Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Çdo ditë në sheshin e tregut»
APOSTULLI Pavël përdori çdo rast për të përhapur mesazhin e Mbretërisë. Me qëllim që të kërkonte ata që e meritonin, ai arsyetoi «në sinagogë me judenjtë . . . dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte».—Veprat 17:17.
Zelli i tillë ka qenë një shenjë dalluese e adhuruesve të vërtetë të Jehovait që nga shekulli i parë i e.s. (Mateu 28:19, 20) Sot, Dëshmitarët e Jehovait përdorin në mënyrë të ngjashme një shumëllojshmëri metodash kur ndihmojnë me zell njerëzit me zemër të ndershme, që të arrijnë në një njohuri të saktë të së vërtetës. (1. Timoteut 2:3, 4) Përvoja vijuese nga Australia e ilustron këtë.
Pesë ditë në javë, Sidi dhe Haroldi e bëjnë me radhë duke nxjerrë një tezgë të vogël me literaturë biblike në një stacion hekurudhor në Sidni. Ata kanë pesë vjet që e ndajnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në këtë mënyrë. Sidi, i cili është 95 vjeç, shpjegon: «Kur mbusha 87 vjeç, nuk isha më në gjendje të ngisja makinën. Kjo më mërziti, sepse më pëlqente aktiviteti i dëshmisë publike. Një ditë ndërsa isha afër një qendre turistike të quajtur Eko Point, në Katumba, pashë një artist që shiste piktura peizazhesh. I këqyra me vëmendje pikturat dhe mendova me vete: ‘Unë kam piktura më të mira se ajo në çantën time të predikimit dhe me një kosto shumë më të ulët se ato piktura!’ Prandaj, vendosa të ndërtoja një tezgë të vogël, e vendosa në një pikë të rrahur shumë dhe u ofrova kalimtarëve literaturat biblike, të ilustruara shumë bukur, të cilat shpërndahen nga Dëshmitarët e Jehovait.
Katër vjet më parë, e transferova tezgën në Sidni dhe Haroldi u bashkua me mua. Ne e bëjmë me radhë për të qëndruar te tezga dhe për të punuar me kongregacionet tona lokale.» Haroldi, që tani është 83 vjeç, thotë: «Nga e hëna deri të premten shumë pak njerëz gjenden në shtëpi. Prandaj ndarja e mesazhit të Mbretërisë në këtë mënyrë na çon atje ku janë njerëzit. Natyrisht që marrim rezultate më të mira. Lënia e literaturës është pothuaj e jashtëzakonshme për këtë vend.»
«Edhe pse e kemi ndërruar vendin katër ose pesë herë përgjatë viteve,—thotë Sidi,—nuk kalon shumë kohë para se njerëzit të na njohin. Disa njerëz vijnë vetë te ne për literaturë. Të tjerë kanë pyetje, për të cilat duan përgjigje. Dhe disa duan vetëm të flasin për ca minuta. Kjo është hera e vetme kur janë rivizitat që vijnë tek unë»,—nënqesh ai.
«Shumë njerëz janë të interesuar me të vërtetë për Biblën,—shton Haroldi.—Në një muaj katër persona filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët si rezultat i literaturës që morën nga ne dhe për shkak të përgjigjeve që ata morën nga Bibla për pyetjet që kishin. Përvoja si këto na inkurajojnë së tepërmi.»
Ashtu si Sidi dhe Haroldi e ashtu si apostulli Pavël, Dëshmitarët e Jehovait kudo qofshin përdorin çdo mjet të mundshëm për të përhapur mesazhin e tyre jetësor. Kështu, «lajmi i mirë» vazhdon të predikohet «në të gjithë tokën e banuar».—Mateu 24:14, BR.