A mund t’u bashkohesh radhëve?
1 Gjatë pesë viteve të fundit, mijëra pionierë të rregullt e kanë parë të nevojshme të lënë radhët e pionierëve. A je ti një nga ata? Nëse po, pa dyshim ke pasur arsye për të braktisur këtë privilegj. Ndoshta ka qenë diçka e papritur dhe përtej kontrollit tënd. A ekziston akoma kjo arsye? Nëse shëndeti, problemet financiare apo detyrimet familjare ta kanë bërë të nevojshme të ndalesh, a janë përmirësuar rrethanat e tua? A mund të bësh disa rregullime të arsyeshme që do të të lejojnë të gëzosh bekimet e të shërbyerit përsëri si pionier i rregullt? A ke menduar për të filluar përsëri?
2 Siç e di, kërkohet një organizim i mirë dhe një program i bërë me kujdes, nëse do të kesh sukses si pionier. Edhe pse zakonisht nuk ka shumë kohë për të dëfryer, periudhat e shkurtra të pushimit të një pionieri dalin shpesh më të kënaqshme dhe shpërblyese. (Prov. 19:17; Vep. 20:35) Duke u mbajtur i zënë në shërbim, ti je i mbrojtur nga ndikimi i një jete egoiste dhe që merret shtruar, e cila ndiqet nga bota. Jehovai ka premtuar se do të të bëjë të pasur frymësisht nëse ti bën një jetë vetëflijuese dhe vë në vend të parë interesat e Mbretërisë. Me siguri, do të provosh gëzim të vërtetë dhe kënaqësi duke qenë me gjithë zemër në shërbim të Jehovait.—Prov. 10:22; Kol. 3:23, 24.
3 A duhet të shihet shërbimi i plotë kohor si një privilegj i hapur vetëm për një pakicë të veçantë? Jo. Duke marrë parasysh angazhimin tonë për t’ia dedikuar jetën Jehovait, përveç rastit kur rrethanat e bëjnë të pamundur, çdo i krishterë duhet ta konsiderojë seriozisht shërbimin e plotë kohor.—Mar. 12:30.
4 Nëse shëndeti yt dhe përgjegjësitë e qarta biblike nuk të lejojnë të jesh pionier tani, mund të jesh i sigurt se Jehovai e di dhe e kupton. Ai do të të shpërblejë për besnikërinë tënde në atë që bën sipas rrethanave që ndodhesh. (1. Kor. 4:2; 2. Kor. 8:12) Megjithatë, nëse tani e sheh të favorshme për të filluar përsëri si pionier, përse nuk i afrohesh mbikëqyrësit drejtues për t’i marrë kërkesën?
5 A mund të të ndihmojë familja? Ti mund të kesh lënë radhët e pionierëve, ndoshta sepse ke pasur nevojë për t’u kujdesur për detyrimet familjare. A është e mundur që pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë tani në një pozitë që mund të të ndihmojnë për të rifilluar veprën e pionierit? Për disa, vetëm me një ndihmë të vogël në përkujdesjen e përgjegjësive të caktuara, vepra e pionierit mund të jetë përsëri e arritshme.
6 Bashkëpunimi i mirë dhe një përpjekje e vogël ekstra nga ana e pjesëtarëve të tjerë të familjes mund ta bëjë të mundur këtë. Ndihma mund të jetë në formë financiare apo transporti, si edhe me takime të rregullta për të punuar së bashku në shërbim. Me siguri ka edhe mënyra të tjera në të cilat ata mund të ndihmojnë. Nëse rrethanat nuk të lejojnë për të marrë përsëri këtë privilegj shërbimi, ndoshta një ndihmë e tillë mund t’i jepet një pjesëtari tjetër të familjes që mund ta bëjë këtë.
7 Përse nuk e bisedon këtë gjë si familje? Perspektivat mund të jenë të mira nëse e bën një projekt familjar. Nëse një pionier tjetër u shtohet radhëve, me të drejtë, të gjithë njerëzit e shtëpisë mund të ndiejnë se kanë një pjesë. Një frymë e tillë bujare jo vetëm që shton dëshminë për Mbretërinë në territor, por do të afrojë gjithashtu gjithë familjen frymësisht.—Luka 6:38; Filip. 2:2-4.