BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w20 shkurt f. 1-32
  • Lufto zilinë dhe kërko me ngulm paqen

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Lufto zilinë dhe kërko me ngulm paqen
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • CILAT GJËRA MUND TË NGJALLIN ZILI?
  • MËSO TË JESH I PËRULUR E I KËNAQUR
  • ‘BËJ ÇMOS T’I HAPËSH RRUGË PAQES’
  • Zilia​—Një tipar që mund të na helmojë mendjen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Sekretet e lumturisë
    Zgjohuni!—2014
  • A e krahason veten me të tjerët?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Mos ngjall konkurrencë—Nxit paqen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2021 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
w20 shkurt f. 1-32

ARTIKULLI I STUDIMIT 8

Lufto zilinë dhe kërko me ngulm paqen

«Le të bëjmë çmos t’i hapim rrugë paqes dhe të forcojmë njëri-tjetrin.»—ROM. 14:19.

KËNGA 113 Paqja jonë

PËRMBLEDHJEa

1. Si ndikoi zilia te familja e Jozefit?

JAKOBI i donte të gjithë djemtë e tij, por kishte dobësi për Jozefin 17-vjeçar. Si reaguan vëllezërit e Jozefit? E shihnin me zili, dhe zilia i mbushi me mllef. Jozefi nuk kishte bërë asgjë që vëllezërit ta urrenin. Megjithatë, ata e shitën si skllav dhe e gënjyen të atin, duke i thënë se djalin e tij të preferuar e kishte vrarë një kafshë e egër. Si pasojë e zilisë, prishën paqen në familje dhe i copëtuan zemrën babait.—Zan. 37:3, 4, 27-34.

2. Sipas Galatasve 5:19-21, pse zilia është tepër e rrezikshme?

2 Në Shkrime, ziliab renditet ndër «veprat e trupit mëkatar» që janë vdekjeprurëse dhe mund ta bëjnë dikë të padenjë të trashëgojë Mbretërinë e Perëndisë. (Lexo Galatasve 5:19-21.) Shpesh zilia është rrënja e fryteve të tilla helmuese, si armiqësitë, grindjet dhe shpërthimet e zemërimit.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Shembulli i vëllezërve të Jozefit tregon si mund t’i dëmtojë zilia marrëdhëniet brenda familjes dhe të prishë paqen. Edhe pse s’do ta bënim kurrë atë që bënë vëllezërit e Jozefit, të gjithë kemi një zemër të papërsosur dhe të pabesë. (Jer. 17:9) Prandaj s’është çudi që hera-herës të luftojmë me ndjenjat e zilisë. Le të ndalemi te disa shembuj paralajmërues nga Bibla, që na ndihmojnë të dallojmë arsyet pse mund të hedhë rrënjë në zemër zilia. Pastaj do të shohim disa mënyra praktike si ta luftojmë zilinë dhe të nxitim paqen.

CILAT GJËRA MUND TË NGJALLIN ZILI?

4. Pse filistinët e shihnin me zili Isakun?

4 Të mirat materiale. Isaku ishte i pasur dhe filistinët e kishin zili begatinë e tij. (Zan. 26:12-14) Ata madje mbyllën puset ku Isaku nxirrte ujë për dhentë e gjedhët. (Zan. 26:15, 16, 27) Ashtu si filistinët, disa sot i gërryen zilia kur dikush ka më shumë të mira materiale. Jo vetëm i dëshirojnë gjërat që ka tjetri, por edhe duan t’ia zhvatin që të mos i ketë më.

5. Pse krerët fetarë e shihnin me zili Jezuin?

5 Vlerësimi që i tregohet dikujt. Krerët fetarë judenj e kishin zili Jezuin ngaqë njerëzit e thjeshtë e vlerësonin shumë. (Mat. 7:28, 29) Jezui ishte përfaqësuesi i Perëndisë dhe mësonte të vërtetën. E megjithatë, ata krerë fetarë përhapnin gënjeshtra dashakeqe dhe shpifje për t’i prishur emrin e mirë. (Mar. 15:10; Gjoni 11:47, 48; 12:12, 13, 19) Çfarë paralajmërimi gjejmë këtu? Duhet të luftojmë çdo prirje për t’i pasur zili ata që janë të dashur për vëllezërit e motrat, ngaqë kanë cilësi të mira. Në vend të kësaj, të përpiqemi t’i imitojmë këto cilësi tërheqëse.—1 Kor. 11:1; 3 Gjon. 11.

6. Si nxori kokë zilia në rastin e Diotrefit?

6 Caktimet teokratike. Në shekullin e parë, Diotrefin e brente zilia për ata që merrnin drejtimin në kongregacionin e krishterë. Ai donte ‘të ishte i pari’ mes pjesëtarëve të kongregacionit, prandaj përhapi fjalë keqdashëse, që kongregacioni të humbte respektin për apostullin Gjon dhe vëllezër të tjerë me përgjegjësi. (3 Gjon. 9, 10) Ndonëse nuk do të shkonim kurrë aq larg sa Diotrefi, edhe ne mund të fillojmë ta shohim me zili një bashkëbesimtar kur merr një caktim që shpresonim ta merrnim vetë—sidomos nëse mendojmë që jemi po aq të kualifikuar sa ai për atë përgjegjësi.

Kolazh: 1. Një lule e shëndetshme që i ka rrënjët në tokë të mirë. 2. Të njëjtës lule po ia marrin frymën barërat e këqija. 3. Tri motra bisedojnë të gëzuara në Sallën e Mbretërisë, ndërsa një motër tjetër rri vetëm dhe duket e mërzitur.

Zemra jonë është si toka, cilësitë e mira janë si lule të bukura, kurse zilia është si një bar i keq helmues. Zilia mund të pengojë rritjen e cilësive të bukura, si dashuria, dhembshuria dhe mirësia (Shih paragrafin 7)

7. Si mund të ndikojë te ne zilia?

7 Zilia është si një bar i keq helmues. Po hodhi rrënjë në zemër, mund të jetë e zorshme të shkulet. Zilia ushqehet nga ndjenja të tjera negative, si xhelozia e gabuar, krenaria dhe egoizmi. Ajo mund të pengojë rritjen e cilësive të mira, si dashuria, dhembshuria dhe mirësia. Sapo pikasim se zilia po nxjerr kokë, duhet ta çrrënjosim nga zemra. Si mund ta luftojmë zilinë?

MËSO TË JESH I PËRULUR E I KËNAQUR

Kolazh: 1. Një lule e shëndetshme që i ka rrënjët në tokë të mirë. 2. Dikush shkul barërat e këqija afër lules. 3. Katër motra bisedojnë të gëzuara në Sallën e Mbretërisë.

Si ta luftojmë zilinë, që është si bar i keq? Me ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, mund ta çrrënjosim zilinë dhe të mësojmë të jemi të përulur e të kënaqur (Shih paragrafët 8-9)

8. Cilat cilësi mund të na ndihmojnë ta luftojmë zilinë?

8 Mund ta luftojmë zilinë duke mësuar të jemi të përulur e të kënaqur. Kur në zemrën tonë lulëzojnë këto cilësi, zilia nuk do të ketë vend ku të rritet. Përulësia do të na ndihmojë të mos kemi opinion tepër të lartë për veten. Një njeri i përulur nuk mendon se meriton më tepër se të tjerët. (Gal. 6:3, 4) Një njeri i kënaqur ndihet mirë për atë që ka dhe nuk krahasohet me të tjerët. (1 Tim. 6:7, 8) Kur njeriu i përulur e i kënaqur sheh se dikush merr diçka të mirë, gëzon për të.

9. Për çfarë do të na ndihmojë fryma e shenjtë, sipas Galatasve 5:16 dhe Filipianëve 2:3, 4?

9 Kemi nevojë për frymën e shenjtë të Perëndisë që të shmangim prirjen tonë si njerëz të papërsosur për të ndier zili dhe që të mësojmë të jemi të përulur e të kënaqur. (Lexo Galatasve 5:16; Filipianëve 2:3, 4.) Fryma e shenjtë e Jehovait mund të na ndihmojë të hetojmë mendimet dhe motivet tona më të thella. Me ndihmën e Perëndisë, mund t’i zëvendësojmë ndjenjat e mendimet helmuese me ndjenja e mendime të dobishme. (Psal. 26:2; 51:10) Të ndalemi te shembulli i Moisiut dhe i Pavlit, që ia dolën ta mposhtnin prirjen për të ndier zili.

Moisiu, Josiu dhe një grup izraelitësh qëndrojnë pranë tendës së takimit. Josiu i kërkon Moisiut t’i ndalojë dy burrat që veprojnë si profetë.

Një djalë izraelit shkon me vrap te Moisiu dhe Josiu e i njofton se dy burra në kamp po veprojnë si profetë. Josiu i kërkon Moisiut t’i ndalojë, por Moisiu refuzon. Madje i tregon Josiut se është i kënaqur që Jehovai ka vënë frymën e Tij mbi ta. (Shih paragrafin 10)

10. Cila situatë mund të kishte qenë një sprovë për Moisiun? (Shih figurën e kopertinës.)

10 Moisiu kishte shumë autoritet mbi popullin e Perëndisë, por nuk e ruajti me fanatizëm atë privilegj. Në një rast, për shembull, Jehovai mori ca nga fryma e shenjtë që kishte Moisiu e ia dha një grupi pleqsh izraelitë, që rrinin afër tendës së takimit. Pak më vonë, Moisiu mori vesh se edhe dy pleq të tjerë që nuk kishin shkuar te tenda e takimit, kishin marrë frymën e shenjtë dhe po vepronin si profetë. Si reagoi ai kur Josiu i kërkoi t’i ndalonte dy pleqtë? Moisiu nuk u bë ziliqar për vëmendjen që po u kushtonte Jehovai atyre dy burrave. Përkundrazi, me përulësi gëzoi për privilegjin që morën. (Num. 11:24-29) Çfarë na mëson shembulli i Moisiut?

Kolazh: 1. Gjatë një mbledhjeje të trupit të pleqve, një vëllai të moshuar i kërkohet të stërvitë një plak më të ri për të drejtuar Studimin e Kullës së Rojës. 2. Plaku më i ri drejton Studimin e Kullës së Rojës ndërsa vëllai i moshuar është ulur dhe dëgjon me vëmendje. 3. Vëllai i moshuar i shtrëngon dorën plakut më të ri dhe e lavdëron.

Si mund ta imitojnë pleqtë qëndrimin e përulur të Moisiut? (Shih paragrafët 11-12)c

11. Si mund ta imitojnë pleqtë Moisiun?

11 Nëse je plak, a të kanë kërkuar ndonjëherë të stërvitësh dikë për një privilegj që ty të pëlqen shumë? Për shembull, mbase e ke shumë për zemër privilegjin që të drejtosh Studimin e Kullës së Rojës çdo javë. Si do të ndihesh nëse të kërkojnë të stërvitësh një vëlla tjetër që, me kohë, të jetë i aftë për atë privilegj? Po të jesh i përulur si Moisiu, nuk do të ndihesh sikur s’ke më aq vlerë. Përkundrazi, do ta ndihmosh me kënaqësi vëllanë tënd.

12. Si e tregojnë sot shumë shërbëtorë të Jehovait se janë të përulur e të kënaqur me atë që kanë?

12 Të mendojmë për një sfidë tjetër që hasin shumë vëllezër të moshuar. Ata kanë shërbyer për dekada si koordinatorë të trupit të pleqve. Por kur mbushin 80 vjeç, heqin dorë me gatishmëri nga ky caktim. Mbikëqyrësit qarkorë që arrijnë moshën 70-vjeçare, me përulësi heqin dorë nga privilegji i tyre dhe pranojnë caktime në forma të tjera shërbimi. Veç kësaj, vitet e fundit, shumë pjesëtarë të familjes Bethel përqark botës kanë filluar caktime të reja jashtë Bethelit. Këta besnikë nuk ndiejnë mllef ndaj atyre që mbase po përmbushin caktimet që dikur i kryenin vetë.

13. Pse mund t’i kishte parë me zili Pavli 12 apostujt?

13 Apostulli Pavël është një tjetër shembull i mirë, sepse edhe ai mësoi të ishte i kënaqur e i përulur. Pavli nuk lejoi t’i rritej në zemër zilia. Ai punoi pa u kursyer në shërbim, por tha me përulësi: «Unë jam në fakt më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull.» (1 Kor. 15:9, 10) Të 12 apostujt e kishin shoqëruar Jezuin gjatë shërbimit të tij në tokë, kurse Pavli u bë i krishterë vetëm pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit. Edhe pse më vonë u emërua «apostull i kombeve», Pavli nuk kualifikohej për privilegjin e veçantë që të bëhej një nga 12 apostujt. (Rom. 11:13; Vep. 1:21-26) Në vend që t’i kishte zili ata 12 burra dhe shoqërinë e tyre të ngushtë me Jezuin, Pavli vazhdoi të ndihej i kënaqur me atë që kishte.

14. Çfarë do të bëjmë nëse jemi të kënaqur e të përulur?

14 Nëse jemi të kënaqur e të përulur, do të imitojmë Pavlin dhe do të tregojmë respekt për ata që Jehovai u ka dhënë autoritet. (Vep. 21:20-26) Ai i ka organizuar gjërat në mënyrë të tillë që burra të emëruar të marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë. Pavarësisht nga papërsosmëritë e tyre, Jehovai i sheh si «dhurata në njerëz». (Efes. 4:8, 11) Kur i respektojmë këta burra të emëruar dhe ndjekim me përulësi drejtimin e tyre, qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe gëzojmë paqe me vëllezërit e motrat.

‘BËJ ÇMOS T’I HAPËSH RRUGË PAQES’

15. Çfarë kemi nevojë të bëjmë?

15 Aty ku lulëzon zilia, nuk mund të ketë paqe. Duhet ta çrrënjosim zilinë nga zemra jonë dhe të mos mbjellim ndjenja zilie te të tjerët. Kemi nevojë t’i bëjmë këto gjëra të rëndësishme, që t’i bindemi urdhrit të Jehovait: ‘Bëni çmos t’i hapni rrugë paqes dhe të forconi njëri-tjetrin.’ (Rom. 14:19) Ç’mund të bëjmë konkretisht që t’i ndihmojmë të tjerët ta luftojnë zilinë, dhe si mund të nxitim paqen?

16. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët ta luftojnë zilinë?

16 Qëndrimi dhe veprimet tona mund të ndikojnë thellë te të tjerët. Bota dëshiron ‘të mburremi’ me gjërat që kemi. (1 Gjon. 2:16) Mirëpo ky qëndrim u fryn flakëve të zilisë. Nëse nuk flasim orë e çast për gjërat që kemi a që duam të blejmë, mund t’i ndihmojmë të tjerët të mos ushqejnë zili. Një mënyrë tjetër si t’i ndihmojmë ta luftojnë zilinë, është të jemi modestë për caktimet që kemi në kongregacion. Nëse e tërheqim vëmendjen te privilegjet tona në shërbim, krijojmë një tokë pjellore ku mund të rritet zilia. Ama, kur tregojmë interes të sinqertë për të tjerët dhe i përmendim të mirat që bëjnë, i ndihmojmë të ndihen të kënaqur dhe nxitim unitetin e paqen në kongregacion.

17. Çfarë arritën të bënin vëllezërit e Jozefit, dhe pse?

17 Është e mundur ta fitojmë betejën kundër zilisë! T’i kthehemi shembullit të vëllezërve të Jozefit. Ata e takuan Jozefin në Egjipt shumë vjet pasi ishin sjellë keq me të. Para se t’u tregonte vëllezërve kush ishte vërtet, Jozefi i vuri në provë për të kuptuar në kishin ndryshuar. Ai shtroi një drekë ku i kushtoi shumë më tepër vëmendje Beniaminit, vëllait të vogël. (Zan. 43:33, 34) Prapëseprapë, nuk pa asnjë shenjë se vëllezërit u bënë ziliqarë për Beniaminin. Përkundrazi, treguan merak të sinqertë për vëllanë dhe për babanë e tyre, Jakobin. (Zan. 44:30-34) Ngaqë e kishin çrrënjosur zilinë, vëllezërit e Jozefit arritën të rivendosnin paqen në familje. (Zan. 45:4, 15) Edhe ne, nëse çrrënjosim çdo gjurmë zilie, do të ndihmojmë të ruhet paqja në familje dhe në kongregacion.

18. Sipas Jakovit 3:17, 18, ç’do të ndodhë nëse ndihmojmë të krijohet një ambient paqësor?

18 Jehovai dëshiron ta luftojmë zilinë dhe të kërkojmë me ngulm paqen. Duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për të dyja këto. Siç e pamë në këtë artikull, kemi prirjen të ndiejmë zili. (Jak. 4:5) Gjithashtu rrethohemi nga një botë që ushqen zilinë. Por nëse mësojmë të jemi të përulur, të kënaqur e mirënjohës, nuk do të lëmë vend në zemër për zilinë. Përkundrazi, do të ndihmojmë të krijohet një ambient paqësor, ku mund të rriten cilësi të bukura, frytet e drejtësisë.—Lexo Jakovin 3:17, 18.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si mund të na ndihmojë fryma e shenjtë të luftojmë zilinë?

  • Si mund të na ndihmojë qëndrimi i përulur e i kënaqur të luftojmë zilinë?

  • Si mund t’i ndihmojë të tjerët qëndrimi ynë i mirë ta luftojnë zilinë?

KËNGA 130 Ji falës

a Në organizatën e Jehovait mbizotëron paqja. Por kjo paqe mund të prishet nëse lejojmë që ndjenjat e zilisë të hedhin rrënjë. Në këtë artikull do të shohim cilat gjëra mund të ngjallin zili. Do të shqyrtojmë edhe si ta luftojmë këtë ndjenjë helmuese dhe si të nxitim paqen.

b SHPJEGIMI I FJALËS: Siç tregon Bibla, zilia mund ta shtyjë dikë jo vetëm të dëshirojë diçka që ka një tjetër, por edhe t’ia zhvatë që të mos e ketë më.

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë një mbledhjeje të trupit të pleqve, një vëllai të moshuar që drejton Studimin e Kullës së Rojës në kongregacion, i kërkohet të stërvitë një plak më të ri për atë privilegj. Ndonëse e do shumë caktimin e tij, vëllai i moshuar e mbështet me gjithë shpirt vendimin e pleqve duke i dhënë vëllait më të ri sugjerime praktike dhe lavdërime nga zemra.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo