A ekziston Djalli vërtet?
SI E mendon Djallin? A e mendon si një person real, që i tundon njerëzit të bëjnë të këqija, apo e sheh thjesht si mishërim të ligësisë? A duhet të kemi frikë nga Djalli apo duhet ta shpërfillim si asgjë më tepër se një besëtytni a një qenie e sajuar mitologjike? A është fjala «djall» veç një simbol i ligësisë që vërehet te njerëzit, siç pohojnë sot mjaft teologë?
Nuk është çudi që njerëzit kanë mendime nga më të ndryshmet për pyetjen se kush është Djalli. Imagjino sa e vështirë mund të jetë të zbulosh identitetin e vërtetë të dikujt që është mjeshtër për t’u maskuar! Kjo bëhet edhe më e vështirë, nëse ai është i vendosur të qëndrojë i fshehur pas një maske. Bibla e përshkruan Djallin si një person të tillë. I referohet me emrin Satana, dhe thotë: «Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite.» (2 Korintasve 11:14) Ndonëse është i lig, Djalli hiqet si i mirë, për të mashtruar të tjerët. E nëse arrin t’i bëjë njerëzit të besojnë se as nuk ekziston fare, kjo i shkon edhe më për shtat qëllimit të tij.
Kush është, pra, në të vërtetë Djalli? Kur dhe si erdhi në ekzistencë? Si ndikon sot te njerëzit? A i bëjmë dot ballë ndikimit të tij, e nëse po, si? Bibla tregon historinë e vërtetë të Djallit, që nga zanafilla e tij, dhe u jep përgjigje të sakta këtyre pyetjeve.
[Figura në faqen 3]
Sa e vështirë është të zbulosh identitetin e dikujt që është i vendosur të qëndrojë i fshehur pas një maske!