«Jehova» apo «Jahve»?
«I SHTREMBËRUAR», «hibrid», «i përbindshëm». Çfarë do t’i shtynte dijetarët biblikë hebrenj të përdornin terma kaq të rëndë? Çështja në diskutim është nëse «Jehova» është shqiptimi i saktë i emrit të Perëndisë. Ky debat ka vazhduar për më shumë se njëqind vjet. Sot, shumica e dijetarëve duket se parapëlqejnë fjalën dyrrokëshe «Jahve». Por a është vërtet kaq «i përbindshëm» shqiptimi «Jehova»?
Në rrënjë të debatit
Sipas Biblës, vetë Perëndia ia zbuloi emrin e vet njerëzimit. (Eksodi 3:15) Dëshmitë biblike tregojnë se shërbëtorët e lashtë të Perëndisë e përdorën lirisht atë emër. (Zanafilla 12:8; Ruthi 2:4) Emri i Perëndisë njihej edhe nga kombet e tjera. (Jozueu 2:9) Kjo u vu re veçanërisht kur hebrenjtë që ishin kthyer nga mërgimi në Babiloni ranë në kontakt me popuj të shumë kombeve. (Psalmi 96:2-10; Isaia 12:4; Malakia 1:11) The Interpreter’s Dictionary of the Bible thotë: «Ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se në periudhën pas mërgimit, shumë të huaj u tërhoqën ndaj fesë së hebrenjve.» Megjithatë, aty nga shekulli i parë i e.s., ishte zhvilluar një besëtytni në lidhje me emrin e Perëndisë. Përfundimisht, kombi judaik jo vetëm që nuk e përdori më lirisht emrin e Perëndisë, por disa e ndaluan fare shqiptimin e tij. A humbi në këtë mënyrë shqiptimi i saktë i emrit, apo ka mbetur akoma?
Çfarë përmban një emër?
Në gjuhën hebraike, emri i Perëndisë shkruhet יהוה. Këto katër germa, të cilat lexohen nga e djathta në të majtë, zakonisht quhen tetragrami. Shumë emra njerëzish dhe vendesh të përmendur në Bibël përmbajnë një formë të shkurtuar të emrit hyjnor. A është e mundur që këto emra të përveçëm të sigurojnë disa të dhëna se si shqiptohej emri i Perëndisë?
Sipas Xhorxh Bjukenën, profesor nderi në Seminarin Teologjik të Ueslit, në Uashington D.C., SHBA, përgjigjja është po. Profesori Bjukenën shpjegon: «Në kohët e lashta, prindërit shpesh ua vinin emrat fëmijëve sipas hyjnive të tyre. Kjo do të thotë se ata i shqiptonin emrat e fëmijëve të tyre ashtu si shqiptohej emri i hyjnisë. Tetragrami përdorej në emrat e njerëzve dhe ata përdornin gjithnjë zanoren e mesit.»
Shqyrto disa shembuj emrash të përveçëm që gjenden në Bibël, ku përfshihet një formë e shkurtuar e emrit të Perëndisë. Sipas profesorit Bjukenën, emri Jonatan, që në Biblën Hebraike shfaqet si Johnathanʹ ose Jehohnathanʹ do të thotë «Jaho ose Jahovah ka dhënë». Emri i profetit Elija në hebraisht është ʼElijahʹ ose ʼElijaʹhu. Sipas profesorit Bjukenën, emri do të thotë: «Perëndia im është Jahu ose Jahu-vah.» Në mënyrë të ngjashme, emri hebraik për Jehozafat është Jehoh-shaphatʹ, që do të thotë «Jaho ka gjykuar».
Nëse tetragrami do të shqiptohej me dyrrokëshin «Jahve», nuk do të ishte e mundur që zanorja o të ekzistonte si pjesë e emrit të Perëndisë. Por në një pjesë të madhe emrash biblikë që përfshijnë emrin hyjnor, kjo zanore e mesit shfaqet si në formën origjinale, ashtu edhe në atë të shkurtuar, si në Jehonatan dhe Jonatan. Kështu, në lidhje me emrin hyjnor, profesori Bjukenën thotë: «Në asnjë rast nuk është hequr zanorja u ose oh. Disa herë fjala shkurtohej si ‘Ja’, por kurrë si ‘Ja-ve’ . . . Kur tetragrami shqiptohej me një rrokje ishte ‘Jah’ ose ‘Jo’. Kur shqiptohej në tri rrokje do të kishte qenë ‘Jahovah’ ose ‘Jahuvah’. Nëse është shkurtuar ndonjëherë në dy rrokje, do të kishte qenë ‘Jaho’.»—Biblical Archaeology Review.
Këto komente na ndihmojnë të kuptojmë pohimin e bërë nga dijetari hebre i shekullit të 19-të Geseni, në një libër të tij: «Ata që mendojnë se יְהוָֹה [Je-ho-vah] ishte shqiptimi i saktë [i emrit të Perëndisë] nuk janë krejtësisht pa baza ku të mbrojnë opinionin e tyre. Duke shqiptuar emrin në këtë mënyrë, mund të shpjegohen më mirë rrokjet e shkurtuara יְהוֹ [Je-ho] dhe יוֹ [Jo], me të cilat fillojnë shumë emra të përveçëm.»—Hebrew and Chaldee Lexicon to the Old Testament Scriptures.
Gjithsesi, në parathënien e përkthimit të tij të fundit Pesë librat e Moisiut (The Five Books of Moses), Everet Foks thekson: «Si përpjekjet e vjetra, ashtu edhe ato të reja për të rigjetur shqiptimin ‘e saktë’ të emrit hebraik [të Perëndisë] nuk kanë dalë me sukses; as emri ‘Jehova’ që dëgjohet ndonjëherë e as standardi i dijetarëve ‘Jahve’ nuk mund të provohen në mënyrë përfundimtare.»
Pa dyshim që debati i dijetarëve do të vazhdojë. Judenjtë pushuan së shqiptuari emrin e Perëndisë së vërtetë përpara se masoretët të zhvillonin sistemin e vendosjes së zanoreve. Prandaj, nuk ka ndonjë mënyrë vendimtare për të provuar se cilat zanore shoqëronin bashkëtingëlloret JHVH (יהוה). E megjithatë, vetë emrat e personazheve biblike, shqiptimi i saktë i të cilëve nuk ka humbur kurrë, sigurojnë një dëshmi konkrete për shqiptimin e lashtë të emrit të Perëndisë. Për shkak të kësaj, të paktën disa dijetarë janë dakord se në fund të fundit shqiptimi «Jehova» nuk është kaq «i përbindshëm».
[Figurat në faqen 31]
«Jehova» ka qenë shqiptimi më i përhapur i emrit të Perëndisë