Një ndryshim caktimi në moshën 80-vjeçare
TREGUAR NGA GUENDOLINE METHJUS
Kur arrita moshën 80-vjeçare, bashkë me burrin vendosëm t’i vinim të gjitha gjërat tona në një kamion me qira dhe të transferoheshim nga Anglia në Spanjë. Nuk flitnim spanjisht dhe po shkonim në Spanjën jugperëndimore, shumë larg prej vendeve të rrahura nga turistët që flasin anglisht. Shumica e miqve tanë menduan se ishim të çmendur, por unë i kujtoja vetes me gëzim se Abrahami ishte 75 vjeç, kur u largua nga Uri.
SIÇ doli, vitet që kaluam në Spanjë që kur shkuam në prill të vitit 1992, kanë qenë disa prej viteve më shpërblyese të jetës sonë. Por përpara se t’ju shpjegoj përse u transferuam, më lejoni t’ju tregoj se si jeta jonë në shërbim të Jehovait na çoi në marrjen e një vendimi të tillë të madh.
E vërteta biblike ndryshon jetën tonë
U rrita në një shtëpi fetare në jugperëndim të Londrës, Angli. Mamaja e kishte zakon të na merrte mua dhe motrën time në vende të ndryshme adhurimi, ndërsa vazhdonte të kërkonte kënaqësinë frymore. Babai im, i cili ishte i sëmurë kronik nga tuberkulozi, nuk na shoqëronte. Por ishte një lexues i pasionuar i Biblës dhe e nënvizonte sa herë gjente një fragment që i sqaronte diçka. Një prej gjërave të mia që kam ruajtur më shumë si thesare, është ajo Bibël goxha e grisur, e cila për të kishte një domethënie mjaft të madhe.
Në vitin 1925, kur isha 14 vjeçe, na futën poshtë derës një fletushkë që na ftonte për një fjalim publik në bashkinë e Uest Ham-it. Mamaja ime dhe një fqinjë vendosën ta dëgjonin këtë fjalim dhe unë bashkë me motrën i shoqëruam. Fjalimi me temë «Miliona që tani jetojnë, nuk do të vdesin kurrë», mbolli farërat e së vërtetës biblike në zemrën e mamasë.
Pak muaj më vonë, më vdiq babai në moshën 38-vjeçare. Vdekja e tij qe një goditje e tmerrshme, sepse na la si zemërthyer, ashtu edhe të skamur. Në shërbesën në përkujtim të tij, të mbajtur në Kishën Anglikane të zonës, mamaja u trondit kur dëgjoi priftin të deklaronte se shpirti i babait ishte në qiell. Nga Bibla, ajo e dinte se të vdekurit po flenë në varr dhe besonte në mënyrë të patundur se një ditë babai do të ringjallej në jetën e përhershme në tokë. (Psalmi 37:9-11, 29; 146:3, 4; Predikuesi 9:5; Veprat 24:15; Zbulesa 21:3, 4) E bindur se duhej të shoqërohej me njerëzit që mësonin Fjalën e Perëndisë, ajo vendosi ta kultivonte marrëdhënien e saj me Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait.
Meqenëse nuk kishim para për transportin, çdo javë bënim dy orë në këmbë nga shtëpia deri në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Pas mbledhjeve, bënim edhe dy orë të tjera duke u çapitur për në shtëpi. Por ato mbledhje i vlerësonim tej mase shumë dhe nuk humbëm kurrë as edhe një prej tyre, madje edhe kur mjegulla famëkeqe e Londrës mbulonte qytetin. Shpejt, mamaja vendosi t’ia dedikonte jetën Jehovait dhe u pagëzua, ndërsa unë u pagëzova në vitin 1927.
Me gjithë vështirësitë tona ekonomike, mamaja gjithmonë më mësonte rëndësinë e përparësive frymore. Mateu 6:33 ishte një prej shkrimeve të saj të preferuara dhe ajo vërtet ‘kërkoi në radhë të parë mbretërinë’. Kur vdiq para kohe nga kanceri, në vitin 1935, po bënte plane për t’iu përgjigjur thirrjes për shërbëtorë në kohë të plotë, të cilët mund të transferoheshin për të shërbyer në Francë.
Shembuj që na forcuan
Në ato vite të hershme, disa nga ata që ndiqnin mbledhjet në Londër, dëshironin të deklaronin idetë e veta dhe këta njerëz ndezën grindje dhe shpërthime të ashpra zemërimi. Megjithatë, mamaja thoshte gjithmonë se nuk do të ishte diçka besnike ta braktisnim organizatën e Jehovait, pas gjithë atyre gjërave që kishim mësuar prej saj. Vizitat e Joseph. F. Rutherford, atëherë kryetar i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, na stimuluan për të vazhduar të shërbenim me besnikëri.
E kujtoj vëllain Rutherford si një vëlla të përzemërt dhe të afrueshëm. Kur ende isha adoleshente, kongregacioni i Londrës bëri një ekskursion, ku ishte edhe ai i pranishëm. Ai më vuri re, një adoleshente disi e ndrojtur me një aparat fotografik dhe më pyeti nëse do të më pëlqente t’i bëja një fotografi. Ajo fotografi u bë një kujtim i bukur.
Më vonë, një përvojë nguliti tek unë kontrastin ndërmjet atyre që marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë dhe njerëzve të shquar të botës. Po shërbeja si shërbyese tryeze në një shtëpi të madhe në Londër, ku ishte ftuar për drekë Franc Von Papen, një prej emisarëve të Hitlerit. Ai nuk deshi ta hiqte shpatën e tij të vënë në këllëf ndërsa hante, kështu që unë u pengova tek ajo dhe derdha supën që po mbaja. I zemëruar, ai tha se në Gjermani një pakujdesi e tillë do të çonte në pushkatimin tim. Gjatë pjesës tjetër të drekës, i ndenja larg.
Në vitin 1931, në Pallatin Aleksandra u mbajt një kongres shumë i rëndësishëm. Atje, ne adoptuam me entuziazëm emrin tonë të ri: Dëshmitarët e Jehovait. (Isaia 43:10, 12) Dy vjet më vonë, në vitin 1933, fillova shërbimin si pioniere, siç quhet shërbimi në kohë të plotë. Një bekim tjetër që kujtoj nga ato vite, ishte fakti që pata mundësi të shoqërohem me të rinj shumë të mirë, që më vonë u bënë misionarë në vende shumë të largëta të tokës. Mes tyre ishin Klod Gudmen, Harold King, Xhon Kuk dhe Edvin Skinër. Shembuj të tillë besimplotë, më bënë të dëshiroja që të shërbeja në një fushë të huaj.
Shërbimi si pioniere në Anglinë Lindore
Caktimi im si pioniere ishte në Anglinë Lindore dhe predikimi atje kërkonte entuziazëm dhe zell. Për të mbuluar territorin tonë të madh, udhëtonim me biçikletë nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke ndenjur nëpër dhoma me qira. Vështirë që në atë zonë të kishte një kongregacion, kështu që bashkë me shoqen time trajtonim së bashku të gjitha pjesët për mbledhjet e rregullta javore. Në shërbim, linim qindra libra dhe broshura, që shpjegonin qëllimet e Perëndisë.
Një vizitë e paharrueshme ishte ajo në shtëpinë e një prifti, ku folëm me famullitarin e Kishës Anglikane të asaj zone. Në shumicën e zonave, ne e linim të fundit vizitën te famullitari anglikan, sepse shpesh na krijonte vështirësi, kur merrte vesh se po predikonim lajmin e mirë në atë zonë. Por në këtë fshat, të gjithë flitnin mirë për famullitarin. Ai u shkonte për vizitë të sëmurëve, u jepte hua libra atyre që u pëlqente të lexonin dhe madje u bënte vizita nëpër shtëpi famullitarëve të tjerë, për t’u shpjeguar Biblën.
Sigurisht, kur shkuam tek ai, qe jashtëzakonisht miqësor dhe pranoi disa libra. Gjithashtu, na siguroi se nëse dikush në fshat do të donte ndonjë nga librat tanë, por s’do kishte mundësi t’i paguante, do të paguante ai për ta. Mësuam se përvojat e tij të tmerrshme gjatë Luftës I Botërore e kishin bërë të vendosur për të përkrahur paqen dhe vullnetin e mirë në famullinë e tij. Para se të iknim, ai na dha bekimin e tij dhe na inkurajoi të vazhdonim veprën tonë të mirë. Fjalët me të cilat na përcolli ishin ato në Numrat 6:24: «Zoti të të bekojë dhe të të ruajë.»
Mamaja vdiq dy vjet pasi kisha filluar shërbimin si pioniere dhe unë u ktheva në Londër pa para dhe pa familje. Një Dëshmitare e dashur skoceze, më mori në shtëpinë e saj, më ndihmoi të përballoja vdekjen e mamasë dhe më inkurajoi të vazhdoja shërbimin e plotë kohor. Kështu, u ktheva në Anglinë Lindore me Xhulia Feërfaks, një shoqe e re pioniere. Përshtatëm një rimorkio të vjetër, që të na shërbente si shtëpi gjysmë e lëvizshme dhe për ta çuar nga njëri vend në tjetrin përdornim traktor ose kamion. Bashkë me një çift të moshuar, Albert dhe Ethel Abot, që kishin, gjithashtu, një rimorkio, vazhduam të predikonim. Alberti dhe Etheli m’u bënë si prindër.
Kur isha pioniere në Kembrixhshir, takova Xhon Methjus, një vëlla i krishterë shumë i mirë, që tashmë e kishte treguar me prova integritetin e tij ndaj Jehovait në rrethana të vështira. U martuam në vitin 1940, jo shumë kohë pas fillimit të Luftës II Botërore.
Koha e luftës dhe familja
Kur ishim një çift i sapomartuar, shtëpia jonë ishte një rimorkio e vogël sa madhësia e një kuzhine të vogël, ndërsa në shërbim shkonim me një motoçikletë që mund t’i zije besë. Një vit pas martesës, për Xhonin u shpall vendimi që të punonte si punëtor bujqësie, kur për shkak të bindjeve të tij të bazuara në Bibël, refuzoi të kryente shërbimin ushtarak. (Isaia 2:4) Megjithëse kjo do të thoshte t’i jepnim fund shërbimit tonë si pionierë, vendimi që u mor për Xhonin doli se qe një ndihmë për ne, pasi unë prisja një fëmijë dhe Xhoni do të kishte mundësi të na mbante.
Gjatë viteve të luftës, u kënaqëm me mbledhjet e veçanta që u mbajtën, pavarësisht nga vështirësitë. Në vitin 1941, unë, Xhoni dhe fëmija ynë i parë që kisha në bark, shkuam me motoçikletë në Mançester, 300 kilometra larg. Gjatë rrugës, kaluam nëpër shumë qytete të bombarduara, ndaj pyetnim veten nëse do të mund të mbahej apo jo mbledhja në rrethana të tilla. Ajo u mbajt. Salla e Tregut të Lirë në qendër të Mançesterit ishte i mbushur me Dëshmitarë nga shumë vende të Anglisë dhe u prezantua i gjithë programi.
Në mbyllje të fjalimit të tij, oratori i fundit i kongresit u tha të pranishmëve se duhej të largoheshin menjëherë nga ai vend, sepse pritej një sulm ajror. Paralajmërimi u dha në kohë. Nuk ndodheshim shumë larg sallës, kur dëgjuam sirenat dhe pushkët kundërajrore. Duke shikuar nga pas, dallonim duzina aeroplanësh që hidhnin bomba mbi qendrën e qytetit. Nga larg, mes zjarrit dhe tymit, mund të shihnim sallën ku pak më parë kishim qenë të ulur; ishte krejtësisht e shkatërruar! Shyqyr që asnjë nga vëllezërit dhe motrat e krishterë nuk u vra.
Ndërsa rritnim fëmijët, nuk patëm mundësi të ishim pionierë, por ua hapnim shtëpinë tonë mbikëqyrësve udhëtues dhe pionierëve që nuk kishin ku të rrinin. Një herë, në shtëpinë tonë ndenjën për disa muaj gjashtë pionierë. Pa dyshim, shoqërimi me njerëz të tillë ishte një arsye se përse vajza jonë, Junis, zgjodhi të bëhej pioniere në vitin 1961, kur s’ishte veçse 15 vjeçe. Më vjen keq ta them, por djali ynë, Davidi, kur u rrit nuk vazhdoi t’i shërbente Jehovait, ndërsa vajza tjetër, Linda, vdiq në rrethana tragjike gjatë luftës.
Vendimi ynë për t’u transferuar në Spanjë
Shembulli dhe inkurajimi i mamasë kishin ndezur tek unë dëshirën për të qenë misionare dhe këtë synim nuk e humba asnjëherë nga sytë. Kështu, në vitin 1973, u kënaqëm kur Junis la Anglinë, për të shkuar në Spanjë, ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Sigurisht, na vinte keq tek e shihnim që largohej, por, gjithashtu, ishim krenarë që dëshironte të shërbente në një vend të huaj.
Gjatë viteve, shkuam disa herë te Junis dhe arritëm ta njihnim mirë Spanjën. Në fakt, bashkë me Xhonin i shkuam në katër prej caktimeve të saj të ndryshme. Pastaj, ndërsa vitet kalonin, filluan të na lënë fuqitë. Xhoni ra kaq shumë, saqë shëndeti i tij u ndikua seriozisht, ndërsa unë pata probleme me zemrën dhe me tiroidet. Veç kësaj, të dy vuanim nga artriti. Megjithëse kishim vërtet nevojë për ndihmën e Junisit, nuk dëshironim që ajo ta linte caktimin për shkakun tonë.
I diskutuam me të mundësitë tona dhe u lutëm për drejtim. Ajo ishte e gatshme të kthehej për të na ndihmuar, por vendosëm se zgjidhja më e mirë do të ishte që unë dhe Xhoni të jetonim me të në Spanjë. Nëse nuk mundesha të isha vetë misionare, të paktën mund të mbështetja vajzën time dhe dy shoqet e saj pioniere në shërbim të plotë kohor. Që atëherë, unë dhe Xhoni i konsideruam Nurien dhe Anën, dy shoqet pioniere të Junisit, rreth të 15-ve, si të ishin vajzat tona. Ato ishin të lumtura që ne shkonim të jetonim me to, kudo që të caktoheshin.
Që kur kemi marrë këtë vendim, kanë kaluar gjashtë vjet. Shëndeti nuk na është keqësuar më tej dhe jeta është bërë sigurisht më interesante. Ende nuk mund të flas shumë spanjisht, por kjo nuk më ndalon të predikoj. Në kongregacionin tonë të vogël në Ekstremadura, në jugperëndim të Spanjës, unë dhe Xhoni ndihemi si në shtëpinë tonë.
Duke jetuar në Spanjë, kam mësuar shumë mbi natyrën ndërkombëtare të veprës sonë të predikimit të Mbretërisë dhe tani e kuptoj shumë më qartë se si, ashtu siç tha Jezui, «fusha është bota».—Mateu 13:38.
[Figurat në faqen 28]
Si pionierë në vitet 30