A kërkon tepër Jehovai prej nesh?
«Çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse të ushtrosh drejtësinë e të duash dashamirësinë dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»—MIKEA 6:8, BR.
1. Cila mund të jetë arsyeja se përse disa nuk i shërbejnë Jehovait?
JEHOVAI kërkon diçka prej popullit të tij. Por pasi kemi lexuar fjalët e mësipërme të marra nga profecia e Mikeas, ne fare mirë mund të nxjerrim përfundimin se kërkesat e Perëndisë janë të arsyeshme. Megjithatë, shumë njerëz nuk i shërbejnë Krijuesit tonë të Madh dhe disa që më përpara i shërbenin atij, nuk po i shërbejnë më. Përse? Sepse mendojnë që Perëndia kërkon tepër prej nesh. A është kështu? Apo problemi mund të jetë në qëndrimin që ka një person ndaj asaj që kërkon Jehovai? Një tregim historik na siguron mendjehollësi lidhur me këtë çështje.
2. Kush ishte Naamani dhe çfarë i kërkoi profeti i Jehovait të bënte?
2 Naamani, komandanti i ushtrisë siriane, ishte sëmurë me lebër, por i kishin thënë se në Izrael ishte një profet i Jehovait, i cili mund ta shëronte. Kështu, Naamani dhe shoqëruesit e tij udhëtuan për në Izrael dhe së fundi mbërritën në shtëpinë e Eliseut, profetit të Perëndisë. Në vend që të dilte nga shtëpia për të përshëndetur këtë vizitor të shquar, Eliseu dërgoi një shërbëtor që t’i thoshte Naamanit: «Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër.»—2. Mbretërve 5:10.
3. Përse fillimisht Naamani refuzoi të bënte atë që i kërkoi Jehovai?
3 Nëse Naamani do t’i bindej kërkesës së thënë nga profeti i Perëndisë, do të shërohej nga sëmundja e neveritshme që kishte. Prandaj, a po kërkonte tepër Jehovai prej tij? Në të vërtetë jo. Megjithatë, Naamani nuk donte të bënte atë që i kishte kërkuar Jehovai. «Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit?—protestoi ai.—Nuk mund të lahem në to dhe të bëhem i pastër?» Me këto fjalë, Naamani u largua i zemëruar.—2. Mbretërve 5:12.
4, 5. (a) Çfarë shpërblimi pati Naamani për bindjen që tregoi dhe si reagoi ai kur mori këtë shpërblim? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?
4 Çfarë problemi kishte në të vërtetë Naamani? Nuk ishte se kërkesa qe tepër e vështirë për t’u plotësuar. Me takt, shërbëtorët i thanë Naamanit: «Në qoftë se profeti do të të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani, që të ka thënë: ‘Lahu dhe do të pastrohesh’.» (2. Mbretërve 5:13) Problemi ishte në qëndrimin e Naamanit. Ai mendonte se nuk e kishin trajtuar me dinjitetin që meritonte dhe se i ishte kërkuar të bënte diçka që, me sa duket, e konsideronte jo të efektshme dhe poshtëruese. Gjithsesi, Naamani reagoi mirë ndaj këshillës së dhënë me takt nga shërbëtorët e tij dhe u zhyt shtatë herë në lumin Jordan. Imagjino gëzimin e tij, kur «mishi iu bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai u pastrua»! Ai ishte plot me mirënjohje. Për më tepër, Naamani deklaroi se, që nga ai moment, nuk do të adhuronte asnjë perëndi tjetër përveç Jehovait.—2. Mbretërve 5:14-17.
5 Gjatë gjithë historisë njerëzore, Jehovai u ka kërkuar njerëzve që t’u binden rregullave të ndryshme. Të ftojmë të shqyrtosh disa prej këtyre. Ndërsa bën këtë, pyet veten se si do të kishe reaguar ti, nëse Jehovai do të të kishte kërkuar të bëje këto gjëra. Më vonë, do të shqyrtojmë se çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot.
Çfarë ka kërkuar Jehovai në të kaluarën?
6. Çfarë iu kërkua çiftit të parë njerëzor të bënte dhe si do të kishe reaguar ti ndaj udhëzimeve të tilla?
6 Jehovai e udhëzoi çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, që të rritnin fëmijë, të nënshtronin tokën dhe të kishin nën sundim jetën shtazore. Burri dhe gruaja u bekuan edhe me një shtëpi të madhe, ngjashëm një parku. (Zanafilla 1:27, 28; 2:9-15) Por kishte një kufizim. Ata nuk duhej të hanin nga një pemë, e cila gjendej mes pemëve të shumta frutdhënëse në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 2:16, 17) Nuk ishte se po u kërkonte tepër, apo jo? A nuk do të të kishte pëlqyer të përmbushje një caktim të tillë, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë me shëndet të përsosur? Edhe nëse në kopsht do të shfaqej një tundues, a nuk do ta kishe hedhur poshtë argumentimin e tij? Gjithashtu, a nuk do të ishe dakord se Jehovai kishte të drejtën për ta vendosur atë kufizim të vetëm të thjeshtë?—Zanafilla 3:1-5.
7. (a) Çfarë caktimi iu dha Noes dhe çfarë kundërshtimi përballoi ai? (b) Si e konsideron atë që i kërkoi Jehovai Noes?
7 Më vonë, Jehovai i kërkoi Noes që të ndërtonte një arkë, si mjet për t’u mbrojtur nga një përmbytje globale. Duke pasur parasysh përmasat kolosale të arkës, puna nuk qe e lehtë e ndoshta u bë përballë talljeve të shumta dhe armiqësisë. Megjithatë, çfarë privilegji ishte për Noen mundësia që të shpëtonte familjen e tij, për të mos folur për kafshët e shumta që u shpëtuan! (Zanafilla 6:1-8, 14-16; Hebrenjve 11:7; 2. Pjetrit 2:5) Nëse do të ishte dhënë një caktim i tillë, a do të kishe punuar shumë për ta përmbushur? Apo do të kishe nxjerrë përfundimin se Jehovai po kërkonte tepër prej teje?
8. Çfarë iu kërkua Abrahamit të bënte dhe çfarë ilustroi bindja e tij?
8 Perëndia i kërkoi Abrahamit që të bënte një gjë shumë të vështirë, duke i thënë: «Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahëve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj.» (Zanafilla 22:2) Duke qenë se Jehovai kishte premtuar se Isaku, që në atë kohë nuk kishte fëmijë, do të kishte pasardhës, besimi i Abrahamit në aftësinë e Perëndisë për ta rikthyer Isakun në jetë, u vu në provë. Kur Abrahami u përpoq ta sakrifikonte Isakun, Perëndia e kurseu të riun. Kjo ngjarje ilustroi se Perëndia do të ofronte Birin e tij për njerëzimin dhe se më vonë do ta ringjallte atë.—Zanafilla 17:19; 22:9-18; Gjoni 3:16; Veprat 2:23, 24, 29-32; Hebrenjve 11:17-19.
9. Përse Jehovai nuk po i kërkonte tepër Abrahamit?
9 Disa mund të mendojnë se Perëndia Jehova po i kërkonte tepër Abrahamit. Por, a ishte kështu? A është në të vërtetë jo e dashur nga ana e Krijuesit tonë, i cili mund të ringjallë të vdekurit, të na kërkojë t’i bindemi atij, edhe sikur kjo të sjellë për pasojë rënien tonë përkohësisht në gjumin e vdekjes? Jezu Krishti dhe ithtarët e tij të parë nuk mendonin kështu. Ata ishin gati të pësonin abuzimin fizik e madje edhe vdekjen, me qëllim që të bënin vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 10:11, 17, 18; Veprat 5:40-42; 21:13) Nëse do ta kërkonin rrethanat, a do të ishe i gatshëm të bëje të njëjtën gjë? Shqyrto disa nga gjërat që u kërkoi Jehovai atyre që pranuan të ishin populli i tij.
Ligji që i dha Jehovai Izraelit
10. Cilët premtuan të bënin gjithçka që do t’u kërkonte Jehovai dhe çfarë u dha ai atyre?
10 Pasardhësit që pati Abrahami nëpërmjet birit të tij, Isakut dhe nipit, Jakobit ose Izraelit, u bënë një komb i tërë, Izraeli. Jehovai i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt. (Zanafilla 32:28; 46:1-3; 2. Samuelit 7:23, 24) Pak kohë pas kësaj, ata premtuan se do të bënin çfarëdo gjëje që Perëndia do t’u kërkonte. Ata thanë: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.» (Eksodi [Dalja] 19:8) Në përputhje me dëshirën e izraelitëve për t’u udhëhequr prej tij, Jehovai i dha kombit më shumë se 600 ligje, ku përfshiheshin edhe Dhjetë Urdhërimet. Me kalimin e kohës, këto ligje të Perëndisë, të dhëna nëpërmjet Moisiut, u bënë të njohura thjesht si Ligji.—Ezdra 7:6; Luka 10:25-27; Gjoni 1:17.
11. Cili ishte një prej qëllimeve të Ligjit dhe cilat qenë disa rregulla që shërbyen për të përmbushur këtë qëllim?
11 Një qëllim i Ligjit ishte që t’i mbronte izraelitët, duke u dhënë rregulla të shëndetshme mbi çështje të tilla, si: morali seksual, veprimet tregtare dhe kujdesi për fëmijët. (Eksodi 20:14; Levitiku 18:6-18, 22-24; 19:35, 36; Ligji i përtërirë 6:6-9) Ishin siguruar rregulla se si duheshin trajtuar njerëzit e tjerë, si edhe kafshët. (Levitiku 19:18; Ligji i përtërirë 22:4, 10) Kërkesat që kishin të bënin me festat vjetore dhe mbledhjet për të adhuruar, ndihmonin për ta mbrojtur popullin nga ana frymore.—Levitiku 23:1-43; Ligji i përtërirë 31:10-13.
12. Cili ishte qëllimi kryesor i Ligjit?
12 Një qëllim kryesor i Ligjit u theksua nga apostulli Pavël, i cili shkroi: «Ai u shtua për të bërë të dukshme shkeljet, derisa të vinte fara [Krishti], së cilës i ishte bërë premtimi.» (Galatasve 3:19, BR) Ligji u kujtonte izraelitëve se ishin të papërsosur. Pra, në mënyrë logjike, atyre u duhej një flijim i përsosur, i cili mund t’i eliminonte plotësisht mëkatet e tyre. (Hebrenjve 10:1-4) Kështu, Ligji kishte për qëllim ta përgatiste popullin për të pranuar Jezuin, i cili ishte Mesia ose Krishti. Pavli shkroi: «Ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.»—Galatasve 3:24.
A ishte i rëndë Ligji i Jehovait?
13. (a) Si e konsideronin njerëzit e papërsosur Ligjin dhe përse? (b) A ishte vërtet i rëndë Ligji?
13 Edhe pse Ligji ishte «i shenjtë, i drejtë dhe i mirë», shumë veta e konsideruan atë si një barrë. (Romakëve 7:12) Duke qenë se Ligji ishte i përsosur, izraelitët nuk mund ta plotësonin standardin e tij të lartë. (Psalmi 19:7) Ja përse apostulli Pjetër e quajti atë, «një zgjedhë, që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë». (Veprat 15:10) Sigurisht, vetë Ligji nuk ishte i rëndë dhe bindja ndaj tij u sillte dobi njerëzve.
14. Cilët janë disa shembuj që tregojnë se Ligji u shërbente izraelitëve për një qëllim shumë të dobishëm?
14 Për shembull, sipas Ligjit një vjedhës nuk burgosej, por i duhej të punonte për të paguar dyfishin ose më shumë, të asaj që kishte vjedhur. Në këtë mënyrë, viktima nuk pësonte humbje dhe as nuk u vihej ndonjë barrë njerëzve punëtorë, për të mbështetur një sistem burgjesh. (Eksodi 22:1, 3, 4, 7) Ushqimet e pasigurta ishin të ndaluara. Derri, po të mos gatuhet mirë, mund të mbartë sëmundjen e trikinozës dhe lepuri mund të mbartë sëmundjen e tularemisë. (Levitiku 11:4-12) Në mënyrë të ngjashme, Ligji ishte një mbrojtje sepse ndalonte prekjen e kufomave. Nëse ndonjë person prekte një kufomë, atij i kërkohej të lahej vetë, si edhe të lante veshjet. (Levitiku 11:31-36; Numrat 19:11-22) Jashtëqitjet duheshin groposur, për t’i mbrojtur njerëzit nga përhapja e mikrobeve, ekzistencën e të cilave shkencëtarët e kanë zbuluar vetëm në shekujt e fundit.—Ligji i përtërirë 23:13.
15. Ç’gjë ishte një barrë për izraelitët?
15 Ligji nuk kërkonte tepër prej njerëzve. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit që morën mbi vete rolin e interpretuesve të Ligjit. Në lidhje me rregullat që vendosnin ata, në një fjalor, A Dictionary of the Bible, botuar nga Xhejms Hastings, thuhet: «Çdo urdhërim biblik u rrethua me një rrjet rregullash më të vogla. . . . Në këtë mënyrë u bë një përpjekje për ta sjellë çdo rast të imagjinueshëm brenda rrezes së Ligjit dhe me një logjikë të pamëshirshme të rregullohej e gjithë sjellja e njerëzve me zakone të rrepta. . . . Zëri i ndërgjegjes u ndrydh; fuqia e gjallë e fjalës Hyjnore u mpi dhe u mbyt nën një grumbull rregullash të dorës së dytë.»
16. Çfarë tha Jezui për rregullat dhe traditat e rënda të udhëheqësve fetarë?
16 Jezu Krishti i demaskoi udhëheqësit fetarë, të cilët kishin vënë rregulla të shumta, duke thënë: «[Ata] lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi dhe ua vënë mbi kurriz njerëzve, por nuk duan t’i luajnë vetë as me gisht.» (Mateu 23:2, 4) Ai theksoi se rregullat dhe traditat e tyre të rënda, të bëra nga njerëzit, duke përfshirë edhe pastrimet e ndërlikuara, e ‘anulonin fjalën e Perëndisë’. (Marku 7:1-13; Mateu 23:13, 24-26) Por, edhe më përpara se të vinte Jezui në tokë, mësuesit fetarë të Izraelit kishin krijuar përshtypje të gabuar të asaj që kërkon vërtet Jehovai.
Çfarë kërkon vërtet Jehovai?
17. Përse Jehovai ishte i pakënaqur me ofertat e djegura të izraelitëve pa besim?
17 Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai tha: «Jam ngopur nga olokaustet e deshëve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepëve nuk e pëlqej.» (Isaia 1:10, 11) Përse ishte i pakënaqur Perëndia me ofertat që ai vetë i kishte kërkuar në Ligj? (Levitiku 1:1–4:35) Sepse populli e trajtonte pa respekt atë. Prandaj, ata u këshilluan: «Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.» (Isaia 1:16, 17) A nuk na ndihmon kjo për të kuptuar atë që dëshiron Jehovai prej shërbëtorëve të tij?
18. Çfarë kërkonte vërtet Jehovai prej izraelitëve?
18 Jezui e tregoi se çfarë dëshiron vërtet Perëndia. Këtë e bëri, kur iu bë pyetja: «Cili është urdhërimi më i madh i ligjit?» Jezui u përgjigj: «‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’ Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.» (Mateu 22:36-40; Levitiku 19:18; Ligji i përtërirë 6:4-6) Profeti Moisi paraqiti të njëjtin argument, kur pyeti: «Çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt, përveçse të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe të respektosh . . . të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit?»—Ligji i përtërirë 10:12, 13; 15:7, 8.
19. Si përpiqeshin izraelitët të dukeshin të shenjtë, por çfarë u tha Jehovai atyre?
19 Pavarësisht nga keqbërjet e tyre, izraelitët donin të dukeshin të shenjtë. Edhe pse Ligji kërkonte agjërimin vetëm në Ditën vjetore të Shlyerjes, ata filluan të agjëronin shpesh. (Levitiku 16:30, 31) Por Jehovai i qortoi, duke u thënë: «Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky? Të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë? A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë gjaku yt?»—Isaia 58:3-7.
20. Për çfarë gjëje i qortoi Jezui hipokritët fetarë?
20 Ata izraelitë të vetëquajtur të drejtë kishin një problem të ngjashëm me atë të hipokritëve fetarë, të cilëve Jezui u tha: «Ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin [drejtësinë, BR], mëshirën dhe besimin. Këto gjëra duhet t’i praktikoni, pa i lënë pas dore të tjerat.» (Mateu 23:23; Levitiku 27:30) A nuk na ndihmojnë fjalët e Jezuit për të kuptuar se çfarë dëshiron vërtet Jehovai prej nesh?
21. Si e përmblodhi profeti Mikea atë që kërkon dhe që nuk kërkon Jehovai prej nesh?
21 Për të qartësuar se çfarë kërkon e çfarë nuk kërkon Jehovai prej nesh, Mikea, profeti i Perëndisë, pyeti: «Me çfarë do t’i dal përpara Jehovait? Me çfarë do t’i përkulem Perëndisë atje lart? Mos do t’i dal përpara me përplot flijime të djegura, me viça njëvjeçarë? A do të kënaqet Jehovai me mijëra desh, me dhjetëra mijëra përrenj vaji? A do t’i jap birin tim të parëlindur për revoltën time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim? Ai ta ka thënë ty, o njeri tokësor, atë që është e mirë. Dhe çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse të ushtrosh drejtësinë e të duash dashamirësinë dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:6-8, BR.
22. Çfarë dëshironte veçanërisht Jehovai prej atyre që ishin nën Ligj?
22 Pra, çfarë kërkonte veçanërisht Jehovai prej atyre që jetonin nën Ligj? Sigurisht, ata duhej të donin Perëndinë Jehova. Gjithashtu, apostulli Pavël tha: «Gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë të vetme: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’» (Galatasve 5:14) Në mënyrë të ngjashme, Pavli u tha të krishterëve në Romë: «Ai që e do tjetrin, e ka përmbushur ligjin. . . . Dashuria është përmbushja e ligjit.»—Romakëve 13:8-10.
Nuk është tepër
23, 24. (a) Përse nuk duhet të jetë kurrë tepër për ne, të bëjmë atë që kërkon Jehovai? (b) Çfarë do të shqyrtojmë më tej?
23 A nuk na bën përshtypje se sa Perëndi i dashur, i kujdesshëm e i mëshirshëm është Jehovai? Biri i tij i vetëmlindur, Jezu Krishti, erdhi në tokë për të lartësuar dashurinë e Perëndisë, për t’u bërë të ditur njerëzve se sa të çmuar janë për Jehovain. Duke ilustruar dashurinë e Perëndisë, Jezui tha lidhur me harabelat e vegjël: «Asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dashjen [dijeninë, BR] e Atit tuaj.» Pastaj, përfundoi: «Mos kini frikë, pra, ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) Patjetër, për ne nuk duhet të jetë kurrë tepër, të bëjmë çfarëdo gjëje që kërkon ky Perëndi kaq i dashur!
24 Megjithatë, çfarë kërkon Jehovai prej nesh sot? Veç kësaj, përse disa veta duket se mendojnë që Perëndia kërkon tepër? Duke shqyrtuar këto pyetje, duhet të jemi në gjendje të kuptojmë se përse është një privilegj i mrekullueshëm të bëjmë çfarëdo gjëje që na kërkon Jehovai.
A mund të përgjigjesh?
◻ Përse disa njerëz mund të mos pranojnë t’i shërbejnë Jehovait?
◻ Si kanë ndryshuar kërkesat e Jehovait përgjatë viteve?
◻ Çfarë qëllimesh plotësoi Ligji?
◻ Përse ajo që kërkon Jehovai prej nesh nuk është tepër?
[Figura në faqen 18]
Rregullat e bëra nga njerëzit, siç ishte pastrimi i ndërlikuar, e kishin bërë të rëndë adhurimin