Ne predikojmë lajmin e mirë
1 Çfarë privilegji të mrekullueshëm gëzojmë që jemi mbajtës të ‘lajmit të mirë të gjërave të mira’! (Rom. 10:15, BR) Ne kemi një mesazh freskues për të ndarë me njerëz, që janë të rrethuar nga trazira dhe dëshpërimi. Si mund t’i ndihmojmë që të kuptojnë se ne po ofrojmë «lajme të mira për diçka më të mirë»?—Isa. 52:7, BR.
2 Të përgatitim një mesazh pozitiv: Bisedat tona në shërbim do të kenë një ndikim të shëndetshëm, nëse ne përqendrohemi në gjëra ndërtuese. Prandaj, kur të përgatitim prezantimet tona dhe kur të rishikojmë botimet që do të ofrojmë, duhet të nënvizojmë aspekte pozitive të mesazhit. Duke e paraqitur shpresën tonë të bazuar në Bibël me besim dhe entuziazëm, mund të presim rezultate inkurajuese.—Prov. 25:11.
3 Edhe pse na dhimbsen njerëzit kur na tregojnë se si janë ndikuar nga kushtet e keqësuara botërore, ne duhet t’u tregojmë qartë atyre zgjidhjen e vërtetë të problemeve të njerëzimit, Mbretërinë e Perëndisë. Madje edhe atëherë kur diskutojmë për «ditën e hakmarrjes» së Jehovait që po vjen, duhet të tregojmë se në ç’mënyrë kjo do të thotë në të vërtetë ‘lajm i mirë për të butët’. (Isa. 61:1, 2, BR) Ne mund t’i sigurojmë dëgjuesit tanë se çdo gjë që bën Jehovai, do të sjellë, në fund të fundit, lumturinë më të madhe dhe përfundimin më të mirë të mundshëm.
4 Ta paraqesim të vërtetën me gëzim të vërtetë: Kur vërejnë shprehjen tonë të gëzuar të fytyrës dhe tonin tonë të sigurt të zërit, njerëzit janë më të prirur për të dëgjuar. Nëse ne pasqyrojmë një pikëpamje optimiste, dëgjuesit tanë do ta kuptojnë se ne jemi «të gëzuar në shpresë». (Rom. 12:12) Kështu, ata mund të jenë më të prirur për t’iu përgjigjur lajmit të mirë. Sigurisht, ne kemi gjithmonë arsye të vlefshme për të shfaqur në çdo aspekt të shërbimit tonë një qëndrim pozitiv dhe të gëzuar.
5 Si shërbëtorë të lajmit të mirë, bëjmë shumë më tepër sesa vetëm informojmë. Predikimi ynë paraqet një shpresë të sigurt për një jetë më të mirë tani dhe në të ardhmen. (1. Tim. 4:8) Ndërsa i afrohemi secilit person, gjendja jonë pozitive e mendjes do të pasqyrohet në atë që themi dhe do t’i ndihmojë njerëzit të pranojnë lajmin e mirë. Duke i kushtuar vëmendje asaj që themi dhe mënyrës se si e themi, le t’i nxitim njerëzit me zemër të ndershme që të përqafojnë lajmin e mirë drithërues që predikojmë!