T’i ndihmojmë të tjerët që të ndjekin mbledhjet
1 «Çdo mik, diku afër nesh, . . . që dëshiron të ndjekë mbledhjet ftohet me ngrohtësi ta bëjë këtë.» Që nga nëntori i 1880-s, kohë kur ky njoftim u shfaq në Kullën e Rojës së Sionit, Dëshmitarët e Jehovait i kanë ftuar me zell njerëzit, që të mblidhen së bashku me ta për të marrë mësim biblik. (Zbul. 22:17) Kjo është një pjesë themelore e adhurimit të vërtetë.
2 Është jetësore të jesh i pranishëm: Kemi bekime kur shoqërohemi me kongregacionin. Njihemi më mirë me Perëndinë e mrekullueshëm, Jehovain. Në kongregacion, mblidhemi së bashku për «t’u mësuar nga Jehovai». (Isa. 54:13, BR) Organizata e tij paraqet një program të vazhdueshëm mësimi biblik, që na afron më shumë me të dhe na jep ndihmë praktike për të zbatuar «gjithë qëllimin e Perëndisë». (Vep. 20:27; Luka 12:42) Mbledhjet na stërvitin personalisht në artin e mësimit të Fjalës së Perëndisë. Përkujtuesit nga Shkrimet na ndihmojnë të gëzojmë një marrëdhënie të suksesshme me të tjerët dhe me vetë Jehovain. Shoqërimi me ata që e duan Perëndinë e forcon besimin tonë.—Rom. 1:11, 12.
3 T’u bëjmë një ftesë të drejtpërdrejtë: Të ftojmë në mbledhje, që në studimin e parë, çdo student të Biblës. Të nxitim interesin e tij duke i treguar një pikë nga mbledhja e fundit që na dha zemër dhe neve vetë e të shqyrtojmë diçka që do të diskutohet në mbledhjen tjetër. T’i përshkruajmë si është Salla jonë e Mbretërisë dhe të sigurohemi që ai di si ta gjejë atë.
4 Nëse studenti nuk vjen menjëherë pas kësaj, të vazhdojmë ta ftojmë përsëri. Të përdorim disa minuta çdo javë për t’i treguar se si vepron organizata jonë. Të përdorim broshurën Të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe videokasetën Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit për ta njohur atë me organizatën dhe me mbledhjet tona. Të marrim me vete edhe lajmëtarë të tjerë për ta njohur studentin me ta. Gjatë lutjes ta falënderojmë Jehovain për organizatën dhe të përmendim që studenti ka nevojë të shoqërohet me të.
5 Të mos ngurrojmë t’i ndihmojmë të interesuarit e rinj që të mblidhen me ne. Ndërsa çmueshmëria e tyre për Jehovain rritet, do të nxiten që ta zbatojnë atë që mësojnë dhe të bëhen pjesë e organizatës së bashkuar të Perëndisë.—1 Kor. 14:25.