Sjellja jonë e mirë jep dëshmi
1 Në shoqërinë e sotme toleruese, shumë të rinj, e shpërdorojnë pa u menduar jetën e tyre, duke u përzier me drogën, imoralitetin, rebelimin dhe dhunën. Në kontrast me këtë, sjellja shembullore e të rinjve të shëndetshëm në kongregacionin e krishterë, të freskon kur e sheh dhe sigurisht është diçka e bukur për Jehovain. Ajo shërben si një dëshmi e fuqishme, që mund t’i tërheqë të tjerët drejt së vërtetës.—1. Pjet. 2:12.
2 Shumë përvoja tregojnë se sjellja e mirë e të rinjve të krishterë, ka pasur një ndikim pozitiv mbi vëzhguesit. Duke folur për një të re Dëshmitare që ishte nxënësja e saj, një mësuese i tha të gjithë klasës se Perëndia i kësaj vajze, Jehovai, është Perëndia i vërtetë. Ajo e tha këtë për shkak të sjelljes gjithmonë të respektueshme të vajzës. Një mësuese tjetër i shkroi Shoqatës, duke thënë: «Dua t’ju lavdëroj për të rinjtë e shkëlqyer që keni në fenë tuaj. . . . Të rinjtë tuaj janë me të vërtetë një shembull. Ata i respektojnë më të rriturit, janë të sjellshëm dhe vishen në mënyrë modeste. Dhe sa mirë e njohin Biblën e tyre! Kjo është në të vërtetë fe!»
3 Një mësueseje tjetër në një shkollë i bëri përshtypje sjellja e shkëlqyer e një Dëshmitari 7-vjeçar në klasën e saj. Ajo ishte e tërhequr nga personaliteti i butë dhe i këndshëm i djalit, gjë që e vinte atë në një kontrast të thellë me djemtë e tjerë. Asaj i bënte përshtypje qëndrimi serioz që kishte ndaj bindjeve të tij fetare dhe që nuk e kishte problem të ishte i ndryshëm për shkak të asaj që besonte. Ajo mund të shihte se ndërgjegjja e tij ishte e stërvitur dhe se ishte në gjendje «për të dalluar të mirën dhe të keqen». (Hebr. 5:14) Përfundimisht, nëna e djalit e vizitoi mësuesen dhe filloi një studim biblik me të. Me kohë, mësuesja u pagëzua dhe më vonë u bë një pioniere e rregullt.
4 Një i ri u ndikua nga sjellja e mirë e një Dëshmitareje në shkollën e tij. Ajo ishte me të vërtetë e ndryshme, shumë e sjellshme, studioze dhe gjithmonë modeste në të veshur, gjithashtu, ndryshe nga vajzat e tjera nuk merrej me dashuriçka. Ai mundi të shihte se ajo jetonte sipas parimeve biblike. I riu i bëri pyetje në lidhje me bindjet e saj fetare dhe i bëri përshtypje ajo që mësoi. Ai filloi të studionte, pak pas kësaj u pagëzua dhe përfundimisht mori pjesë në shërbimin si pionier dhe në shërbimin në Bethel.
5 Nëse je një i ri i krishterë që dëshiron t’u japësh një dëshmi të mirë të tjerëve, vëzhgo sjelljen tënde në çdo aspekt. Mos e dobëso vigjilencën tënde duke u tërhequr ndaj qëndrimeve, pikëpamjeve apo stileve të jetesës së kësaj bote toleruese. Vendos një shembull të lartë për veten, në lidhje me të folurën, veshjen dhe krehjen, jo vetëm gjatë pjesëmarrjes në shërbimin në fushë dhe në mbledhjet e kongregacionit, por edhe ndërsa je në shkollë dhe kur zbavitesh. (1. Tim. 4:12) Do të ndjesh një gëzim të vërtetë kur dikush të tregojë interes për të vërtetën, sepse ke qenë ‘duke e lënë dritën tënde të shndritë’, nëpërmjet sjelljes tënde të mirë.—Mat. 5:16.