Shërbëtorët ndihmës bëjnë një shërbim të vlefshëm
1 «Ata e kanë treguar veten se janë vërtet burra të dedikuar, besimi i të cilëve është shfaqur në shërbimin e zellshëm të Mbretërisë dhe në ndihmesën që u japin të tjerëve, për t’u bërë të patundur në besim.» Kështu thotë libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, faqe 57, për shërbëtorët ndihmës. Vërtet, shembulli frymor që japin shërbëtorët ndihmës, vlen të imitohet. Bashkëpunimi me ta dhe me pleqtë «vepron për rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes në dashuri».—Efes. 4:16, BR.
2 Shërbëtorët ndihmës kryejnë një funksion jetësor në kongregacion. Le të mendojmë për të gjitha shërbimet e tyre të vlefshme. Ata kujdesen për llogarinë, literaturën, revistat, pajtimet dhe territoret; shërbejnë si përcjellës, kujdesen për akustikën dhe ndihmojnë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Ata marrin pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe në Mbledhjen e Shërbimit. Disa prej tyre mund të mbajnë edhe fjalime publike ose të drejtojnë disa nga mbledhjet e kongregacionit. Si gjymtyrë të trupit fizik, shërbëtorët ndihmës bëjnë shërbime për të cilat kemi nevojë.—1. Kor. 12:12-26.
3 Bashkëpunimi në harmoni me respekt dhe kuptueshmëri reciproke i shërbëtorëve ndihmës me pleqtë, si pjesë e një trupi shërbyes, i inkurajon të tjerët që të veprojnë po njësoj. (Kolos. 2:19) Duke përmbushur me besnikëri javë pas jave përgjegjësitë e tyre dhe duke treguar interes personal ndaj të tjerëve, ata i kontribuojnë një kongregacioni që është progresiv në aspektin frymor.
4 Ç’mund të bëjmë për të treguar çmueshmërinë tonë ndaj punës së palodhur të shërbëtorëve ndihmës? Ne duhet të njihemi me detyrat që u janë caktuar atyre dhe të tregohemi të gatshëm për të bashkëpunuar kur kërkohet ndihma jonë. Me fjalë ose veprime mund t’u japim të kuptojnë se puna e tyre është e çmuar. (Prov. 15:23) Ata që punojnë pa u lodhur për dobinë tonë, meritojnë vërtet të vlerësohen.—1. Sel. 5:12, 13.
5 Fjala e Perëndisë përcakton rolin dhe kërkesat për shërbëtorët ndihmës. (1. Tim. 3:8-10, 12, 13) Shërbimi i tyre i vlefshëm e i shenjtë është i domosdoshëm për funksionimin e kongregacionit. Burra të tillë meritojnë inkurajimin tonë të vazhdueshëm, ndërsa ata të gjithë kanë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1. Kor. 15:58, BR.