A e krahason veten me të tjerët?
KUSH nga ne nuk ka njohur dikë që është më i pashëm, më i pëlqyer nga të tjerët, që i kupton gjërat më shpejt ose që merr nota më të mira në shkollë? Ndoshta të tjerët gëzojnë një shëndet më të mirë, kanë një punë më të mirë, janë më të suksesshëm ose duken se kanë më shumë miq. Mund të kenë më shumë gjëra, më shumë para, një makinë të tipit të fundit, dhe ndoshta duken se janë më të lumtur. Kur i vëmë re këto gjëra, a krahasohemi me të tjerët? A janë të pashmangshme këto krahasime? Pse duhet që një i krishterë t’i shmangë? Dhe si mund të jemi të kënaqur, edhe pa e krahasuar veten me dikë tjetër?
Pse dhe kur bëhen këto krahasime?
Mendohet se njerëzit krahasohen me të tjerët sepse në këtë mënyrë mbajnë ose e rritin vlerësimin që kanë për veten. Njerëzit shpesh kënaqen me idenë që mund të jenë po aq të suksesshëm sa edhe ata që janë në të njëjtën moshë dhe pozitë si ata. Një arsye tjetër mund të jetë se këto krahasime janë përpjekje për të pakësuar ndjenjën e pasigurisë te vetvetja, për të kuptuar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë dhe për të kuptuar deri ku arrijmë. Ne vëzhgojmë se deri në ç’pikë arrijnë të tjerët. Nëse në shumë drejtime janë si ne e kanë arritur disa synime, atëherë ndoshta mendojmë se edhe ne mund t’i arrijmë këto synime.
Krahasimet bëhen më shpesh midis njerëzve që kanë diçka të përbashkët, si për shembull midis atyre që janë të të njëjtit seks, të së njëjtës moshë, të së njëjtës klasë shoqërore dhe që njihen me njëri-tjetrin. Krahasimi ka më pak të ngjarë të bëhet me dikë që mendojmë se është shumë ndryshe nga ne. E thënë ndryshe, një adoleshente e zakonshme nuk mund të krahasohet me një top modele, por me shoqet e shkollës dhe, anasjelltas, top modelja nuk e krahason veten me një adoleshente.
Po në çfarë drejtimesh bëhen krahasimet? Baza e krahasimit mund të jetë çdo gjë që kemi ose çdo cilësi që konsiderohet e rëndësishme në një grup shoqëror, qoftë kjo inteligjenca, bukuria, pasuria ose veshja. Por, prirja është që të krahasohemi për gjërat që na interesojnë neve. Ndoshta nuk e lakmojmë koleksionin e pullave që ka një i njohuri ynë, nëse nuk na intereson koleksionimi i pullave.
Krahasimet zgjojnë një sërë ndjenjash duke filluar nga përbuzja e deri te depresioni, nga admirimi dhe ndjenja e konkurrencës deri te ankthi dhe armiqësia. Disa prej këtyre ndjenjave janë të dëmshme dhe jo në përputhje me cilësitë e krishtere.
Krahasime konkurruese
Shumë nga ata që duan të dalin «fitimtarë» në krahasimet që bëhen, shfaqin frymën e konkurrencës. Duan që të jenë më të mirë se të tjerët, dhe nuk gjejnë prehje derisa të binden se janë të tillë. Të rrish me këta njerëz nuk është diçka e këndshme. Miqësia me ta është sipërfaqësore, ndërsa marrëdhënia e tendosur. Këtyre personave jo vetëm që u mungon përulësia, por zakonisht nuk arrijnë as të zbatojnë këshillën e Biblës se duhet ta duam të afërmin. Kjo vjen sepse qëndrimi i tyre ngjall te të tjerët një ndjesi inferioriteti dhe përbuzjeje.—Mateu 18:1-5; Gjoni 13:34, 35.
Të tjerët lëndohen nëse i bën të ndihen si «dështakë». Sipas një shkrimtareje «dështimet tona bëhen edhe më të hidhura kur personat që janë në të njëjtën pozitë si ne kanë arritur ato që dëshirojmë ne». Pra fryma e konkurrencës nxit lakmi, mëri dhe pakënaqësi kundrejt dikujt, për shkak të atyre që zotëron, begatisë, pozitës, reputacionit, privilegjeve e kështu me radhë. Kjo e rrit edhe më shumë konkurrencën, duke formuar kështu një rreth vicioz ku sa më shumë përpiqesh ta zgjidhësh problemin, aq më shumë keqësohet gjendja. Sipas Biblës është e dënueshme t’i ‘ngjallim konkurrencë njëri-tjetrit’.—Galatasve 5:26.
Duke poshtëruar arritjet e rivalëve, ata që kanë smirë përpiqen të ruajnë vlerësimin për veten që tashmë ishte cënuar. Reagime të tilla mund të duken të vogla, por nëse nuk dallohen dhe nuk mbahen nën kontroll, këto mund të çojnë në keqbërje të mëdha. Shqyrtoni dy raste biblike ku në thelb ishte smira.
Gjatë qëndrimit të tij në vendin e filistinëve, Isaku u bekua me «kope dhënsh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu Filistejtë e patën zili». Ata u përpoqën të mbyllnin puset që kishte hapur babai i Isakut, Abrahami, dhe mbreti i filistinëve i kërkoi Isakut që të largohej prej aty. (Zanafilla 26:1-3, 12-16) Smira e tyre ishte keqdashëse dhe shkatërrimtare. Ata thjesht nuk mund ta duronin dot më idenë se Isaku po begatohej në mes tyre.
Shekuj më vonë, Davidi u shqua në fushën e betejës. Bëmat e tij lavdëroheshin nga gratë e Izraelit të cilat këndonin: «Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.» Megjithëse edhe atë po e lavdëronin, Saulit ky krahasim iu duk poshtërues dhe smira e trazoi përbrenda. Që nga ai çast, ai ushqeu ndjenja armiqësie kundrejt Davidit. Pa humbur kohë bëri përpjekjen e parë për të vrarë Davidin. Çfarë ligësie mund të vijë nga smira!—1 Samuelit 18:6-11.
Prandaj, nëse krahasimi me të tjerët, me bëmat ose privilegjet e tyre, ju ngjall ndjenja të tilla smire, kini kujdes! Këto janë ndjenja negative, të papajtueshme me mendimet e Perëndisë. Por para se të shqyrtojmë se si mund t’i largojmë nga mendja, le të shohim diçka tjetër që nxit konkurrencën.
Vetëvlerësimi dhe kënaqësia
‘A jam inteligjent, tërheqës, i zoti, në gjendje të mirë fizike, i respektueshëm dhe i adhurueshëm? Nëse po, deri në ç’masë?’ Rrallë na ndodh që t’ia bëjmë vetes këto pyetje para pasqyrës. Por, sipas një shkrimtareje «pa dyshim, pyetje të tilla na kalojnë shpesh nëpër mendje dhe në heshtje i japim përgjigje të atilla që në njëfarë mënyre janë të kënaqshme». Dikush që nuk është i sigurt për atë që mund të arrijë mund të reflektojë mbi këto gjëra pa u nxitur nga fryma e konkurrencës ose nga smira. Ky thjesht shikon veten se ku është, dhe kaq. Dhe këtu nuk ka absolutisht asgjë të gabuar. Por, mënyra e duhur për ta bërë këtë gjë nuk është duke e krahasuar veten me të tjerët.
Secili ka aftësi të ndryshme në varësi të një sërë faktorëve. Gjithmonë do të jetë dikush që duket se është më i zoti se ne. Kështu, në vend që t’i shohim me lakmi, duhet ta matim ose ta krahasojmë atë që bëjmë me normat e Perëndisë, të cilat na sigurojnë udhëheqjen e duhur për atë që është e drejtë ose e gabuar. Jehovait i intereson se si jemi ne si individë. Ai nuk ka nevojë të na krahasojë me asnjeri. Apostulli Pavël na këshillon: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.»—Galatasve 6:4.
Të luftojmë smirën
Për shkak të papërsosmërisë, mund të nevojiten përpjekje të mëdha dhe të pareshtura për të luftuar smirën. Është një gjë të dish se Shkrimet na thonë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit», por tjetër gjë është ta zbatosh. Pavli e dinte prirjen e tij për të mëkatuar. Për të luftuar këtë prirje, atij i duhej të ‘rrihte me grushta trupin e vet dhe ta drejtonte si një skllav’. (Romakëve 12:10; 1 Korintasve 9:27) Për ne kjo do të thotë t’i rezistojmë mendimeve për të konkurruar, duke i zëvendësuar me mendime pozitive. Duhet të lutemi, duke i kërkuar Jehovait ndihmë që ‘të mos mendojmë për veten më shumë sesa duhet të mendojmë’.—Romakëve 12:3.
Edhe studimi i Biblës dhe meditimi mund të na ndihmojnë. Për shembull, mendoni për Parajsën e ardhshme që na premton Perëndia. Në atë kohë të gjithë do të jetojnë në paqe, do të gëzojnë shëndet të mirë, do të kenë ushqim me bollëk, shtëpi të rehatshme dhe një punë të këndshme. (Psalmi 46:8, 9; 72:7, 8, 16; Isaia 65:21-23) A do të ketë ndonjë arsye që dikush të shfaqë frymën e konkurrencës? Aspak. Nuk do të ketë asnjë arsye për të pasur një frymë të tillë. Është e vërtetë që Jehovai nuk na ka shpjeguar çdo detaj se si do të jetë jeta në atë kohë, por kemi arsye për të besuar se të gjithë do të ndjekin interesat e tyre dhe do të zhvillojnë talentet që i pëlqejnë. Dikush mund të studiojë astronomi, dikush mund të disenjojë copa të bukura. E pse ta kenë zili njëri-tjetrin? Arritjet e njerëzve të tjerë do të jenë një nxitje për të bërë më shumë, e jo një shkak për smirë. Kjo ndjenjë konkurrence do të jetë pjesë e së shkuarës.
Nëse e dëshirojmë një jetë të tillë, a nuk duhet të bëjmë përpjekje për të ushqyer të njëjtën pikëpamje që tani? Tashmë jetojmë në një parajsë frymore, të lirë nga shumë probleme të botës që na rrethon. Meqë kjo frymë nuk do të ekzistojë në botën e re të Perëndisë, kjo është një arsye për ta shmangur që tani.
Atëherë qenka e gabuar të krahasohesh me të tjerët? Apo ka raste kur mund të jetë me vend?
Krahasime të përshtatshme
Shumë krahasime çojnë në reagime të hidhura dhe depresive, por nuk duhet të jenë gjithmonë kështu. Në lidhje me këtë, vini re se çfarë këshille dha apostulli Pavël: «Të jeni imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet.» (Hebrenjve 6:12) Mund të jetë frytdhënëse nëse përpiqemi të zhvillojmë cilësi si ato të shërbëtorëve të Jehovait në lashtësi. Është e vërtetë që kjo mund të përfshijë bërjen e krahasimeve. Por, mund të na ndihmojë të shqyrtojmë shembuj që mund t’i imitojmë dhe të kuptojmë ku kemi nevojë për të përmirësuar.
Mendoni pak Jonatanin. Në njëfarë mënyre kishte arsye për të qenë ziliqar. Si djali i madh i Saulit, mbretit të Izraelit, Jonatani mund të priste që ta merrte ai fronin, por Jehovai zgjodhi Davidin që ishte gati 30 vjet më i ri se ai. Në vend që të mbushej me maraz, Jonatani u dallua për miqësinë e tij të sinqertë dhe për mbështetjen që i dha Davidit si mbreti i emëruar nga Perëndia. Jonatani ishte vërtet një njeri frymor. (1 Samuelit 19:1-4) Ndryshe nga babai i tij që e konsideronte Davidin si një rival, Jonatani shihte dorën e Jehovait në këtë mes dhe i bindej vullnetit të Tij. Pra ai nuk e krahasonte veten me Davidin duke pyetur: «Pse pikërisht Davidi dhe jo unë?»
Me të bashkëkrishterët nuk duhet të ndihemi kurrë të kërcënuar, sikur të tjerët po përpiqen të na e kalojnë ose të na zënë vendin. Rivaliteti nuk duhet të ekzistojë. Të krishterët e pjekur karakterizohen nga fryma e bashkëpunimit, nga uniteti, nga dashuria dhe jo nga konkurrenca. «Dashuria është armiku më i madh i smirës,—thotë sociologu Françesko Alberoni.—Nëse e duam dikë, i duam të mirën dhe gëzohemi kur ka sukses dhe është i lumtur.» Kështu, nëse dikush zgjidhet për një privilegj të veçantë në kongregacionin e krishterë, dashuria do të na shtynte që të gëzohemi për të. Kështu ndihej edhe Jonatani. Ashtu si ai, do të bekohemi, nëse i mbështetim ata që me besnikëri shërbejnë në caktime me përgjegjësi në organizatën e Jehovait.
Shembujt e shkëlqyer që na kanë lënë të krishterët janë vërtet për t’u admiruar. Krahasimet e ekuilibruara me ta mund të na nxitin të imitojmë besimin e tyre. (Hebrenjve 13:7) Por, po të mos jemi të kujdesshëm, ky imitim mund të kthehet në konkurrencë. Nëse mendojmë se na e ka kaluar dikush që admirojmë dhe përpiqemi që ta ulim ose ta kritikojmë, atëherë ky nuk është imitim, por kthehet në smirë.
Asnjë njeri i papërsosur nuk është një model ideal për t’u ndjekur. Prandaj në Shkrime thuhet: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.» Gjithashtu, aty thuhet: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (Efesianëve 5:1, 2; 1 Pjetrit 2:21) Shembullin e Jehovait dhe të Jezuit—dashurinë, ngrohtësinë, empatinë dhe përulësinë e tyre—duhet të përpiqemi të imitojmë. Duhet të meditojmë gjatë për të krahasuar veten me cilësitë, qëllimet dhe me mënyrën e tyre të të vepruarit. Një krahasim i tillë mund të na e pasurojë jetën, mund të na sigurojë udhëheqjen e duhur, mund të na japin qëndrueshmëri dhe siguri, e mund të na ndihmojë të rritemi frymësisht derisa të arrijmë pjekurinë e krishterë. (Efesianëve 4:13) Nëse përqendrohemi dhe bëjmë maksimumin për të imituar shembullin e tyre të përsosur, atëherë do të jemi më pak të prirur për ta krahasuar veten me të tjerët.
[Figura në faqet 28, 29]
Mbreti Saul e kishte zili Davidin
[Figura në faqen 31]
Jonatani nuk e konsideroi kurrë si rival Davidin, edhe pse ishte më i ri