Si mund të gjej dikë që të më dëgjojë?
1 Në qytetin e Filipisë, «një grua me emrin Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, . . . po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali». (Veprat 16:14) Çfarë na mëson ky tregim? Dëgjimi është ai që i hap derën një personi që të mësojë të vërtetën. Suksesi ynë në ndarjen e mesazhit të Mbretërisë varet së pari nga gatishmëria e pronarit të shtëpisë për të dëgjuar. Kur kemi një person që na dëgjon, është relativisht e lehtë për ta prezantuar mesazhin tonë. Por të gjesh dikë që të të dëgjojë mund të jetë një sfidë. Çfarë mund të bëjmë?
2 Para se të shkojmë në shërbim, duhet t’i kushtojmë vëmendje paraqitjes sonë dhe materialeve që do të përdorim. Pse? Njerëzit janë më të prirur të dëgjojnë dikë që e paraqet veten me dinjitet. A vishemi me shije, por në mënyrë modeste? Megjithëse e veshura e çrregullt mund të jetë e zakonshme në botë, ne i shmangim shkujdesje të tilla sepse jemi shërbëtorë që përfaqësojmë Mbretërinë e Perëndisë. Paraqitja jonë e pastër dhe e rregullt, janë në favor të dëshmisë së mesazhit të Mbretërisë që predikojmë.
3 Ji miqësor dhe i respektueshëm: Pavarësisht nga ndryshimi i sotëm i qëndrimit, shumë njerëz kanë interes për Biblën dhe do t’i përgjigjen në mënyrë të favorshme një bisede të respektueshme dhe miqësore rreth asaj që përmban Bibla. Një buzëqeshje e ngrohtë dhe e çiltër mund ta ngrohë pronarin e shtëpisë dhe t’i hapë rrugën një diskutimi të këndshëm. Sinqeriteti, sjelljet e mira gjithashtu, duhet të jenë të dukshme në të folurin dhe qëndrimin tonë, gjë që përfshin të dëgjuarin me respekt të mendimeve të pronarit të shtëpisë.
4 Qëllimi ynë është të ndajmë shpresën biblike me të tjerët. Me këtë në mendje, duhet të jemi të sigurt se biseda jonë është tërheqëse, jo kundërshtuese apo sfiduese. Nuk është e nevojshme të harxhojmë kohë duke argumentuar me një person që në mënyrë të qartë është kundërshtar. (2. Tim. 2:23-25) Ne mund të zgjedhim diçka nga llojshmëria e gjerë e inkurajimeve dhe prezantimeve të siguruara për ne në kohën e duhur në fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve (angl.). Sigurisht, ne duhet t’i përgatisim këto mirë, me qëllim që të mund të flasim në një mënyrë të ngrohtë dhe bindëse.—1. Pjetr. 3:15.
5 Pas vizitës fillestare, pak pronarë shtëpie janë në gjendje të kujtojnë saktësisht atë që kemi thënë. Por, në fakt, secili prej tyre mund të kujtojë mënyrën në të cilën është folur. Kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë fuqinë e mirësisë dhe të dashamirësisë. Sigurisht, ka shumë njerëz ngjashëm deleve në territorin tonë që do t’i vënë veshin të vërtetës, ashtu siç bëri Lidia në shekullin e parë. Duke i kushtuar vëmendje të kujdesshme paraqitjes dhe mënyrës së të folurit, mund t’i inkurajojmë personat e sinqertë ta dëgjojnë Fjalën e Perëndisë dhe me dashamirësi ta pranojnë atë.—Marku 4:20.