I vlerësojmë privilegjet tona!
1 Gjatë gjithë ekzistencës njerëzore, Jehovai u ka dhënë shërbëtorëve të tij shumë lloje privilegjesh. Ai u ka dhënë privilegje pavarësisht nga gjinia, mosha dhe shtresa e tyre shoqërore. (Luka 1:41, 42; Vep. 7:46; Filip. 1:29) Po neve sot, çfarë privilegjesh na vë përpara?
2 Disa nga privilegjet tona: Kemi privilegjin të mësohemi nga Jehovai. (Mat. 13:11, 15) T’i thurim lavde me anë të komenteve tona në mbledhjet e kongregacionit është një tjetër privilegj që gëzojmë. (Psal. 35:18) Kur na jepet mundësia të komentojmë, e bëjmë këtë me gjithë shpirt. Po kështu, nëse çdo caktim që marrim në kongregacion e konsiderojmë një nder, do ta përmbushim atë sa më mirë të mundemi. A marrim pjesë rregullisht në privilegjin për të pastruar dhe për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë?
3 Miliona njerëz pyesin veten nëse Perëndia ua dëgjon lutjet, ndërsa ne gëzojmë privilegjin të na i dëgjojë lutjet Personi më i rëndësishëm në univers. (Prov. 15:29) Vetë Jehovai i dëgjon lutjet e shërbëtorëve të tij. (1 Pjet. 3:12) Ai nuk na ka vënë një kufi se sa herë duhet t’i lutemi. Çfarë dhurate të çmuar gëzojmë: mund të lutemi «në çdo rast»!—Efes. 6:18.
4 «Bashkëpunëtorë të Perëndisë»: Një nga privilegjet tona më të mrekullueshme është shpallja e lajmit të mirë për Mbretërinë si «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9) Kjo është një vepër që sjell kënaqësi dhe na përtërin. (Gjoni 4:34) Jehovai nuk ka nevojë të përdorë njerëzit për të bërë këtë vepër, por na e ka dhënë këtë caktim në shenjë të dashurisë që ka për ne. (Luka 19:39, 40) Megjithatë, Jehovai nuk ia jep këtë privilegj çdokujt. Ata që marrin pjesë në shërbim duhet të plotësojnë dhe të kenë disa kualifikime frymore. (Isa. 52:11) A tregojmë se e meritojmë këtë privilegj duke e bërë shërbimin një pjesë të rëndësishme të programit tonë të përjavshëm?
5 Privilegjet nga Jehovai na e pasurojnë jetën. (Prov. 10:22) Mos i shikoni asnjëherë si diçka të zakonshme! Duke treguar se i vlerësojmë vërtet privilegjet e shërbimit, gëzojmë Atin tonë qiellor, Dhënësin e ‘çdo dhurate të mirë dhe çdo gjëje të përsosur’.—Jak. 1:17.