A interesohet vërtet dikush për ne?
«Lotët e të shtypurve» janë bërë lumë. Këto lot i derdhin viktimat e ‘shtypjes’ së pafund që ekziston në mbarë botën. Ata që kanë qenë viktima, shpesh mendojnë se nuk kanë «njeri që t’i ngushëllojë», se askush nuk interesohet me të vërtetë për ta.—Predikuesi 4:1.
PAVARËSISHT nga ky lumë lotësh, disa njerëz nuk preken prej vuajtjeve të njerëzve të tjerë. Ata i mbyllin sytë ndaj dhimbjes së të tjerëve, siç bënë prifti dhe leviti në ilustrimin e Jezu Krishtit, për një burrë që e kishin sulmuar, e kishin grabitur dhe e kishin lënë gjysmë të vdekur anës rrugës. (Luka 10:30-32) Për sa kohë që gjërat u shkojnë relativisht mirë atyre vetë dhe familjeve të tyre, ata nuk interesohen për të tjerët. Në fakt, thonë: «E kush do t’ia dijë?»
Nuk duhet të habitemi nga kjo. Apostulli Pavël paratha se në «ditët e fundit» shumë njerëzve do t’u mungonte ‘përzemërsia e natyrshme’. (2. Timoteut 3:1, 3, BR) Një vëzhgues u ankua për qëndrimet mospërfillëse që janë zhvilluar. «Filozofia dhe tradita e vjetër irlandeze për t’u interesuar e për t’u dhënë të tjerëve,—tha ai,—po zëvendësohet nga një kod i ri për të menduar dhe për të marrë për vete’.» Në mbarë botën, njerëzit mendojnë dhe marrin për vete, duke qenë pothuajse krejtësisht indiferentë ndaj gjendjes së vështirë të të tjerëve.
Nevojë për dikë që interesohet
Patjetër, ekziston nevoja për dikë që interesohet. Për shembull, mendo për një burrë të vetmuar në Gjermani, të cilin «e gjetën pesë vjet pasi kishte vdekur gjatë Krishtlindjeve, të ulur para televizorit». Mungesa e këtij «të vetmuari të divorcuar dhe të paralizuar», të hidhëruar nga përvojat e trishtuara në jetë, nuk u ndie deri në momentin kur mbaroi llogaria bankare që paguante qiranë e shtëpisë. Asnjeri nuk interesohej me të vërtetë për të.
Mendo, gjithashtu, për viktimat e pambrojtura të pronarëve të mëdhenj, të fuqishëm e lakmitarë. Në një zonë, rreth 200.000 njerëz (çereku i popullsisë) «vdiqën nga shtypja dhe nga uria», pasi u kishin konfiskuar me dhunë tokën e tyre. Ose, mendo për fëmijët, të cilët janë ekspozuar ndaj një barbarizmi pothuajse të pabesueshëm. Në një raport thuhej: «Përqindja e fëmijëve në [një vend] që qenë dëshmitarë okularë të mizorive të shumta: vrasjeve, rrahjeve dhe përdhunimit, disa herë të kryera nga adoleshentë të tjerë, është tronditëse.» Ndoshta e kupton se përse një viktimë e këtyre padrejtësive mund të pyesë me lot në sy: «A interesohet vërtet dikush për mua?»
Sipas një raporti nga Shtetet e Bashkuara, 1,3 miliardë njerëzve në botën në zhvillim u duhet të mbijetojnë me një ekuivalent prej më pak se një dollar në ditë. Ata ndoshta pyesin veten nëse dikush interesohet për ta. Po kështu bëjnë edhe mijëra refugjatë, të cilët, sipas një raporti në gazetën The Irish Times, «ballafaqohen me një zgjedhje jo të këndshme: ose të qëndrojnë në një kamp të ndyrë a në një vend jomikpritës, ose të përpiqen të kthehen në vendin e tyre, që është ende i copëtuar [ose i përçarë] nga lufta a nga ndarjet etnike». Po ky raport përmbante këtë ushtrim që të ther në zemër: «Mbyllni sytë, numëroni deri në tre dhe një fëmijë sapo ka vdekur. Është njëri prej 35.000 fëmijëve që do të vdesin sot nga të ushqyerit e keq ose nga sëmundje të parandalueshme.» Nuk habitemi që shumë veta qajnë nga pikëllimi dhe hidhërimi!—Krahaso Jobin 7:11.
Mos vallë të gjitha këto vuajtje vërtet ishin menduar të ndodhnin? Në realitet, a ekziston ndokush, i cili jo vetëm interesohet, por ka edhe fuqinë për t’u dhënë fund vuajtjeve dhe për të hequr gjithë dhimbjen që kanë provuar njerëzit?
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kapaku dhe faqja 32: Rojters/Nikola Solic/Fotografi Arkivi
[Burimi i figurës në faqen 3]
A. Boulat/Sipa Press