Predikimi për Mbretërinë—Një privilegj i çmuar
1 Çdo ditë, i gjithë njerëzimi përfiton nga të mirat që Jehovai siguron me bujari për të mbështetur jetën. (Mat. 5:45) Por, të paktë janë ata që gëzojnë privilegjin e mrekullueshëm që t’i shfaqin çmueshmërinë Krijuesit duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14) Sa e vlerësoni ju këtë privilegj të çmuar?
2 Predikimi për Mbretërinë nderon Perëndinë dhe u sjell shpresë dhe paqe njerëzve që janë të stresuar nga kohët e turbullta që kalojnë sot. (Hebr. 13:15) Për ata që e pranojnë këtë mesazh do të thotë jetë e përhershme. (Gjoni 17:3) Cila është ajo karrierë apo ai profesion që ofron këto gjëra të mrekullueshme? Apostulli Pavël e tregonte vlerësimin e tij për shërbimin në mënyrën se si e kryente atë. Për të ishte vërtet një thesar.—Vep. 20:20, 21, 24; 2 Kor. 4:1, 7.
3 Të tregojmë vlerësim për këtë privilegj të çmuar: Një mënyrë se si tregojmë vlerësim për privilegjin e predikimit është duke i dhënë rëndësi cilësisë së shërbimit tonë. A përpiqemi të përgatitim më parë një prezantim që do të prekë zemrat e dëgjuesve? A mund të bëjmë diçka për t’u përmirësuar në përdorimin e Shkrimeve dhe për të arsyetuar më mirë me njerëzit? A përpiqemi ta punojmë të gjithë territorin që na është caktuar? A dimë si të fillojmë dhe të drejtojmë një studim biblik? Ashtu si të krishterët besnikë, në të shkuarën dhe tani, pikëpamja e duhur për këtë vepër na nxit të veprojmë dhe na bën që ta shohim vërtet si një privilegj.—Mat. 25:14-23.
4 Na ngushëllon vërtet fakti që përpjekjet tona të zellshme për të marrë pjesë në shërbim, edhe atëherë kur jetojmë me problemet e moshës së shkuar, kur nuk jemi mirë me shëndet ose kur kemi probleme të tjera, vlerësohen jashtë mase. Fjala e Perëndisë na siguron se Jehovai i vlerëson këto përpjekje që bëjmë për t’i shërbyer, madje edhe ato përpjekje që mund të mos vihen re nga të tjerët.—Luka 21:1-4.
5 Predikimi për Mbretërinë është burim i një kënaqësie të madhe. Një motër 92-vjeçare tha: «Çfarë privilegji kur kthej kokën pas e kujtoj ato 80 vite shërbimi që ia kam kushtuar Perëndisë. Nuk jam penduar fare! Po ta filloja nga e para jetën, nuk do të ndryshoja asgjë, sepse është e vërtetë se ‘mirësia e Perëndisë vlen më tepër se jeta’.» (Psal. 63:3) Le të tregojmë edhe ne vlerësimin tonë për veprën e predikimit të Mbretërisë, për këtë privilegj që na e ka dhënë Perëndia!