A je syhapur ndaj kohëve tona?
JETA dhe vdekja mund të varen nga fakti nëse je apo jo syhapur ndaj një rreziku. Kjo mund të ilustrohet nga ajo që ndodhi në dy ishuj vullkanikë.
Në ishullin e Karaibeve në Martinikë, më 8 maj 1902 shpërtheu mali Pelé, vullkani më vdekjeprurës i shekullit të 20-të. Ai u solli vdekjen pothuajse të 30.000 banorëve të qytetit San Pierr që ndodhet në këmbët e vullkanit.
Në qershor të vitit 1991, shpërtheu mali vullkanik Pinatubo, një shpërthim që ndoshta ishte më i madhi i shekullit. Ky shpërthim ndodhi në një zonë të Filipineve me popullsi të dendur dhe shkaktoi rreth 900 vdekje. Megjithatë, këtë herë, dy ishin faktorët që ndihmuan për shpëtimin e mijëra jetëve: (1) ishin syhapur ndaj rrezikut dhe (2) gatishmëria për të vepruar në përputhje me paralajmërimet.
Veprimi i duhur shpëtoi jetë
Mali Pinatubo kishte qenë i fjetur për qindra vjet, kur në prill të vitit 1991 filloi të jepte shenjat e një shpërthimi të afërt. Nga koni filluan të dilnin avuj dhe dyoksid squfuri. Banorët e zonës ndjenë një seri dridhjesh të tokës dhe nga mali filloi të dilte një kubé ogurzezë lave e ngurtësuar. Shkencëtarët nga Instituti Filipinas i Vullkanologjisë dhe i Sizmologjisë vazhduan të vëzhgonin me kujdes dhe në momentin e duhur i bindën zyrtarët se do të ishte e mençur që 35.000 banorët e qyteteve dhe të fshatrave përreth t’i evakuonin.
Kuptohet që njerëzit nuk kishin dëshirë të iknin nga shtëpitë pa pasur një shkak, por ky ngurrim u kapërcye me anë të një videoje që përshkruante në mënyrë të gjallë rreziqet e një shpërthimi vullkanik. Ikja masive u bë tamam në kohë. Dy ditë më vonë, një shpërthim i fuqishëm flaku në atmosferë tetë kilometra kub hi. Më vonë, masa e lëvizshme prej balte apo lahari, vrau me qindra veta. Megjithatë, duke qenë se njerëzit kishin qenë syhapur ndaj rrezikut dhe kishin vepruar në harmoni me paralajmërimet, u shpëtuan ndoshta mijëra veta.
Ikje nga një kataklizëm prej dorës së njeriut
Në shekullin e parë të erës sonë, edhe të krishterëve që jetonin në Jerusalem iu desh të vendosnin nëse do t’i braktisnin apo jo shtëpitë e tyre. Ikja prej atij qyteti në vitin 66 të e.s., i shpëtoi nga shkatërrimi që pësuan banorët e tjerë dhe mijëra judenj që kishin shkuar në Jerusalem për Pashkën e vitit 70 të e.s. Kur ushtritë romake prenë çdo mundësi ikjeje për të shpëtuar, brenda atij qyteti me mure ndodheshin mbi një milion njerëz të mbledhur për kremtimin e Pashkëve. Zija e bukës, luftërat për pushtet dhe sulmet e parreshtura të romakëve çuan në më shumë se një milion viktima.
Kataklizmi që shtypi revoltën e judenjve kundër Romës nuk erdhi si diçka për të cilën s’ishte njoftuar. Disa dekada më parë, Jezu Krishti kishte parathënë se Jerusalemi do të rrethohej. Ai tha: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë, ata që janë në Jude le të fillojnë të ikin në male dhe ata në mes të saj le të tërhiqen, ndërsa ata në fshatra le të mos hyjnë në të.» (Luka 21:20, 21, BR) Këto udhëzime ishin të qarta dhe ithtarët e Jezuit i morën seriozisht.
Historiani i shekullit të katërt Euzebius i Cezareas tregon se të krishterët e të gjithë Judesë vepruan sipas paralajmërimit të Jezuit. Kur romakët e lanë rrethimin e parë që i kishin bërë Jerusalemit në vitin 66 të e.s., shumë të krishterë judenj shkuan të jetonin në qytetin johebre të Pelés, në provincën romake të Pereas. Duke qenë syhapur ndaj atyre kohëve dhe duke vepruar sipas paralajmërimit të Jezuit, ata shpëtuan nga ai që është përshkruar si «një prej rrethimeve më të tmerrshme në gjithë historinë».
Sot, nevojitet një vigjilencë e ngjashme. Po kështu, edhe një veprim specifik. Artikulli vijues do të shpjegojë se përse.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Godo-Foto, West Stock