Arsimimi dhe synimet tona frymore
1 Marrja e një arsimimi të mirë bazë sa jemi në shkollë, mund të bëjë që të fitojmë aftësitë mësimore të nevojshme për të lexuar e shkruar mirë, si edhe që të kemi një kuptueshmëri të përgjithshme mbi gjeografinë, historinë, matematikën dhe shkencën. Me kalimin e kohës, mund të mësojmë se si të mendojmë qartë, si të analizojmë faktet, të zgjidhim probleme e të formojmë ide frytdhënëse. Një shkollim i tillë do të na shërbejë më së miri gjatë gjithë jetës. Si mund të lidhet arsimimi ynë me synimet frymore që kemi vënë në jetë dhe si mund të na ndihmojë që të fitojmë «mençuri praktike dhe aftësinë e të menduarit»?—Prov. 3:21, 22, BR.
2 Bëhemi të dobishëm në shërbimin e Perëndisë: Kur jeni në shkollë, i kushtoni vëmendje mësimit dhe i bëni mirë detyrat që ju caktohen për në shtëpi. Nëse keni zakone të mira leximi dhe studimi, për ju mund të jetë më e lehtë ta shqyrtoni Fjalën e Perëndisë dhe të qëndroni të fortë frymësisht. (Vep. 17:11) Njohuria e përgjithshme e fituar do të na ndihmojë t’u përshtatemi personave të kulturave, interesave dhe të besimeve të ndryshme që takojmë në shërbim. Arsimimi i fituar në shkollë do të jetë i dobishëm, ndërsa përmbushim përgjegjësitë e krishtere në organizatën e Perëndisë.—Krahaso 2. Timoteut 2:21; 4:11.
3 Mësojmë të mbajmë veten financiarisht: Nëse ushtrohemi, mund të mësojmë zanate që janë të nevojshme për sigurimin e jetesës pas mbarimit të shkollës. (Krahaso 1. Timoteut 5:8.) Të zgjedhim me kujdes degën që duam të ndjekim. Në vend që të përqendrohemi në një fushë me mundësi të kufizuara punësimi, le të shqyrtojmë mundësinë e mësimit të një zanati a mjeshtrie që do të na bëjë të mundur gjetjen e një pune të përshtatshme kudoqoftë. (Prov. 22:29) Një stërvitje e tillë do të na japë mundësi që të mbajmë veten financiarisht, nëse vendosim të shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë.—Krahaso Veprat 18:1-4.
4 Marrja e një arsimimi të mirë bazë kur jemi në shkollë, mund të na ndihmojë që ta zgjerojmë shërbimin tonë. Le të punojmë pa u lodhur për fitimin e atyre aftësive që janë të nevojshme për të mbajtur veten financiarisht, ndërsa ecim përpara në shërbimin ndaj Jehovait. Në këtë mënyrë, shkollimi që kemi marrë, do të shërbejë si një ndihmë për arritjen e synimeve tona frymore.