JEROBOAMI
Emri i dy mbretërve të Izraelit që mbretëruan në një distancë kohore 130-vjeçare nga njëri-tjetri.
1. Mbreti i parë i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit; bir i Nebatit, njërit prej nëpunësve të Solomonit në fshatin e Zeredahut; nga fisi i Efraimit. Me sa duket Jeroboami mbeti jetim në moshë të njomë dhe u rrit nga e ëma, Zerujaja që kishte mbetur vejushë.—1Mb 11:26.
Solomoni vërejti se Jeroboami nuk ishte vetëm trim e i fortë, por edhe punëtor i palodhur, ndaj i besoi mbikëqyrjen e shërbimit të detyruar të shtëpisë së Jozefit. (1Mb 11:28) Më pas, profeti i Perëndisë, Akijahu, i dha Jeroboamit një lajm që e befasoi. Pasi grisi në 12 pjesë rrobën e re që kishte veshur, profeti i tha të merrte 10 pjesë. Me këtë donte t’i tregonte se Jehovai do ta ndante mbretërinë e Solomonit në 2 pjesë dhe do ta bënte Jeroboamin mbret të 10 fiseve. Gjithsesi, kjo do të ishte vetëm një ndarje në planin politik, dhe jo një braktisje e adhurimit të vërtetë me qendër në tempullin e Jerusalemit, kryeqytetit të mbretërisë jugore. Kështu, Jehovai e siguroi Jeroboamin se do ta bekonte e do t’i sillte mbarësi mbretërisë së tij dhe do t’i ndërtonte një shtëpi (ose pasardhje) të qëndrueshme nëse zbatonte ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë.—1Mb 11:29-38.
Ka të ngjarë që pasi të ketë marrë vesh këtë, Solomoni të ketë kërkuar vrasjen e Jeroboamit. Por ai ia mbathi në Egjipt dhe qëndroi atje nën mbrojtjen e faraonit Shishak derisa vdiq Solomoni.—1Mb 11:40.
Rreth vitit 998 p.e.s., pasi mori lajmin e vdekjes së Solomonit, Jeroboami u kthye menjëherë në atdhe, dhe u bashkua me popullin për t’i kërkuar Rehoboamit, birit të Solomonit, t’ia lehtësonte barrën nëse donte ta mbështeste mbretërimin e sapovendosur të tij. Por Rehoboami e shpërfilli këshillën e mirë të këshilltarëve të moshuar dhe parapëlqeu atë të të rinjve të moshës së vet, të cilët i thanë t’ia rëndonte zgjedhën popullit. Dhjetë fiset reaguan ndaj vrazhdësisë së tij duke bërë mbret Jeroboamin. Faktikisht, «Jehovai bëri që ngjarjet të rridhnin kështu, me qëllim që të çonte në vend fjalën që vetë Jehovai i kishte thënë . . . nëpërmjet Akijahut».—1Mb 12:1-20; 2Kr 10:1-19.
Sapo u bë mbret, Jeroboami iu fut punës për të ndërtuar Sikemin e për ta kthyer në kryeqytetin e mbretërisë së tij. Në lindje të Sikemit, matanë Jordanit, fortifikoi Penuelin (Penielin) ku Jakobi u ndesh me një engjëll. (1Mb 12:25; Zn 32:30, 31) Duke parë që nënshtetasit e vet derdheshin drejt tempullit në Jerusalem për të adhuruar, Jeroboami e mori me mend se me kalimin e kohës ata mund të kalonin në anën e Rehoboamit, kurse atë ta vrisnin. Kështu vendosi t’i jepte fund kësaj gjendjeje duke ngritur kultin e dy viçave prej ari, njërin në Bethel, në jug, e tjetrin në Dan, në veri. Gjithashtu, ngriti priftërinë e vet joaaronike, të formuar nga njerëz të zakonshëm që ishin gati ta kryenin këtë detyrë mjaft që të paraqitnin një dem dhe shtatë desh. Pastaj, ata shërbyen si priftërinj «për vendet e larta, për demonët në formë cjapi dhe për viçat që kishte bërë». Veç kësaj, Jeroboami sajoi disa ‘ditë të shenjta’ dhe e shtyu me duart e veta popullin të paraqiste flijime para perëndive që kish shpikur vetë.—1Mb 12:26-33; 2Mb 23:15; 2Kr 11:13-17; 13:9.
Në një rast, Jeroboami u bë gati të paraqiste tymin e blatimit pranë altarit në Bethel. Fryma e Jehovait nxiti një njeri të Perëndisë që ta qortonte mbretin për idhujtarinë e tij të neveritshme dhe, kur mbreti dha urdhër ta kapnin, altari u ça, hiri mbi të u derdh dhe mbretit iu tha dora. Dora iu kthye si më parë vetëm kur njeriu i Perëndisë e zbuti zemërimin e Jehovait, por edhe pas kësaj Jeroboami vazhdoi të blasfemonte e ta sfidonte Jehovain. (1Mb 13:1-6, 33, 34) Futja e kultit të viçit përbënte ‘mëkatet e Jeroboamit’ që bënë me faj edhe mbretërit e tjerë të Izraelit të cilët vazhduan këtë adhurim apostat.—1Mb 14:16; 15:30, 34; 16:2, 19, 26, 31; 22:52; 2Mb 3:3; 10:29, 31; 13:2, 6, 11; 14:24; 15:9, 18, 24, 28; 17:21-23.
Vitin e 18-të të mbretërimit të Jeroboamit, Rehoboami vdiq. Megjithatë lufta mes dy kombeve vazhdoi edhe gjatë mbretërimit 3-vjeçar të Abijamit (Abijahut) që trashëgoi fronin në vend të Rehoboamit, të atit. (1Mb 15:1, 2, 6; 2Kr 12:15) Në një rast, Abijahu mblodhi 400.000 burra për të luftuar kundër forcave të Jeroboamit që ishin dyfishi i tyre. Me gjithë epërsinë numerike dhe strategjinë e mirë në ngritjen e pritës, Jeroboami u mund keqas. Ai humbi 500.000 luftëtarë e mjaft nga qytetet e tij efraimite dhe u poshtërua shumë. Juda fitoi sepse Abijahu dhe burrat e tij u mbështetën te Jehovai dhe i kërkuan ndihmë.—2Kr 13:3-20.
Si për t’ia shtuar dhembjen Jeroboamit, të birit, Abijahut, i ra një sëmundje e pashërueshme. Mbreti i kërkoi së shoqes të maskohej dhe e nisi me një dhuratë te profeti i moshuar Akijah, tashmë i verbër, që ta pyeste nëse fëmija do të shërohej. Përgjigjja ishte «jo» dhe jo vetëm kaq. Profeti paratha se të gjithë trashëgimtarët meshkuj të Jeroboamit do të shfaroseshin. Veç birit të tij, Abijahut, tek i cili Jehovai kishte parë diçka të mirë, asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të kishte një varrim të denjë, madje kufomat e tyre do t’i hanin qentë ose shpendët e qiellit.—1Mb 14:1-18.
Pak kohë më pas, rreth vitit 977 p.e.s., Jehovai i dha fund mbretërimit 22-vjeçar të Jeroboamit ‘duke i dhënë një goditje, kështu që ai vdiq’. (2Kr 13:20; 1Mb 14:20) Në fron hipi i biri, Nadabi që mbretëroi 2 vjet e pastaj e vrau Baasha, i cili shfarosi nga shtëpia e mbretit çdo gjë që merrte frymë. Kështu, krejt papritur mori fund dinastia e Jeroboamit «ashtu si kishte thënë Jehovai» dhe «për shkak të mëkateve që kishte bërë».—1Mb 15:25-30.
2. Mbret i Izraelit; bir e pasues i Jehoasit dhe stërnip i Jehut. Jeroboami II ishte mbreti i 14-të i mbretërisë veriore dhe mbretëroi për 41 vjet, duke filluar aty nga viti 844 p.e.s. (2Mb 14:16, 23) Si shumë e shumë paraardhës të tij, ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait duke vazhduar kultin e viçit të ngritur nga Jeroboami I.—2Mb 14:24.
Gjatë mbretërimit të Jeroboamit II ka shumë të ngjarë të jetë bërë një regjistrim gjenealogjik i veçantë. (1Kr 5:17) Megjithatë, arritja më e shquar gjatë mbretërimit të tij ishte rimarrja e territoreve të humbura më parë. Sipas profecisë së Jonait, Jeroboami «rivendosi kufirin e Izraelit, që nga hyrja e Hamathit deri në detin e Arabahut [Detin e Vdekur]». Atij i jepet merita edhe për kthimin e ‘Damaskut dhe Hamathit Judës dhe Izraelit’. (2Mb 14:25-28) Kjo mund të nënkuptojë se Jeroboami bëri që mbretëria e Damaskut dhe ajo e Hamathit t’i paguanin haraç, siç i kishin paguar dikur Judës në kohën e Solomonit.—Krahaso 1Mb 4:21; 2Kr 8:4.
Këto arritje sollën pa dyshim një valë mirëqenieje në mbretërinë veriore. Por në të njëjtën kohë kombi vazhdonte të binte frymësisht. Profetët Hozea dhe Amos e qortuan ashpër Jeroboamin rebel dhe përkrahësit e tij për apostazinë e tyre të pacipë, si dhe për sjelljen e tyre imorale—mashtrimet, vjedhjet, kurvëritë, vrasjet, shtypja, idhujtaria dhe praktika të tjera që e çnderonin Perëndinë. (Ho 1:2, 4; 4:1, 2, 12-17; 5:1-7; 6:10; Am 2:6-8; 3:9, 12-15; 4:1) Paralajmërimi që Jehovai i dha Jeroboamit me anë të profetit të tij, Amosit, ishte mjaft i prerë: «Unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit.»—Am 7:9.
Pas vdekjes së Jeroboamit, në fron hipi i biri, Zakaria. (2Mb 14:29) Mirëpo, nga vdekja e Jeroboamit deri sa në fron hipi për 6 muaj Zakaria, mbreti i fundit i dinastisë së Jehut, kaluan 11 vjet. Ndoshta ngaqë Zakaria ishte shumë i ri ose për ndonjë arsye tjetër, mbretërimi i tij u quajt plotësisht i vendosur ose i konfirmuar vetëm rreth vitit 792 p.e.s.