Çmoje privilegjin për të punuar bashkë me Jehovain!
«Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.»—1 KOR. 3:9.
1. Si ndihet Jehovai për punën, dhe çfarë e ka shtyrë të bëjë kjo?
JEHOVAI është një punëtor që gjen ëndje në atë që bën. (Psal. 135:6; Gjoni 5:17) Edhe krijesave të tij inteligjente u ka dhënë punë të këndshme dhe domethënëse, që të provojnë gëzimin e kënaqësinë që vjen kur arrin diçka. Për shembull, Birin e vetëmlindur e përfshiu në punën e Tij krijuese. (Lexo Kolosianëve 1:15, 16.) Bibla na tregon se, para se të vinte në tokë si njeri, Jezui ishte përkrah Perëndisë në qiell «si një kryemjeshtër».—Prov. 8:30.
2. Nga e dimë se krijesat frymore gjithmonë kanë pasur punë të rëndësishme e të kënaqshme?
2 Nga kreu deri në fund, në Bibël gjejmë shembuj që tregojnë se Jehovai gjithmonë u ka dhënë punë bijve frymorë. Pasi Adami dhe Eva mëkatuan e u dëbuan nga shtëpia e tyre parajsore, Perëndia ‘vuri në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët e një shpatë flakëruese, e cila rrotullohej vazhdimisht, për të ruajtur udhën për te pema e jetës’. (Zan. 3:24) Kurse te Zbulesa 22:6 shpjegohet se Jehovai «dërgoi engjëllin e tij që t’u tregonte skllevërve të vet gjërat që do të ndodhin së shpejti».
PUNËT QË IU DHANË NJERËZVE
3. Si e ndoqi Jezui shembullin e Atit të tij kur ishte në tokë?
3 Kur ishte në tokë si njeri i përsosur, Jezui kreu me gëzim punën që i kishte dhënë Jehovai. Duke ndjekur shembullin e të Atit, edhe Jezui u caktoi një vepër të rëndësishme dishepujve të tij. U ngjalli entuziazëm për caktimin që i priste, me fjalët: «Me të vërtetë po ju them se edhe ai që tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.» (Gjoni 14:12) Për të theksuar sa urgjente ishin ato vepra, Jezui shpjegoi: «Duhet t’i bëjmë veprat e atij që më dërgoi sa është ditë, sepse po vjen nata, kur askush nuk mund të punojë.»—Gjoni 9:4.
4-6. (a) Pse jemi mirënjohës që Noeja dhe Moisiu i kryen caktimet nga Jehovai? (b) Ç’të përbashkët kanë gjithë caktimet që Perëndia u ka dhënë njerëzve?
4 Edhe para se Jezui të vinte në tokë, njerëzve u ishin dhënë punë që të falnin kënaqësi. Ndonëse Adami dhe Eva nuk e kryen caktimin që iu besua, kishte të tjerë që bënë siç i urdhëroi Perëndia. (Zan. 1:28) Noeja mori udhëzime specifike si të ndërtonte arkën për të ruajtur gjallë njerëz e kafshë gjatë Përmbytjes së madhe. Ai bëri fill e për pe atë që i kërkoi Jehovai. Sot jemi gjallë ngaqë Noeja punoi me merak.—Zan. 6:14-16, 22; 2 Pjet. 2:5.
5 Moisiu mori udhëzime specifike për ndërtimin e tabernakullit dhe për organizimin e priftërisë, të cilat i ndoqi një më një. (Dal. 39:32; 40:12-16) Sot e kësaj dite përfitojmë ngaqë e kreu besnikërisht atë caktim. Si vallë? Apostulli Pavël shpjegoi se ato veçori të Ligjit ilustrojnë ‘gjërat e mira që do të vijnë’.—Hebr. 9:1-5, 9; 10:1.
6 Puna që u jep Perëndia shërbëtorëve të vet ndryshon herë pas here sipas qëllimit të tij në plotësim e sipër. Çfarëdolloj caktimi të kenë pasur, gjithmonë ai i ka dhënë lavdi Jehovait dhe u ka sjellë dobi besimtarëve. Nuk diskutohet që kjo vlen edhe për gjërat që kreu Jezui, qoftë para se të vinte në tokë si njeri, qoftë kur ishte këtu. (Gjoni 4:34; 17:4) Edhe vepra që na është caktuar ne sot, i jep lavdi Jehovait. (Mat. 5:16; lexo 1 Korintasve 15:58.) Pse është kështu?
TË MBAJMË NJË PIKËPAMJE POZITIVE PËR CAKTIMET
7, 8. (a) Përshkruaj punën që kemi privilegjin të kryejmë sot. (b) Si duhet të reagojmë ndaj drejtimit të Jehovait?
7 Të lë gojëhapur fakti se Jehovai i ka ftuar njerëzit e papërsosur të kenë nderin të shërbejnë si bashkëpunëtorë të tij. (1 Kor. 3:9) Ata që marrin pjesë në ndërtimin e Sallave të Asambleve, të Sallave të Mbretërisë dhe të ndërtesave të degëve janë përfshirë në një program ndërtimi të mirëfilltë, si Noeja dhe Moisiu. Pavarësisht nëse po ndihmon për të meremetuar ndonjë Sallë Mbretërie apo për të ndërtuar selinë tonë botërore në Uoruik, Nju-Jork, çmoje këtë privilegj shërbimi. (Shih figurën hapëse për paraqitjen artistike të projektit.) Është shërbim i shenjtë. Sidoqoftë, shumica e të krishterëve janë ftuar të marrin pjesë në një program ndërtimi frymor. Edhe ky ka si synim t’i japë lavdi Jehovait dhe t’u sjellë dobi të bindurve. (Vep. 13:47-49) Nëpërmjet organizatës së Perëndisë marrim drejtimin e duhur si ta kryejmë sa më mirë këtë vepër. Hera-herës kjo mund të nënkuptojë ndryshim caktimi.
8 Shërbëtorët besnikë të Jehovait përherë i janë nënshtruar me kënaqësi drejtimit teokratik. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Mund të mos e kuptojmë menjëherë arsyen pse duhet ta kryejmë caktimin në një mënyrë specifike. Prapëseprapë, e dimë fare mirë sa dobi ka kur bashkëpunojmë me Jehovain për çdo rregullim që ai e sheh të udhës.
9. Çfarë shembulli lënë pleqtë me mënyrën si punojnë në kongregacion?
9 Mënyra si e drejtojnë pleqtë kongregacionin tregon se duan me gjithë shpirt të bëjnë vullnetin e Jehovait. (2 Kor. 1:24; 1 Sel. 5:12, 13) Ata janë të gatshëm të punojnë pa u lodhur e të përshtaten kur ndryshojnë rrethanat. Me kënaqësi ecin në një hap me metodat e reja të predikimit për Mbretërinë e Perëndisë në fuqi. Mbase në fillim disa stepeshin për të organizuar dëshminë me telefon, në porte e në vende publike, por shpejt korrën fryte të mira. Për shembull, kur pleqtë në një kongregacion në Gjermani panë se predikimi në një territor tregtar ishte lënë pas dore, kërkuan bashkëpunimin e katër pionierëve. Mikaeli tregon: «Kishim disa vjet që nuk merrnim pjesë në këtë formë shërbimi, ndaj na ishte mbledhur një si lëmsh në bark. Me sa duket, Jehovai e dinte këtë sepse na dhuroi një mëngjes të paharrueshëm në shërbim. Sa të lumtur ishim që ndoqëm drejtimin e dhënë te Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe që u mbështetëm te Jehovai!» A të pëlqen t’i provosh metodat e reja të dëshmisë që po përdoren në territorin tënd?
10. Cilat rregullime organizative janë bërë kohët e fundit?
10 Nganjëherë lind nevoja të bëhen rregullime organizative. Vitet e fundit një sërë degësh janë shkrirë në një degë të vetme. Natyrisht, ndryshime të tilla kërkojnë përshtatje nga vëllezërit dhe motrat që kanë shërbyer në këto degë. Por s’kalon shumë dhe të gjithë këta i shohin qartë dobitë. (Ekl. 7:8) Për këta punëtorë vullnetmirë është gëzim i papërshkrueshëm të luajnë rol në historinë e popullit të Jehovait që vazhdon të shkruhet.
11-13. Cilat sfida kanë hasur disa për shkak të rregullimeve organizative?
11 Mund të nxjerrim mësime me vlerë prej atyre që u prekën drejtpërdrejt nga shkrirjet e degëve. Disa kishin shërbyer dekada të tëra në shtëpitë Bethel në vendet e tyre. Një çifti që shërbente në një familje Bethel të vogël në Amerikën Qendrore, iu kërkua të bashkohej me familjen Bethel gati 30 herë më të madhe, në Meksikë. Roheljo thotë: «S’ishte aspak kollaj të linim familjen dhe miqtë.» Huani, një vëlla tjetër që iu kërkua të transferohej në Meksikë, shprehet: «Është gati-gati si të lindësh për së dyti. Duhet të krijosh lidhje të reja, të përshtatesh me zakone të reja dhe me një mentalitet tjetër.»
12 Sfida hasën edhe bethelitët që iu kërkua të transferoheshin nga disa vende evropiane në zyrën e degës në Gjermani. Nëse të pëlqen peizazhi malor, e merr me mend sa të vështirë e kishin të linin pas Alpet madhështore ata që u transferuan nga Zvicra. Kurse ata nga Austria në fillim i merrte malli për jetën më të shtruar që gëzonin atje.
13 Atyre që u transferuan në një vend tjetër iu desh të mësoheshin me një vendbanim të ri, të punonin me motra e vëllezër që nuk i njihnin e mbase të mësonin një punë të re. Duhej të mësoheshin me një kongregacion të ri dhe të predikonin në një territor të ri, ndoshta edhe në një gjuhë tjetër. Kuptohet se këto ndryshime mund të jenë të vështira. Prapëseprapë, shumë bethelitë e kanë pranuar sfidën. Pse?
14, 15. (a) Si kanë treguar shumë veta se e çmojnë privilegjin të punojnë me Jehovain në çfarëdolloj caktimi? (b) Në ç’kuptim janë shembull i shkëlqyer për të gjithë ne?
14 Greteli thotë: «E pranova ftesën sepse kështu mund t’i tregoja Jehovait se dashuria ime për të nuk kufizohej te një shtet, te një ndërtesë a te një privilegj i caktuar.» Dajska shprehet: «Kur i kujtova vetes se ftesa më vinte nga Jehovai, e pranova me kënaqësi.» André e Gabriela janë dakord dhe thonë: «Këtë ndryshim e pamë si një mundësi tjetër për t’i shërbyer Jehovait duke lënë mënjanë preferencat tona. Menduam: ‘Kur Jehovai sjell një erë ndryshimi, më mirë të ngremë velat sesa pengesa.’»
Privilegji ynë më i madh—të bashkëpunojmë me Jehovain!
15 Për shkak të shkrirjes së degëve, disa bethelitë caktohen të shërbejnë si pionierë. Kështu ndodhi me disa bethelitë kur u shkrinë degët në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi, për të formuar zyrën e degës të Skandinavisë. Mes tyre ishin Floriani dhe Anja, që thanë: «Caktimin e ri e shohim si sfidë interesante. Është fantastike të na përdorë Jehovai kudo që shërbejmë. Mund të themi me plot gojën se ndihemi të bekuar sa më s’ka!» Edhe pse shumica prej nesh mund të mos hasë kurrë ndryshime të tilla, pse të mos imitojmë gatishmërinë e këtyre vëllezërve e motrave për të vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë? (Isa. 6:8) Jehovai i bekon gjithnjë ata që e çmojnë privilegjin të bashkëpunojnë me të kudo që të shërbejnë.
KËNAQU ME PRIVILEGJIN TËND SI BASHKËPUNËTOR I JEHOVAIT!
16. (a) Ç’këshillë gjejmë te Galatasve 6:4? (b) Cili është privilegji më i madh i njeriut?
16 Si të papërsosur, kemi prirjen të bëjmë krahasime, por Fjala e Perëndisë na nxit të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë ne vetë. (Lexo Galatasve 6:4.) Shumica prej nesh nuk kemi ndonjë detyrë me autoritet brenda organizatës. Dhe jo të gjithë mund të shërbejmë si pionierë, misionarë a bethelitë. S’diskutohet, këto janë privilegje të shkëlqyera. Ama, mos harrofshim kurrë se privilegji më i madh që mund të ketë njeriu është ai që kemi të gjithë ne: të bashkëpunojmë me Jehovain në shërbim. E çmofshim gjithmonë këtë privilegj!
17. Cili është realiteti për sa kohë të ekzistojë bota e Satanait, por pse nuk duhet të shkurajohemi së tepërmi?
17 Për sa kohë të ekzistojë bota e Satanait, mundësitë tona për t’i shërbyer Jehovait mund të jenë të kufizuara. Shëndeti, përgjegjësitë familjare dhe rrethana të tjera nuk varen gjithmonë nga ne. Por, s’ka pse të shkurajohemi së tepërmi. Kurrë mos e nënvlerëso mundësinë që ke si bashkëpunëtor i Perëndisë: të dëshmosh për emrin e tij e të predikosh për Mbretërinë sa herë të kesh rast. Fakti që po bashkëpunon me të duke dhënë maksimumin dhe po lutesh të bekojë vëllezërit që janë në gjendje të bëjnë më shumë se ti, ka rëndësi të madhe. Mos harro, çdokush që lëvdon emrin e Jehovait është i vyer në sytë e tij!
18. Çfarë duhet të jemi të gatshëm të shtyjmë për më vonë, dhe pse?
18 Pavarësisht nga dobësitë dhe papërsosmëritë tona, Jehovait i pëlqen të na përdorë si bashkëpunëtorë. Sa shumë e çmojmë privilegjin që bashkëpunojmë me Perëndinë në këto ditë të fundit! Prandaj me gatishmëri t’i shtyjmë për më vonë shumë interesa personale, të sigurt se në botën e re të Jehovait do të shijojmë «jetën e vërtetë»—jetën e përhershme plot lumturi e paqe.—1 Tim. 6:18, 19.
A e çmon privilegjin tënd në shërbim? (Shih paragrafët 16-18.)
19. Ç’të ardhme na premton Jehovai?
19 Tani që jemi në prag të botës së re, të mendojmë për atë që i tha Moisiu popullit të Izraelit pak para se të hynte në Tokën e Premtuar: «Jehovai, Perëndia yt, do të të sjellë begati në çdo gjë që do të bësh me duart e tua.» (Ligj. 30:9) Si të mbarojë Harmagedoni, ata që ishin të angazhuar si bashkëpunëtorë të Perëndisë do të zotërojnë tokën që u ka premtuar. Më pas do të përqendrohemi te një caktim i ri: ta kthejmë tokën në parajsë të bukur!