Beko Jehovain «gjithë ditën»
1 Psalmi 145:2 përmban një premtim, të cilin mbreti David ia bëri Jehovait: «Do të të bekoj gjithë ditën dhe do të lëvdoj emrin tënd në kohë të pafundme, madje përgjithmonë.» (BR) Ne gjithashtu kemi arsye të bekojmë dhe të lavdërojmë Atin tonë qiellor! Por, si mund ta imitojmë shembullin e Davidit në lartësimin e sovranitetit të Jehovait «gjithë ditën»?
2 Të mbushim zemrën me çmueshmëri për Jehovain: Studimi i rregullt i Fjalës së Perëndisë thellon mirënjohjen tonë për atë që Jehovai ka bërë, atë që është duke bërë dhe atë që do të bëjë akoma për ne. Ndërsa rritim çmueshmërinë për veprat e tij të mrekullueshme, ne do të shohim që s’do të përmbahemi dot së shprehuri në lidhje me mirësinë e tij. (Psal. 145:7) Ne do të lavdërojmë me dëshirë Jehovain në çdo rast të përshtatshëm.
3 Lavdëro Jehovain në bisedat e përditshme: Kur bisedojmë me fqinjët, shokët e shkollës dhe të tjerët që takojmë çdo ditë, ne mund të gjejmë rast për të ndarë shpresën tonë me ta. Një fqinj mund të shprehë shqetësim mbi krimin në vend; një shok shkolle mund të jetë i shqetësuar për abuzimin me drogën ose imoralitetin; një shok pune mund të shprehë një opinion mbi disa çështje politike. Ne mund të vëmë në dukje parimet dhe premtimet e Fjalës së Perëndisë, të cilat tregojnë rrugën e duhur që duhet të marrim tani dhe zgjidhjen përfundimtare për këto probleme. Fjalë të tilla të thëna në «kohën e duhur» mund të jenë një bekim!—Prov. 15:23.
4 Fol për Jehovain gjithë kohën: Personi me një çmueshmëri të thellë për Jehovain, dëshiron të ndajë lajmin e mirë me sa më shumë persona të tjerë të jetë e mundur. (Psal. 40:8-10) Në lidhje me këtë ne duhet të pyesim veten: «A jam duke bërë çdo gjë që do të më lejonin rrethanat e mia?» Shumë veta kanë parë se me disa rregullime të arsyeshme, kanë qenë në gjendje të bëhen pionierë të rregullt. Nëse rrethanat e tanishme nuk na e lejojnë këtë, a mund të radhitemi si pionierë ndihmës? Meqë kremtimi i Përkujtimit që po afrohet është një kohë për një aktivitet të zgjeruar, muaji i prillit dhe i majit do të jenë një kohë e shkëlqyer për të rritur shërbimin tonë, duke u bërë pionierë ndihmës.
5 Ndihmoji të rinjtë të bashkohen me ne për të bekuar Jehovain: Kremtimi i Përkujtimit të vdekjes së Jezuit na kujton gjithmonë arsyet për t’i qenë mirënjohës Jehovait dhe për të lavdëruar emrin e Tij. Ky është veçanërisht një rast i mirë për të inkurajuar studentët tanë të Biblës që të bashkohen me ne në shpalljen publike të mbretërimit të Jehovait. Nxiti ata që të reflektojnë, duke u lutur mbi atë që thuhet në paragrafët 7-9 në faqet 173-175 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Nëse kualifikohen, ata nuk kanë arsye që të frenohen nga të predikuarit, thjesht për faktin se u mungon përvoja. Lajmëtarë të aftë janë të gatshëm t’u tregojnë atyre se si bëhet vepra e predikimit të Mbretërisë. Nëse të rinjtë mund të marrin guxim për të folur mbi lajmin e mirë, mund të kenë besim se Jehovai do t’i ndihmojë ata.—Vep. 4:31; 1. Sel. 2:2.
6 Kur përpiqemi të bekojmë Jehovain gjithë ditën, ne i sjellim përfitime të përjetshme vetes sonë dhe të tjerëve.