Të imitojmë ‘Perëndinë tonë të lumtur’, Jehovain
1 Jehovai do vërtet që njerëzit të jenë të lumtur. Fjala e tij na bën t’i presim me padurim bekimet e mrekullueshme që ai do të sjellë për njerëzimin. (Isa. 65:21-25) Të tjerët duhet ta shohin qartë se ne e përhapim me gëzim ‘të lavdishmin lajm të mirë të Perëndisë së lumtur’. (1 Tim. 1:11) Mënyra se si flasim për mesazhin e Mbretërisë duhet të pasqyrojë dashurinë për të vërtetën dhe interesimin tonë të sinqertë për ata me të cilët flasim.—Rom. 1:14-16.
2 Është e vërtetë që ndonjëherë mund të jetë e vështirë të jemi gjithmonë të qeshur. Në disa territore, ata që reagojnë pozitivisht ndaj mesazhit të Mbretërisë mund të jenë të paktë. Mund të kalojmë edhe ditë të këqija në jetë. Për të ruajtur një frymë të gëzuar, do të ishte mirë të mendonim se sa shumë nevojë kanë njerëzit në territor të dëgjojnë dhe të kuptojnë lajmin e mirë të Mbretërisë që predikojmë. (Rom. 10:13, 14, 17) Ky meditim do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’u tregojmë me gëzim për masat e mëshirshme që ka marrë Jehovai për të na shpëtuar.
3 Të përqendrohemi te gjërat e mira që do të vijnë: Duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe asaj që themi. Megjithëse biseda mund të marrë shkas nga një problem ose lajm që njerëzit e kanë të freskët në mendje, nuk duhet të përqendrohemi më kot në gjëra negative. Detyra jonë është t’u japim «lajmin e mirë për diçka më të mirë». (Isa. 52:7; Rom. 10:15) Ky lajm i mirë është një mesazh që vjen nga premtimet e Perëndisë për një të ardhme më të mirë. (2 Pjet. 3:13) Me këtë në mendje, të përdorim Shkrimet në mënyrë të tillë që ‘t’u lidhim plagën zemërvrarëve’. (Isa. 61:1, 2) Kjo do ta ndihmojë secilin prej nesh të ketë gjithmonë një frymë të gëzuar dhe një qëndrim pozitiv.
4 Pa dyshim, njerëzit do ta vënë re gëzimin tonë ndërsa jemi në veprën e predikimit. Prandaj, ndërsa u shpallim lajmin e mirë të Mbretërisë njerëzve në territorin tonë, le të pasqyrojmë gjithmonë prirjen e «Perëndisë së lumtur», Jehovait!