A po e përdor drejt Fjalën e Perëndisë?
1 Jezu Krishti ishte mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë në tokë. Ai fliste në një mënyrë që prekte zemrat e njerëzve, ngjallte ndjenjat e tyre dhe i nxiste të praktikonin vepra të mira. (Mat. 7:28, 29) Si bazë për mësimin e tij, ai përdori gjithnjë Fjalën e Perëndisë. (Luka 24:44, 45) Ia dha meritën Perëndisë Jehova për gjithçka që ai dinte dhe ishte në gjendje të mësonte. (Gjoni 7:16) Jezui la një shembull të shkëlqyer për ithtarët e tij, duke e përdorur drejt Fjalën e Perëndisë.—2. Tim. 2:15.
2 Edhe apostulli Pavël shërbeu si një shembull i shquar, duke e përdorur Fjalën e Perëndisë me efektshmëri. Ai nuk u mjaftua thjesht me leximin që u bënte të tjerëve, por shpjegoi dhe arsyetoi mbi atë që lexoi, duke paraqitur prova nga Fjala e Perëndisë se Jezui ishte Krishti. (Vep. 17:2-4) Po kështu, edhe Apoli, një dishepull elokuent, ishte «ekspert në Shkrime» dhe i përdori ato drejt, për ta paraqitur fuqishëm të vërtetën.—Vep. 18:24, 28, BR.
3 Ji mësues i Fjalës së Perëndisë: Lajmëtarët e Mbretërisë në ditët e sotme kanë pasur një sukses të shkëlqyer në veprën e mësimit të personave me zemër të ndershme, duke iu referuar Biblës dhe duke arsyetuar prej saj. Në një rast, një vëlla mundi të përdorte Ezekielin 18:4 duke e shoqëruar me shkrimet që lidhen me të, për të arsyetuar me një pastor dhe tre prej famullitarëve të tij mbi fundin e pashmangshëm të të ligjve dhe të të drejtëve. Si rezultat, disa anëtarë të kishës filluan të studionin dhe njëri prej tyre përfundimisht pranoi të vërtetën. Në një rast tjetër, një motre iu kërkua që t’i shpjegonte burrit kundërshtar të një gruaje të interesuar, përse Dëshmitarët e Jehovait nuk i kremtojnë Krishtlindjet dhe ditëlindjet. Pasi lexoi përgjigjet biblike drejtpërdrejt nga libri Të arsyetojmë (angl.), burri u shpreh se ishte i një mendjeje me të. E shoqja ishte kaq e kënaqur për faktin që ai i kishte pranuar këto përgjigje, saqë tha: «Do të vijmë nëpër mbledhjet që organizoni ju.» Edhe burri ishte dakort.
4 Përdor ndihmën që është në dispozicion: Fletushka Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe programi i Mbledhjes së Shërbimit ofrojnë një drejtim të shkëlqyer, që na ndihmon për të përdour Fjalën e Perëndisë. Shumë lajmëtarë kanë shprehur çmueshmërinë e tyre për shumëllojshmërinë e prezantimeve të sugjeruara, që janë botuar dhe demonstruar për dobinë tonë dhe që kanë dalë shumë të efektshme e në kohën e duhur. Libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme siguron një përmbledhje koncize të të gjitha mësimeve themelore biblike, që të sapointeresuarit nevojitet të kuptojnë. Shtojcat e fletushkës Shërbimi ynë i Mbretërisë për muajt prill dhe maj 1994, na tregojnë se si mësuesit e aftë futin, lexojnë dhe aplikojnë shkrimet në mënyrë të përshtatshme. Duhet ta përdorim mirë gjithë këtë ndihmë që është pa asnjë vështirësi në dispozicionin tonë.
5 Kur e përdorim drejt Fjalën e Perëndisë, do të shohim se ajo «është e gjallë dhe vepruese . . . dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës» së atyre, të cilëve u predikojmë. (Hebr. 4:12) Suksesi që kemi me Fjalën e Perëndisë, do të na nxisë që të themi të vërtetën edhe me më shumë guxim.—Vep. 4:31.