«E kemi punuar shumë herë territorin tonë!»
1 A kemi menduar ndonjëherë se territori ynë është punuar kaq shpesh, saqë nuk kanë mbetur më persona ngjashëm deleve në të? Ndoshta kemi menduar: ‘E di si do të përgjigjen njerëzit. Përse të vazhdojmë të kthehemi tek ata që nuk janë të interesuar?’ Është e vërtetë që shumë territore janë punuar shpesh. Megjithatë, ky fakt duhet parë pozitivisht jo negativisht. Përse kështu? Le të vërejmë katër arsyet që jepen më poshtë.
2 Lutjeve tona u është dhënë përgjigje: Jezui tha: «E korra vërtet është e madhe, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrës të dërgojë punëtorë në të korrën e tij.» (Luka 10:2) Për dekada të tëra i jemi lutur Jehovait për më shumë ndihmë. Në shumë vende i kemi tani punëtorët e tjerë që na nevojiteshin dhe po e mbulojmë territorin edhe më shpesh. A nuk duhet të na gëzojë fakti që Jehovai u është përgjigjur lutjeve tona?
3 Ngulmimi sjell fryte të mira: Edhe në territoret e punuara shpesh, njerëzit po i përgjigjen mesazhit të Mbretërisë dhe po arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës. Prandaj, duhet të vazhdojmë t’i vizitojmë përsëri me shpresë se mos gjejmë persona të tjerë me zemër të sinqertë. (Isa. 6:8-11) Siç bënë dishepujt e shekullit të parë, ‘të shkojmë vazhdimisht’ te njerëzit në territorin që na është caktuar e të përpiqemi të nxitim interesin e tyre për Mbretërinë e Perëndisë.—Mat. 10:6, 7.
4 Në Portugali, shumë kongregacione e mbulojnë çdo javë territorin e tyre, por ende po gjejnë persona ngjashëm deleve. Veçanërisht një motër ka një qëndrim shumë pozitiv. Ajo thotë: «Çdo mëngjes, përpara se të dal në shërbim, i lutem Jehovait të më ndihmojë të gjej ndonjë që ka interes për të studiuar Biblën.» Një ditë bëri rregullime për të filluar një studim me punëtorët në një floktore. Megjithatë, më vonë vetëm një doli se ishte gati për të studiuar. Ky person tha: «Të tjerët nuk janë të interesuar, ndërsa unë jam.» Brenda dy muajve ajo po drejtonte vetë dy studime biblike. Pak pas kësaj u pagëzua dhe më vonë filloi shërbimin si pioniere.
5 Vepra po ecën përpara: Lajmi i mirë po predikohet, pikërisht siç paratha Jezui se duhej të ndodhte. (Mat. 24:14) Edhe në vendet ku njerëzit «nuk duan të [na] dëgjojnë», ata po njoftohen me anë të veprës së predikimit. Ne e presim që disa të jenë të pandjeshëm e madje kundërshtarë ndaj së vërtetës. Megjithatë, këta duhen njoftuar siç duhet rreth gjykimit të ardhshëm të Jehovait.—Ezek. 2:4, 5; 3:7, 8, 19.
6 Ende nuk kemi përfunduar: Nuk na takon neve të vendosim kur ta ndalojmë veprën e predikimit. Jehovai e di saktësisht se kur duhet të përfundojë kjo vepër. Ai e di nëse ka njerëz në territorin tonë që ende mund t’i përgjigjen lajmit të mirë. Sot, disa njerëz thonë se nuk janë të interesuar, por ndryshimet drastike në jetë, si humbja e punës, sëmundjet e rënda, vdekja e një personi të dashur, mund t’i bëjnë më të ndjeshëm në një periudhë tjetër kohore. Për shkak të paragjykimit, ose thjesht sepse janë tepër të zënë për të na dëgjuar, shumë njerëz në të vërtetë nuk e kanë dëgjuar kurrë atë që predikojmë. Vizitat e përsëritura miqësore mund t’i bëjnë që të na e vënë veshin e të na dëgjojnë.
7 Ata që janë rritur vitet e fundit e që tani kanë vetë një familje, po e marrin më seriozisht jetën dhe po bëjnë pyetje që vetëm Fjala e Perëndisë mund t’u japë përgjigje. Një nënë e re ftoi dy Dëshmitare në shtëpinë e saj dhe tha: «Kur isha e vogël, nuk munda kurrë ta kuptoja përse nëna i ktheu mbrapsht Dëshmitarët dhe u tha se nuk ishte e interesuar, ndërkohë që ata s’donin gjë tjetër veçse të flitnin rreth Biblës. E ndava mendjen që kur të rritesha, të martohesha e të kisha shtëpinë time, do t’i ftoja Dëshmitarët e Jehovait që të vinin e të ma shpjegonin mua Biblën.» Dhe kështu bëri, duke u dhënë ndërkohë kënaqësi Dëshmitareve që e vizituan.
8 A mund të jemi më të efektshëm? Arsyeja se përse mund të na duket e vështirë që ta punojmë shpesh territorin, mund të mos jenë gjithnjë njerëzit që vizitojmë. Disa herë jemi vetë ne. A fillojmë me mendime negative? Kjo mund të ndikojë në qëndrimin tonë dhe ka të ngjarë në tonin e zërit e shprehjen e fytyrës. Le të shfaqim një frymë pozitive dhe një çehre të këndshme. Të provojmë një prezantim të ri. Ta ndryshojmë prezantimin që bëjmë e të përpiqemi ta përmirësojmë. Ndoshta mund të ndryshojmë pyetjen hapëse ose të përdorim një shkrim të ndryshëm në bisedë. Të pyesim vëllezërit e tjerë dhe motrat e tjera se nga sa kanë vërejtur, çfarë duket se jep fryt kur punojnë territorin. Të dalim në shërbim me lajmëtarë dhe pionierë të ndryshëm e të vërejmë se çfarë e bën të efektshëm shërbimin e tyre.
9 Vepra e predikimit të Mbretërisë ka miratimin dhe bekimin e Jehovait dhe pjesëmarrja jonë në të provon dashurinë që kemi për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mat. 22:37-39) Pra, le ta përmbushim deri në fund veprën tonë, duke mos u lodhur së punuari territorin herë pas here!