A ke qenë më parë pionier i rregullt?
1. Çfarë privilegji kanë pasur shumë veta, por çfarë u është dashur disave të bëjnë?
1 Gjatë viteve, mijëra kanë pasur privilegjin ‘të mësojnë dhe të shpallin lajmin e mirë’ si shërbëtorë në kohë të plotë. (Vep. 5:42) Megjithatë, për arsye të ndryshme disave u është dashur ta ndërpresin shërbimin si pionierë. Nëse ke shërbyer më parë si pionier i rregullt, a i ke shqyrtuar rrethanat e tanishme për të parë nëse mund të bëhesh përsëri pionier?
2. Pse duhet t’i shqyrtojnë rrethanat e tanishme ata që më parë kanë shërbyer si pionierë?
2 Rrethanat ndryshojnë: Ajo që të pengonte të shërbeje si pionier, ndoshta nuk ekziston më. Për shembull, nëse e ndërpreve shërbimin si pionier sepse nuk mund të plotësoje kuotën prej 90 orësh në muaj, a mund të rifillosh tani që kuota është 70? Mos vallë nuk ke më aq shumë nevojë për të punuar ose ke më pak përgjegjësi në familje që kur u largove nga radhët e pionierëve? Një motër që e ndërpreu shërbimin për arsye shëndetësore, e rifilloi në moshën 89-vjeçare. Nuk kishte qenë në spital për më tepër se një vit dhe e ndiente se shëndeti do ta lejonte të shërbente si pioniere përsëri.
3. Si mund të bashkëpunojë familja për të ndihmuar njërin prej tyre që të shërbejë si pionier?
3 Ndoshta ti nuk ke qenë pionier, por një nga familja jote e ka ndërprerë shërbimin si pionier që të kujdeset për një pjesëtar të familjes, për shembull për prindin e moshuar. (1 Tim. 5:4, 8) Nëse është kështu, a mund të bëni më shumë ti apo të tjerët në familje për ta ndihmuar? Pse nuk bisedoni për këtë së bashku? (Prov. 15:22) Kur familja bashkëpunon që njëri prej tyre të shërbejë si pionier, të gjithë me të drejtë mund të ndiejnë se po bëjnë pjesën e tyre.
4. Çfarë të bësh nëse tani për tani nuk ke mundësi të bashkohesh me radhët e pionierëve?
4 Mos u shkurajo nëse rrethanat e tanishme nuk të lejojnë të rifillosh shërbimin si pionier. Gatishmëria jote për ta bërë këtë e gëzon Jehovain. (2 Kor. 8:12) Përdori në shërbimin e tanishëm aftësitë që fitove kur ishe pionier. Shprehja Perëndisë në lutje këtë dëshirë që ke dhe ji syçelë ndaj mundësive që të jepen për të rregulluar rrethanat. (1 Gjon. 5:14) Ndoshta me kalimin e kohës, Jehovai do të hapë para teje ‘një derë të gjerë që çon në aktivitet’ dhe kështu do të arrish të provosh përsëri bekimet që ofron shërbimi si pionier i rregullt.—1 Kor. 16:9.