Ai ndihmoi për ta përhapur dritën «deri në skajet e tokës»
APOSTULLI Pavël u përdor për ta përhapur dritën frymore «deri në skajet e tokës». Si rezultat, shumë veta «që ishin të prirur siç duhet për jetën e përhershme, u bënë besimtarë».—Veprat 13:47, 48, BR; Isaia 49:6.
Një dëshirë e jashtëzakonshme për të përhapur dritën frymore qe e dukshme edhe në jetën e devotshme dhe në përpjekjet e palodhura të krishtere të William Lloyd Barry, një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Vëllai Barry vdiq më 2 korrik 1999, ndërsa po zhvillonte një pjesë në një kongres krahinor në Havai.
Lloyd Barry lindi në Zelandën e Re, më 20 dhjetor 1916. Më parë, nëna dhe babai i tij kishin treguar interes aktiv për të vërtetat biblike të paraqitura në botimet e C. T. Russell, të botuara nga Watch Tower Bible and Tract Society. Kështu, vëllai Barry u rrit në një familje të krishterë të devotshme.
Ndonëse ishte i interesuar për sportet dhe arsimimin, madje duke marrë edhe një diplomë në shkencë, vëllai Barry e mbajti mendje të përqendruar në gjërat frymore. Kështu, më 1 janar 1939, ai ndërmori shërbimin e plotkohor, duke u bërë anëtar i familjes Bethel në Zyrën e Shoqatës në Australi. Pasi në vitin 1941 qeveria e vuri nën ndalim Shoqatën, vëllai Barry vazhdoi të ishte i zënë me punën e zyrës dhe disa herë iu caktua të shkruante materiale për inkurajimin e bashkëbesimtarëve. Gjithashtu, ai mori drejtimin në mënyrë shembullore në shërbimin publik.
Në shkurt të vitit 1942, vëllai Barry u martua me një motër që shërbente, gjithashtu, në kohë të plotë. Gruaja e tij e dashur, Melba, ka punuar me besnikëri përkrah tij gjithë këto vite, në shumë pjesë të tokës. Ata ndërmorën një hap më të madh drejt shërbimit në fusha të huaja, duke marrë pjesë në klasën e 11-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, në Shtetet e Bashkuara. Caktimi i tyre ishte Japonia, vendi që shumë do ta konsideronin ‘një skaj të tokës’. Pasi mbërritën atje, në nëntor të vitit 1949, ata filluan të shërbenin si misionarë në qytetin-port të Kobes. Në atë kohë, në Japoni kishte vetëm 12 persona që predikonin lajmin e mirë. Vëllai Barry mësoi gjuhën dhe zakonet e vendbanimit të tij të ri, si edhe zhvilloi një përzemërsi të madhe për japonezët, me të cilët shërbeu për 25 vjet. Dashuria e tij për ata «që ishin të prirur siç duhet për jetën e përhershme» ishte e qartë për vëllazërinë e krishterë në rritje në Japoni, gjë që e ndihmoi këtë vëlla për të qenë i efektshëm në mbikëqyrjen e Degës për disa dekada.
Në mes të vitit 1975, kur në Japoni kishte rreth 30.000 Dëshmitarë, familja Barry u transferua në Bruklin, Nju Jork. Si i krishterë i mirosur me frymë, vëllai Barry ishte ftuar të shërbente si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. (Romakëve 8:16, 17) Përvoja e tij lidhur me të shkruarit doli shumë e dobishme në rolin e tij të ri në Repartin e Shkrimit. Gjithashtu, përvoja e tij e zgjeruar lidhur me punën e Degës dhe përvoja ndërkombëtare e pajisi për të dhënë një kontribut të vlefshëm si anëtar i Komitetit të Botimit të Trupit Udhëheqës.
Përgjatë viteve, vëllai Barry e ruajti dashurinë e tij për Lindjen dhe për njerëzit e saj. Studentët e Shkollës së Galaadit, si edhe anëtarët e familjes Bethel mund të ishin të sigurt se në fjalimet dhe komentet e tij do të theksoheshin përvoja që të ngrohnin zemrën, për shumë veta që kishin shërbyer në veprën misionare. Aktivitetet e predikimit të Mbretërisë në «skajet e tokës» portretizoheshin të gjalla ndërsa vëllai Barry tregonte me entuziazëm përvojat e tij. Disa prej tyre janë përmendur në tregimin e tij personal, të botuar në Kullën e Rojës, 15 shtator 1960, anglisht.
Jemi të sigurt se, si ‘bashkëtrashëgimtar i Krishtit’, vëllai Barry do ta vazhdojë interesimin e tij për ata «që janë të prirur siç duhet për jetën e përhershme». Sigurisht, ai do t’u mungojë shumë të gjithë atyre që e njihnin dhe e donin si një njeri frymor i kushtuar plotësisht ndaj Jehovait dhe që kishte përzemërsi të ngrohtë për popullin e Perëndisë. Megjithatë, gëzohemi që vëllai Barry qëndroi me besnikëri deri në fund të rrugës së tij tokësore.—Zbulesa 2:10.
[Figura në faqen 16]
Lloyd Barry dhe John Barr, kur doli botimi Mendjehollësi mbi Shkrimet, në vitin 1988
[Figura në faqen 16]
Të diplomuar të klasës së 11-të të Galaadit, duke u takuar në Japoni pas 40 vjetësh