BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w08 15/8 f. 3-7
  • Jehovai nuk do t’i braktisë besnikët e vet

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai nuk do t’i braktisë besnikët e vet
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kur janë të shtypur
  • Kur janë nën ndikimet apostate
  • Kur përmbushin caktimet që u ka dhënë Perëndia
  • Jehovai do t’i mbrojë besnikët e vet
  • Jeroboami
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Mbretëria ndahet
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Mbretëria ndahet
    Libri im i tregimeve biblike
  • Të qëndrojmë besnikë duke pasur zemrën të bashkuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
w08 15/8 f. 3-7

Jehovai nuk do t’i braktisë besnikët e vet

«[Jehovai] nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur.»—PSAL. 37:28.

1, 2. (a) Cilat ngjarje në shekullin e dhjetë p.e.s. vunë në provë besnikërinë e shërbëtorëve të Perëndisë? (b) Cilat ishin tri rrethanat kur Jehovai i mbrojti besnikët e tij?

ËSHTË shekulli i dhjetë p.e.s., dhe ka ardhur koha që shërbëtorët e Jehovait të marrin një vendim. Lufta civile është shmangur për një fije dhe kështu fiset veriore të trazuara të Izraelit kanë njëfarë pavarësie. Mbreti i sapoemëruar, Jeroboami, vepron me të shpejtë për të forcuar pushtetin, duke themeluar një fe të re zyrtare. Ai kërkon nga nënshtetasit besnikëri të plotë. Çfarë do të bëjnë shërbëtorët besnikë të Jehovait? A do t’i mbeten besnikë Perëndisë që adhurojnë? Mijëra prej tyre qëndrojnë besnikë dhe Jehovai i vëren teksa mbajnë integritetin.—1 Mbret. 12:1-33; 2 Kron. 11:13, 14.

2 Besnikëria e shërbëtorëve të Perëndisë po vihet në provë edhe sot. Bibla paralajmëron: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» A mund ‘t’i kundërvihemi’ me sukses, «të fortë në besim»? (1 Pjet. 5:8, 9) Le të shqyrtojmë disa ngjarje që lidhen me hipjen në fron të mbretit Jeroboam në vitin 997 p.e.s., dhe le të shohim se çfarë mund të mësojmë prej tyre. Gjatë atyre kohëve kritike, shërbëtorët besnikë të Jehovait ishin të shtypur. Gjithashtu ishin nën ndikimet apostate teksa përmbushnin caktime të vështira. Në secilën nga këto rrethana, Jehovai nuk i braktisi besnikët e tij, e po kështu do të veprojë edhe sot.—Psal. 37:28.

Kur janë të shtypur

3. Pse sundimi i mbretit David nuk ishte shtypës?

3 Le të shqyrtojmë së pari rrethanat kur Jeroboami u bë mbret. Te Proverbat 29:2 thuhet: «Kur sundon njeriu i lig, populli psherëtin.» Nën mbretërimin e Davidit, në kohën e Izraelit të lashtë, njerëzit nuk psherëtinin. Davidi nuk ishte i përsosur, por ishte besnik ndaj Perëndisë dhe kishte besim tek ai. Sundimi i Davidit nuk ishte shtypës. Jehovai bëri një besëlidhje me Davidin kur i tha: «Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë përjetë të palëkundura. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.»—2 Sam. 7:16.

4. Nga se vareshin bekimet gjatë sundimit të Solomonit?

4 Sundimi i birit të Davidit, Solomonit, në fillim ishte kaq paqësor dhe i begatë, sa fare mirë mund të paraqiste Mbretërimin Mijëvjeçar të Jezu Krishtit. (Psal. 72:1, 17) Asnjë nga 12 fiset e Izraelit në atë kohë nuk kishte arsye të rebelohej. Megjithatë, bekimet që gëzonin Solomoni dhe nënshtetasit e tij ishin të kushtëzuara. Jehovai i kishte thënë Solomonit: «Nëse ecën sipas ligjeve të mia, nëse zbaton vendimet e mia gjyqësore dhe i mban vërtet të gjitha urdhërimet e mia duke ecur sipas tyre, unë do ta mbaj fjalën që i thashë për ty Davidit, atit tënd, për këtë shtëpi që po ndërton. Unë do të banoj mes bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim, Izraelin.»—1 Mbret. 6:11-13.

5, 6. Çfarë erdhi si pasojë e jobesnikërisë së Solomonit ndaj Perëndisë?

5 Kur ishte i moshuar, Solomoni nuk qëndroi besnik ndaj Jehovait dhe filloi të përfshihej në adhurimin e rremë. (1 Mbret. 11:4-6) Dalëngadalë Solomoni nuk iu bind më ligjeve të Jehovait dhe u bë gjithnjë e më shtypës. Shtypja ishte aq e rëndë, saqë pas vdekjes së tij, populli u ankua për Solomonin para birit dhe pasuesit të tij, Rehoboamit, e kërkoi lehtësim. (1 Mbret. 12:4) Si reagoi Jehovai kur Solomoni nuk u tregua besnik?

6 Në Bibël thuhet: «Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit, sepse zemra e tij ishte larguar nga . . . Perëndia i Izraelit, nga ai që iu shfaq dy herë.» Jehovai i tha Solomonit: «Meqë . . . nuk respektove besëlidhjen time dhe ligjet që të urdhërova, unë do ta heq patjetër mbretërinë prej teje dhe kam për t’ia dhënë shërbëtorit tënd.»—1 Mbret. 11:9-11.

7. Si u kujdes Jehovai për besnikët e vet, megjithëse Solomoni humbi miratimin e Tij?

7 Atëherë Jehovai dërgoi profetin Akijah që të miroste atë që do t’i sillte çlirim popullit. Ky ishte Jeroboami, njeri i zoti që punonte në qeverinë e Solomonit. Megjithëse Jehovai qëndroi besnik ndaj besëlidhjes për Mbretërinë që bëri me Davidin, Ai miratoi që 12 fiset të ndaheshin në dy grupe. Dhjetë fise do t’i jepeshin Jeroboamit, kurse dy do të sundoheshin nga linja familjare e Davidit, që tani përfaqësohej nga mbreti Rehoboam. (1 Mbret. 11:29-37; 12:16, 17, 21) Jehovai i tha Jeroboamit: «Nëse i bindesh gjithçkaje që do të të urdhëroj, nëse ecën në udhët e mia dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar ligjet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty. Do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu siç kam ndërtuar për Davidin, dhe do të të jap Izraelin.» (1 Mbret. 11:38) Jehovai veproi në dobi të popullit të vet dhe i siguroi një mënyrë për t’i sjellë lehtësim nga shtypja.

8. Cilat sprova e shtypin sot popullin e Perëndisë?

8 Edhe sot ka shumë shtypje e padrejtësi. «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij»,—thuhet tek Eklisiastiu 8:9. Tregtia lakmitare dhe sundimi i korruptuar mund të sjellin kushte të vështira ekonomike. Udhëheqësit politikë, tregtarë dhe fetarë shpesh nuk lënë një shembull të mirë moral. Prandaj, ashtu si Loti i drejtë, edhe sot shërbëtorët besnikë të Perëndisë i ‘brengos së tepërmi sjellja e shthurur pas së cilës jepen njerëzit që sfidojnë ligjin’. (2 Pjet. 2:7) Për më tepër, ndërsa përpiqemi me qetësi të jetojmë sipas normave të Perëndisë, shpesh bëhemi shënjestra e përndjekjes nga sundimtarë arrogantë.—2 Tim. 3:1-5, 12.

9. (a) Çfarë ka bërë tashmë Jehovai për ta çliruar popullin e tij? (b) Pse jemi të sigurt që Jezui do të jetë gjithnjë besnik ndaj Perëndisë?

9 Por jemi të sigurt për këtë të vërtetë jetësore: Jehovai nuk do t’i braktisë besnikët e vet! Vetëm mendoni për hapat që tashmë ai ka ndërmarrë për të zëvendësuar sundimtarët e korruptuar të botës. Mbretëria mesianike e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit tashmë është vendosur. Jezu Krishti ka rreth njëqind vjet që sundon në qiell. Së shpejti ai do t’u sjellë lehtësim të plotë atyre që i frikësohen emrit të Perëndisë. (Lexo Zbulesën 11:15-18.) Jezui është treguar besnik ndaj Perëndisë deri në vdekje. Ai nuk do t’i zhgënjejë kurrë nënshtetasit e tij siç bëri Solomoni.—Hebr. 7:26; 1 Pjet. 2:6.

10. (a) Si mund ta tregojmë se e çmojmë Mbretërinë e Perëndisë? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt kur jemi nën sprova?

10 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale që do t’i japë fund çdo shtypjeje. Besnikëria jonë i përket Perëndisë Jehova dhe Mbretërisë së tij. Me besim të plotë te Mbretëria, hedhim poshtë paperëndishmërinë e botës dhe kryejmë me zell vepra të shkëlqyera. (Titit 2:12-14) Përpiqemi të qëndrojmë të panjollë nga kjo botë. (2 Pjet. 3:14) Çfarëdo sprove që të hasim tani, jemi të sigurt se Jehovai do të na mbrojë kur besimi ynë të jetë përballë sulmeve. (Lexo Psalmin 97:10.) Për më tepër, Psalmi 116:15 na siguron: «Në sytë e Jehovait është e shtrenjtë vdekja e besnikëve të tij.» Shërbëtorët e Jehovait janë aq të çmuar për të, saqë Ai nuk do të lejojë që të zhduken si grup.

Kur janë nën ndikimet apostate

11. Si ndodhi që Jeroboami nuk u tregua besnik?

11 Sundimi i mbretit Jeroboam mund t’i kishte sjellë njëfarë lehtësimi popullit të Perëndisë. Por veprimet e tij e vunë më tej në sprovë besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë. I pakënaqur me nderimin dhe privilegjin që tashmë i ishte dhënë, Jeroboami filloi të kërkonte mënyra për të forcuar pozitën e tij. Ai bëri këtë arsyetim: «Nëse këta njerëz shkojnë në shtëpinë e Jehovait në Jerusalem për të bërë flijime, zemra e tyre do të kthehet patjetër te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Me siguri do të më vrasin dhe do të kthehen te Rehoboami, mbreti i Judës.» Prandaj, Jeroboami themeloi një fe të re që përqendrohej tek adhurimi i dy viçave të artë. «Pastaj njërin e vuri në Bethel, kurse tjetrin në Dan. Kjo gjë u bë shkak për mëkat, sepse populli filloi të shkonte në Dan për të adhuruar para viçit që gjendej atje. Jeroboami nisi të bënte shenjtërore në vende të larta. Gjithashtu, bëri priftërinj njerëz të zakonshëm, që nuk ishin nga bijtë e Levit.» Madje Jeroboami sajoi vetë «një festë për bijtë e Izraelit dhe mbi altar paraqiti tymin e blatimit».—1 Mbret. 12:26-33.

12. Çfarë bënë shërbëtorët besnikë të Perëndisë në mbretërinë veriore kur Jeroboami themeloi adhurimin e viçit në Izrael?

12 Çfarë do të bënin tani shërbëtorët besnikë të Perëndisë që ndodheshin në mbretërinë veriore? Ashtu si paraardhësit e tyre besnikë, levitët që jetonin në qytetet që u ishin dhënë në territorin e mbretërisë veriore, nuk humbën kohë për të reaguar. (Dal. 32:26-28; Num. 35:6-8; Ligj. 33:8, 9) Duke lënë pas trashëgiminë e tyre, i zhvendosën familjet në jug të Judës, ku mund të vazhdonin të adhuronin Jehovain lirisht. (2 Kron. 11:13, 14) Izraelitë të tjerë që jetonin përkohësisht në Judë, vendosën të qëndronin aty përfundimisht, në vend që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. (2 Kron. 10:17) Jehovai bëri të mundur që udha e adhurimit të vërtetë të qëndronte e hapur, në mënyrë që në brezat e mëvonshëm, individë të tjerë nga mbretëria veriore të hiqnin dorë nga adhurimi i viçit dhe të riktheheshin në Judë.—2 Kron. 15:9-15.

13. Si e kanë vënë në provë ndikimet apostate popullin e Perëndisë në kohët e sotme?

13 Apostatët dhe ndikimet e tyre kërcënojnë popullin e Perëndisë edhe sot. Disa sundimtarë janë përpjekur të themelojnë një formë të tyre të fesë zyrtare, duke u bërë presion nënshtetasve të tyre që ta pranojnë. Kleri i krishterimit të rremë dhe njerëz të tjerë kryeneçë kanë pretenduar se përbëjnë priftërinë e tempullit frymor. Por, vetëm mes të krishterëve të vërtetë gjejmë të mirosur të vërtetë që përbëjnë ‘priftërinë mbretërore’.—1 Pjet. 2:9; Zbul. 14:1-5.

14. Si duhet të reagojmë ndaj mendimeve apostate?

14 Ashtu si levitët besnikë në shekullin e dhjetë p.e.s, edhe sot shërbëtorët besnikë të Perëndisë nuk mashtrohen nga idetë apostate. Të mirosurit dhe bashkëpunëtorët e tyre të krishterë i shmangin dhe i hedhin poshtë menjëherë idetë apostate. (Lexo Romakëve 16:17.) Edhe pse i nënshtrohemi me gatishmëri autoriteteve qeveritare në lidhje me çështjet jofetare, ne qëndrojmë asnjanës në konfliktet botërore dhe besnikë ndaj Mbretërisë së Perëndisë. (Gjoni 18:36; Rom. 13:1-8) Ne hedhim poshtë pohimet e rreme të atyre që thonë se i shërbejnë Perëndisë dhe në të njëjtën kohë e çnderojnë atë me sjelljen e tyre.—Titit 1:16.

15. Pse «skllavi i besueshëm dhe i matur» meriton besnikërinë tonë?

15 Mendoni edhe për faktin se Jehovai ka bërë të mundur që, në kuptimin e figurshëm, njerëz të sinqertë të dalin nga kjo botë e të hyjnë në parajsën frymore që ka krijuar ai. (2 Kor. 12:1-4) Me zemrën plot mirënjohje qëndrojmë afër ‘skllavit të besueshëm dhe të matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur’. Krishti e ka emëruar këtë skllav «mbi gjithë zotërimet e veta». (Mat. 24:45-47) Prandaj, edhe sikur individualisht të mos kuptojmë plotësisht ndonjë qëndrim që merr klasa e skllavit, kjo nuk është një arsye që të mos e pranojmë ose të rikthehemi te bota e Satanait. Përkundrazi, besnikëria do të na nxitë të veprojmë me përulësi dhe të presim që Jehovai t’i qartësojë gjërat.

Kur përmbushin caktimet që u ka dhënë Perëndia

16. Çfarë caktimi mori një profet nga Juda?

16 Jehovai e dënoi Jeroboamin për sjelljen e tij apostate. Ai caktoi një profet nga Juda që të shkonte në Bethel në veri dhe të paraqitej para Jeroboamit kur ky të kryente funksionet në altarin e tij. Profeti duhej t’i jepte Jeroboamit një mesazh tronditës gjykimi. Pa dyshim, ky ishte një caktim i vështirë.—1 Mbret. 13:1-3.

17. Si e mbrojti Jehovai lajmëtarin e tij?

17 Jeroboami u xhindos kur dëgjoi gjykimin e Jehovait. Ai zgjati dorën drejt përfaqësuesit të Perëndisë, duke u bërtitur njerëzve që kishte pranë: «Kapeni!» Por, në çast, para se dikush të bënte ndonjë lëvizje, «dora që kishte drejtuar nga ai, u tha dhe nuk mundi ta tërhiqte. Altari u ça dhe hiri i lyrosur u derdh prej tij». Jeroboami u detyrua t’i kërkonte profetit që të zbuste zemërimin e Jehovait dhe të lutej që t’i kthehej dora si më parë. Profeti bëri pikërisht këtë dhe dora u shërua. Kështu Jehovai e mbrojti lajmëtarin e tij.—1 Mbret. 13:4-6.

18. Si na mbron Jehovai teksa i bëjmë shërbim të shenjtë pa frikë?

18 Teksa marrim pjesë me besnikëri në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve, herë pas here hasim reagime jomiqësore, madje të egra. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Por nuk duhet të lejojmë kurrë që frika se mos na refuzojnë, të na pakësojë zellin për shërbimin. Ashtu si profeti i kohës së Jeroboamit, që nuk ia dimë emrin, kemi «privilegjin t’i bëjmë [Jehovait] pa frikë shërbim të shenjtë me besnikëri».a (Luka 1:74, 75) Megjithëse sot nuk presim që Jehovai të ndërhyjë me anë të ndonjë mrekullie, prapëseprapë ai na mbron dhe na mbështet si Dëshmitarët e tij nëpërmjet frymës së shenjtë dhe engjëjve. (Lexo Gjonin 14:15-17; Zbulesën 14:6.) Perëndia nuk do t’i braktisë kurrë ata që vazhdojnë të flasin pa frikë për fjalën e tij.—Filip. 1:14, 28.

Jehovai do t’i mbrojë besnikët e vet

19, 20. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na braktisë? (b) Cilat pyetje do të trajtohen në artikullin vijues?

19 Jehovai është Perëndia ynë besnik. (Zbul. 15:4; 16:5) Ai është «besnik në të gjitha veprat e tij». (Psal. 145:17) Dhe Bibla na siguron: «[Ai] do të ruajë udhën e besnikëve të tij.» (Prov. 2:8) Qoftë kur janë përballë sprovave, ideve apostate ose kur përmbushin caktimin e tyre jo të lehtë, shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të jenë të sigurt për drejtimin dhe mbështetjen e Jehovait.

20 Secili prej nesh duhet të mendojë për këtë: Çfarë do të më ndihmojë të ruaj besnikërinë ndaj Jehovait, pavarësisht nga sprovat ose tundimet që mund të has? Me fjalë të tjera, si mund të bëhem edhe më i palëkundur në besnikërinë time ndaj Perëndisë?

[Shënimi]

a Nëse profeti vazhdoi t’i bindej Jehovait dhe se çfarë i ndodhi, do të trajtohet në artikullin vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Si ka treguar Jehovai se nuk i braktis besnikët e vet kur janë të shtypur?

• Si duhet të reagojmë ndaj apostatëve dhe ideve të tyre?

• Si i mbron Jehovai besnikët e vet teksa marrin pjesë në shërbimin e krishterë?

[Harta dhe figura në faqen 5]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimi)

MBRETËRIA VERIORE (Jeroboami)

Dan

SIKEM

Bethel

MBRETËRIA JUGORE (Rehoboami)

JERUSALEM

[Figura]

Jehovai nuk i braktisi besnikët e tij kur Jeroboami themeloi adhurimin e viçit

[Figura në faqen 3]

Bekimet që gëzonin Solomoni dhe nënshtetasit e tij ishin të kushtëzuara

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo