Drejtoji studentët tek «organizata pas emrit»
1 «Ky është një lajm për të cilin flitet në më shumë se 200 gjuhë. Është një lajm që dëgjohet në më shumë se 210 vende. Është një lajm që jepet personalisht, kudo ku mund të gjenden njerëz. E gjithë kjo është një pjesë e fushatës më të madhe të predikimit që bota ka njohur ndonjëherë, një lajm që bashkon me miliona njerëz rreth botës. Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë të organizuar për ta kryer këtë vepër, për më shumë se njëqind vjetë!»
2 Kështu fillon tregimi i videos Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Ajo shtjellohet në përgjigje të pyetjes: Kush janë me të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait? Si është i organizuar aktiviteti i tyre? Si drejtohet? Si financohet? Ajo ngulit tek shikuesit faktin që «Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, janë stërvitur si një organizatë për t’i ndihmuar të afërmit e tyre që të ndërtojnë besimin në Bibël» dhe i inkurajon ata që ta shohin vetë organizatën pas emrit tonë. Pasi pa këtë video, një grua që po studionte, shpërtheu në lot gëzimi e çmueshmërie dhe tha: «Si mundet që dikush të mos e kuptojë se kjo është organizata e Perëndisë së vërtetë, Jehovait?»—Krahaso 1. Korintasve 14:24, 25.
3 Një grua tjetër e kishte studiuar me ndërprerje Biblën për një kohë të gjatë, por nuk mundte ta pranonte faktin se Triniteti është një doktrinë e rreme. Më pas, asaj dhe burrit iu tregua videoja. Atyre u bëri shumë përshtypje prezantimi dhe e panë dy herë brenda po asaj mbrëmjeje. Herën tjetër të studimit të tyre, gruaja shprehu dëshirën e saj për t’u bërë një Dëshmitare. Ajo tha se kishte qenë e përqendruar në besimin tek Triniteti dhe kishte lënë pa parë organizatën tonë dhe njerëzit që ndodhen në të. Nga videoja, kuptoi se kishte gjetur organizatën e vërtetë të Perëndisë. Ajo dëshironte të fillonte menjëherë predikimin nga shtëpia në shtëpi. Pasi iu shpjegua se cilat janë hapat e domosdoshëm për t’u bërë një lajmëtare e papagëzuar, tha: «Le t’i futem menjëherë punës.» Ajo dha dorëheqjen nga kisha e saj, filloi në aktivitetin e shërbimit në fushë dhe u bë e aftë në përgënjeshtrimin e Trinitetit.
4 Është përcaktuar më së miri se studentët biblikë bëjnë progres më të mirë frymor dhe rriten më shpejt drejt pjekurisë, kur njohin organizatën e Jehovait dhe kur shoqërohen me të. Në mënyrë domethënëse, pasi 3.000 personat u pagëzuan në Rrëshajët, «vazhduan t’i përkushtoheshin mësimit të apostujve dhe të shoqëroheshin së bashku». (Vep. 2:42, BR, shn.) Është thelbësore t’i ndihmojmë studentët që sot të bëjnë të njëjtën gjë. Si mund ta bëjmë këtë?
5 Mbaj mbi supe përgjegjësinë: Çdo bërës dishepujsh duhet ta kuptojë se është përgjegjësia e tij që ta drejtojë studentin biblik tek organizata e Perëndisë. (1. Tim. 4:16) Çdo herë që bëhet studim duhet parë si një gur kalimi drejt ditës së lumtur, kur personi i ri në të vërtetën do ta simbolizojë dedikimin e tij ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Njëra prej pyetjeve që do t’i drejtohet gjatë ceremonisë së pagëzimit, është: «A e kupton se dedikimi dhe pagëzimi yt të identifikojnë si një prej Dëshmitarëve të Jehovait në shoqëri me organizatën e drejtuar nga fryma e Perëndisë?» Prandaj, është e rëndësishme që ai të kuptojë se nuk mund t’i shërbejë Jehovait pa u shoqëruar aktivisht me kongregacionin e vërtetë të krishterë.—Mat. 24:45-47; Gjoni 6:68; 2. Kor. 5:20.
6 Vazhdo ta mësosh studentin në lidhje me kongregacionin lokal dhe me organizatën ndërkombëtare pas Dëshmitarëve të Jehovait. Bëje këtë në çdo sesion të studimit të Biblës, duke filluar që në të parin. Që në fillim fare, ftoje studentin në mbledhje dhe vazhdo ta ftosh.—Zbul. 22:17.
7 Përdor mjetet që janë siguruar: Botimet tona më të mira për drejtimin e studimeve biblike në shtëpi, janë broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Që të dyja këto, theksojnë domosdoshmërinë për t’u shoqëruar me kongregacionin. Fundi i mësimit 5 në broshurën Çfarë kërkon?, thotë: «Duhet të vazhdosh të mësosh mbi Jehovain dhe t’u bindesh kërkesave të tij. Pjesëmarrja në mbledhjet në Sallën lokale të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait do të të ndihmojë ta bësh këtë.» Libri Njohuria i inkurajon herë pas here studentët që të shoqërohen në këto mbledhje. Kapitulli 5, paragrafi 22, bën këtë ftesë: «Dëshmitarët e Jehovait . . . me ngrohtësi të nxitin edhe ty për të marrë pjesë me ta në adhurimin e Perëndisë ‘në frymë e në të vëretën’. (Gjoni 4:24)» Kapitulli 12, paragrafi 16, thotë: «Duke vazhduar këtë studim dhe duke e bërë zakon pjesëmarrjen në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, besimi yt do të forcohet edhe më shumë.» Kapitulli 16, paragrafi 20, thotë: «Bëje zakon pjesëmarrjen në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.» Ai shton: «Kjo do të të ndihmojë që ta zbatosh njohurinë e Perëndisë në jetën tënde dhe do të të sjellë lumturi. Duke qenë pjesë e vëllazërisë botërore të krishterë, do të të ndihmojë të qëndrosh afër Jehovait.» Kapitulli 17 trajton në mënyrë të plotë se si një person gjen siguri të vërtetë mes popullit të Perëndisë. Ndërsa studiojmë me të tjerët, është përgjegjësia jonë që ta vëmë theksin tek këto pjesë të materialit.
8 Broshura Dëshmitarët e Jehovait: Të bashkuar për të kryer vullnetin e Perëndisë në të gjithë botën, është një mjet i shkëlqyer që është prodhuar për t’i njohur individët me të vetmen organizatë të dukshme, që Jehovai po përdor sot për të kryer vullnetin e tij. Informacioni i hollësishëm që përmban ai në lidhje me shërbimin, mbledhjet dhe organizimin tonë, do ta inkurajojë lexuesin që të shoqërohet me ne në adhurimin e Perëndisë. Menjëherë pasi të jetë vendosur një studim biblik, rekomandohet që ne t’i japim studentit një kopje të kësaj broshure që ai ta lexojë vetë. Nuk ka nevojë që ta studiojmë broshurën bashkë me të, siç është bërë në të kaluarën.
9 Disa video të Shoqatës, janë mjete të shkëlqyera për drejtimin e studentëve tek «organizata pas emrit». Do të ishte mirë që ata të shikojnë videon, që disponohet në gjuhën shqipe, Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. Pasi e kanë parë, shumë persona të intersuar janë prekur nga kjo video dhe kanë shprehur një vlerësim të madh për organizatën e Jehovait. Nëse studioni me një person që kupton ndonjë gjuhë të huaj, mund të konsideroni mundësinë për të përdorur video të Shoqatës në ndonjë gjuhë të huaj.
10 Vendos synime progresive në lidhje me mbledhjet: Studentëve u duhet shpjeguar se ne kemi nevojë si për mësimdhënien private që sigurohet në ambjentin e studimit biblik në shtëpi, ashtu dhe për diskutimet në klasë, të cilat sigurohen në mbledhjet e kongregacionit. (Gjoni 6:45) Një i ri në të vërtetën ka nevojë të bëjë të njëjtin progres në kuptueshmërinë e tij si të Shkrimeve, ashtu dhe të organizatës. Duke pasur këtë si qëllim, për pjesëmarrjen në mbledhje, nuk ka zëvendësues. (Hebr. 10:23-25) Fillo menjëherë që ta ftosh personin në mbledhjet e kongregacionit. Disa të sapointeresuar fillojnë të marrin pjesë në mbledhje, madje edhe përpara se të kenë një studim të rregullt biblik në shtëpi. Sigurisht, ne dëshirojmë që të japim shembullin tonë të duhur, duke pasur një pjesëmarrje të rregullt.—Luka 6:40; Filip. 3:17.
11 Nda me të një informacion të mjaftueshëm në lidhje me mbledhjet dhe me mënyrën e drejtimit të tyre, kështu që studenti do të ndihet rehat kur të marrë pjesë në mbledhjen e tij të parë. Meqenëse disa njerëz nuk ndihen aspak rehat kur shkojnë për herë të parë në vende të reja, mund të ishte dobiprurëse që ta shoqëroje ti studentin për në Sallën e Mbretërisë, kur ai merr pjesë në mbledhjen e tij të parë. Ai do të ndihet më i shpenguar nëse ndodhesh me të, ndërkohë që ai takon anëtarët e kongregacionit. Mbi të gjitha, ji një mikpritës i mirë për vizitorin tënd, duke e bërë të ndihet i mirëpritur dhe rehat.—Mat. 7:12; Filip. 2:1-4.
12 Inkurajoje studentin që në rastin më të parë, të marrë pjesë në një asamble speciale njëditore, asamble qarkore apo kongres krahinor. Ndoshta mund ta përfshish në rregullimet e tua në lidhje me transportin.
13 Fut çmueshmërinë nga zemra: Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, faqe 92, anglisht, shpjegon: «Nëse vlerësimi yt i thellë për organizatën e Jehovait, gjen pasqyrim në bisedat me të interesuarit, për ta do të jetë më e lehtë të rriten në çmueshmërinë dhe do të jenë të nxitur për të përparuar më shumë në njohjen e Jehovait.» Fol gjithmonë pozitivisht dhe asnjëherë në mënyrë negative, për kongregacionin tënd lokal. (Psal. 84:10; 133:1, 3b) Në lutjet që bëni gjatë studimit biblik, përmend kongregacionin dhe nevojën e studentit për t’u shoqëruar rregullisht me të.—Efes. 1:15-17.
14 Ne sigurisht dëshirojmë që personat e rinj të zhvillojnë çmueshmëri nga zemra për shoqërinë e këndshme dhe për sigurinë frymore që gjendet mes popullit të Perëndisë. (1. Tim. 3:15; 1. Pjet. 2:17; 5:9) Si Dëshmitarë të Jehovait, le të bëjmë gjithçka mundemi për t’i drejtuar studentët e Fjalës së Perëndisë tek organizata pas emrit tonë.
[Diçitura në faqen 3]
Studentët bëjnë progres frymor më të shpejtë, kur e shohin vetë organizatën
[Diçitura në faqen 4]
Mos e shtyni kohën për të ftuar studentët që të marrin pjesë në mbledhje