Predikimi—Një privilegj i nderuar
1 Shërbimi i lajmit të mirë është një privilegj i nderuar të cilin Jehovai e ka zgjeruar tek ne. (Rom. 15:16; 1. Tim. 1:12) A e sheh edhe ti në këtë mënyrë? Me kalimin e kohës nuk duhet të lejojmë që asnjë tallje nga të tjerët të pakësojë rëndësinë e saj në sytë tanë. Dhënia e dëshmisë për emrin e Perëndisë është një nder i dhënë vetëm një pakice. Si mund ta rritim ne çmueshmërinë tonë për këtë privilegj?
2 Predikimi i mesazhit të Mbretërisë nuk na sjell favorin e botës. Shumë veta e shikojnë veprën tonë me apati ose indiferencë. Të tjerë tallen dhe e kundërshtojnë atë. Një kundërshtim i tillë mund të vijë nga shokët e punës, fqinjët ose edhe nga pjesëtarët e familjes. Në sytë e tyre ne mund të dukemi të keqtrajtuar dhe budallenj. (Gjon. 15:19; 1. Kor. 1:18, 21; 2. Tim. 3:12) Komentet e tyre shkurajuese janë për të dekurajuar zellin tonë dhe që ne të ngadalësohemi ose të braktisim privilegjin tonë të nderuar. Pikëpamjet negative janë të nxitura prej Satanait, i cili «verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit . . . të mos ndriçojë tek ata». (2. Kor. 4:4, Dio) Si është reagimi yt?
3 Është e rëndësishme të mbajmë në mendje se predikimi ynë mbi Mbretërinë, është vepra më e rëndësishme që secili nga ne mund të bëjë sot. Ne kemi një mesazh jetëshpëtues që nuk është në dispozicion përmes mjeteve të tjera. (Rom. 10:13-15) Ajo që ka rëndësi është të kemi aprovimin e Perëndisë dhe jo atë të njerëzve. Pikëpamjet negative të botës për veprën tonë të predikimit, nuk na pengojnë për të shpallur me guxim lajmin e mirë.—Vep. 4:29.
4 Jezui e çmoi shumë privilegjin e tij për të bërë vullnetin e Atit. (Gjon. 4:34) Ai ia dedikoi veten në mënyrë të veçantë shërbimit dhe nuk lejoi asgjë që mund t’ia tërhiqte vëmendjen apo që kundërshtimet ta ngadalësonin atë. Gjithashtu, mesazhi i Mbretërisë zinte vendin e parë në jetën e tij. (Luka 4:43) Ne kemi urdhërin që të imitojmë shembullin e tij. (1. Pjetr. 2:21) Duke bërë kështu, shërbejmë si «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1. Kor. 3:9, Dio) A po përfitojmë plotësisht nga ky privilegj? A po kërkojmë raste për ta ndarë lajmin e mirë me të tjerët si në mënyrë formale ashtu edhe joformale? Si Dëshmitarë të Jehovait ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të «shpallur publikisht emrin e tij».—Hebr. 13:15.
5 Pjesëmarrja jonë në shërbim përcaktohet gjerësisht nga qëndrimi ynë. A kemi çmueshmëri të thellë për gjithçka që ka bërë Jehovai për ne? A kemi zhvilluar në zemrën tonë një dashuri për Jehovain që na nxit për të bërë gjithçka që mundemi në shërbim të tij? Meditimi mbi bekimet që ne gëzojmë tani si edhe mbi atë që ka premtuar Jehovai për të ardhmen, na ndihmon që të kemi dashuri me bollëk për Krijuesin tonë. Një dashuri e tillë na nxit në veprim—në qëndresë dhe rregullshmëri në veprën e predikimit të Mbretërisë, për t’u zgjeruar aq sa na lejojnë rrethanat. Zelli ynë do të dëshmojë për dashurinë që kemi për Jehovain dhe të afërmin.—Mar. 12:30, 31.
6 Ne tregojmë se sa shumë e vlerësojmë diçka, nga ajo që bëjmë me të dhe nga ajo që themi mbi të. A e vlerësojmë me të vërtetë privilegjin tonë për të predikuar mbi Mbretërinë? A i japim lavdi shërbimit tonë? A jemi të vendosur për të qëndruar në këtë vepër jetësore krahas kundërshtimeve? Nëse e çmojmë shumë këtë privilegj të mrekullueshëm, do të sigurohemi se e bëjmë me zell dhe me gjithë zemër.—2. Kor. 4:1, 7.