Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Zgjerim teokratik në Namibi
LAJMI i mirë i Mbretërisë së Perëndisë mbërriti fillimisht në Namibi në fund të viteve 20. Që nga ajo kohë, qindra njerëz me zemër të sinqertë i janë përgjigjur mesazhit të Perëndisë për shpëtim. Përvojat e mëposhtme tregojnë se si po i mbledh Jehovai në vathën e tij këta njerëz të dëshirueshëm.—Hageu 2:7.
◻ Paulusi, që për të jetuar merret me bujqësi dhe që jeton në Namibinë Verilindore, u kontaktua fillimisht nga Dëshmitarët e Jehovait kur vizitoi kryeqytetin Unid’hok. Shumë shpejt, Paulusi u bind se kishte gjetur të vërtetën. Ai u kthye në shtëpi me librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Pastaj, kur po udhëtonte për në Rundu, qyteti më i afërt ku kishte një Sallë Mbretërie, Paulusi gjeti Dëshmitarët dhe iu lut që t’i shkonin për vizitë.
Megjithatë, largësia ishte shumë e madhe dhe Dëshmitarët nuk vinin dot që të drejtonin studim biblik çdo javë me Paulusin. Pa u shkurajuar, ai filloi ta studionte vetë Biblën. Përveç kësaj, u predikonte me zell të tjerëve rreth gjërave që po mësonte. Me kalimin e kohës, u formua një grup për studimin e Biblës. Kur grupi i vogël dëgjoi në radio se në Rundu do të mbahej një asamble e Dëshmitarëve të Jehovait, ata mblodhën fitimet e tyre të pakta dhe rregulluan një mjet transporti për të marrë pjesë.
Sa përvojë rrëqethëse ishte për ta shoqërimi për herë të parë me Dëshmitarët e Jehovait! Pak kohë pas kësaj u morën masa që vëllezër të kualifikuar ta vizitonin rregullisht këtë grup. Sot, në fshatin ku jeton Paulusi ka gjashtë lajmëtarë.
◻ Interesi i Johanës për emrin e Perëndisë lindi kur dëgjoi dikë që fliste keq për Dëshmitarët e Jehovait. Ajo kujton: «Që herën e parë kur dëgjova emrin Jehova, ai m’u fiksua përgjithmonë në mendje dhe fillova të pyes veten se kush është Jehovai. Jetoja së bashku me burrin në Uolvis-Bei, në bregdetin namibian. Një herë shkuam në qytet dhe pashë disa Dëshmitarë që po shpërndanin revistën Kulla e Rojës në rrugë. Mora një kopje dhe kërkova një studim biblik, sepse kisha shumë pyetje. Qava kur më informuan që nuk mund të vinin dot, sepse u ishte prishur automjeti. Jo shumë kohë pas kësaj më vdiq burri dhe shkova të jetoj në Ketmanshop. Atje kishin caktuar për të punuar një pionier special (ungjilltar në kohë të plotë) dhe prej tij mora librin E vërteta që çon në jetën e përjetshme. Që nga fillimi, e njoha tingullin e së vërtetës.
Me kalimin e kohës, më ftuan të merrja pjesë në veprën e predikimit, por frika e njeriut më mbyste. Ndërsa shkoja nga një derë në tjetrën, i lutesha Jehovait që më mirë të më linte të vdisja, sesa të predikoja. Kur mora pjesë për herë të parë në dëshminë në rrugë, u fsheha në një rrugicë të ngushtë, duke shpresuar se asnjëri nuk do të më shihte. Përfundimisht, mblodha guximin që më duhej për t’i ofruar një revistë një kalimtari dhe vetëm atëherë mezi ia dola të thosha diçka. Atë ditë, me ndihmën e Jehovait, e ndava shpresën time të bazuar në Bibël me shumë njerëz.
Sot, 12 vjet më vonë, edhe pse jam e varfër materialisht, e ruaj ende si thesar privilegjin e shërbimit të pionierit dhe vazhdoj të marr gëzim të jashtëzakonshëm nga ndarja e së vërtetës së Mbretërisë me të tjerët.»