BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/11 f. 4-7
  • Si t’i zgjidhësh problemet paqësisht?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si t’i zgjidhësh problemet paqësisht?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Nga dhuna në tolerancë
  • T’u bëjmë ballë tendencave të dhunshme
  • A është e mundur?
  • A mund të çlirohemi nga vargonjtë e dhunës?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2016
  • Përparoni frymësisht duke ndjekur shembullin e Pavlit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Pse i persekutonte Sauli të krishterët?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Të sillesh me të tjerët siç do Perëndia
    Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/11 f. 4-7

Si t’i zgjidhësh problemet paqësisht?

DHUNA njerëzore është gati-gati po aq e vjetër sa edhe njerëzimi. Bibla i zbulon gjurmët e dhunës me Kainin, vëllain e Abelit, birin e madh të çiftit të parë njerëzor. Kur Perëndia parapëlqeu ofertën e Abelit në vend të së tijës, Kaini «u ndez nga zemërimi i madh». Si e trajtoi ai këtë situatë? «Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau.» Pas kësaj ai u fut në telashe të mëdha me Perëndinë. (Zanafilla 4:5, BR, 8-12) Dhuna nuk e zgjidhi problemin e qëndrimit të keq të Kainit para Krijuesit të tij.

Si mund ta shmangim rrugën e Kainit, i cili iu drejtua forcës fizike për të zgjidhur problemet?

Nga dhuna në tolerancë

Merrni rastin e një njeriu që e pa me miratim vrasjen e Stefanit, martirit të parë të krishterë. (Veprat 7:58; 8:1) Ky njeri, Sauli nga Tarsi, nuk ishte dakord me qëndrimin fetar të Stefanit dhe mbështeti vrasjen e dhunshme si një mënyrë të justifikueshme për të ndalur aktivitetet e Stefanit. Kuptohet, Sauli mund të mos ketë qenë i dhunshëm në çdo aspekt të jetës së tij. Gjithsesi, ai ishte gati për ta pranuar dhunën si një mënyrë për të zgjidhur problemet. Tamam pas vdekjes së Stefanit, Sauli «filloi ta trajtonte barbarisht kongregacionin [e krishterë]. Hynte me forcë në një shtëpi pas tjetrës dhe nxirrte jashtë si burrat, ashtu edhe gratë, duke i dorëzuar në burg».—Veprat 8:3, BR.

Sipas studiuesit biblik, Albert Barns, fjala greke që këtu përkthehet «të trajtosh barbarisht» përshkruan shkretimet që mund të bëjnë bishat e egra, si luanët dhe ujqërit. «Sauli,—shpjegon Barns,—u tërbua kundër kishës si një bishë e egër, një shprehje e fuqishme që paraqet zellin dhe furinë me të cilën ai bënte këtë persekutim.» Kur Sauli u drejtua për në Damask që të mblidhte ithtarë të tjerë të Krishtit, ai ishte «duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit [Krishtit]». Ndërsa ishte në udhë, atij i foli Jezui i ringjallur dhe kjo gjë solli si rezultat kthimin e Saulit në krishterim.—Veprat 9:1-19.

Pas kthimit, mënyra me të cilën Sauli trajtonte të tjerët ndryshoi. Një incident që ndodhi rreth 16 vjet pas kësaj ngjarjeje e tregoi këtë ndryshim. Një grup njerëzish erdhi në kongregacionin e tij në Antioki dhe i nxiti të krishterët atje që t’i përmbaheshin Ligjit të Moisiut. Rezultati ishte «një grindje jo e vogël». Sauli, në këtë kohë i njohur më mirë si Pavli, mori pozicionin e tij në këtë diskutim. Me sa duket nisi një sherr. Por Pavli nuk iu drejtua dhunës. Në vend të kësaj, ai u pajtua me vendimin e kongregacionit për t’ia referuar çështjen apostujve dhe pleqve të kongregacionit të Jerusalemit.—Veprat 15:1, 2.

Në Jerusalem, lindi përsëri «një diskutim i madh» në mbledhjen e pleqve. Pavli priti derisa «e gjithë turma heshti» dhe pastaj raportoi veprën e mrekullueshme të frymës së Perëndisë mes besimtarëve të parrethprerë. Pas një diskutimi biblik, apostujt dhe pleqtë e Jerusalemit arritën «në një marrëveshje unanime» që të mos i rëndonte besimtarët e parrethprerë pa qenë e nevojshme, por që t’i këshillonte ata «të vazhdojnë të heqin dorë nga gjërat që u janë flijuar idhujve dhe nga gjaku, dhe nga gjërat e mbytura, dhe nga kurvëria». (Veprat 15:3-29, BR) Në të vërtetë, Pavli kishte ndryshuar. Ai mësoi t’i zgjidhte pa dhunë çështjet.

T’u bëjmë ballë tendencave të dhunshme

«Një skllav i Zotërisë nuk ka nevojë të luftojë,—këshilloi Pavli më vonë,—por të jetë i butë ndaj të gjithëve, i kualifikuar për të mësuar, duke e mbajtur veten të kufizuar nën të ligën, duke udhëzuar me zemërbutësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme.» (2. Timoteut 2:24, 25, BR) Pavli i bëri thirrje Timoteut, një mbikëqyrësi më të ri, që t’i trajtonte me qetësi situatat e vështira. Pavli ishte realist. Ai e dinte se ndjenjat mund të ndizen edhe mes të krishterëve. (Veprat 15:37-41) Duke pasur arsye të vlefshme ai këshilloi: «Zemërohuni, por megjithatë, mos mëkatoni, dielli të mos perëndojë mbi ju në gjendje të provokuar.» (Efesianëve 4:26, BR) Kontrollimi i zemërimit pa shpërthyer në një tërbim të pakontrolluar është mënyra e duhur për t’i trajtuar këto ndjenja. Por si mund të bëhet kjo gjë?

Sot nuk është e lehtë të mbahet nën kontroll zemërimi. «Të jesh shpirtgur është në modë,—tha dr. Debra Prothrou-Stith, ndihmës-dekane në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit.—Në fakt, cilësitë për të shkuar mirë me të tjerët: diskutimi, kompromisi, empatia, falja, janë cilësi që zakonisht i atribuohen ngordhësirave.» E megjithatë, këto janë cilësi burrërore dhe janë thelbësore për të kontrolluar tendencat e dhunshme që mund të lindin fare mirë brenda nesh.

Pasi u bë i krishterë, Pavli mësoi një mënyrë më të mirë për të përballuar kontradiktat në opinion. Kjo mënyrë bazohej në mësimet e Biblës. Si një studiues i shkolluar i judaizmit, Pavli i njhte mirë Shkrimet Hebraike. Ai duhet të ketë qenë në dijeni të shkrimeve të tilla, si: «Mos u bëj ziliqar për njeriun e dhunës, as mos zgjidh ndonjë nga udhët e tij.» «Ai që është i ngadalshëm në zemërim është më mirë se një njeri i fuqishëm dhe ai që e kontrollon frymën e tij sesa ai që zë rob një qytet.» «Si një qytet i pushtuar, pa mur rrethues, është njeriu që nuk mban në fre frymën e tij.» (Fjalët e urta 3:31; 16:32; 25:28, BR) Megjithatë, njohja e këtyre nuk e kishte parandaluar Pavlin, përpara se të kthehej në besim, që t’i drejtohej dhunës kundër të krishterëve. (Galatasve 1:13, 14) Por, çfarë e ndihmoi Pavlin, si një i krishterë, që t’i zgjidhte problemet ku përfshiheshin ndjenjat, duke përdorur arsyen dhe bindjen në vend se dhunën?

Pavli na dha një të dhënë, kur tha: «Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.» (1. Korintasve 11:1) Ai e çmoi shumë atë që kishte bërë Jezui për të. (1. Timoteut 1:13, 14) Krishti u bë modeli i tij për t’u ndjekur. Ai e dinte se si vuajti Jezui për hir të njerëzimit mëkatar. (Hebrenjve 2:18; 5:8-10) Pavli mundi të verifikonte se profecia e Isaisë për Mesinë u përmbush në Jezuin: «I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur para atyre që e qethin nuk e hapi gojën.» (Isaia 53:7) Apostulli Pjetër shkroi: «Kur e përbuznin ai [Jezui] nuk ua ktheu me përbuzje. Kur vuante ai nuk kërcënoi, por vazhdoi t’ia besonte veten atij që gjykon në mënyrë të drejtë.»—1. Pjetrit 2:23, 24, BR.

Çmueshmëria që kishte për mënyrën me të cilën Jezu Krishti trajtoi situatat e tendosura, e shtyu Pavlin që të ndryshonte. Ai mundi t’i këshillonte bashkëbesimtarët: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni lirisht njëri-tjetrin, nëse dikush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.» (Kolosianëve 3:13, BR) Pranimi i nevojës për të mos qenë i dhunshëm nuk mjafton. Çmueshmëria për atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezu Krishti për ne ndihmon në sigurimin e motivimit të nevojshëm për të kapërcyer tendencat e dhunshme.

A është e mundur?

Një njeri në Japoni kishte nevojë për një motivim të tillë të fortë. Babai i tij, i cili ishte një ushtarak me temperament të nxehtë, e sundonte familjen e tij me dhunë. Duke qenë një viktimë e dhunës dhe duke parë nënën e tij të vuante në mënyrë të ngjashme, ky njeri zhvilloi një temperament të dhunshëm. Ai mbante me vete dy shpata samurai me gjatësi të ndryshme që i përdorte për të zgjidhur problemet si edhe për të kërcënuar njerëzit.

Kur gruaja e tij filloi të studionte Biblën, ai ulej gjatë studimit pa e marrë seriozisht. Sidoqoftë, pasi lexoi një broshurë me titull Ky lajm i mirë i Mbretërisë,a ai ndryshoi. Pse? «Kur lexova materialin që gjendet te nëntitujt ‘Krishti Jezu’ dhe ‘Shpërblesa’, u ndjeva i turpëruar,—shpjegon ai.—Edhe pse bëja një jetë rebele, më pëlqente akoma të isha i dashur me ata me të cilët shkoja mirë. Kënaqesha kur i bëja të lumtur miqtë e mi, por deri në atë pikë sa nuk cënohej jeta ime. E pra, Biri i Perëndisë, Jezui, qe i gatshëm të jepte jetën e tij për njerëzimin, duke përfshirë edhe ata si unë. Mbeta i shtangur, sikur të më kishte gjuajtur njeri.»

Ai nuk u shoqërua më me miqtë e tij të mëparshëm dhe shpejt u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo shkollë i ndihmon të regjistruarit që të fitojnë artin e mësimdhënies, duke u mësuar Biblën të tjerëve. Kursi i solli përfitime suplementare këtij njeriu. Ai kujton: «Kur isha i ri iu drejtohesha kërcënimeve dhe dhunës, sepse nuk mundja t’ua shprehja ndjenjat e mia të tjerëve. Kur mësova t’ua komunikoj mendimet e mia të tjerëve, fillova të arsyetoja me ata në vend se t’i drejtohesha dhunës.»

A e ka bërë ai, ashtu si edhe Pavli, të tijën udhën e jetës së Krishtit? Besimi i tij u sprovua kur një ish-miku i tij, me të cilin ishte i lidhur nga një betim reciprok vëllazërie, u përpoq ta pengonte që të mos bëhej i krishterë. «Miku» i tij e qëlloi dhe blasfemoi Perëndinë e tij, Jehovain. Njeriu që më parë ishte i dhunshëm e kontrolloi veten dhe i kërkoi falje që nuk ishte në gjendje të mbante betimin. I zhgënjyer, «vëllai» i tij e la rehat.

Duke i mundur tendencat e tij të dhunshme, ky njeri që më parë ishte zemërak, ka fituar shumë vëllezër frymorë dhe motra frymore që janë të bashkuar nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. (Kolosianëve 3:14) Në fakt, më shumë se 20 vjet pasi u bë i krishterë i dedikuar, ai tani shërben si mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë gëzimi është për të, kur ka mundësi të tregojë nga Bibla se njerëz me prirje si të bishave mund të mësojnë t’i zgjidhin kontradiktat pa dhunë, pikërisht siç kishte mësuar ai! Dhe çfarë privilegji është për të, kur ka mundësi të theksojë përmbushjen madhështore të fjalëve profetike: «Ata nuk do të bëjnë asnjë dëm e nuk do të shkaktojnë asnjë rrënim në të gjithë malin tim të shenjtë, sepse toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin.»—Isaia 11:9, BR.

Ashtu si apostulli Pavël dhe ky njeri që më parë ishte i dhunshëm, edhe ti mund të mësosh t’i zgjidhësh situatat provokuese e t’i zgjidhësh problemet paqësisht. Dëshmitarët e Jehovait në vendin tënd do të jenë të lumtur të të ndihmojnë.

[Shënimi]

a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, në anglisht.

[Diçitura në faqen 5]

Pavli ishte realist. Ai e dinte se ndjenjat mund të ndizen edhe mes të krishterëve

[Figura në faqen 7]

Çmueshmëria për atë që ka bërë Perëndia për ne sjell marrëdhënie paqësore

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo