«Tregohuni mirënjohës»
1 Ku Jezui shëroi dhjetë të lebrosur, vetëm njëri prej tyre u kthye për ta falënderuar. Jezui pyeti: «A nuk u pastruan dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?» (Luka 17:11-19) Sa e rëndësishme është të çmojmë dhe të tregojmë mirënjohje për çdo dhuratë të mirë dhe çdo gjë të përsosur që na jepet nga Ati ynë qiellor i dashur dhe bujar, Perëndia Jehova!—Kol. 3:15; Jak. 1:17.
2 Për cilat gjëra mund të jemi mirënjohës? Për shpërblesën, dhuratën më të madhe që i ka bërë Perëndia njerëzimit. (Gjoni 3:16) Gjithashtu i jemi mirënjohës Jehovait që na tërhoqi drejt tij. (Gjoni 6:44) Uniteti ynë si të krishterë është një tjetër arsye për të treguar mirënjohje. (Ps. 133:1-3) Pa dyshim, mund të mendoni për shumë dhurata të tjera nga Jehovai. Nuk duam kurrsesi të bëhemi si izraelitët mosmirënjohës që harruan gjithçka që Jehovai kishte bërë për ta.—Psal. 106:12, 13.
3 Ta tregojmë mirënjohjen: Edhe pse që të dhjetë të lebrosurit mund ta kenë vlerësuar atë që Jezui bëri për ta, vetëm njëri e tregoi mirënjohjen. (Luka 17:15) Po kështu, edhe ne e tregojmë mirënjohjen tonë duke marrë pjesë me zell në shërbim. Nëse e çmojmë vërtet gjithçka që Ati ynë i dashur qiellor ka bërë për ne, zemra jonë do të nxitet për ta imituar dashurinë dhe bujarinë e tij duke u folur edhe të tjerëve për të. (Luka 6:45) Dhe ndërsa u tregojmë të tjerëve se Jehovai ‘ka bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ka menduar shumë për ne’, dashuria dhe çmueshmëria jonë për Jehovain do të rriten.—Psal. 40:5.
4 T’ua ngulitim edhe të tjerëve çmueshmërinë: Duhet të kërkojmë mënyra për t’i ndihmuar fëmijët dhe studentët tanë biblikë të zhvillojnë çmueshmërinë. Prindërit mund të kenë mjaft raste për ta bërë këtë, si për shembull kur shijojnë krijimin e Jehovait bashkë me fëmijët. (Rom. 1:20) Kur drejtojmë një studim biblik, mund ta pyesim studentin: ‘Çfarë na mëson kjo për cilësitë e Jehovait?’ Ndërsa çmueshmëria e studentit rritet, do të rritet edhe dashuria e tij për Perëndinë dhe vendosmëria e tij për t’i pëlqyer.
5 Në këto ditë të fundit, shumë njerëz janë mosmirënjohës. (2 Tim. 3:1, 2) Sa kënaqet Jehovai kur sheh shërbëtorët e tij të përkushtuar që tregojnë mirënjohje duke marrë pjesë me zell në shërbim!—Jak. 1:22-25.