Si bashkëpunojnë anëtarët e familjes për një pjesëmarrje të plotë: Në mbledhjet e kongregacionit
1 Familjet e krishtere duhet t’i vënë veshin urdhrit për të qenë së bashku në mbledhjet e kongregacionit. (Hebr. 10:24, 25) Me një bashkëpunim të mirë, të gjithë mund të arrijnë të përgatiten për të ndjekur mbledhjet dhe për të marrë pjesë në to. Rrethanat familjare ndryshojnë, por, një burrë i krishterë, një grua besimtare ose një prind i vetëm mund të bëjnë disa gjëra për të nxitur unifikimin e familjes në çështjet frymore, pavarësisht nga numri i fëmijëve që kanë ose nga mosha e tyre.—Prov. 1:8.
2 Të marrim kohë për t’u përgatitur: Anëtarët e familjes bashkëpunojnë për të parë nëse secili përgatitet siç duhet për mbledhjet e kongregacionit. Shumica e shqyrtojnë së bashku artikullin e Studimit javor të Kullës së Rojës. Disa përgatiten për Studimin e Librit të Kongregacionit ose lexojnë pjesën në leximin javor të Biblës si familje. Synimi është fiksimi në mendje i pikave kryesore përpara ndjekjes së mbledhjes. Në këtë mënyrë, të gjithë do të përfitojnë më shumë nga ajo që dëgjojnë dhe do të pajisen për të marrë pjesë kurdo që t’u jepet mundësia.—1. Tim. 4:15.
3 Të planifikojmë të marrim pjesë: Secili në familje duhet të ketë synimin që të shpallë shpresën e tij para të tjerëve, duke komentuar në mbledhje. (Hebr. 10:23) A ka nevojë për ndihmë ose inkurajim ndonjë anëtar i familjes që ta bëjë këtë? Çfarë ndihme i nevojitet secilit, për të përgatitur caktimet për Shkollën e Shërbimit Tokratik? Gratë e çmojnë faktin që burrat e tyre shfaqin interes dhe ndoshta japin një ide për ndonjë ilustrim të përshtatshëm ose ndonjë rrethanë praktike. Prindërit nuk duhet të mendojnë se duhet t’i përgatitin ata pjesët për fëmijët e tyre. Kjo gjë mund ta ndrydhte iniciativën e fëmijës. Por, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre dhe t’i dëgjojnë ata ndërsa e provojnë pjesën me zë.—Efes. 6:4.
4 Të organizohemi për të ndjekur mbledhjet: Fëmijëve mund t’u mësohet që në moshë të vogël të vishen dhe të bëhen gati për t’u nisur në kohën e duhur për në mbledhje. Anëtarët e familjes duhet të bashkëpunojnë në bërjen e punëve të shtëpisë, me qëllim që të mos ketë vonesa.—Shiko sugjerimet në librat Sekreti i lumturisë familjare, faqe 112 dhe Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike, faqet 316-317.
5 Si prindërit, ashtu edhe fëmijët mund të mendojnë thellë mbi fjalët e Josiut të kohës së lashtë, i cili tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» Më pas, të jemi të vendosur të bashkëpunojmë për një pjesëmarrje të plotë në mbledhjet e kongregacionit.—Jos. 24:15, BR.