Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Predikim në ‘stinë të favorshme dhe në stinë me telashe’
KUR plasi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, mijëra njerëz përjetuan vështirësi ekstreme. Gjatë asaj kohe sprovash, Dëshmitarët e Jehovait bënë çdo përpjekje për t’u dhënë njerëzve inkurajim dhe shpresë. Këtu po tregojmë disa pjesë të shkëputura nga një letër, të shkruar nga një Dëshmitar, i cili shërbeu për njëfarë kohe në Sarajevë.
«Jeta këtu është e ashpër, por njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj të vërtetës biblike. Dëshmitarët vendas janë një shembull i mrekullueshëm ngulmimi. Nga ana materiale ata kanë shumë pak gjëra, por fryma e tyre është e shkëlqyer. Pothuajse të gjithë të rinjtë në kongregacion janë në shërbimin e plotkohor. Lajmëtarët e rinj inkurajohen nga ky zell dhe nuk është e pazakontë që ata të kushtojnë 60 orë ose më shumë në muaj në predikim, duke filluar që nga muaji i tyre i parë në shërbim.
Përveç predikimit shtëpi më shtëpi, kemi provuar metoda të tjera të ndryshme për të arritur njerëzit. Për shembull, kemi pasur rezultate të mira duke ndarë botime biblike në varrezat e shumta të qytetit.
Është dhënë dëshmi edhe nëpër spitale. Në repartin e kardiologjisë në një spital të Sarajevës, shefi i repartit pranoi revistën Zgjohuni!, 8 dhjetor 1996, e cila ka si titull në kopertinë «Infarkti: Çfarë mund të bëhet?». Ai kërkoi kopje të tjera që t’ua ndante mjekëve të tjerë aty. Dëshmitarëve iu dha leja për të vizituar të gjithë pacientët në repartin e tij. Kështu, në pak më shumë se një orë, nga shtrati në shtrat u shpërndanë më shumë se 100 revista. Shumë pacientë thanë se ishte hera e parë që dikush i vizitonte në spital për t’i inkurajuar dhe për t’u dhënë shpresë.
Në një rast tjetër, vizituam repartin e pediatrisë me artikuj revistash të përshtatshëm për fëmijët. Edhe shefja e atij reparti pranoi disa kopje të librit Libri im i tregimeve biblike për dhomën e leximit. Tani, nënat që vijnë për të parë fëmijët e tyre në spital, u lexojnë ditë për ditë histori biblike. Janë bërë rregullime edhe për ta vizituar shefen e repartit në shtëpi.
Në Sarajevë ka me mijëra ushtarë të NATO-s (Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior), të kombësive të ndryshme. Edhe këta kanë marrë një dëshmi të plotë. Disa herë, ne shkojmë nga autoblinda në autoblindë, duke përdorur broshurën Lajmi i mirë për të gjitha kombet, si edhe revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në gjuhë të ndryshme. Në kazermat e trupave ushtarake italiane u shpërndanë më shumë se 200 revista. Çuditërisht, shumë ushtarë italianë thanë se nuk kishin folur kurrë më parë me Dëshmitarët e Jehovait. E mirë, ne arritëm t’u flitnim në Sarajevë.
Një ditë, anës rrugës kishte ndaluar një autoblindë. Trokita te autoblinda me çadrën time dhe prej saj doli një ushtar. I ofrova një Kullë Roje me titull: ‘Lajmëtarët e paqes: Kush janë ata?’ Ushtari pa nga unë dhe më pyeti: ‘Ti nuk je një Dëshmitar i Jehovait, apo jo?’ Pasi mori vesh se isha Dëshmitar, u përgjigj: ‘E pabesueshme! Ju jeni edhe këtu! A ka ndonjë vend mbi tokë ku nuk ka Dëshmitarë?’»
Apostulli Pavël bëri thirrje: «Prediko fjalën, jepu pas saj në stinë të favorshme dhe në stinë me telashe.» (2. Timoteut 4:2, BR) Ashtu si bashkëbesimtarët e tyre në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait në Sarajevë po bëjnë kështu, madje shtrat më shtrat nëpër spitale dhe autoblindë më autoblindë!