Duke gjetur të interesuarit përmes dëshmisë së efektshme në rrugë
1 Jezui i mësoi dishepujt e tij të kërkonin të merituarit për të dëgjuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mat. 10:11) Megjithatë, në shumë vende sot, po bëhet gjithnjë e më i vështirë takimi i njerëzve në shtëpitë e tyre. Prandaj, çfarë mund të bëjmë për të kërkuar ata që e meritojnë, të cilët nuk i kemi gjetur?
2 Dëshmia në rrugë mund të jetë një mënyrë e efektshme për të gjetur personat që nuk i kemi takuar në veprën nga shtëpia në shtëpi. Dëshminë në rrugë mund ta bëjmë në stacionet e autobusit, afër pallateve apo apartamenteve ku hyrja është rreptësisht e ndaluar, në parqet publike dhe në vende të tjera ku njerëzit shkojnë për të bërë punët e tyre të përditshme.
3 Kur përmendet dëshmia në rrugë disa ndiejnë frikë. Ata mund të ngurrojnë për të marrë pjesë në këtë vepër për shkak të ndrojtjes së tyre, ose parashikojnë se do të priten me këmbët e para nga njerëzit që hedhin poshtë mesazhin e Mbretërisë. Këto shqetësime zakonisht janë të pabaza. Ata që kanë përvojë në këtë veprimtari raportojnë se nuk është më e vështirë se dëshmia nga dera në derë. Në fakt, ata kanë vërejtur se shumë njerëz zakonisht afrohen në rrugë për arsye të ndryshme dhe disa mund të kenë prirje më shumë për të biseduar dhe dëgjuar sesa kur trokasim në portën e tyre. Prandaj, nëse «marrim guxim», mund të mbetemi të habitur nga rezultatet e kënaqshme.—1. Sel. 2:2, Dio.
4 Si mund të bëhet më e efektshme vepra në rrugë? Është me rëndësi të përgatitesh mirë. Lexoji revistat para kohe dhe zgjidh një ose dy pika që ti mendon se do t’u interesojnë njerëzve që do të takosh. Një prezantim prej 30 sekondash është i përshtatshëm. Meqë synimi është për të pasur kontakt personal me të tjerët, zgjidh një vend ku ka një numër të konsiderueshëm personash që kalojnë rregullisht. Megjithëse mund të jetë e këshillueshme të kesh një lajmëtar tjetër afër teje, zakonisht është më mirë për të punuar të ndarë. Lajmëtarët që rrinë së bashku mund të kenë prirje të kalojnë kohën duke folur me njëri-tjetrin dhe nuk kanë kujdes për personat që kalojnë, të cilët mund të jenë të gatshëm për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë.
5 Duke qëndruar në një vend dhe thjesht duke treguar revistat nuk është aq e efektshme sa kur marrim iniciativën për t’iu afruar personave. Përpiqu të vendosësh një kontakt me shikim. Ji i ngrohtë, miqësor dhe i drejtpërdrejtë ndërsa përpiqesh për të filluar një bisedë. Në shumë raste, ti mund të bësh ca hapa me personin ndërsa flet me të. Nëse reagon pozitivisht, ofroji revistat. Nëse revistat i refuzon, mund t’i ofrosh një fletushkë.
6 Zakonisht është më mirë të përgatitësh një prezantim të shkurtër që ngre një pyetje ose bën një pohim që ngjall interes. Nëse merr një përgjigje të përshtatshme, përpiqu të marrësh emrin e personit, adresën ndoshta edhe numrin e tij të telefonit kështu që mund të kultivosh interesin. Ti mund të thuash: «Nëse do të të pëlqente të mësoje më shumë, do të kisha kënaqësinë të të vizitoja në shtëpi ose të rregulloja që të vijë një Dëshmitar tjetër.»
7 Një plak kongregacioni i angazhuar në dëshminë në rrugë iu afrua një gruaje dhe mësoi se ajo nuk kishte pasur kurrë rastin të fliste me Dëshmitarët në shtëpinë e saj. Ajo pranoi një libër dhe ranë dakort që një motër ta vizitonte atë në shtëpinë e saj në një kohë të përshtatshme. Shumë e më shumë prej atyre që e meritojnë, me siguri mund të gjenden dhe të ndihmohen nëse ne jemi të efektshëm në dëshminë në rrugë.—Vep. 17:17.