojë për ushtri?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Dëshira për një «polic» global
  • «Jehovai i ushtrive»
  • Ushtritë e Perëndisë shkojnë në betejë
  • Imagjino një botë pa luftë
  • Paqe e vërtetë: Prej cilit burim?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • «Duajeni të vërtetën dhe paqen»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/4 f. 28-30

A do të kemi gjithmonë nevojë për ushtri?

USHTRITË kanë konsumuar një sasi të madhe të pasurive njerëzore dhe kanë shkatërruar një pjesë të madhe të lumturisë së njeriut. Kështu që, disa njerëz kanë pyetur veten: ‘A mund të arrijë ndonjëherë njerëzimi atë lloj sigurie botërore, që lejon shpërndarjen e ushtrive?’ Tani që mjetet e shkatërrimit në masë e kanë bërë të mundshme shuarjen e krejt jetës, kjo pyetje bëhet urgjente. Sa realiste është të shpresosh për një botë pa ushtri?

Precedentë të shumtë provojnë se kur marrëdhëniet e mira ndërkombëtare sjellin si pasojë siguri, kjo mund të çojë në njëfarë çarmatimi. Marrëdhëniet përgjithësisht miqësore ndërmjet Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, për shembull, kanë bërë që kufiri i tyre prej 5.000 kilometrash të ketë qenë i pambrojtur nga ushtritë, për më shumë se një shekull e gjysmë. Norvegjia dhe Suedia kanë arritur një mirëkuptim të ngjashëm, siç e kanë arritur edhe shumë kombe të tjera. A mundet që një marrëveshje mes të gjitha kombeve të çojë në një botë pa ushtri? Me tmerret e Luftës I Botërore, kjo ide fitoi një popullaritet pa precedent.

Kur u vu paqja në vitin 1918, një prej qëllimeve të traktatit të paqes së Versajës, ishte që «të bënte të mundur nisjen e një kufizimi të përgjithshëm të armatimeve të të gjitha kombeve». Gjatë viteve që pasuan, u përhap pacifizmi. Disa pacifistë dolën me teorinë se lufta është gjëja më e keqe që mund t’i bjerë një kombi dhe prandaj është më e keqe sesa të pësosh disfatë. Kundërshtarët e pacifizmit nuk ishin dakord, duke vënë në dukje se përgjatë shekujve, hebrenjtë në zona të mëdha u bënë shumë pak rezistencë të armatosur sulmuesve, por megjithatë orvatjet mizore për t’i shfarosur ata vazhduan. Afrikanët patën pak mundësi për t’u rezistuar atyre që i çuan si skllevër në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore, por megjithatë u keqtrajtuan mizorisht për shekuj të tërë.

Megjithatë, me shpërthimin e Luftës II Botërore, shumë pacifistë nxorën përfundimin se vendet kishin nevojë për mbrojtje. Kështu që kur pas Luftës II Botërore u formua Organizata e Kombeve të Bashkuara, theksi u vu më pak mbi çarmatimin dhe më shumë mbi bashkëpunimin ndërkombëtar për të penguar agresionin. Anëtarët e saj shpresonin se siguria e arritur në këtë mënyrë do t’u jepte kombeve bindjen për t’u çarmatosur.

Një problem tjetër sa vinte e bëhej më i qartë. Shpesh, përpjekjet e një kombi për t’u siguruar, e bënin kombin fqinj të ndihej i pasigurt. Ky rreth vicioz çoi në një garë armatimi. Por kohët e fundit, marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet kombeve të mëdha e kanë forcuar shpresën për çarmatim. Megjithatë, që atëherë, Lufta në Gjirin Persik dhe trazirat në ish-Jugosllavi, ua kanë mbytur shumë personave shpresat për çarmatim. Rreth pesë vjet më parë, revista Time komentonte: «Ndonëse lufta e ftohtë ka përfunduar, bota është bërë një vend më shumë, në vend se më pak, i rrezikshëm.»

Dëshira për një «polic» global

Shumë vëzhgues nxjerrin përfundimin se njerëzimi ka nevojë për një autoritet të vetëm botëror, me një ushtri mjaft të fuqishme për të mbrojtur këdo. Përderisa as Organizata e Kombeve të Bashkuara, as fuqitë kryesore ushtarake të botës nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, disa mendojnë se shpresat për të ardhmen janë të pakta. Por nëse ti e pranon Biblën si Fjalën e Perëndisë, ndoshta ke pyetur veten nëse Perëndia i Plotfuqishëm do ta plotësojë apo jo këtë nevojë urgjente.

A do të përdorë Ai, të cilin Bibla e quan «Perëndia i dashurisë dhe i paqes», fuqinë ushtarake për të vendosur drejtësinë? Nëse po, cilën ushtri? Shumë prej ushtrive të sotme deklarojnë se kanë mbështetjen e Perëndisë, por a janë duke kryer vërtet vullnetin e Perëndisë ato? Apo, a ka Perëndia ndonjë mënyrë tjetër për të ndërhyrë dhe për të sjellë paqen dhe sigurinë?—2. Korintasve 13:11.

Perëndia i Plotfuqishëm e përballoi rebelimin e parë, duke e përzënë Adamin dhe Evën nga Edeni dhe duke vënë roje kerubinët, për të penguar kthimin e tyre. Gjithashtu, ai shpalli qëllimin e tij për të shtypur çdo rebelim kundër sovranitetit të tij. (Zanafilla 3:15) A mund të përfshijë kjo përdorimin e një ushtrie nga ana e Perëndisë?

Bibla flet për raste kur Perëndia përdori ushtri, për të ekzekutuar gjykimet e tij. Për shembull, mbretëritë në vendin e Kanaanit praktikuan marrëdhënie seksuale me bishat, flijimet e fëmijëve dhe luftërat sadiste. Perëndia dekretoi shkatërrimin e tyre të plotë dhe përdori ushtrinë e Josiut për të ekzekutuar këtë vendim. (Ligji i përtërirë 7:1, 2) Ngjashëm, ushtria e mbretit David ekzekutoi gjykimin e Perëndisë kundër filistenjve, si një shembull se si do ta shkatërrojë Perëndia të gjithë ligësinë në ditën e tij përfundimtare të gjykimit.

Ato ngjarje të mësojnë diçka. Jehovai demonstroi se ai mund ta përdorë një ushtri, për t’u dhënë njerëzve siguri. Në të vërtetë, Jehovai ka një lloj të vetëm ushtrie, e cila do të përballojë rebelimin në përpjestime universale kundër sundimit të tij.

«Jehovai i ushtrive»

Bibla e përdor shprehjen «Jehovai i ushtrive» mbi 250 herë. Kjo shprehje, në thelb i referohet pozitës së Perëndisë si komandant i forcave të mëdha të engjëjve. Në një rast, profeti Mikajah i tha mbretit Ashab dhe mbretit Jozafat: «Unë e kam parë Zotin [Jehovain, BR] të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.» (1. Mbretërve 22:19) Këtu është fjala për ushtritë e engjëjve. Jehovai i përdori këto ushtri për të mbrojtur popullin e tij. Kur qyteti i Dathanit u rrethua, shërbëtori i Eliseut i humbi shpresat. Por, për ta siguruar atë, Perëndia i dha një vizion të mrekullueshëm të ushtrisë së tij me krijesa frymore. «Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta.»—2. Mbretërve 6:15-17.

A do të thonë ngjarje të tilla se sot Perëndia i përkrah ushtritë? Disa ushtri të të ashtuquajturit krishterim mund të deklarojnë se janë ushtritë e Perëndisë. Shumë prej tyre u kanë kërkuar klerikëve t’i bekojnë. Por shpesh, ushtritë e të ashtuquajturit krishterim luftojnë kundër njëra-tjetrës, kundër bashkëbesimtarëve. Dy luftërat botërore të këtij shekulli filluan ndërmjet ushtrive që deklaronin se ishin të krishtere. Kjo nuk mund të jetë vepër e Perëndisë. (1. Gjonit 4:20) Megjithëse forca të tilla ushtarake mund të deklarojnë se luftojnë për paqe, a i mësoi Jezui ithtarët e tij të organizonin ushtri të tilla, në orvatje për të penguar prishjen e paqes në botë?

Një e çarë serioze paqeje ndodhi kur një turmë e armatosur e gjeti Jezuin në një kopsht, ku ai ishte lutur me dishepujt e tij. Një prej dishepujve goditi me shpatë një burrë që ishte në turmë. Jezui e përdori këtë rast për të shpjeguar një parim të rëndësishëm. Ai tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?» Jezui kishte një ushtri të madhe nën urdhrat e tij, por as Pjetri dhe as ndonjë njeri tjetër nuk ishin rekrutuar si ushtarë në të. Përkundrazi, Pjetri dhe pjesa tjetër e ithtarëve të Jezuit u thirrën për të qenë «peshkatarë njerëzish». (Mateu 4:19; 26:47-53) Pak orë më vonë, Jezui ia sqaroi këtë situatë Pilatit. Ai tha: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.» (Gjoni 18:36) Ndryshe nga mbretëria e Davidit, e cila ishte vendosur në tokë, Mbretëria që Perëndia i kishte dhënë Jezuit është në qiell dhe do të sjellë paqen në tokë.

Ushtritë e Perëndisë shkojnë në betejë

Së shpejti, ushtritë e Perëndisë do të hidhen në veprim. Duke përshkruar konfliktin që shtrihet përpara, Zbulesa e quan Jezuin «Fjala e Perëndisë». Lexojmë: «Ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet.» Bibla thotë se kjo përleshje do të rezultojë me asgjësimin e ‘mbretërve të dheut dhe të ushtrive të tyre’. Sa për të tjerët, që nuk demonstruan besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë, profecia shton: «Të tjerët u vranë me shpatën . . . e atij që kalëronte kalin.» Edhe Satana Djalli do të jetë bllokuar. Kjo do të lejojë me të vërtetë një botë paqeje pa ushtri.—Zbulesa 19:11-21; 20:1-3.

Imagjino një botë pa luftë

A mund të përfytyrosh një botë kaq të sigurt, sa të mos nevojiten ushtritë? Një psalm i Biblës thotë: «Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.»—Psalmi 46:8, 9.

Ç’lehtësim do të jetë ky! Imagjino mundësitë e shoqërisë njerëzore, të çliruar më në fund nga barra që të merr frymën e pagimit për ushtritë dhe për pajimet e tyre! Njerëzit do të jenë në gjendje t’i drejtojnë energjitë e tyre në përmirësimin e kushteve të jetesës për këdo, në pastrimin e tokës dhe në rimbjelljen e saj. Do të ketë mundësi të reja për të shpikur gjëra që do të jenë vërtet të dobishme për njerëzimin.

Ky premtim do të ketë një përmbushje mbarëbotërore: «Nuk do të dëgjohet më të flitet për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu.» (Isaia 60:18) Kurrë më nuk do të vërshojnë nga zonat e luftës miliona refugjatë të pashpresë, të detyruar që të lënë shtëpitë dhe pronat e tyre, për të jetuar në kampe skamjeje. Kurrë më nuk do të vajtojnë njerëzit për personat e dashur të vrarë ose të gjymtuar gjatë konflikteve mes kombeve. Mbreti qiellor i Jehovait do të vendosë paqe të përhershme botërore. «Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të pasur shumë paqe, derisa të mos ketë më hënë. Ai do të shpengojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna.»—Psalmi 72:7, 14.

Akoma më e këndshme do të jetë jeta mes njerëzve që kanë mësuar të mos urrejnë, por të imitojnë rrugët e dashurisë të Perëndisë. Fjala e Perëndisë parathotë: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» Si do të jetë të jetosh mes njerëzish që e njohin dhe e duan Jehovain? I njëjti libër profetizon: «Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë, qetësia dhe siguria përjetë. Populli im do të banojë në vende paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende pushimi.»—Isaia 11:9; 32:17, 18.

Njerëzit, besimi i të cilëve ndërtohet mbi njohurinë biblike, arrijnë të shquajnë se ushtritë e Perëndisë kanë zënë pozicionet, për të pastruar tokën nga të gjithë armiqtë e paqes. Kjo njohuri u jep atyre siguri për të vepruar sipas asaj që thotë Bibla se «duhet të ndodhë në pjesën e fundit të ditëve». Kjo është: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:2-4.

Njerëz nga shumë kombe, të cilët janë bërë Dëshmitarë të Jehovait, tashmë nuk e ‘mësojnë luftën’. Ata e kanë vënë besimin e tyre në mbrojtjen e ushtrive qiellore të Perëndisë. Duke studiuar Biblën me ta, edhe ti mund të zhvillosh një besim të ngjashëm.

[Burimi i figurës në faqen 28]

Foto e Arkivave Kombëtare të SHBA-së

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo