Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Një ish-kundërshtar mëson të vërtetën
NË LAJME janë raportuar shumë gjëra në lidhje me luftën civile në Liberi. Dhjetëra mijë njerëz humbën jetën e akoma më shumë u shpërngulën. Me gjithë këto vështirësi, njerëzit me zemër të sinqertë vazhdojnë të përqafojnë të vërtetën, siç ilustrohet në përvojën vijuese.
Që nga mosha dhjetëvjeçare, Xhejmsi ishte arsimuar nga Kisha Luterane. Pasi u bë botuesi i një gazete të kishës, ai e përdori postin e tij për të shkruar kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Këtë e bënte edhe pse nuk kishte takuar kurrë ndonjë prej tyre.
Me kalimin e kohës Xhejmsi e la punën në gazetën e kishës dhe u bë një pronar i suksesshëm moteli. Një ditë, kur ai po rrinte ulur në zonën e recepsionit në motelin e tij, dy motra Dëshmitare të veshura mirë i bënë një vizitë. Kur pa veshjen e tyre të rregullt, ai i ftoi brenda. Por, kur ato i shpjeguan qëllimin e vizitës së tyre, ai u tha: «Jam tepër i zënë për të biseduar.» Dëshmitaret i ofruan pajtime në revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe ai pranoi vetëm sa për t’i hequr qafe. Për 12 muaj revistat i vinin në shtëpi, por ai i vinte në një çantë plastike pa ia hequr fare letrën mbështjellëse.
Lufta civile po ziente në vend, kështu që Xhejmsi bëri gati një çantë me para dhe sende të tjera me vlerë, me qëllim që të ikte që me shenjën e parë të sulmit. Një mëngjes, pranë derës së pasme të shtëpisë së tij plasi një granatë dhe në panik e sipër ai rrëmbeu çantën që kishte bërë gati dhe iku për të shpëtuar jetën. Bashkë me mijëra civilë që po largoheshin me të shpejtë, atij iu desh të kalonte nëpër disa postblloqe. Atje, civilë të pafajshëm shpesh grabiteshin dhe vriteshin pa ndonjë arsye të vlefshme.
Në postbllokun e parë, Xhejmsit i bënë disa pyetje dhe pastaj i kërkuan të hapte çantën. Kur bëri këtë, ai pa brenda çantës dhe nuk mund t’u besonte syve. Për tmerr, ai pa se çanta që kishte marrë nuk ishte ajo që mbante sendet me vlerë. Në panik e sipër, ai kishte marrë çantën që mbante të gjitha revistat Kullat e Rojës dhe Zgjohuni! ende të pahapura. Megjithatë, kur ushtari pa revistat dhe lexoi emrin e tij në etiketë, tha: «Oh, ti je një Dëshmitar i Jehovait. Ne nuk ju kërkojmë juve, sepse e dimë që ju nuk gënjeni.» Pasi mori disa revista nga çanta, ushtari i tha Xhejmsit të vazhdonte rrugën.
E njëjta gjë ndodhi në nëntë postblloqe të ndryshme, meqë të gjithë ushtarët mendonin se Xhejmsi ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe e linin të ikte pa e dëmtuar. Tani Xhejmsi ishte mirënjohës që nuk i kishte marrë me vete sendet me vlerë, sepse nga ajo që kishte parë, ishte më se e sigurt se do ta kishin vrarë po t’i kishte me vete.
Kur më në fund arriti në postbllokun e fundit dhe më të frikshmin, ai u tmerrua kur pa rreth e rrotull shumë trupa njerëzish të vdekur. I llahtarisur, thirri emrin e Jehovait. Ai u lut se, nëse Perëndia do ta ndihmonte në këtë zonë ku vriteshin shumë njerëz, ai do t’i shërbente për pjesën tjetër të jetës.
Xhejmsi hapi çantën para ushtarëve dhe edhe një herë ata thanë: «Ne nuk po kërkojmë këta njerëz.» Duke iu kthyer atij, ata shtuan: «Një nga vëllezërit e tu jeton në rrëzë të kodrës. Shko e rri me të.» Në këtë kohë opinioni i Xhejmsit për Dëshmitarët kishte ndryshuar kryekëput. Menjëherë ai e kontaktoi vëllain dhe u bënë rregullime për një studim biblik me librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë.a
Disa ditë më vonë, një sulm e detyroi që të ikte nga ajo zonë. Kësaj radhe Xhejmsi u fsheh nëpër pyje, duke mbajtur me vete vetëm librin e tij Ti mund të jetosh!. Gjatë 11 muajve të izolimit, duke qenë larg Dëshmitarëve, ai e studioi pesë herë librin. Kur më në fund pati mundësi të kthehej në qytet, ai rifilloi studimin biblik me Dëshmitarët dhe bëri përparim të shpejtë. Pak kohë më vonë ai u pagëzua dhe tani shërben plot besim përkrah vëllezërve të tij frymorë.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.