BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w12 15/3 f. 3-6
  • «Në të djathtën tënde gjithnjë gjen ëndje»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Në të djathtën tënde gjithnjë gjen ëndje»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SHËRBIMI SI PIONIERË
  • TË ZËNË NË VEPRËN UDHËTUESE
  • SHËRBIMI NË BETHEL
  • NJË NDRYSHIM TJETËR​—UKRAINA
  • NJË NDRYSHIM RRËNJËSOR
  • Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • Të shikojmë me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • ‘Kemi bërë atë që duhej të bënim’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
w12 15/3 f. 3-6

Jetëshkrim

«Në të djathtën tënde gjithnjë gjen ëndje»

Treguar nga Lois Diduri

Sa shpesh gjatë jetës ju ka ndodhur të thoni diçka si: «Ah, sikur të mos e kisha bërë këtë zgjedhje!» E pra, pas 50 vjetësh shërbimi të plotkohor, nuk kujtoj që qëndrimi në të djathtën e Jehovait të më ketë sjellë ndonjë gjë të pakëndshme që ka zgjatur përgjithmonë. Ja t’ju tregoj përse.

LINDA më 1939 dhe u rrita në një fshat të Saskaçevanit, Kanada, tok me katër motra e një vëlla. Jetonim të lumtur në fermë, mes lëndinave të paana. Një ditë, erdhën te ne Dëshmitarët e Jehovait dhe po flitnin me babanë. Kur i pyeta nëse Perëndia ka emër, na treguan emrin Jehova te Psalmi 83:18. Kjo më ndezi dëshirën që të dija më tepër për Perëndinë dhe për Fjalën e tij.

Në ato kohë, shkollat ku shkonin fëmijët e fermave kishin vetëm një dhomë ku zhvillonin mësim bashkë të gjitha klasat, nga e para deri tek e teta. Gjithë ato kilometra gjer në shkollë i bënin me kalë ose më këmbë. Familjet e krahinës i siguronin nevojat materiale mësuesit të shkollës dhe një vit u erdhi radha prindërve të mi të strehonin mësuesin e ri, Xhon Didurin.

Nuk e dija që edhe ai djalosh kishte interes të thellë për Fjalën e Perëndisë. Njëherë po ngrija në qiell komunizmin dhe socializmin, që asokohe i përkrahte im atë. Xhoni tha me qetësi: «Asnjë njeri nuk ka të drejtë të sundojë mbi njerëzit e tjerë. Këtë të drejtë e ka vetëm Perëndia.» Nga kjo u hapën shumë biseda interesante.

Xhoni kishte lindur në vitin 1931, prandaj kishte dëgjuar për vështirësitë e luftës. Kur plasi Lufta e Koresë më 1950, pyeti disa klerikë nëse besimtarët duhej të përfshiheshin në luftë. Të gjithë i thanë se ishte e pranueshme që të krishterët të merrnin armët. Më vonë ua bëri të njëjtën pyetje Dëshmitarëve të Jehovait. Ata i treguan qëndrimin e të krishterëve të hershëm ndaj luftës, një qëndrim që bazohej në Shkrime. Xhoni u pagëzua më 1955. Vitin tjetër u pagëzova edhe unë. Të dy e dinim se dëshironim që gjithë jetën dhe energjitë tona t’i vinim në shërbim të Jehovait. (Psal. 37:3, 4) Në korrik të vitit 1957, unë dhe Xhoni u martuam.

Shpesh qëllonte që në përvjetorin e martesës të kishim kongresin. Ndiheshim të kënaqur që ishim në shoqërinë e mijëra të tjerëve që e respektonin martesën. Kongresin e parë ndërkombëtar e ndoqëm në vitin 1958. Ishim pesë veta që udhëtuam me makinë nga Saskaçevani për në qytetin e Nju-Jorkut. Për një javë, ditën udhëtonim, kurse natën flinim në tendë. Merreni me mend sa u habitëm kur një vëlla që takuam në Betlehem të Pensilvanisë na ftoi ta kalonim natën në shtëpinë e tij! Falë atij gjesti dashamirës e të natyrshëm, mbërritëm në qytetin e Nju-Jorkut të pastër e të rregullt. Ai kongres i madh na përforcoi më shumë se ç’kënaqësi e pamasë është t’i shërbesh Jehovait. Siç shkroi psalmisti, ‘në të djathtën e Jehovait gjithnjë gjen ëndje’.​—Psal. 16:11.

SHËRBIMI SI PIONIERË

Një vit më vonë, më 1959, po shërbenim si pionierë dhe jetonim në një rulotë të vogël lart në kodër mbi një lëndinë, në Saskaçevan. Prej atje të rrokte syri kilometra të tërë, e një pjesë e tyre ishin territori ynë.

Një ditë na erdhi një letër interesante nga zyra e degës. Nxitova për te Xhoni që po rregullonte traktorin. Ishte një ftesë që të shërbenim si pionierë specialë në Red-Lejk, Ontario. Nuk e dinim ku binte, prandaj nxorëm me vrap hartat që ta gjenim.

Sa ndryshe ishte nga lëndinat e paana! Tani përshkonim pyje të pakufi dhe qyteza të ndërtuara pranë minierave të arit. Ditën e parë kur po kërkonim shtëpi, një vajze të vogël i zuri veshi bisedën që po bënim me fqinjën e saj. Rendi për tek e ëma, që u tregua e gjindshme dhe na siguroi strehim atë natë. Krevati ndodhej në një qilar balte. Të nesërmen gjetëm një shtëpi druri me dy dhoma, pa sistem hidraulik e pa orendi, vetëm me një sobë llamarine me dru. Morëm ca gjëra në një dyqan mallrash të përdorura dhe pas pak ishim goxha të kënaqur.

Në një rreze prej 209 kilometrash nuk kishte asnjë kongregacion. Mjaft punëtorë të minierave të arit kishin ardhur nga Evropa dhe na pyetnin nëse mund t’u gjenim Bibël në gjuhën e tyre. S’kaloi shumë dhe kishim 30 studime biblike të shkëlqyera. Brenda gjashtë muajsh u formua një kongregacion i vogël.

Burri i një gruaje me të cilën studionim, mori në telefon priftin që të vinte e t’ia kthente në rrugë të drejtë të shoqen. Kur u takuam, prifti tha se duhej t’u mësonim njerëzve edhe Trinitetin. Gruaja mori Biblën katolike dhe i kërkoi priftit t’i mbështeste ato që po thoshte. Ai e vërviti Biblën matanë tryezës dhe tha se s’kishte nevojë të provonte asgjë. Kur po ikte, u tha në gjuhën ukrainase se duhej të na flaknin nga shtëpia e të mos na futnin kurrë më. Nuk ia merrte mendja se Xhoni e kuptonte gjuhën.

Pak pas kësaj, u larguam nga Red-Lejku, sepse Xhoni duhej të stërvitej për veprën qarkore. Mirëpo, pas afro një viti, kur Xhoni po mbante fjalimin e pagëzimit në një kongres krahinor, ai burrë ishte mes kandidatëve për pagëzim. Incidenti me priftin e kishte nxitur që të fillonte ta shqyrtonte vetë Biblën.

TË ZËNË NË VEPRËN UDHËTUESE

Në veprën qarkore, kishim kënaqësinë e pashoqe të rrinim me shumë familje. U bëmë të afërt me ata që ndanin me ne shtëpinë dhe jetën e tyre. Njëherë po rrinim në një dhomë në katin e sipërm që s’kishte ngrohje. Në të gdhirë, dëgjonim motrën e moshuar që hynte pa u ndier në dhomë për të ndezur zjarrin në sobën e vogël. Pas pak kthehej me një legen dhe ujë të ngrohtë që ne të bëheshim gati. Mësova shumë nga sjellja e saj e qetë dhe e ëmbël.

Vepra udhëtuese më afroi më shumë me Jehovain. Në një qark në Albertë, kishte një qytezë minatorësh në Veriun e Largët, ku jetonte një motër. Si e konsideronte organizata e Jehovait atë motër të izoluar? Çdo gjashtë muaj, ne shkonim atje me avion që të dilnim një javë në shërbim me të dhe të mbanim mbledhje, tamam si do të bënim në kongregacionin e një qyteti të madh. Kjo na ngrohte zemrën, pasi na kujtonte se Jehovai kujdeset me dhembshuri për çdo «dele» të tij të vogël.

Mbanim lidhje me shumë nga ata që na siguronin strehim. Kjo më sjell ndër mend një nga dhuratat e para që më ka bërë Xhoni—një kuti ngjyra-ngjyra plot me letra për të shkruar. Kishim qejf të mbanim lidhje me miqtë me anë të postës, duke përdorur ato letra. Akoma e ruaj si gjë të çmuar atë kuti.

Kur ishim në një qark në Toronto, na mori në telefon një vëlla nga Betheli i Kanadasë dhe na pyeti nëse ishim gati të shërbenim në Bethel. Kur e donte përgjigjen? «Nesër, po të jetë e mundur!» E të nesërmen e mori.

SHËRBIMI NË BETHEL

Në çdo caktim kishim shijuar në mënyra të ndryshme ëndjen që gjen kur je krah Jehovait. Kështu ndodhi edhe kur u transferuam në Bethel më 1977. Nga shoqëria me disa të mirosur dalluam jo vetëm personalitetet e tyre të larmishme, po edhe çmueshmërinë e tyre të thellë për Fjalën e Perëndisë.

Ndiheshim mirë me jetën e re në Bethel. Për shembull, tani rrobat i mbanim në sirtar e jo në valixhe, dhe i përkitnim një kongregacioni të vetëm. Përveç punës në caktimin tim, një kënaqësi tjetër ishte të shoqëroja grupet që vinin për vizitë. U shpjegoja çfarë pune bëhej në Bethel, dëgjoja komentet e vëllezërve dhe u përgjigjesha pyetjeve të tyre.

Vitet fluturonin dhe më 1997 Xhonin e ftuan të ndiqte Shkollën për Anëtarët e Komiteteve të Degëve në Paterson, Nju-Jork. Pas kësaj, na kërkuan të shqyrtonim nëse mund të transferoheshim në Ukrainë. Na inkurajuan ta peshonim mirë dhe të luteshim për këtë. Në fund të asaj mbrëmjeje, e dinim se përgjigjja jonë do të ishte po.

NJË NDRYSHIM TJETËR​—UKRAINA

Kishim ndjekur kongresin e madh ndërkombëtar në Shën-Pjetërburg, Rusi, më 1992, dhe atë në Kiev, Ukrainë, më 1993. Qysh atëherë na kishin hyrë në zemër vëllezërit tanë të Evropës Lindore. Shtëpia jonë e re në Lvov, Ukrainë, ndodhej në katin e dytë të një ndërtese të vjetër. Nga dritaret shihej një oborr ku ishte një bahçe e vogël, një këndes i madh i kuq dhe ca pula. Dukej gati-gati sikur ishim në një fermë të Saskaçevanit. Në atë shtëpi jetonim 12 veta. Çdo ditë herët në mëngjes, udhëtonim përmes qytetit që të shkonim të punonim në Bethel.

Si ndiheshim në Ukrainë? Na dukej vetja të vegjël kur rrinim mes gjithë atyre vëllezërve që kishin duruar sprova, ndalime dhe burgime. Me gjithë këto, e kishin ruajtur besimin të fortë. Kur i lavdëronim, na thoshin: «E bëmë për Jehovain.» Nuk ishin ndier kurrë të braktisur. Edhe sot, kur ndonjëri të bën një të mirë dhe e falënderon, mund të të përgjigjet: «Faleminderit Jehovait», duke pranuar kështu se ai është Burimi i çdo gjëje të mirë.

Në Ukrainë, shumë veta shkojnë në mbledhje më këmbë, prandaj kanë kohë të bisedojnë e të inkurajojnë njëri-tjetrin. Rruga mund të zgjatë një orë a më shumë. Në Lvov ka mbi 50 kongregacione, 21 prej të cilave përdorin një kompleks të madh Sallash Mbretërie. Ç’pamje e bukur është kur sheh të dielave një lumë vëllezërish që vërshojnë në mbledhje.

Nuk na u desh shumë kohë të ndiheshim rehat me vëllezërit e motrat, që sillen me butësi dhe u pëlqen të interesohen për të tjerët. Kur e kam të vështirë të kuptoj gjuhën (e kjo ndodh akoma), janë shumë të duruar. Sytë e tyre shpesh flasin po aq sa fjalët.

Një shembull të besimit të vërtetë që kanë vëllezërit te njëri-tjetri, e pamë gjatë kongresit ndërkombëtar të vitit 2003 në Kiev. Sapo kishim zbritur në platformën plot njerëz të metrosë së nëndheshme, kur një vogëlushe erdhi drejt nesh dhe na tha me qetësi: «Kam humbur. S’e gjej dot gjyshen.» Vajza kishte parë distinktivët dhe e dinte se ishim Dëshmitarë. U tregua trime dhe nuk qau. Gruaja e një mbikëqyrësi qarkor që ishte me ne, e mori me ëmbëlsi dhe e çoi te Reparti i Sendeve të Humbura në stadium. Pas pak vajza ishte prapë me gjyshen. Më preku shumë besimi i jashtëzakonshëm që kishte ajo vogëlushe edhe mes një turme me mijëra veta.

Në maj të vitit 2001, vëllezër nga shumë shtete erdhën në Ukrainë për kushtimin e ndërtesave të reja të degës. Pas fjalimit special në stadium të dielën në mëngjes, vëllezërit vinin valë-valë për të vizituar Bethelin e ri. Ç’pamje e paharrueshme! U emocionova tek shihja ata vëllezër aq të qetë e të rregullt. U ndjeva edhe më mirënjohëse për kënaqësinë që vjen kur i shërben Perëndisë.

NJË NDRYSHIM RRËNJËSOR

Mjerisht, në vitin 2004, Xhonin e diagnostikuan me kancer. Shkuam në Kanada që të kurohej. Seanca e parë e kimioterapisë ishte thuajse e papërballueshme për të dhe kaloi disa javë në reanimacion. Shyqyr që erdhi në vete. Edhe pse mezi fliste, sytë e tij gjithnjë shprehnin mirënjohje për të gjithë ata që e vizitonin.

Megjithatë, nuk u shërua dot dhe atë vjeshtë u nda nga jeta. Ndihesha sikur më mungonte një pjesë shumë e rëndësishme. Xhoni dhe unë kishim ndier kaq shumë kënaqësi duke i shërbyer Jehovait së bashku. Ç’do të bëja tani? Vendosa të kthehesha në Ukrainë. E kisha zemrën plot mirënjohje për dashurinë e ngrohtë të familjes Bethel dhe të kongregacionit të atjeshëm.

As edhe një herë në jetë nuk u bëmë pishman për zgjedhjet tona. Kemi pasur një jetë të këndshme, me një shoqëri të shkëlqyer. E di se kam ende shumë për të mësuar për mirësinë e Jehovait, e shpresoj të vazhdoj t’i shërbej përgjithmonë, sepse kam gjetur vërtet ‘ëndje në të djathtë të Jehovait’.

[Diçitura në faqen 6]

«As edhe një herë në jetë nuk u bëmë pishman për zgjedhjet tona»

[Figura në faqen 3]

Unë dhe Xhoni kur u martuam

[Figura në faqen 4]

Kur isha pioniere speciale në Red-Lejk, Ontario

[Figura në faqen 5]

Bashkë me Xhonin në Ukrainë, 2002

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo