Mësoju të tjerëve çfarë kërkon Perëndia
1 Ende mund të gjenden shumë njerëz, që frymësisht kanë qenë të privuar nga ‘dëgjimi i fjalëve të Jehovait’. (Amo. 8:11, BR) Edhe pse disa besojnë se Perëndia ekziston, janë të pavetëdijshëm për qëllimin dhe kërkesat e tij. Prandaj, ka nevojë që ne t’u mësojmë të vërtetën jetëshpëtuese të Mbretërisë. Duke qenë të pajisur dhe të përgatitur në mënyrë të përshtatshme për të dëshmuar në çdo rast, ne mund t’i arrijmë ata që dëshirojnë të mësojnë se çfarë kërkon Jehovai.
2 Gjatë prillit dhe majit, do të kemi për të shpërndarë numra tamam në kohën e duhur të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Përveç tyre, për herë të parë do të prezantojmë broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Ilustrimet e saj që bien në sy dhe pyetjet që provokojnë mendimin, i japin kësaj broshure një tërheqje në masë të madhe. Sugjerimet vijuese janë ofruar që të na ndihmojnë për t’i përdorur me efektshmëri botimet tona të shkëlqyera.
3 Kërkimi i njerëzve: Në zonat ku shumë njerëz nuk ndodhen në shtëpi, kur ne predikojmë nga shtëpia në shtëpi, po provohet se është dobiprurëse që njerëzit t’i kërkojmë dhe t’u flasim kudo që ndodhen. Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë i shtatorit 1996, na inkurajonte që ta predikonim lajmin e mirë kudo: në rrugë, në transportin publik, në parqe, në vendqëndrimet e makinave dhe në vendet tregtare. Ajo na bëri, gjithashtu, të ndërgjegjshëm për nevojën e krijimit të mundësive, që të predikojmë në mënyrë joformale. Si shembull i kësaj, një motër pioniere shkoi në kopshtin zoologjik dhe mori me vete një sasi revistash Zgjohuni! të 8 gushtit 1996, anglisht, e cila përmbante serinë: «Speciet në rrezik: Përse të shqetësohemi?» Brenda një ore, ajo u la 40 kopje disa dashuruesve të kafshëve, që i çmonin shumë ato! Çfarë suksesi ke gëzuar deri tani, duke predikuar lajmin e mirë kudo? Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe broshura Çfarë kërkon?, janë veçanërisht të përshtatshme për çdo lloj dëshmie, sepse paraqesin një informacion që ndikon në jetën e njerëzve dhe që nxit aftësinë e të menduarit.
4 Fillimi i bisedave: Faqja e fundit e Shërbimi ynë i Mbretërisë, i tetorit 1996, jep hollësi se si të përgatitim një prezantim tonin për revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Të njëjtat sugjerime do të jenë të efektshme edhe kur të përgatitësh prezantimin tënd për broshurën Çfarë kërkon? Ajo që themi mund të jetë e shkurtër, vetëm pak fjali, ose aq e gjatë sa do të mjaftonte për të përfshirë një mendim nga Shkrimet. Është e rëndësishme që fjalët hyrëse të zgjidhen me kujdes, meqenëse janë ato që mund të përcaktojnë nëse personi të cilit i je afruar, do të vazhdojë të dëgjojë apo jo. Disa kanë qenë të suksesshëm me këtë koment hyrës: «Kam lexuar një artikull që për mua ishte inkurajues dhe dëshiroj t’jua ofroj edhe ju.» Ose, për ta tërhequr palën tjetër në një bisedë, mund të ngrihet një pyetje interesante.
5 Nëse është e përshtatshme në zonën tënde, në prezantimet e tua gjatë këtij muaji, mund të provosh të drejtosh pyetje si këto që vijojnë:
◼ «Sot ne shohim kaq shumë zhgarravina nëpër mure, hedhurina dhe ndotje. Çfarë do të duhej për ta pastruar tokën dhe për ta bërë një vend më të mirë jetese?» Lëre të japë një përgjigje dhe më pas shpjegoji se ke një informacion që na siguron se si dhe kur do të bëhet toka një kopsht mbarëbotëror. Përdor një koment specifik, një shkrim të shkurtër dhe një ilustrim të gjallë nga një revistë e kohëve të fundit dhe pastaj ofroja atë individit që ta lexojë. Përmendi faktin që shumë persona, të cilëve u pëlqen të lexojnë botimet tona, ofrojnë një kontribut, që ne e përdorim me kënaqësi për veprën tonë mbarëbotërore. Përpara se ta përfundosh bisedën, përpiqu që të bësh diçka për ta vazhduar atë një herë tjetër.
◼ «A mendoni se Perëndia pati si qëllim që ne të jetonim të rrethuar nga shqetësime të tilla, si këto me të cilat ndeshemi përditë?» Pasi të përgjigjet personi, mund të thuash: «Ka të ngjarë që ta njihni mirë lutjen që Jezui u mësoi të bëjnë ithtarëve të tij, duke kërkuar që të vinte Mbretëria e Perëndisë. A e keni menduar ndonjëherë se çfarë është në të vërtetë Mbretëria e Perëndisë?» Kalo tek mësimi 6 në broshurën Çfarë kërkon? dhe lexo pyetjet që janë vendosur në fillim të mësimit. Pastaj, ndërsa ti lexon paragrafin 1, vër në dukje përgjigjen ndaj pyetjes së parë. Shpjego se pjesës tjetër të pyetjeve u është dhënë përgjigje në mënyrë po kaq të përmbledhur. Ofro broshurën, përmend rregullimin e kontributeve dhe ofroji mundësinë që të takoheni përsëri për të ndarë me të më shumë informacion rreth Mbretërisë.
◼ «Shumë persona të arsyeshëm po fillojnë t’i shohin fetë e botës si shkaku i problemeve të njeriut, në vend se si zgjidhja e tyre. Çfarë mendoni ju në lidhje me këtë?» Pas dëgjimit të pikëpamjes së personit, trego diçka nga njëra prej revistave të fundit që mund të tërheqë interesin e tij mbi dështimin e fesë së rreme apo rënien e saj që po afrohet. Pyete nëse do t’i pëlqente ta lexonte. Shkëmbeni emrat dhe ofroji mundësinë që të vihesh përsëri në kontakt me të, për të pasur rastin t’i shpjegosh se si feja e vërtetë nuk e ka bërë njerëzimin të dështojë. Kurdo që të jetë e përshtatshme, shpjegoji se si personi i interesuar mund të japë një kontribut të vogël.
◼ «Me kaq shumë probleme në jetën familjare sot, a e keni pyetur ndonjëherë veten se cili është sekreti për të arritur lumturinë familjare?» Prit për të marrë një përgjigje dhe shpjegoi se në Bibël, Perëndia zbulon sekretin e vërtetë të lumturisë familjare. Ndoshta mund të lexosh Isainë 48:17. Pastaj kalo tek mësimi 8 në broshurën Çfarë kërkon? dhe trego disa prej vargjeve biblike të cituara që sigurojnë një udhëheqje të besueshme për secilin anëtar të familjes. Lexo pyetjet e renditura në fillim të mësimit. Pyete personin nëse do t’i pëlqente të lexonte përgjigjet. Nëse po, jepi broshurën dhe shpjegoji që megjithëse për të nuk ka një çmim, ne i pranojmë kontributet modeste për përkrahjen e veprës sonë mbarëbotërore. Ofroji mundësinë që të kthehesh një herë tjetër për të ndarë me të diçka më shumë për udhëheqjen praktike që përmban Bibla për një jetë të lumtur familjare.
6 Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë i marsit 1997, na inkurajonte që të merrnim guxim për të bërë rivizita. Për fillimin e studimeve biblike, ajo rekomandonte përdorimin e broshurës Çfarë kërkon? dhe nëse kjo gjë nuk bëhet në vizitën e parë, atëherë bëhet gjatë rivizitës. Nevoja më e madhe e njerëzimit është që të mësojë se çfarë kërkon Perëndia dhe pastaj ta bëjë atë. (Kolos. 1:9, 10) Ne do të bëjmë që të tjerët të nxjerrin shumë dobi gjatë prillit dhe majit, nëse mundemi të fillojmë t’u mësojmë atë që dimë mbi kërkesat e Jehovait për jetën.—1. Kor. 9:23.