Shqetësimi im i parë është t’i pëlqej Jehovait
TREGUAR NGA THEODOROS NEROS
Dera e qelisë sime u hap krejtësisht dhe një oficer thërriti: «Kush është Neros?» Kur i thashë se isha unë, ai urdhëroi: «Çohu. Do të ekzekutohesh.» Kjo ndodhi në kampin ushtarak në Korint, Greqi, në vitin 1952. Pse jeta ime varej në fije të flokut? Përpara se t’jua shpjegoj, do t’ju tregoj diçka për prejardhjen time.
RRETH vitit 1925 babai im u lidh me Studentët e Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait). Shpejt ai u bë një prej tyre dhe këto bindje ua bëri të njohura edhe tetë vëllezërve dhe motrave të tij, të cilët që të gjithë e përqafuan të vërtetën biblike. Po ashtu bënë edhe prindërit e tij. Më vonë u martua dhe unë u linda në vitin 1929 në Agrinjo, Greqi.
Ç’vite të tmerrshme ishin ato për Greqinë! Së pari ishte diktatura mizore e Gjeneral Metaksas. Më pas, në vitin 1939, filloi Lufta e Dytë Botërore dhe shpejt pas kësaj vendi u pushtua nga nazistët. Sëmundjet dhe uria bënin kërdinë. Trupat e fryrë të të vdekurve hiqeshin me karroca të vogla dore. E liga në botë ishte tërësisht tepër e dukshme, siç ishte edhe nevoja për Mbretërinë e Perëndisë.
Një jetë shërbimi të dedikuar
Më 20 gusht 1942, ndërsa një grup prej nesh ishin mbledhur për një mbledhje jashtë Selanikut, mbikëqyrësi ynë drejtues tregoi avionët luftarakë britanikë që hidhnin bomba mbi qytet dhe theksoi se si ishim të mbrojtur nga bindja që kishim treguar ndaj këshillës ‘për të mos hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin’. (Hebrenjve 10:25) Në atë rast, u mblodhëm në breg të detit dhe unë isha mes atyre që u paraqitën për pagëzim. Kur dolëm nga uji, qëndruam në rresht dhe vëllezërit e motrat tanë të krishterë kënduan një këngë, me të cilën na lavdëruan për vendimin që kishim marrë. Ç’ditë e paharrueshme që ishte!
Pak pas kësaj, ndërsa unë dhe një djalë tjetër po vizitonim njerëzit gjatë veprës sonë të shërbimit nga shtëpia në shtëpi, policët na arrestuan dhe na çuan në stacionin e policisë. Për të theksuar që ne konsideroheshim si komunistë dhe se vepra jonë e predikimit ishte e ndaluar, na rrahën dhe na thanë: «Idiotë, Jehovai është njëlloj si Stalini!»
Në Greqi lufta civile po bënte kërdinë dhe ethja anti-komuniste rritej. Ditën që pasoi na bënë të parakalonim përpara shtëpive tona me duar me pranga, sikur të ishim kriminelë. Por nuk pata vetëm këto sprova.
Sprova të besimit në shkollë
Në fillim të vitit 1944, isha akoma një nxënës dhe nazistët vazhdonin të pushtonin Selanikun. Një ditë në shkollë, mësuesi ynë i fesë, një prift ortodoks grek, më tha se duhet të më kontrollonte për mësimin e ditës. «Ai nuk është një i krishterë ortodoks»,—thanë fëmijët e tjerë.
«Çfarë është ai?»— pyeti mësuesi.
«Jam një Dëshmitar i Jehovait»,— u përgjigja.
«Një ujk në mes të deleve»,—bërtiti ai, ndërsa më mbërtheu e më dha një dackë në fytyrë.
Mendova me vete: «Si është e mundur që një ujk të rrihet nga një dele?»
Disa ditë më vonë, rreth 350 prej nesh ishim ulur në vendet tona për të ngrënë drekën. Mbikëqyrësi tha: «Neros do të na bëjë lutjen.» Unë përsërita lutjen ‘Ati ynë’, që Jezui u mësoi ithtarëve të tij, siç është regjistruar në Mateun 6:9-13. Kjo nuk ishte sipas dëshirës së mbikëqyrësit, prandaj me zemërim më pyeti nga vendi i tij në tavolinë: «Pse e the lutjen kështu?»
«Sepse unë jam një Dëshmitar i Jehovait»,—i thashë. Sakaq edhe ai më mbërtheu dhe më qëlloi në faqe. Atë ditë, një mësues tjetër më thirri më vonë në zyrën e tij dhe më tha: «Të lumtë Neros, mbahu i fortë pas asaj që beson dhe mos u dorëzo.» Atë natë, babai më inkurajoi me këto fjalë të apostullit Pavël: «Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezu do të përndiqen.»—2. Timoteut 3:12.
Kur mbarova shkollën e mesme, më duhej të zgjidhja se ç’karrierë duhet të ndiqja. Për shkak të revoltës civile në Greqi, edhe unë duhet të përballoja çështjen e asnjanësisë së krishterë. (Isaia 2:4; Mateu 26:52) Përfundimisht, në fillim të vitit 1952 u dënova me 20 vjet burg, për arsye se refuzova që të merrja armët në atë periudhë të vështirë të historisë greke.
Asnjanësia ime e krishterë sprovohet
Ndërsa isha mbyllur në kampet ushtarake të Mesolóngion dhe të Korintit, pata mundësinë t’u shpjegoja komandantëve ushtarakë se ndërgjegjja ime e stërvitur nga Bibla nuk do të më lejonte që të bëhesha një ushtar për të mbështetur çështjet politike. «Unë jam tashmë një ushtar i Jezuit»,—u shpjegoja, duke theksuar 2. Timoteut 2:3. Kur më nxitnin që ta rishqyrtoja prapë këtë gjë, u thoja se vendimin nuk e kisha marrë nga një shtytje e çastit, por pas një shqyrtimi serioz dhe për shkak të dedikimit tim për të bërë vullnetin e Perëndisë.
Si rezultat, duhet të bëja punë të detyrueshme, duke ngrënë një herë në dy ditë për 20 ditë dhe të flija në dyshemenë prej çimentoje të qelisë, e cila ishte më e vogël se një me dy metra. Dhe në këtë qeli isha me dy Dëshmitarë të tjerë! Ishte gjatë kësaj kohe, kur ndodhesha në kampin e Korintit, që më thirrën nga qelia për të më ekzekutuar.
Ndërsa shkonim drejt vendit të ekzekutimit, oficeri më pyeti: «Nuk do të thuash ndonjë gjë?»
«Jo»,—iu përgjigja.
«Nuk do t’i shkruash një letër familjes tënde?»
«Jo»,—iu përgjigja përsëri. «Ata janë në dijeni se mund të ekzekutohem këtu.»
Arritëm oborrin dhe më urdhëruan që të qëndroja përkundrejt murit. Pastaj, në vend se të urdhëronin ushtarët që të më qëllonin, oficeri urdhëroi «Futeni brenda». Ishte thjesht një ekzekutim i simuluar, i projektuar për të provuar vendosmërinë time.
Më vonë më çuan në ishullin e Makronisos, ku nuk më lejohej të mbaja asnjë literaturë përveç Biblës. Trembëdhjetë Dëshmitarë mbaheshin në një shtëpi të vogël, të ndarë nga afërsisht 500 të burgosur kriminelë. Megjithatë, në një farë mënyre literatura futej. Për shembull, një ditë më kishin dërguar një kuti me llokume. Inspektorët ishin aq të paduruar për të provuar llokumet saqë nuk e vunë re revistën Kulla e Rojës të fshehur poshtë. «Ushtarët hëngrën llokumet, kurse ne ‘hëngrëm’ Kullën e Rojës!»—vërejti një dëshmitar.
Na ra në dorë një kopje e librit që sapo kishte dalë atëherë, Çfarë ka bërë feja për njerëzimin? dhe një i burgosur Dëshmitar që dinte anglisht na e përktheu. Gjithashtu, studionim Kullën e Rojës bashkë, duke i mbajtur mbledhjet tona fshehurazi. E konsideruam burgun si një shkollë, si një mundësi për të forcuar gjendjen tonë frymore. Mbi të gjitha, ishim të lumtur se e dinim që rruga e integritetit tonë po i pëlqente Jehovait.
Burgu i fundit ku isha mbyllur ishte Tyrintha, në Peloponezin Lindor. Aty vura re një roje që na vëzhgonte me kujdes, ndërsa unë bëja studim biblik me një të burgosur tjetër. Çfarë surprize pata kur e takova këtë roje vite më vonë në Selanik! Në atë kohë ai ishte një Dëshmitar. Më vonë, djalin e tij e çuan në burg, jo për të shërbyer si roje, por si i burgosur. Ai ishte burgosur për të njëjtën arsye që kisha qenë edhe unë.
Përtërij aktivitetin pas lirimit
Nga dënimi prej 20 vjetësh që më ishte dhënë në fillim, kreva vetëm tre vjet. Pasi u lirova vendosa të jetoja në Athinë. Por, shpejt u sëmura nga një lloj pleuriti dhe u detyrova të kthehesha në Selanik. Qëndrova në krevat për dy muaj. Më vonë takova një vajzë të këndshme të quajtur Koula dhe në dhjetor të vitit 1959 u martuam. Në vitin 1962 ajo filloi të shërbente si pioniere, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait. Tre vjet më vonë munda të bashkohesha me të në veprën e pionierit.
Në janar të vitit 1965, u caktuam në veprën qarkore, për të vizituar kongregacionet e për t’i forcuar ato frymësisht. Atë verë patëm, gjithashtu, privilegjin që të merrnim pjesë për herë të parë në një kongres krahinor të madh në Vienë, Austri. Ishte ndryshe nga ato që mbanim në Greqi, ku duhej të mblidheshim fshehurazi në pyll, për shkak se vepra jonë ishte e ndaluar. Nga fundi i vitit 1965, na ftuan të punonim në Zyrën e Degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Athinë. Por, për shkak se disa prej familjarëve të mi kishin probleme shëndetësore, në vitin 1967 na u desh të ktheheshim në Selanik.
Edhe pse kujdeseshim për përgjegjësitë familjare, ne vazhduam të ishim shumë të zënë me veprën e ungjillëzimit. Një herë, kur po flisja me kushëririn tim Kostas, i përshkrova atij bukurinë e organizatës së Perëndisë dhe dashurinë, unitetin dhe bindjen ndaj Perëndisë që ekziston brenda saj. Ai tha: «Këto gjëra do të ishin shumë të bukura sikur Perëndia të ekzistonte.» Ai pranoi ftesën time për të shqyrtuar nëse ekzistonte apo jo Perëndia. I përmenda se në gusht të vitit 1969 ne do të merrnim pjesë në një kongres ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në Nuremberg, Gjermani. Pyeti nëse mund të vinte dhe ai. Donte të vinte edhe shoku i tij, Alekos, i cili po studionte tashmë Biblën me ne.
Kongresi në Nuremberg ishte një spektakël i jashtëzakonshëm! Kongresi u mbajt në stadiumin e stërmadh ku Hitleri kishte kremtuar fitoret e tij ushtarake. Pjesëmarrja jonë arriti një maksimum prej 150.000 vetash dhe fryma e Jehovait u manifestua në të gjitha punimet. Shpejt pas kësaj, Kostas dhe Alekos u pagëzuan. Që të dy ata shërbejnë si pleq të krishterë dhe familjet e tyre janë, gjithashtu, Dëshmitarë.
Fillova të studioja me një grua të interesuar. Burri i saj na bëri të ditur se donte të shqyrtonte bindjet tona dhe pak mbas kësaj më njoftoi se kishte ftuar për një debat një farë Z. Sakkos, teolog ortodoks grek. I shoqi donte të na bënte disa pyetje të dyve. Z. Sakkos erdhi bashkë me një prift. Burri që po vizitonim filloi duke thënë: «Në fillim, do të doja që Z. Sakkos t’u përgjigjej tri pyetjeve.»
Duke mbajtur përkthimin e Biblës që ne përdornim për shqyrtimet që bënim, burri pyeti: «Pyetja numër një: ‘Kjo është një Bibël e vërtetë apo është Bibla e Dëshmitarëve?’» Z. Sakkos iu përgjigj se ishte një përkthim serioz dhe i përshkroi, gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait si «dashurues të Biblës».
Duke vazhduar burri pyeti: «Pyetja numër dy: ‘A janë Dëshmitarët e Jehovait njerëz të moralshëm?’» Në të vërtetë ai donte të dinte se me ç’lloj njerëzish po shoqërohej gruaja e tij. Teologu u përgjigj se ata janë padyshim njerëz të moralshëm.
«Pyetja e tretë,—vazhdoi burri.—A paguhen Dëshmitarët e Jehovait?» «Jo»,—u përgjigj teologu.
«I mora përgjigjet e pyetjeve të mia dhe kam marrë vendimin tim»,—përfundoi burri. Pas kësaj ai vazhdoi studimin e tij biblik dhe shpejt u bë një Dëshmitar i Jehovait i pagëzuar.
Një jetë e pasur dhe shpërblyese
Në janar të vitit 1976 fillova të shërbej përsëri si mbikëqyrës qarkor. Rreth gjashtë vjet më vonë kisha privilegjin të merrja pjesë në drejtimin e një forme të re predikimi në Greqi, dëshminë rrugore. Pastaj, në tetor të 1991-shit, gruaja ime dhe unë filluam të shërbenim si pionierë specialë. Disa muaj më vonë, m’u desh të përballoja një operacion të zemrës me katër bypass, që lumturisht pati sukses. Tani kam një shëndet të mirë dhe kam qenë në gjendje të rifilloj veprën e shërbimit të plotëkohor. Shërbej, gjithashtu, si plak në një kongregacion në Selanik, si edhe punoj me Komitetin lokal për Lidhjet me Spitalet, për të ndihmuar ata që kanë nevojë mjekësore.
Ndërsa sjell ndër mend jetën time, kuptoj se sa e kënaqshme ka qenë të kem bërë atë ç’ka i pëlqen Atit tonë qiellor. Jam i gëzuar që shumë kohë më parë pranova ftesën e përzemërt të tij: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» (Fjalët e urta 27:11) Me të vërtetë, më gëzohet zemra kur shoh rritjen mbarëbotërore të numrit të njerëzve të sinqertë që po hynë në organizatën e Jehovait. Është vërtet një privilegj të marrësh pjesë në emancipimin e njerëzve përmes së vërtetës biblike, duke u hapur atyre kështu perspektivën e jetës së përjetshme në një botë të re të drejtë!—Gjoni 8:32; 2. Pjetrit 3:13.
Përpiqemi t’i inkurajojmë gjithmonë shërbëtorët e rinj të Jehovait që ta vendosin si synimin e tyre shërbimin e plotëkohor, t’i kushtojnë atij kohën dhe fuqitë e tyre. Vërtetë, të besosh te Jehovai dhe të gjesh kënaqësi të këndshme për të gëzuar zemrën e tij, është jeta më e plotë që dikush mund të përjetojë!—Fjalët e urta 3:5; Predikuesi 12:1.
[Figurat në faqen 21]
(Nga e majta në të djathtë)
Duke shërbyer në kuzhinën e Bethelit në vitin 1965
Duke bërë një fjalim në vitin 1970 kur vepra jonë ishte e ndaluar
Me gruan time në vitin 1959
[Figura në faqen 23]
Me gruan time Koula